Aktualitet

Përkeqësohet skema e sigurimeve shëndetësore






               Publikuar në : 08:21 - 19/09/19 |
mapo.al

Treguesit e punësimit kanë shënuar përmirësim të ndjeshëm vitet e fundit. Vetëm në vitin 2018, sipas INSTAT, janë punësuar rreth 36 mijë persona më shumë se më 2017, sipas matjeve nga Anketa e Forcës së Punës.


Bumi në punësim nuk është reflektuar në rritjen e kontributeve të sigurimeve shëndetësore, por përkundrazi të dhënat zyrtare tregojnë për një tendencë në rënie të të ardhurave nga kontributet e kujdesit shëndetësor.



Të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shëndetësore, krahasuar me një vit më parë, ishin rreth 12 miliardë lekë, me një rënie të lehtë me bazë vjetore (18 milionë lekë më të ulëta, përkatësisht 13 milionë lekë më pak transferuar nga DPT dhe 3 milionë lekë më pak transferuar nga ISSH).

Masa e kontributit të sigurimit të detyruar shëndetësor është 3,4% e bazës për llogaritjen e kontributeve. Për të punësuarit, kontributet paguhen, në masën 50% nga punëdhënësi dhe në masën 50% nga i punësuari. Për sigurimet shëndetësore vullnetare, baza e llogaritjes së kontributit është dyfishi i pagës minimale, për efekt të llogaritjes së kontributeve.

Modeli i skemës së sigurimeve shëndetësore në Shqipëri, është një model miks, i cili bazohet në kontributet e detyrueshme dhe ato vullnetare, si dhe në financimin nga buxheti i shtetit.

Popullsia ekonomikisht aktive paguan sigurime shëndetësore, ndërsa fondet e buxhetit të shtetit (të cilat vijnë nga taksimi i përgjithshëm), mbulojnë popullatën joaktive dhe kategoritë në nevojë, duke i dhënë kështu skemës qasjen solidare.

Burimet Financiare të Skemës Shëndetësore gjatë vitit 2018 ishin në vlerën 40.4 miliardë lekë. Të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shëndetësore të popullsisë aktive, të cilat arkëtohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe të ardhurat e tjera që siguron vetë Fondi në vlerën 11.9 miliardë lekë dhe transferimet nga buxheti i shtetit në vlerën 28.5 miliardë lekë.

Në strukturën e të ardhurave të arkëtuara në vitin 2018, të ardhurat nga transferta e buxhetit të shtetit përbëjnë peshën kryesore me 69.4%, ndjekur nga të ardhurat e kontributeve të sigurimeve shëndetësore me 30.5%.Monitor


Etiketa:

Pas