Pas akuzave të ngritura sot nga Partia Demokratike mbi drejtuesen e Prokurorisë së krimeve të Rënda, e cila sipas demokratëve rezulton në përgjimet me grupin e Avdyljave, kanë reaguar edhe prokurorët e dosjes së shumëpërfolur 339.
Në njoftimin shpërndarë mediave i cili mban firmën e prokurorëve, Vladimir Mara dhe Dritan Prençi hidhen poshtë pretendimet e PD.
“Në lidhje me njoftimin publik të bërë të ditur nga konferencën për shtyp datë 28.01.2019 nga Z. Enkelejd Alibeaj në selinë e Partisë Demokratik, se Drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda znj. Donika Prela rezulton e përfshirë në përgjimet e dosjes Nr. 339 në komunikim me anëtarë të grupit të Avdylajt, ju bëjmë me dije se faktet e deklaruara janë të pavërteta”, shkruhet në deklaratën e prokurorëve.
Pas tyre reagoi edhe selia blu.
“Në një akt të paprecedentë në historinë e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela ka detyruar sot dy prej vartësve të saj të nxjerrin sekretin hetimor.
Vetëm për këtë shkelje flagrante të ligjit, Donika Prela duhet të shkarkohet nga organet e vetingut.
Vartësit e Donika Prelës nuk thonë të vërtetën. Shefja e tyre është pjesë e përgjimeve të bandës së Avdylajve në dosjen 339. Këtë e provojnë përgjimet e muajit janar 2018.
Duke qenë se tani Donika Prela e ka cënuar sekretin hetimor, le t’i shkojë deri në fund! Të urdhërojë të bëhen publike përgjimet audio të bandës së Avdylajve në muajin janar 2018, kur në makinën e kreut të bandës u gjet një armë pa leje, 9 mm, dhe Astrit Avdylaj u arestua në flagrancë.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka përgjegjësi ta verifikojë këtë informacion.
Organet e vetingut duhet ta detyrojnë Donika Prelën të përgjigjet, nëse ajo ka urdhëruar dhe firmosur lirimin e kreut të bandës së Avdylajve dhe nxjerrjen e tij të pafajshëm, në janar 2018, kohë kur Donika Prela drejtonte Prokurorinë e Durrësit,” thuhet në deklaratën e PD.