Drejtori Rajonal i Arsimit në Dibër, Drini Gjeci zbaton urdhrin e deputeti të PS, Pjerin Ndreu për deklarimin e hapur të votës nga punonjësit e arsimit, duke i kanosur ata me largim nga puna. Në përgjimin e 12 të BILD, Drini Gjeci telefonon drejtorin e shkollës në Reç, Reshat Elezi (0686433077) të cilit i kërkon që ai dhe familja e tij të deklarojnë hapur votën, ose përndryshe të gjejë punë tjetër, pas dyshimeve se ata mund të votonin kandidatin e opozitës.
Biseda telefonike
Drejtori i shkollës (Reshat Elezi): Alo, mirëmengjes drejtor.
Drini Gjeci: Mirë, ku je ti?
Drejtori i Shkollës: Jam këtu, në radhë tek qendra e votimit.
Drini Gjeci: E ke marrë gjithë familje me vete?
Drejtori i Shkollës: Të shtëpisë? Jo ata nuk janë tu ardh me votu tani, ma vonë. Do shkoj t’i marr më vonë.
Drini Gjeci: Në ça qendre voton ti?
Drejtori i Shkollës: Këtu në Zallreç.
Drini Gjeci: Zallreç? Dëgjo, se kam informacione jo të mira andej unë. Sot vota jote një dhe e familjes dy, do deklarohet haptas. Nuk ke deklaruar votë haptas sot bashkë me familjen, shko dhe gjej punë tjetër.
Drejtori i shkollës: Drejtor, mos e vri mendjen për atë punë fare. Më dëgjon. Janë llafe njerëzit, mos e vri mendjen për atë punë fare.
Drini Gjeci: Ore, do deklarohet haptas, haptas! Kur them haptas, haptas.
Drejtori i shkollës: Po mo e vrit mendjen fare. Pa merak, pa merak.
Drini Gjeci: Bëje haptas me gjithë familjen.
Drejtori i shkollës: Pa merak, pa merak, pa merak. Në rregull.