Prej vitit ’93 kur mori udhëtimin e parë në Bosnjë, përkthyesi norvegjez Jon Kvaerne i përfshirë me nismat humanitare, do kalonte edhe në anën tjetër të interesit të tij, atë për letërsinë me zgjerimin e hartës në Ballkan, pothuaj duke prekur, në pak vite disa autorë kyç të Ballkanit. Më ’97 e nis me romancierin boshnjak, Ali Faruk, më 2015 përkthen nga italishtja autoren shqiptare, Ornela Vorpsin dhe, pas përvojës me letërsinë boshnjake, serbe, kroate më 2017, Kvaerne përkthen romanin e Ylljet Aliçkajt “Një rrëfenjë me ndërkombëtarët”
Intervistoi: Violeta Murati
Prej vitit ’93 kur mori udhëtimin e parë në Bosnjë, përkthyesi norvegjez Jon Kvaerne i përfshirë me nismat humanitare, do kalonte në anën tjetër të interesit të tij, atë për letërsinë duke zgjeruar hartën në Ballkan, pothuaj duke prekur, në pak vite disa autorë kyç të Ballkanit. Më ’97 e nis me romancierin boshnjak, Ali Faruk, shkrimtaren serbe Biljana Sbrljanoviç më 2003, më 2015 përkthen nga italishtja autoren shqiptare, Ornela Vorpsin, dhe pas përvojës me letërsinë boshnjake, serbe, kroate më 2017, Kvaerne përkthen romanin e Ylljet Aliçkajt “Një rrëfenjë me ndërkombëtarët”, duke identifikuar përvojën e tij, me atë të romanit. E kanë tërhequr nga Ballkani tregimet e moçme, ndërsa për Shqipërinë është ndalur në diferencën që krijon nga vende të tjera, “si ndryshohen gjerat”, duke nisur leximet për ilirët. Mund të duket një aventurë për përkthyesin “ardhja” e tij në këtë rajon, e për më tepër për të kaluar letërsinë e “zonës së nxehtë” te lexuesi nordik, duke thënë se së pari libri, letërsia sot është e vështirë për t’u lexuar, e për më tepër të gjejë një botues, e në këtë rast, të ketë një përkthyes admirues të gjuhës. Në veçanti për letërsinë shqipe, Kvaerne thotë: “Kam theksuar mendimin se shkrimtari është në masë të madhe një “qënie ndërkombëtarë”. Por përvoja personale e njerëzve në Ballkan është patjetër ndryshe nga ajo në Skandinavi. Shumë njerëz kanë kaluar luftëra dhe trazira, dhe shoqëritë kanë ndryshuar shpejt. Në letërsinë shqiptare do të dëshiroja të shoh më shumë libra ku autorët që përdorin dhe përshkruajnë përvojat e veta. Si e ka bërë Aliçka me “Rrëfenjen”.”
Si ka ardhur tek ju interesi për gjuhët dhe kulturën ballkanike?
Në vitet 1993 dhe 1995 udhëtoja në Bosnjë me inicijativa të ndryshme humanitare, dhe që nga atë kohë Ballkani është bërë pjesë e jetës sime. Në 2001 mbarova studimet me një master në gjuhën boshnjake. Duke studiuar gjatë viteve të luftrave kisha dëgjuar shumë tregime – shpeshherë përralla nacionaliste – për grupet në Ballkan, sa janë me nam, si kanë karakteristika që kurrë nuk ndryshohen, si “posedojnë” treva të veçanta që nga “fillimi i botës”. Mua më intereson pikërisht si ndryshohen gjërat, dhe fillova të lexoja për ilirët dhe të mësoja edhe gjuhën shqipe, për t’u njohur me historinë pre-sllave në Ballkan. Dua shumë bjeshkët, dhe kjo gjë patjeter ka kontribuar në interesin tim për këtë trevë. Kam bëre disa udhëtime shumë të bukura me biçikletë nëpër bjeshkë në Bosnje dhe Shqipëri.
Si mundet një përkthyes nordik të përshtatet me një zonë aq “të nxehtë”, “delikate” siç e konsiderohet nga perëndimi Ballkani?
Siç kam indikuar, interesi im për Ballkanin lidhet më shumë me këto ngjarje “të nxehta” sesa me ndonjë interes të jashtëzakonshëm për letërsinë. Sot e konsideroj Shqipërinë dhe ish-Jugosllavinë thjesht si pjesë e integruar të jetës sime, si Norvegjia.
Cila është veçantia e narracionit që keni hasur nga autorët ballkanikë që keni përkthyer?
Shkrimtarët nga vende të ndryshme kanë diçka shumë të rëndësishme të përbashkët: lexojnë shumë. Jo rrallëherë i dijnë dhe përdorin disa gjuhë. Besoj se shpesh janë më të ndikuar nga tendencat letrare ndërkombëtare “të ditës” se nga ndonjë traditë kombëtare ose regjionale.
Në qoftë se më duhet të veçoj diçka, do të përmend kulturën gojore, traditën për tregim, për këngë, për të bërë muhabet. Disa herë kam përshtypjen që dialogu në veprat nga Ballkani rrjedh shumë natyrshëm. Por ndoshta kjo gjë thjesht pasqyron që njerëzit në Ballkan kanë qejf dhe aftësi të komunikojnë, dhe s’ka të bëjë me ndonjë veçanti letrare.
Në fakt këtë intervistë e iniciuam për shkak se në listën tuaj të autorëve të përkthyer nga Ballkani figuron shkrimtari Ylljet Aliçkaj, nga përkthimet e fundit që i propozoni lexuesit norvegjez. Pse këtë autor, si ka qenë kontakti juaj me gjuhën shqipe?
Kisha lexuar disa tregime të Aliçkës (përkthyer në anglisht) që më pëlqenin shumë. Kisha jetuar dy vite në Shqiperi dhe i gjeja të bukura dhe të besueshme.
Në përgjithësi dua komeditë, letërsinë me humor. Besoj se një tekst që në sipërfaqe duket i lehtë, me barcoleta, mund të tregojë aq shumë për shoqërinë dhe për jetën, sa një vepër e rëndë, që ndoshta duket më serioze. Bashke me vepren e Aliçkajt kam përkthyer edhe një komedi kroate me titullin e bukur “Mrekullia në lugun e nepërkave”. Autori, Ante Tomiq, ia del mbanë njëkohesisht ta kritikojë shoqërinë e vet dhe ta argëtojë publikun.
Edhe romani “Një rrëfenjë me ndërkombëtarë” është një nga romanet e Aliçkajt që ka trazuar jo pak, qoftë dhe në qarqet diplomatike ndërkombëtare. Çfarë ju ka tërhequr në rrëfimin e tij?
Kam punuar vetë katër vite në organizatat ndërkombëtare, duke jetuar në Shqipëri dhe Kosovë, dhe s’është aspak sekret që brenda atyre punojnë njerëz me përvoja dhe qasje që variojnë shumë. Disa janë shumë të aftë dhe të përkushtuar, por disa të tjerë patjetër ngjajnë me personazhet në “Rrëfenja”. Besoj se për çdo “ndërkombëtar” që do të punojë në ndonjë organizatë jashtë – jo vetëm në Shqiperi – do të ishte e dobishme të lexonte “Rrëfenjën”. Është mirë të kujtojmë se organizatat ekzistojnë për të ndihmuar qytetaret, dhe aspak për të shërbyer ata që punojnë në të. Nga ai këndvështrim, do të ishte mirë ta lexojnë librin edhe politikanët shqiptarë.
Dua të shtoj se organizata për të cilën kam punuar në Shqiperi funksiononte mirë, për shkak se kolegët shqiptarë kanë qënë me përvojë, dhe se për shumicën e ndërkombëtarëve puna në Shqipëri në fakt ishte interesante.
Është dhe një autore tjetër shqiptare, Ornela Vorpsi, që besojmë se e keni përkthyer nga gjuha italiane…?
Po, Vorpsin e kam përkthyer nga gjuha italiane. E lexova “Vendi ku askush nuk vdes kurrë” në anglisht (një përkthim shumë i mirë), më pëlqente libri, kontaktova Ornelën, dhe meqenëse teksti origjinal është ai në gjuhën italiane, e përktheva nga ajo gjuhë. Shpresoj se libri do të përkthehet një ditë në shqip, se në fakt është një kryevepër, me fjali dhe përshkrime që shkëlqejnë dhe lënë përshtypje. Dhe me domethënie të veçantë për shoqerinë shqiptare – ku dominon akoma “burri” tradicional më shumë se e meriton.
Në këtë përjekje për të hyrë në letërsinë e Ballkanit, keni një mendim mbi të e konkretisht dhe në kontaktet me atë shqipe?
Kam theksuar mendimin se shkrimtari është në masë të madhe një “qënie ndërkombëtarë”. Por përvoja personale e njerëzve në Ballkan është patjeter ndryshe nga ajo në Skandinavi. Shumë njerëz kanë kaluar luftëra dhe trazira, dhe shoqëritë kanë ndryshuar shpejt. Në letërsinë shqiptare do të dëshiroja të shoh më shumë libra ku autorët që përdorin dhe përshkruajnë përvojat e veta. Si e ka bërë Aliçka me “Rrëfenjën”.
Si është lexuesi norvegjez?
Shkruhet dhe përkthehet goxha në norvegjisht, dhe shumica e norvegjezevë flasin dhe lexojnë anglisht. Lexuesi norvegjez “ka botën hapur” dhe lexon shumë. Disi për të hedhur dritë në çështje me rëndësi të jetës, ose për të edukuar veten. Por në masë të madhe lexohet për t’u argëtuar, dhe atëherë lexuesit norvegjezë lëvizin në tufë: ka disa autorë që shesin qindra mijëra libra. Shqiptarët mund të kenë një ide goxha mirë çfarë pëlqën lexuesi norvegjez duke lexuar ndonjë nga librat të Jo Nesbo që janë përkthyer në shqip.
Cila është perspektiva juaj nga ky bashkëpunim i nisur, flasim këtu për përkthimin e letërsisë shqipe në Norvegji, a keni në listën tuaj autorë të tjerë?
Me shumë kënaqesi do të përkthej libra të tjera nga shqipja në norvegjisht. Por s’është aspak lehtë të bind shtëpitë botuese të publikojnë shkrimtarë që ende nuk janë të njohur në botë. Dhe në fillim ka një sfidë tjetër: libri duhet të më pëlqejë mua dhe duhet të ketë relevans për lexuesit norvegjezë. Vetëm më lajmeroni në qoftë se keni sugjerime!
Rrëfenja e Aliçkajt: Lexohet lehtë, por nuk harrohet lehtë
Rrallë na vjen në norvegjisht ndonjë roman nga Shqipëria, sadoqë autori ka shkruar dhe botuar më parë dhe libra të tjerë, romane dhe tregime, por jo i përkthyer më parë në norvegjisht. Kureshtja tashmë u zgjua. Për më tepër kur subjekti që ai shkruan romanin e merr frymëzimin nga një mjedis që duket ai e njeh shumë mirë, falë përvojës jetësore e asaj profesionale. Po, duhet pohuar se autori e ka ngritur lart stekën.
Romani “Dosja 12 nga Tirana (në origjinal “Rrëfenjë me ndërkombëtarë”) tregon për jetën nëpër zyrat e organizmave ndërkombëtare, që veprojnë në Shqipëri pas ngjarjeve të viteve ’90, qëllimi i të cilave është të ndihmojnë vendin pas dekadash vështirësish nën regjimin autoritar.
Hasim aty një galeri shumëngjyrëshe personazhesh, secili ka axhendën e tij profesionale e mbi të gjitha atë jetësore. Padyshim që përparësia numër një është ngjitja e shkallëve të karrierës. Gjithçka tjetër është e dorës së dytë. Zhili, Pablito, zëdhënësi i përfaqësisë diplomatike, personazhe që spiunojnë njëri tjetrin për interesa karrieriste, një Shef (i përfaqësisë diplomatike) i gërryer nga xhelozia e tradhtisë të së dashurës së tij të re, si dhe një staf lokal, pra ai shqiptar, nëpunës të gradës së dytë, pavarësisht të së njëjtës ngarkesë pune.
Një nëpunës shqiptar, Roshi, nuk merr parasysh këshillat e kopshtarit të përfaqësisë, i cili përpiqet ta orientojë në jetën e re diplomatike…Nëpunës vendas që natyrisht e njohin më mirë realitetin e vendit të tij, por një staf i huaj «i kultivuar» ka më tepër besim te intuita dhe vlerësojnë stereotipitë dhe opinionet e huaja për vendin, kjo sepse vendasit “I ka lënë regjimi i kaluar prapa”…Romani na zbulon mrekullisht një botë vërtet ekzotike. Padyshim që fjala është për një autor i cili guxon të zbulojë kthinat diplomatike me ironi e mprehtësi. Ka faqe në roman tepër therëse, por dhe faqe realiste, në dukje naive e neutrale, I bëj pyetje vetes, është vërtet naiv, apo thjesht realist? Personalisht kam ndjerë mjaft kënaqësi në leximin e këtij romani. Romani ka 200 faqe dhe lexohet shpejt por mbahet mend gjatë; Lexohet lehtë, por nuk harrohet lehtë.
Ben Tebing.kritik
-Fshikullim me një dozë të lartë ironie
Libri Dosja 12 nga Tirana na bën që mendimi ynë të fluturojë drejt Shqipërisë, brenda mureve të një organizate ndërkombëtare, qëllimi i së cilës është përkujdesja dhe orientimi i vendit drejt përparimit. Ylljet Aliçka fshikullon me humor dhe një dozë të lartë ironie….
TIRI LAAKRE-NFF-Oversatt sakprosa
-“Folder 12 from Tirana”- surpriza më e bukur e këtij fillim viti.
Habia ime është kur shikoj se në vende të ndryshme shkruhet mjaft për temën e Europës.
Javës së kaluar më rekomanduan librin “Folder 12 from Tirana”- një aventurë ndërkombëtare, botuar vitin e shkuar 2017, shkruar nga Ylljet Alicka.
Romani i Aliçkës është një satirë therëse mbi diplomacinë ndërkombëtare.Subjekti është i thjeshtë: jeta e stafit të një organizate ndërkombëtare në Tiranë, qëllimi i së cilës është ndihma ndaj vendit pas rënies së diktaturës.
Por “ndërkombëtarët », e paskan më shumë mendjen te karriera e tyre se sa te ndihma ndaj vendit. Libri është plot sfida lindur nga marrëdhëniet e ndërkombëtarëve me kulturë dhe mençuri ( vënë në dyshim nga autori), me banorët vendas.
“Folder 12 from Tirana” është një roman tepër argëtues dhe plot humor, për mua ishte surpriza më e bukur e këtij fillim viti. U bë shkak ky libër që në projektin studimor europian mos ndjek më rendin alfabetik të autorëve përkatës.
Ingrid Svennevig Hagen – om skolebibliotek