Monday, March 20, 2023
  • Login
Gazeta Mapo
  • Shqipëria
    • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Ekonomi
    • Sociale
  • Opinione
    • Editorial
    • Analizë
    • Koment
    • Blog
    • Gjeopolitikë
  • Universiteti
    • Politologji
    • Jurisprudencë
    • Economi
    • Inovacion
    • Mjekësi
  • Bota
    • BE
    • Kosova
    • Maqedoni
    • Mali i Zi
    • Globi
  • Revista
    • Libri
    • Letërsi
    • ShowBiz
    • Shije
    • Sport
No Result
View All Result
Gazeta Mapo
No Result
View All Result

Përkorësia dhe morali, një konstante e Rilindasve tanë

by mapo.al
28/05/2019
in Kryesore
1

Nga Ndriçim Kulla

Një përbërës madhor i qerthullit të iluminizmit shqiptar, në mos më i madhi dhe më kontribuuesi, ishte Sami Frashëri. Dhe kjo nuk duhet parë vetëm në veprën e tij manifest të vitit 1899, në atë program sintetik, në atë strategji dhe taktikë të lëvizjes kombëtare të kohës, por shumë më parë, në Fjalorin e shkencave (Kumus al’Alam) ose ndryshe “Enciklopedia e Gjeografisë dhe historisë”, e botuar midis viteve 1889 dhe 1895, një vepër super e vëllimshme me 4830 faqe, për të cilën ai punoi intensivisht për plot 12 vite e për të cilën mund të quhet me plot të drejtë “Volteri shqiptar”. Nëse bëjmë një shqyrtim të përshkrimit të termave të këtij fjalori, do të gjejmë se ai është bazuar në kulturën e tij erudite, por edhe se është ndikuar shumë nga iluminizmi francez.



Sipas mendjes së Samiut, pavarësisht nga zigzaget dhe regreset, qytetërimi ka ecur pa u ndalur dhe shoqëria që nuk i përshtatet këtij përparimi të përgjithshëm mbetet prapa, ndërkohë që shoqëritë e tjera përparojnë dhe të shkosh përpara do të thotë t’i afrohesh të vërtetës e lumturisë. Ai vëren me forcë se pasuria, idetë morale dhe shpirtërore, mund të realizohen vetëm me arsim. Aludimi për atdheun e vet është i qartë, ndaj ai shton: “Një komb për të shpëtuar nga prapambetja, nuk duhet të kënaqet nga gjendja e tanishme, por duhet të përpiqet gjithmonë të përparojë”. Nga ana tjetër, zhvillimin e qytetërimit dhe të shkencave ai e lidh ngushtë me luftën politike dhe shoqërore të një populli. Fitorja e kësaj lufte i hap më pas rrugë të reja zhvillimit të mëtejshëm të qytetërimit. P.sh. duke trajtuar qytetërimin e lashtë grek, ai shpjegon se për të rëndësi vendimtare pati lufta për demokraci dhe republikë. Ajo e bëri Athinën mesin e botës së qytetëruar të asaj kohe.

Në mënyrë të veçantë iluministi shqiptar jep edhe ndryshimin midis qytetërimit grek dhe atij të lashtë lindor. “Filozofët grekë e qëruan diturinë nga pallavrat e besës së asaj kohe… qe i pari Thalesi ai që e shqeu cipën e besës që mbulonte urtësinë, duke e treguar atë ashtu të bukur e lakuriqe siç është në të vërtetë”. Pohim ky krejt i kthjellët, të cilin vetëm një iluminist i madh mund ta shprehte kaq shkoqur. Si kudo, edhe në Greqinë e asaj kohe, forca penguese ishte fanatizmi. Ai e kishte të qartë se fanatizmi, pavarësisht nga format që merr, laike apo fetare, si në lashtësi ashtu dhe në ditët tona, ishte përpjekur të gjykonte për të tashmen me syrin e së kaluarës. Megjithatë, sipas mendimit të prerë të Samiut “urtësia nuk mbytej, por sa vinte e shtohej”. Ky mendim mbi rolin negative të fanatizmit në zhvillimin e qytetërimit botëror është tepër i ngjashëm me parullën e Volterit “Ecrasez l’infame”. Këtë problem iluministët e zgjidhën duke qenë të bindur se po bënin një revolucion në mendjet e njerëzve të epokës ku jetonin. Këtë shpresë kishte dhe Sami Frashëri për të ardhmen e popullit të vet.

Sipas tij, qytetërimi e ka arritur kulmin e vet me filozofinë franceze të shekullit XVIII. “Kjo është qytetëri e vërtetë, e përgjithshme dhe e pavdekur, lum ata kombe që janë ndritur e përparojnë të ngrihen në këtë qytetëri. Ky qytetërim është pa anë e pa fund, ai shtohet çdo orë e çdo ditë e do të mbulojë gjithë dheun e do të ndriçojë gjithë kombet e dheut”. Po kaq i drejtë është koncepti i tij edhe për burimin e qytetërimit, të cilin nuk e gjen kryesisht te klasat e larta, por te punonjësit, te prodhimi i tyre dhe tek intelektualët krijonjës. “Ai gjeti për të parën herë qysh mbillet e korret gruri, qysh tirret leshi etj. Punonjësit krijues vunë gurin e parë të qytetërimit, që atëherë e tëhu qytetaria ka vajtur gjithnjë përpara, herë me vrap e herë ngadalë”. Mendim ky identik me atë të Volterit, i cili shkruan: “Janë dashur të ekzistojnë farkëtarët, karpentierët, muratorët, bujqit, para se të ekzistonte një njeri që të kishte kohë për t’u marrë me mendime të thella d.m.th filozofi, shkencë, art etj.”.

I goditur është edhe përcaktimi i qytetërimit me këto fjalë: “Qytetaria është rrojtja e njeriut, dhe kjo jo vetëm në kuptimin shpirtëror, por edhe material. Ai me të drejtë nuk quan kulturë vetëm lëndët shoqërore dhe artistike, por edhe ato teknike. Në artikullin “Qytetaria” ai përshëndet industrializimin kapitalist si një dukuri që do t’i sjellë të mira njerëzimit. Madje rruga e zhvillimit kapitalist evropian dhe amerikan ishte për të shumë më e leverdishme nga pikëpamja e zhvillimit të pandërprerë të qytetërimit se sa ajo e feudalizmit ushtarak osman.

Një meritë tjetër e Samiut në shpjegimin e qytetërimit botëror është edhe koncepti që ky i fundit kalon nëpër çdo popull, sipas kushteve historike më të volitshme. Ai nuk njeh as racë, as kombësi të zgjedhur. Me këtë shpjegim ai shfaqet i zhveshur nga çdo diskriminim racial, por dhe tepër afër me mendimin iluminist të Monteskjesë, i cili shprehet kështu në veprën “Mendime dhe fragmente të pabotuara”: Vendet duhen parë siç janë, po njëlloj duhet të vështrohen të gjithë popujt e Evropës, me të njëjtën vlerë, si dhe popujt e ndryshëm të Madagaskarit”.

Shkenca për iluministët e mëdhenj, ashtu si dhe për vetë Sami Frashërin ishte një forcë e jashtëzakonshme transformuese për popujt. Një gjë të tillë ai e theksonte sidomos për shqiptarët. Në qoftë se ka diçka për të cilën ata duhet të interesohen, është pikërisht shkenca dhe qytetërimi. Madje për njerëzit e shkencës, ai do të shprehej se janë vëllezër kudo që janë, sado pjesëtarë të kombeve e racave të ndryshme të jenë. Ky nocion i të qenit “vëllezër në shkencë” është aq i përparuar sa na shfaqet kaq modern edhe në ditët e sotme.

Pasi vëren se “egërsia është foshnjëria e njerëzve”, ai shkruan: “Për vendin tonë …që s’jemi të egërë. Lëvdatë i qoftë Perëndisë, e dimë, por të qytetëruar jemi apo barbarë, këtë duhet të zgjidhim… jemi gjysmë barbarë dhe udha që kemi për të marrë gjersa të arrijmë në qytetari është shumë më e gjatë se udha që na ka nxjerrë nga barbaria”. Fjalët e fundit për kohën që u dashka për të dalë nga prapambetja e gjithanshme, rezultuan të jenë një parashikim gjenial.

Nga të gjitha këto mendime mbi qytetërimin botëror dhe rolin e tij në jetën e kombeve që ai shfaq e shtjellon, na del se Sami Frashëri nuk ishte aspak një filozof kabineti, që i ka vënë detyrë vetes të sodisë e të shpjegojë botën përreth, por njeri me dinjitet të lartë moral, vërtet të virtytshëm, që kishte marrë përsipër në shpatullat e tij të ngrinte peshën e rëndë të ndryshimit të shoqërisë shqiptare nëpërmjet arsimit, shkencës, punës së lodhshme dhe luftës vetëmohuese të një populli. Në veprën “Vdekja e Cezarit” Volteri shkruan se një atdhetar i vërtetë “at e bir ka mbi të gjitha virtytin, ligjet dhe atdheun e vet”. Për Sami Frashërin ky ishte ideali i jetës dhe veprimtarisë. Jo më kot në “Fjalorin e Shkencave” ai u kushton një vend të posaçëm iluministëve francezë Volter dhe Ruso, si natyra të mëdha njerëzore. “Shekulli XVIII është një pranverë e luleve të çelura nga këta dy mendimtarë dhe shekulli XIX ka filluar të mbledhë frytet e atyre luleve”. Ai vazhdon më tej: “A ishin ata të një mendimi, të një parimi? Absolutisht jo. Por Volteri dhe Ruso nuk janë dy persona të veçantë, por dy forca të mishëruara, dy mendime të personifikuara. Këta vallë i shpikën hekurudhat, avulloret, telegrafin dhe makineritë e ndryshme? Jo, por ata hodhën nga një shkëndijë zjarri derisa drita arriti të shfaqej kudo nëpër botë nga fara që mbollën ata të dy”. Shihet qartë që iluministi ynë u jep një rëndësi të jashtëzakonshme ideve dritëdhënëse, janë ato që bëjnë revolucionin, shpikjet e ndryshme teknike vijnë pas tyre së bashku me evolucionin e gjithanshëm. Të këtilla janë pasojat e revolucionit mendor pas një shtrëngate të fuqishme fitimtare, shtrëngatë që ai uronte të përshinte edhe atdheun e tij. Nëse Volterit nuk i bënte përshtypje të veçantë forma e regjimit politik, mjaft që ligji të ishte në fuqi e të zbatohej me përpikëri, Rusoi ishte një republikan i vendosur. Samiu jo më kot ishte ithtar i këtij mendimi, pasi pëlqente dhe ngrinte lart përkorësinë e Rusoit, të cilën e personifikonte me virtytin. Ky theksim i jetës morale e të virtytshme shfaqet si një konstante e përbashkët e gjithë rilindasve tanë iluministë (që nga Dora D’Istria, Tahsini e deri te Veqilharxhi, Samiu apo Jani Vreto), një fill lidhës ky edhe me humanistët e shekujve të mëparshëm, që i vinin mjaft rëndësi jetës së përkorë e pa vese.

Tags: AnalizamoraliNga Ndriçim KullaPërkorësiaRilindasit

JU SUGJEROJME

Zyrtare/ Berisha dhe Meta dorëzojnë koalicionin në KQZ: Bashkë fitojmë
Kryesore

Zyrtare/ Berisha dhe Meta dorëzojnë koalicionin në KQZ: Bashkë fitojmë

15/03/2023
Numri i ri i Economicus, në UET/ Trendet dhe sfidat e Industrisë së Sigurimeve
Aktualitet

Numri i ri i Economicus, në UET/ Trendet dhe sfidat e Industrisë së Sigurimeve

13/03/2023
Pyetësori Kombëtar Studentor/ Studentët e Universiteteve Private më të kënaqur me institucionin dhe mësimdhënien se ata në universitetet publike
Kryesore

Pyetësori Kombëtar Studentor/ Studentët e Universiteteve Private më të kënaqur me institucionin dhe mësimdhënien se ata në universitetet publike

09/03/2023
Pse ‘lufta e Ukrainës’ po i  varfëron edhe më tepër shqiptarët
Aktualitet

Pse ‘lufta e Ukrainës’ po i varfëron edhe më tepër shqiptarët

08/03/2023
Next Post
INTERVISTA/ Hans – Joachim Lanksch, i magjepsuri nga poezia shqipe

INTERVISTA/ Hans – Joachim Lanksch, i magjepsuri nga poezia shqipe

Comments 1

  1. Flutura Xhabija says:
    4 years ago

    Nje shkrim i mrekullueshem, ndricues dhe shtytes! I lumte artikull shkruesit

No Result
View All Result

     








Më Të Lexuarat

  • Zyrtare/ Berisha dhe Meta dorëzojnë koalicionin në KQZ: Bashkë fitojmë
  • Numri i ri i Economicus, në UET/ Trendet dhe sfidat e Industrisë së Sigurimeve
  • Pyetësori Kombëtar Studentor/ Studentët e Universiteteve Private më të kënaqur me institucionin dhe mësimdhënien se ata në universitetet publike
  • 10 universitetet më të mira sipas “Rankimit të Shanghait… dhe Shqipëria
  • Pse ‘lufta e Ukrainës’ po i varfëron edhe më tepër shqiptarët



Editorial: [email protected]
Synimi: Ndikimi në debatin dhe veprimtarinë e aktorëve shoqëror përmes përthyerjes së ngjarjeve dhe fenomeneve me interes publik është synimi kryesor i Gazetës

Editorial: [email protected]
Synimi:
Ndikimi në debatin shoqëror dhe veprimtarinë e aktorëve shoqëror përmes përthyerjes së ngjarjeve dhe fenomeneve me interes publik është synimi kryesor i Gazetës

Marketing

Drejtor Marketingu
Ledio Trungu
Tel : +355683673191
Email : [email protected]

2022. Te gjitha te drejtat e rezervuara
Dev by Wearedope.com

No Result
View All Result
  • Shqipëria
    • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Ekonomi
    • Sociale
  • Opinione
    • Editorial
    • Analizë
    • Koment
    • Blog
    • Gjeopolitikë
  • Universiteti
    • Politologji
    • Jurisprudencë
    • Economi
    • Inovacion
    • Mjekësi
  • Bota
    • BE
    • Kosova
    • Maqedoni
    • Mali i Zi
    • Globi
  • Revista
    • Libri
    • Letërsi
    • ShowBiz
    • Shije
    • Sport

2022. Te gjitha te drejtat e rezervuara
Dev by Wearedope.com

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In