11 MINUTA-PAULO COELHO
Eli Kanina
“- Mu duk si Kozeta e punës tonë, ajo bukuroshja te cepi i urës
– Edhe mua ashtu mu duk. Ajo është gjithë kohën kaq e bukur, kaq e kuruar
– Si ka mundësi që e mban veten aq shumë, deri në fund të ditës, qimja nuk i bie
– E vetmja që ikën e vjen nga puna, si manekin, pa asnjë gjurmë lodhjeje, shprishjeje, zhbërjeje nga lodhja e ditës.
-Po kur ikte tek shefi moj, pikë fare kthehej, pas një ore së bashku aty brenda. Nuk e di, nuk e di. Falmë o
Zot por…ose ai ishte ekspert në aktin e dashurisë …ose ajo eksperte në artin e kozmetikës
-Ç’mund të bënin ata të dy për një orë?”
Ishte kjo bisedë pas shpinës time nga dy kolege për të tretën, Kozetën, që më disiplinoi mendimet e atij mëngjesi. Shiu e shtonte trafikun dhe udhëtimi im me autobuzin e unazës e dyfishonte kohën e mbërritjes në punë. Kjo do të thoshte që vëmendja ime të shëtiste përreth si flutura mbi lule për tu englendisur e shtyrë kohën një farësoj, nëpër fytyra me interpretime mimikash, kombinime veshjesh me aroma trupi apo parfumi, dëgjime bisedash me shfrime e rënkime pa lidhje, për të gjetur një pikë ku fillimdita dhe mendja ime të motivonin njëra tjetrën. Ky kaos në autobuz, më bëri që si magnet të përthithja bisedën duke ngecur tek pyetja e fundit.
Automatikisht përsiatja ime u orientua tek Paulo Coelho që e kishte reduktuar në 11 minuta kohën që mikeshat përflisnin për Kozetën.”Po të heqim kohën për t’u zhveshur, për ndonjë gjest mirsjelljeje, disa fraza standarte dhe veshjen, mbeteshin vetëm njëmbëdhjetë minuta. Pra, bota sillej rreth diçkaje që zgjaste vetëm njëmbëdhjetë minuta. Gjithçka bëhej gjatë njëzetekatër orëshit, vetëm për njëmbëdhjetë minuta në ditë?”
Më kujtohej përvjetori i ditëlindjes time, kur ime bijë e bezdisur nga moralizmat e mia të vazhdueshme për menaxhimin e kohës, më solli pikërisht këtë libër. E gjendur përballë librashitëses në kërkim të një libri dhuratë, kishte zgjedhur pa asnjë informacion paraprak, duke u nisur nga titulli, librin “Njëmbëdhjetë minuta”.
– Për pesë minuta i do ti gjërat, urdhëro e lexoje P. Coelho që thotë se duhen njëmbëdhjetë minuta- ma la librin në dorë, ime bijë e entuziazmuar që tani e kishte të argumentuar fashën e zgjeruar të kohës për kryerjen e punëve, dhe që na bëhej mollë sherri në shtëpi.
Ishte pak e avashtë ajo apo isha unë e ndërkryer? Gjithsesi i buzëqesha falenderuese, duke e ditur përmbajtjen e librit dhe ia ktheva me të njëjtin monedhë:
– Do të doja që ta lexoje edhe ti, që të kuptosh filozofinë e njëmbëdhjetë minutave sipas autorit P. C, nëpërmjet jetës së Maries, të mënjanosh andrrallat e paragjykimet e botës që të rrethon për të gjetur e përqafuar ” dritën tënde të brendshme”.
Ndërsa tek “Metamorfoza”, Kafka i jep brenda një kohe të ngjeshur, mesazhet e transformimit të Gregor Zamza në përbindësh, prej trysnisë së mekanizmit shtetëror dhe presioneve të errëta individuale. Në përshkrimin e një dite të vetme, shtypen miljona vite që u është dashur realisht transformimit të specieve në Tokë. Në romanin e tij Paulo Coelho përshkruan deri në detaj etapat e rritjes së Maries, duke përdorur gjithë jetën e saj në favor të shtjellimit të filozofisë së tij.
Koha e Maries në fëmijëri ishte e ngadaltë dhe e mërzitshme, përsa nuk e pëlqente studimin dhe si e lindur në një provincë të Brazilit, me një jetë prej besimtare ëndërronte ndryshimin e jetës prej princit të kaltër. Në moshën njëmbëdhjetë vjeçare u dashurua së pari, me djalin që i kërkoi një penë si pretekst, teksa bënin bashkë çdo ditë rrugën për në shkollë. Por as ai, as i riu që kishte puthur me gojën mbyllur tre vite më pas, as hareja e vajtjes në Rio- de- Zhanejro, as sipërmarrësi që i dhuroi bashkë me një fustan të bukur e këpucë të shtrenjta, edhe një jetë ndryshe në Zvicër, as stilisti i famshëm arab që e pagoi me njëmijë franga natën, dhe gjithë burrat që ajo shkoi më pas, nuk i zgjuan dashurinë, por e ndihmuan Marien të kuptojë se “ata që kanë prekur shpirtin nuk ia kanë arritur të zgjojnë trupin, ndërsa ata që kanë përkëdhelur trupin, nuk kanë mbërritur deri në shpirt”.
Për Marien fillimisht dashuria kishte të bënte më tepër me mungesën, sesa me praninë e tjetrit. Nuk mjafton ta ndjesh një dashuri të madhe, duhet t’ua rrëfesh atë të tjerëve, përvoë që e bëri qesharake para shoqeve por edhe i mësoi shumë të tjera. Pasi mësoi se e puthura bëhej me gojë hapur e prekje gjuhësh, mësoi masturbimin, provoi orgazmën dhe bashkë me rritjen e bukurinë, fitoi edhe eksperiencë seksuale, Maria kuptoi se burrat sillnin vetëm dhimbje, mundime e vuajtje, ndaj braktisja e pasionit të dashurisë, e motivoi për tê vazhduar. Midis të qenurit viktimë e botës ose aventuriere në kërkim të thesarit, ajo zgjodhi aventurieren.
Sa të paragjykohem prej atyre që nuk kanë rrezikuar kurrë dhe shohin vetëm humbjen e tjetrit, më përpara duhet të jem besnike ndaj vetes, arsyeton Maria për vendimin e saj. Askush nuk është padron i asgjëje. Kush ka humbur diçka, arrin të kuptojë se nuk i përket asgjë. Ëndrrat kushtojnë , dhe jeta është si malet ruse në luna park, një lojë e fortë haluçinante që në kërkim të emocioneve të forta, kur fillon lëvizja kërkon ta ndalësh, pa e çuar deri në fund nga frika.
Maria ia kishte dalë të mohonte me vullnet ngacmimet e zemrës gjatë punës si prostitutë, duke u sjellë si tre njerëz bashkë me klientët e saj. Ajo ishte njëkohësisht “vajza e pagdhendur”, “gruaja fatale”, “nëna që të kupton” duke u vetëkontrolluar e mohuar dashurinë, derisa dikush nuk e pa më si objekt apo vetëm si grua.
Pas betejave me vetveten, ndjenjën e fajit, kureshtjen, paratë, kërkiminin e caqeve të vetes, pas rasteve dhe mundësive të humbura, Maria vazhdon të sakrifikojë e të ngushëllohet për fatin e saj. Derisa piktori Ralf Harti dalloi brenda shpirtit të saj, frikën, brishtësinë, paaftësinë për të zotëruar një botë të panjohur. Ndriçimi që ai pa tek Maria dilte nga forca e vullnetit për të sakrifikuar gjëra të rëndësishme, në emër të disa të tjerave që i gjykon si më të rëndësishme. Ai ndriçim shpirti ishte drita që shfaqet tek sytë. Bota e Maries filloi të lëkundej, për nevojën e tjetrit brenda nesh, për ndarjen e emocioneve, si shkarkim, si shfajsim, si deshifrim të sinjaleve të pasionit.Pas takimit me piktorin Ralf, pasiguria e kaploi përsëri Marien :
Çfarë është më e rëndësishme, të jetosh apo të bësh sikur ke jetuar?
T’i largohesh pasionit apo të zhytesh në të verbërisht?
Cila nga këto sjellje është më pak shkatërruese?
Nuk i duhej të lexonte më libra në bibliotekë, edhe pse ata e kishin ndihmuar ndriçimin e saj, për tu dhënë përgjigje këtyre pyetjeve. Tashmë ajo e kuptonte se mjafton ta njohësh tjetrin, ta dish dhe ta ndiesh se ekziston, dhe pa u ngutur të presësh rastin e duhur për të shprehur dëshirën e papërlyer, në gjendjen e saj më të pastër, për të ndodhur e pashmangshmja, dashuria! Kur flasin për seksin e dashurinë, njerëzit e shohin bukurinë në komplikimin e tyre më citime e referenca, ndërkohë që janë thjeshtësia dhe pasioni me të cilat jetohet, që i japin kuptim.
Seksi nuk është teori, temjan që digjet, pika kontakti, temenara e gili vili. Takimet e rëndësishme kombinohen nga shpirtra, shumë më përpara se të shikohen trupat, ndodhin kur arrijnë në zgrip, dhe aty trupat mësojnë të flasin me gjuhë shpirtrash, dhe ky është seksi. Nga nevoja për tu djegur në zjarrin e emocioneve të shkuara apo për të rijetuar gëzimet e dhimbjet e dikurshme, për të zbuluar e jetuar emocione të reja njerëzit sakrifikojnë e sprovohen derisa të shohin fillin drejtues që i orienton tek dashuria. Ndërsa përvojat më të rëndësishme të një burri janë ato që e çojnë në ekstrem, takimi i një gruaje me vetveten është një lojë që sjell rreziqe serioze. Nëse në takimin e dy universeve, dy energjive të mbinatyrshme, mungon respekti i duhur, një univers shkatërron tjetrin. Seksi është i mrekullueshëm kur burri di të jetë grua dhe anasjelltas, dhe si dy fragmente bashkohen për të kompletuar universin. Këtu nuk flitet më për njëmbëdhjetë minuta, por për përjetësi, sepse është aq e bukur të jesh e zotëruar, e vetë të mos zotërosh askënd!
Maria kishte ndryshuar kaq shumë në gjykimet e saj, sa nuk po e njihte veten.E vetmja gjë që e transformon njeriun nuk është as koha e as mençuria, por dashuria.
Dashuria nuk është ajo që shikon, por ajo që imagjinon të shikosh. Është dëshirimi i tjetrit, kënaqësia edhe pa e cikur fare tjetrin, të bërit dashuri sikur ushqen vallëzimin e shpirtrave. Energjia seksuale shpërthen përpara seksit, por kush është i dashuruar rri gjithë kohën duke bërë dashuri, edhe kur nuk e bën. Vallzimi hyjnor drejt lumturisë mund të vazhdojë pambarim dhe s’ka të bëjë me njëmbëdhjetë minutat. Në kërkimin e lumturisë e gjithë bota është në një nivel, pavarsisht moshës, profesionit, racës e zakonit. Sipas këndvështrimit si besimtar, autori na shpjegon se mëkati i parë nuk ishte molla e Adamit që Eva hëngri, por besimi se Adami kishte nevojë të ndante me të, atë që kish provuar gruaja. Ishte gjarpri që paralajmëroi Evën se “atë që ke dhuruar, do ta humbasësh”.
Ne jemi qenie njerëzore, lindim me gabimin tonë me vete, kemi frikë kur lumturia bëhet e mundshme dhe vdesim me dëshirën për të ndëshkuar të tjerët, sepse ndihemi gjithmonë e më impotentë, të pandërgjegjshëm dhe jo të lumtur. Të paguash për mëkatet e tua dhe të mund të ndëshkosh mëkatarët është e bukur. Të gjitha e kanë një kufi.Pasi preku fundin Maria e kthyer në askush, mund të ishte e nënshtruar deri në liri të plotë, duke e përligjin vuajtjen.
Qëkurse nuk jemi hyjnorë, ose vuajmë, ose bëjmë të vuajnë të tjerët, ose marrim pjesë në vuajtjet e tyre.
Pasi e kishte ruajtur veten për shumë kohë nga vuajtjet, duke u kalamendur rreth vetes, ishte drita e brendshme apo dashuria për Ralfin, që e bëri Marien të kuptojë se të jetosh është më e rëndësishme sesa të ruaje vetveten. Përputhja e akrepave kish ndodhur. Dihej se fshehur brenda secilit prej nesh është një orë dhe, për të bërë dashuri, akrepat e dy personave duhet të shënojnë të njëjtën orë në të njëjtën kohë. Seksi ishte arti për të kontrolluar mungesën e kontrollit, por të bërit dashuri është shumë më tepër se një takim mishtor.
Të bësh dashuri e të jetosh si në filma, të jesh romantik nuk kushton asgjë. Por filmat nuk tregojnë çfarë ndodh më pas: martesë, kuzhinë, fëmijë, më pak seks, dashnore, skandale etj filmat mbarojnë para se të fillojë bota reale. Megjithatë kur ke një sekret dhe një ëndërr, vetmia nuk është krejt e hidhur dhe realiteti bëhet më i lehtë. Maria kishte para, përvojë jete dhe liri të madhe shpirtërore për të lënë fatin të zgjidhte për të. E gjithë vendosmëria dhe vullneti i botës nuk mjaftojnë për të ndaluar dashurinë që t’i ndryshojë rregullat e lojës, në çast. Dashuria e bën jetën të flasë me gjuhë filmash, deri sa këmbët të dridhen nga surpriza, derisa para sysh të shfaqet Casablanca, dhe dëgjon habitshëm, duke e imagjinuar atë që ke pritur gjithë jetën:
Parisi do të jetë gjithmonë!