Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi ka publikuar videon ku tregon se si me urdhër të kryeministrit Edi Rama u përdorën administrata dhe procesi i legalizimeve, për të mbledhur vota.
Ai kujton përmes videos premtimin e Edi Ramës në 2013-ën ku ai premtonte se shtëpitë nuk do të shembeshin edhe sikur të ngrihej nga varri Enver Hoxha.
Ndërsa Arta Lame, në audiopërgjim deklaronte se këto shtëpi nuk do të legalizohen kurrë, por kjo njerëzve nuk duhet t’iu thuhej, sepse iknin dhe votonin PD-në. “Shkonin mish për top për palën tjetër”, është fraza e përdorur nga Lame. Kësaj deklarate, Lame i qëndroi edhe ditën e sotme kur u pyet për audiopërgjimin, duke shtuar se do ta thoshte sërish dhe se nuk ishte nevoja ta regjistronin fshehurazi.
Postimi
Këmbëngulja e Artan Lames për t’i cilësuar shqiptarët si mish për top, është një tjetër provë se me urdhër të Edi Ramës, administrata dhe legalizimet janë përdorur për qëllime elektorale në masakrën zgjedhore. Këtë e thotë edhe raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR, këtë e dinë mirë të gjithë shqiptarët që pas mashtrimit për legalizime falas, u përballën me dhunën dhe gazin lotsjellës me të cilin u dëbuan nga pronat e tyre. Ky krim zgjedhor, si një hallkë në zinxhirin e veprimeve korruptive dhe anti-demokratike, është një tjetër provë në duart e drejtësisë e cila nuk mund të mos veprojë, sidomos kur shkelësit e saj sfidojnë publikisht atë dhe shoqërinë shqiptare me qëndrimet e tyre anti-ligjore.