Përgjigjja ndaj kritikëve, Zogaj: Fillimet e ’90-ës janë të shqiptarëve

zogajLibri i fundit i Preç Zogajt “Fillimet”, botim i UET-Press, promovohet në Lezhë dhe në Shkodër. “Nuk ka vend për mitizim, por ky është një sulm absurd…të thuash që Lëvizjen e ‘90-ës e krijoi PPSH, është poshtërsi”

 



Muaji dhjetor vazhdon ta ruajë nxehtësinë e tij politike dhe pas 24 vitesh, kur në një dhjetor të ftohtë shqiptarët morën më në fund guximin t’i jepnin shqelmin e fundit regjimit komunist. Çdo dhjetor mediat, politikanët e publiku nuk i shpëtojnë dot rikthimit të kujtimeve, debatit për protagonistët, për rolin e atyre që njihen si dhjetoristët, për rolin e përfaqësuesve të sistemit në ikje etj. 24 vjet më pas, një prej protagonistëve kryesorë të kësaj lëvizjeje, shkrimtari dhe politikani Preç Zogaj vjen me një libër të titulluar “Fillimet”. Një libër që tërhoqi vëmendjen e lexuesve jo vetëm për kohën për të cilën flet, për të cilën vazhdon të ketë një kuriozitet e admirim dhe pas dy dekadash, por edhe për stilin e të shkruarit, që shumëkush e ka përjetuar si letërsi më shumë se si një tregim për ngjarje historike.

Preç Zogaj ishte këtë javë në Lezhë dhe në Shkodër për të promovuar librin e tij të fundit dhe për të ndarë me intelektualët e këtyre qyteteve impresione e diskutime mbi fillimet e demokracisë. Kthimi me këtë libër në vendlindje, ku për Preçin erdhën nga të pranishmit kujtime që nga adoleshenca e tij e hershme, që nga koha kur shkruante poezi e dëshironte të bëhej aktor, ishte një emocion i veçantë për autorin, siç u shpreh ai për Mapo-n. “Promovimin e librit doja ta bëja fillimisht në Lezhë e më pas në Tiranë”, tha ai, por në fakt erdhi në Lezhë, pasi buja mbi librin e kishte pushtuar Tiranën fillimisht. Emocioni i të qenit në vendin e lindjes dhe emocioni i të folurit për një kohë që protagonistët e saj do ta kenë gjithmonë me vete, si një ngjarje që për nga rëndësia që kishte për jetën e tyre të mëvonshme, i ka bërë ata në njëfarë mënyre, ishte i pashmangshëm.

Por më shumë se kjo, një tjetër lloj trishtimi dukej se rrinte mbi ajër në atë sallë të ftohtë të Bibliotekës së qytetit verior, ku shumë të pranishëm e kishin jetuar nga afër ’90-ën, trishtimi për disa shkrime, disa sulme publike të bëra pikërisht këtë dhjetor ndaj protagonistëve të asaj kohe dhe vetë lëvizjes studentore.

Një sulm absurd dhe një poshtërsi, i cilësoi Zogaj akuzat se lëvizjen e Dhjetorit e krijoi vetë Partia e Punës në pushtet, apo ndikimin e pushtetit të asaj kohe në këtë lëvizje. Ai pranoi se demokracia në Shqipëri erdhi e negociuar me sistemin në pushtet, por theksoi se fillimet e demokracisë u përkasin të gjithë shqiptarëve, duke e veçuar këtë lëvizje me atë që ndodhi më pas, krijimin e Partisë Demokratike. “Politika filloi pas shpalljes së Partisë Demokratike, atëherë filloi dhe gara për pushtet”, – tha ai.

Duke komentuar mbi atë çfarë thuhet për lëvizjen dhe protagonistët e saj, Zogaj theksoi se në asnjë ngjarje nuk ka vend për mitizim, por nuk duhet përbaltur ajo që u bë, ajo lëvizje që erdhi nga dëshira e shqiptarëve për liri.

“Ky promovim përkon me një sulm absurd që u bëhet fillimeve të dhjetorit.  Gjithmonë ka pas teprime, me festime në atë që unë e quaj “koritjen” kush është i pari etj. Dhe në fakt unë kam menduar se po i mërzisim njerëzit sepse s ‘ka vend për mitizim, askund në histori s’ka vend për mitizim, mitizimi u hap vend spekulimeve. Por nuk ka vend as për përbaltje. Fillimet janë fillimet e shqiptarëve, demokratët në kuptimin politik, si i quajmë sot erdhën më vonë, por fillimet janë të shqiptarëve, siç janë ngjarja e Shkodrës më 14 janar, etj.. Unë jam përpjekur t’i sistemoj disa ngjarje që sollën ngjarjen kulmore, dhjetorin ‘90. T’i tregoj si ngjarje njerëzore, si akte të qytetarisë shqiptare”, tha ai gjatë fjalës së tij para miqve dhe lexuesve të tij lezhjanë.

Më tej autori i librit mbi ngjarjet e ’90, shtoi se kishte dallime mes mënyrës se si erdhi demokracia në vendin tonë dhe asaj se si erdhi në vende të tjera të lindjes. “Ndërsa demokratët polakë i mbështeti perëndimi, në Shqipëri dolën nga sistemi, nga brenda sistemit dhe bënë diferencën. Pluralizmi në Shqipëri lindi i negociuar, por kjo nuk e zbeh aspak përkundrazi e lartëson, por të thuash që e krijoi PPSH-ja është poshtërsi ndaj shoqërisë shqiptare, është insinuatë ndaj saj”, u shpreh ai.

Libri i Zogajt është cilësuar nga kritika e publiku si paradoksial në faktin që është i fundit në kolanën e tij të librave për ngjarjet e demokracisë dhe në fakt flet për fillimin e saj. Por Zogaj pranoi se nga gjithë kolana me 10 libra mbi ngjarjet politike të vendit që nga ’90, ky libër është libri që ai do më shumë dhe libri që i ka kushtuar më shumë pasion dhe në stilin e të shkruarit ndaj ai uroi që “mos ti mërziste lexuesit e tij patriotë, dhe ata që nuk do ta lexonin si një libër historik ta lexonin si letërsi”. “Libri im nuk është reklamë për kërkënd nuk është një pllakat, kontradiksionet e bëjnë të vërtetë. Ne erdhëm nga shkolla e luftës së klasave dhe themeluam shkollën e bashkëpunimit. Unë kam shkruar libra në kohë reale me ngjarjet, por fillimet është libri që dua më shumë”, tha Zogaj.

Pas promovimit në Lezhë, Zogaj u ftua dhe në Shkodër, një qytet që është cilësuar “djepi i demokracisë”, ku prit në një bashkëbisedim të hapur në bibliotekën e Universitetit “Luigj Gurakuqi” me studentë, pedagogë e lexues të tij. Në prezantim morën pjesë me diskutimet e tyre edhe protagonistë të lëvizjeve të para anti diktatoriale në Shqipëri, të filluara në qytetin e Shkodrës, Dedë Kasneci, Gjergj Livadhi, etj. Të pranishëm ishin edhe kryetari i Bashkisë së Shkodrës, z. Lorenc Luka dhe kryetari i Qarkut, z. Maxhid Cungu.

 

Agim Baçi: “Fillimet”, një libër që rikthen emocionet e ’90-ës

Gazetari dhe kritiku letrar, Agim Baçi, që i ka jetuar nga afër dhe ka qenë protagonist i fillimeve, i atyre ditëve për të cilët shkruan Preç Zogaj në librin e tij të fundit, e cilëson këtë libër një libër që ka kryer një mision, rikthimin e emocioneve të atyre ditëve, vendimtare dhe të rëndësishme për gjithë shqiptarët.

Duke folur për librin gjatë promovimit në Lezhë, Baçi  shprehet: “Fillimet’ nuk është një roman, edhe pse mund të lexohet si i tillë. Nuk është një libër historik, edhe pse mund të lexohet i tillë. Nuk është një dëshmi, edhe pse thotë shumë. Ai është një libër që rikthen thuajse në mënyrë të përpiktë disa nga emocionet a atyre ditëve që ishin vendimtare për shqiptarët. Dhe Preç Zogaj ka mundur që të risjellë gjithë emocionet e ditëve që futën drejt greminës diktaturën dhe i hapën rrugën takimit me Lirinë. E nëse sot flasim me zë të lartë, atëherë mjaftonte të guxoje me një fëshfërimë. E nëse sot mund të shkojmë kudo, atëherë do të mjaftonte të ëndërroje. Sepse ai sistem, që i kish hequr kuptimin jetës, që kish uniformizuar mendimet, duket se po kërkonte çelësat edhe për të përcaktuar ëndrrat që duhej të shihnim. Por më 8 dhjetor 1990 nisi orteku, që mblodhi “ato fije floku” që kishin nisur të binin që janari i vitit ’90 me disa lëvizje në Kavajë e Shkodër, e deri në hyrjen e mijëra shqiptarëve nëpër ambasada. E megjithatë, studentët, si shenja më e qartë e së ardhmes, vunë vulën e tyre. Dhe, sado subjektive, rrëfimet e Preç Zogajt flejnë më shumë në shtratin e së vërtetës së madhe. Si i tillë është një libër që vlen jo vetëm të lexohet, por të përcillet tek sa më shumë që njohim, sepse kështu nuk do të mund të harrojmë dot “takimin me Lirinë!””.

Ndue Lugja, njeriu që jeton me kujtimet e fillimeve

Ndue Lugja është një burrë i gjatë, rreth të 50-ve, i veshur thjesht dhe me një përulje njerëzore që rrallë e gjen ndër shqiptarët gjatë komunikimit. Ai është ulur në rreshtin e parë të sallës ku zhvillohet promovimi i librit të Preç Zogajt, “Fillimet”, që flet për ditët e muajt e rrëmbyeshëm të fillimeve të demokracisë. Por Ndue, dhe pse mundohet të qëndrojë me një modesti të tepruar larg vëmendjes, nuk i shpëton dot asaj, pasi të gjithë e përmendin e emrin e tij, duke nisur që nga autori, i cili e ka protagonist të librit të tij dhe ia vlerësoi vlerat e përpjekjet e bëra në atë kohë. Vëmendja ndaj Ndues i referohet pa dyshim adhurimit që kanë krijuar miqtë e njerëzit që e njohin për atë që ka qenë e atë që ka bërë ai 24 vite më parë, në dhjetor të vitit 1990. Ndue Lugja, një nga protagonistët kryesorë të lëvizjes së dhjetorit, në atë kohë student i Gjeologji-Miniera ku dhe vloi protesta e studentëve, organizator i grevës së urisë së studentëve dhe sot një kurator arti në Vatikan.

“Kam ikur fill pas grevës nga frika për jetën time, pasi morëm kërcënime, paralajmërime nga shërbimet sekrete. I kam hipur anijes për në Itali dhe nuk u ktheva më, tani jeton e punoj në Vatikan”, – tregon ai. Por për të dhjetori i vitit ’90 është një moment, që përbën jetën e tij të djeshme dhe të sotme, një moment i shkurtër në jetë që në fakt jeton çdo ditë të jetës me të. “Libri i Preçit është shumë i bukur, është një realitet, por unë kam shumë emocione sidomos me pjesën e parë të librit dhe e kam filluar ta lexoj nga gjysma e dytë. Nuk arrij do ta lexoj pjesën e parë sepse në momentin që lexoj shoh vetveten, shoh studentët e viteve ’90, shoh kërkesat tona, shoh vështirësitë që kemi hasur. Duke lexuar këtë libër çdonjëri prej nesh e ndjen veten në këtë libër”, shprehet Ndue për gazetën MAPO.


Fatal error: Uncaught ___C_0: (E_ERROR) Trying to access array offset on value of type bool in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config:252 Stack trace: #0 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(13): ___C_5->_errorHandler(2, 'Trying to acces...', '/home/gazetamap...', 13) #1 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_demo_style() #2 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(74): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_image_size() #3 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(63): JNews\Module\Block\Block_9_View->build_column(Array, 'jeg_col_2o3') #4 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(47): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_column(Array, 'jeg_col_2o3') #5 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/BlockViewAbstract.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_output(Array, 'jeg_col_2o3') #6 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/ModuleViewAbstract.php(165): JNews\Module\Block\BlockViewAbstract->render_module(Array, 'jeg_col_2o3') #7 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(1265): JNews\Module\ModuleViewAbstract->build_module(Array) #8 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(205): JNews\Single\SinglePost->related_post(false) #9 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(307): JNews\Single\SinglePost->related_post_hook('') #10 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(331): WP_Hook->apply_filters(NULL, Array) #11 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/plugin.php(474): WP_Hook->do_action(Array) #12 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/fragment/post/single-post-1.php(66): do_action('jnews_single_po...') #13 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(772): require('/home/gazetamap...') #14 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(716): load_template('/home/gazetamap...', false, Array) #15 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/general-template.php(204): locate_template(Array, true, false, Array) #16 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/single.php(16): get_template_part('fragment/post/s...') #17 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template-loader.php(106): include('/home/gazetamap...') #18 /home/gazetamapo/public_html/wp-blog-header.php(19): require_once('/home/gazetamap...') #19 /home/gazetamapo/public_html/index.php(17): require('/home/gazetamap...') #20 {main} thrown in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config on line 252