Aktualitet

Përkthyesi si “sicut deus” dhe akrobacia mendore e shqipërimit





               Publikuar në : 11:00 - 30/12/19 |
Nga Mark Simoni

(Bashkëbisedim me Prof. Diana Jup Kastrati, shefe e katedrës së gjuhës italiane në Fakultetin e Gjuhëve të huaja, UT.)


Është nderuar nga Presidenti i Italisë Mattarella me titullin “Cavaliere della Stella d’Italia”. Përkthyse e njohur fituese e çmimit kombëtar të përkthimit.



Bashkëbisedoi Mark Simoni

Pak historik ku ka filluar dashuria juaj me gjuhet, klimen familiare, biblioteka e madhe me autore te huaj, ndonje detaj nga kujtimet e asaj moshe qe lidhet me librat, Profesorin dhe perkthimin apo Shkodren?
Imazhet e para të lidhura me librin e që kujtesa m’i sjell më të qarta, mendoj se i takojnë moshës 4 a 5 vjeçare. Asokohe jetonim në katin e parë të shtëpisë të ndërtuar nga im gjysh në fillim të shekullit të kaluar. Në një sallon 16 metra të gjatë që përfundonte me një oxhak në pjesën ballore e me skrivaninë e tim eti pranë njërës prej dyerve prej xhami që binte mbi oborr (nga tri që ndodheshin në njërën anë të sallonit) ndodhej pjesa më e madhe e bibliotekës së Babit. Kusuri i saj ishte e shpërndarë në dhomat e tjera. Zgjimi im shenjohej nga një tingull e nga një të themi fëshfëritje: tingulli ishte ai i makinës së shkrimit Olivetti të viteve ’20 të tim eti, dhuratë e gjyshit për të kur mbushi 15 vjeç, të cilën nuk e ndërroi asnjëherë deri sa iku nga kjo botë; ndërsa fëshfëritja ishte ajo e kthimit të fletëve të librit nga duart e Babit.


Teksa kjo pamje më ishte bërë pjesë normale e të përditshmes e, duke qenë se tashmë isha e bindur që edhe unë duhej të lexoja (nuk dija akoma…!!!), shkoja tek raftet dhe zgjidhja ndonjë libër me kopertinë me ngjyra, e hapja dhe, normalisht që ngecja aty meqë me probabilitet të lartë nuk kishte ilustrime. Pavarësisht “vullnetit dëshirëplot” timit për ta lexuar, kuptoja pamundësinë. Kësisoj, iu drejtohesha motrave më të mëdha që kishin hyrë tashmë në klasën e parë, që të më lëxonin ato librin e përzgjedhur. Ato të dyja (binjake), që ndërkohë po lexonin për qejf të tyrin të ulura në një kanape njëra nga njëra anë e tjetra nga ana tjetër, nuk më përfillnin as me një vështrim. Kujtoj që më fundi e gjeta zgjidhjen. Shkova tek Babi dhe me plot seriozitet i thashë: unë dua të lexoj, por nuk di. Iu luta atyre dyjave, por as më shohin në sy! Spiunimi funksionoi: Babi, me një pamje serioze, pavarësisht se shumë më vonë e mora vesh që i vinte për të qeshur, u ngrit nga karrigia dhe përdore me mua lëshoi verdiktin: Dianës t’i lexoni çfarëdo t’ju kërkojë! Fitimtare, ulesha midis tyre duke pritur se cila do të bënte bamirësinë. Kujtoj edhe që, pasi më lexonin nja 10 minuta, unë lodhesha dhe ua lija leximin përgjysëm bashkë me fytyrat e nxira të tyre!

Do të më lejoni që për hir të së vërtetës objektive, dëshiroj të nënvizoj se rrugëtimi im
në vijim është shenjuar pikërisht nga ajo bibliotekë e pasur e cila ka një profil që shkon nga njëra anë nga libra studimorë filologjikë e kultorologjikë në gjuhën shqipe, italiane, franceze e gjermane, që natyrisht pasqyrojnë interesat e tim eti dhe, nga ana tjetër letërsi artistike shqiptare të vjetër dhe letërsi botërore. Ky kontingjent i fundit mund të them se të paktën gjysma është në gjuhën italiane. Ishte e pamundur që vëmendja e një fëmije mos të ndikohej nga një fakt i tillë. Dhe në fund fare, lejomëni përsëri të them se, ishte falë natyrës tejet komunikative të tim eti që bisedat në shtëpi të kishin një prerje jo të zakonshme. Nuk kishte libër apo film që nuk diskutohej me seriozitet në shtëpi. I jam mirënjohëse çdo ditë që kalon.

*Italishtja si nje gjuhe afektive per shqiptaret, filmat dhe librat apo autoret italiane, klima e mire e tyre ne perkthimet shqipe. Ketu dhe kontributi juaj ne perkthim, thene dhe nepermjet ngjarjesh te vogla, mardheniesh me autore dhe Italine, detaje nga puna juaj ne procesin e perkthimit e te botimit. 
Por, para se të flas për lidhjen time rrënjësore e fatplotë (e konsideroj veten të privilegjuar që operoj me të prej 28 vitesh) me kontekstin kulturor italian e, mbase me më të mirin thelb që ai ka prodhuar, letërsinë e artet e tjera, dëshiroj të bëj një parashtesë të shkurtër që lidhet jo thjesht me mikroklimën familiare timen. Rëndom përsëritet një frazë që tingëllon klishè, por që në fakt si çdo e tillë ka dikund një bazë reale: që në Shqipëri të gjithë e flasin italishten. Ky është një konstatim empirik të cilin edhe me sy të lirë mund ta vërtetosh lehtësisht. Për arësye që dihen tashmë, kjo gjuhë futej në kategorinë e gjuhëve të huaja mjaft familjare për shqiptarët. Por, nëse duam të bëjmë një shqyrtim paksa më të thelluar mbi lidhjen realisht organike të kësaj gjuhe me ne, del në pah se tre janë qytetet shqiptare që kishin dhe kanë një marrëdhënie organike me të: Shkodra, Durrësi dhe Tirana.

Arësyet janë sa gjeografike, po aq historike e si rrjedhojë edhe kulturore. Duke ardhur tek ajo që na intereson më shumë, pra përkthimet si një ndër mjetet më të fuqishme të përcjelljes dhe konsolidimit të një kulture tek një tjetra, na rezulton se interesi ynë ndaj kulturës e letrave italiane ka qenë i hershëm dhe, me një hartë përkthyesisht që përfshin edhe arbëreshët. Për këtë, mund t’i referohemi Koliqit, i cili shprehet se në përpjekjet për përkthimin e Dantes në shqip, ndër disa përpjekje që u bënë: “egzistojnë edhe në shqip prova serioze e të zellshme, qoftë nga versionet e “Vita Nuova” e “Rime” qoftë nga “Divina Commedia” në Antologjinë Shqiptare të Jeronim De Radçs.

Këtë sprovë ia detyrojmë italo-shqiptarit Luigi Lorecchio, vëllait të Anselmit, themeluesit e drejtuesit të periodikut “Nazione Albanese”. Asht një përkthim besnik dhe i kujdesshëm në vargje të lira. Autori ka botue shpesh në “La Nazione Albanese”, lirika shumë të rrjedhshme e patetike, tue përdorë të folmen e Pallagorio-s (provinca e Cantanzaro-s) të pasunueme me hijeshi e kujdes fjalësh toske”. Por, shtratin më pjellor të përkthimeve të letërsisë e kulturës italiane e gjejmë në Shkodër. Uroj që ky pohim të mos keqinterpretohet si idolatri e lokalizmit.

Do të mjaftonin disa fakte me majë lapsit për të kuptuar një realitet të tillë. Përpos lidhjeve historike me Venedikun e gjurmëve të forta që ato dekada lanë në pëlhurën sociale e kulturore antropologjike të Shkodrës, ajo që normalisht i jep theksin një shoqërie të zhvilluar janë shkollat. Në kuadrin e përhapjes dhe sendërtimit të gjuhës italiane në këtë pëlhurë të sapopërmendur, një rol të fuqishëm siç dihet, luajtën shkollat e jezuitëve e të françeskanëve. Në të kundërt, do të mjaftonin pak emra përkthyesish për të ilustruar këtë që sapo thashë: Ernest Koliqi, Lazër Shantoja, Sokol Baazi, P.Vinçenc Prenushi, P.Gjergj Fishta, Pashko Gjeçi, Pashko Geci, Gjon Shllaku, Mark Dema, Arshi Pipa etj, janë vetëm një bouquet e ndritshme në sfondin e përkthyesve të terrenit mbarëshqiptar. E them këtë sepse dëshiroj të vë në dukje një fakt të pamohueshëm që lidhet me atë që quhet ndërtim i traditës në nivel të shkollës së përkthimit. Është i pamohueshëm roli që luan klima kulturore e një qyteti në plazmimin e brezave. Pikërisht ky faktor ka ndikuar edhe tek unë, në mënyrë të pashmangshme.

Autorët që kam përkthyer janë të gjithë emra korifenjsh jo vetëm të skenës kulturore italiane, por edhe ndërkombëtare si: Machiavelli, Guicciardini, Moravia, Eco, Camilleri, Pennacchi, Bordon etj. Disa syresh kanë qenë zgjedhje e imja që kanë përbërë dhe përbëjnë akoma sot edhe afeksionet e mia, ndërsa të tjerë kanë qenë të porositur nga shtëpia botuese por që gjithsesi janë shndërruar në dashuri të miat.
Giorgio Caproni tek “Divagazioni sul tradurre” (Garzanti, Milano, 1996, fq.62) thoshte se “që të përkthyerit është një art, nuk kam asnjë dyshim. Përkundrazi, është e vetmja siguri që kam, apo konjicion i thjeshtë…/ Cilido autor, ngjall e nxjerr në dritë tek ne bouts d’existence. Kështu ndodh edhe gjatë aktit të përkthimit e, të mos duket paradoks që, ai që zbulon nuk është përkthyesi, por poeti që përkthehet i cili, duke e mveshur përkthyesin me pushtetin e tij, ngjall tek ai gjatë ditës, çfarë ishte e fjetur gjatë natës e mbase edhe e panjohur për këtë të fundit; meqenëse autori (shkrimtari, poeti) është njeri e bota e tij është ajo e një njeriu, e çdo njeriu, këtu zë fill tërheqja e fortë që e shpie këtë të fundit të përkthejë.

Tërheqje e cila qëndron në të ndjerit, falë atij teksti, të zgjerimit të fushës së ekzistencës e ndërgjegjes së tij. Por një rritje e tillë tek përkthyesi nuk mbërrihet kurrë për sa kohë nuk shprehet. Ja pra nevoja për përkthyesin që të transformohet nga nja lexues i thjeshtë, në autor, me gjithë dinjitetin (anipse me përgjegjësi edhe më të detyrueshme) të atij që shkruan në pavarësi (autori në original)”.
Mendoj se kjo frazë, tek e cila gjej të interpretuar qëndrimin mendor e shpirtëror jo vetëm timin por të gjithë atyre që përkthimin e kanë pasion e mision, ngërthehet thelbi i aktit të përkthimit. Ti përkthyesi, je njeri po aq sa Autori në original. E këtu zë fill ajo forcë që është më e madhe se ti, dëshira e pandalshme për ta ndarë ndjesinë e Bukurisë që ke përftuar nga ai autor, me të tjerët. E menjëherë sapo futesh në këtë proces fillimisht irracional (emotiv), futet në lojë edhe racionalja (cerebralja). Ti bëhesh përgjegjës për “sytë e të tjerëve” (lexuesit). Gesualdo Bufalino (Autoritratto con personaggio, tek “Nuove Effemeridi, 1992, fq.31-32) thotë për përkthyesin: “Sipas meje, detyra e tij, është më e përunjët e njerëzore se sa mendohet; e tija është një shërbim, një asistencë që i jepet për përdorim të verbrit, nga një që shikon.”.

Ti përkthyesi, futesh në lëkurën e autorit e të lexuesit. Do ta ndjesh paraprakisht pamundësinë e këtij të fundit për të lexuar një tekst që nuk i flet në “gjuhën” që ai njeh. Kur them gjuhën, në fakt nënkuptoj kulturën, nisur nga parimi i Humboldit se përkthimi nuk është një akt gjuhësor, por një transferim i një kulture në gjirin e një tjetre. Ja, ky është çelësi i leximit të momentit psikologjik të përkthyesit. Por, je po aq Artist, mundësisht sa ai. E nëse realizimi i përkthimit bëhet vetëm me cerebralitet, ka gjithmonë diçka që kërcet. E vetmja zgjidhje e lumtur përkthimore arrihet nga drejtpeshimi i të dy këtyre elementëve të sipërpërmendur. Le të themi që është një akrobaci mendore e ekzekutuar sa me ndërgjegje, po aq pa të. Nëse njëri prej tyre merr supremacinë, fillon çalimi i përkthimit. Në këtë proces delikat ku përkthyesi është ai që peshon e çmon çdo fjalë e imazh të autorit, kur atij i ndodh të zgjidhë një nyje, ndjehet “sicut deus”. Ai ndjen se ka pushtetin e duarve të artizanit që end me filigranë.

*A ka gjuha shqipe nje fjalor te gjere e te mjaftueshem per te perkthyer mire vepra te volumeve te medha leksikore dhe konceptuale? Si behet ne keto raste nese “JO”?
Fjalori i shqipes, i përditësuar dhe i vënë në dispozicion nga Akademia e Shkencave edhe vitet e fundit on line, është burimi i parë i sigurtë. Pyetjes tuaj nëse është i mjaftueshëm, unë, duke mos qenë një leksikografe, nuk kam kompetencën t’i përgjigjem. Por, në pozicionin si të përkthyeses, po aq edhe të studiueses apo edhe thjesht lexueses të apasionuar që operon me gjuhën në të përditshmen, mund të them se gjuha është organizmi i gjallë më i ndjeshëm ekzistues. Si e tillë, ajo vibron me “punonjësin” e saj (në këtë rast jo thjesht me përdoruesin, folësin, por me përkthyesin, krijuesin), duke u vënë rregullisht në provë. Në krijimin artistik ku futet edhe përkthimi, ligjërimi formal nuk është asnjëherë i mjaftueshëm, përkundrazi.

Vepra e arrirë artistike origjinale apo e përkthyer, e ka zanafillën e suksesit ndër të tjera, pikërisht tek origjinaliteti leksikor. E në këto raste mund të themi që ajo që mbart Fjalori zyrtar nuk mjafton. Kam qenë dhe jam kundër mendimit të përhapur se shqipja nuk ka të njëjtën pasuri si simotrat e saj më të njohura. Është puna e paktë që bëhet shpesh nga ne për të gërmuar e gjetur fjalë e shprehje të cilat janë në trungun e saj, por që për arësye të ndryshme i kanë dalë nga trupi. E në këtë rast nënkuptoj jo vetëm arkaizmat të cilat për arësye historike, ndjekin normalisht udhën e përhumbjes, por për atë pasuri të pamatë që na sjellin dialektet, të folmet, gjuha e gjallë e folur apo informale e krahinave të ndryshme. Sikur thjesht të bënim një kërkim edhe të përciptë pranë komuniteteve të folësve në fshatra, në male, apo edhe pranë komunitetit të folësve në qytet (përdor këtë term sipas konceptit sociolinguistik) të një moshe të shtyrë, do të gjenim një pafundësi mundësish shprehjeje që, të futura me art në krijimet artistike do t’i jepnin një hov të paparë ligjërimit, do ta mvishnin me ngjyrat që kërkon një tekst letrar. Këtu e shoh unë mundësinë e pasurimit. Italo Calvino thoshte: “Gjithçka mund të ndryshojë, por jo gjuha që mbartim brenda nesh, madje më mirë të themi, që na mban brenda vetes si një botë më eksluzive e përfundimtare si ai i barkut amësor”.

E këtu vijmë edhe tek diskutimi fort i ndjeshëm i gjithë këtyre viteve mbi përdorimin e dialekteve. Duke mos iu futur aspak çështjes nëse cënohet standarti apo jo, sepse gjuha standarte ka fronin e saj të sanksionuar me ligj dhe për fat që është kështu, mendoj se na duhet të riformatojmë veten mbi rëndësinë e dialekteve në përdorimin artistik. Në këtë rast do të sjell në vëmendje shkrimtarin Camilleri i cili u bë i njohur jo vetëm në Itali por edhe ndërkombëtarisht falë përdorimit të efektshëm të një ligjërimi që mbartte edhe fjalë dialektore, po aq edhe të krijuara prej tij, i cili në një libër shumë të këndshëm (jo artistik) me titull “La lingua batte dove il dente duole”, në bashkëbisedim të shkruar me gjuhëtarin e sociolinguistin mbase më në zë në Itali e gjetkë, Tullio De Mauro, arësyeton, reflekton mbi atë çfarë përfaqëson gjuha dhe dialekti, duke arritur në një përfundim që e gjykoj të shenjtë: gjuha shpreh çfarë jemi realisht. Duke shtuar nga ana ime që, gjuha është vetë konstitucioni mendor e shpirtëror i një kombi, shprehja më domethënëse dhe dëshmia më e qartë e thelbit të një komuniteti. Camilleri, kur flet për këtë çështje, tregon se si i lindi nevoja e të shkruarit në të folmen e krijuar nga ai vetë: “Im atë qe faktori vendimtar. Ishte shtruar në Spitalin Gemelli të Romës dhe ishte në prag të vdekjes. Me të kisha patur raport të vështirë, kompleks, por duke e ditur se i mbeste edhe pak kohë, ndryshuan gjërat me të. Nuk e braktisa një minutë…Flisnim shumë. Një ditë, për t’ia hequr mendjen, i them: A e din, kam menduar një histori! I tregova në fakt subjektin e romanit tim të parë Il corso delle cose. Im atë më tha: pse nuk e shkruan? Eeh, sepse në italisht e kam të vështirë ta shkruaj! Po pse duhet ta shkruash në italisht? Shkruaje kështu siç ma tregove mua! Fillova të reflektoja mbi fjalët e tij… Atëherë fillova të analizoja si flisnim ne në familje. Duhej të zgjidhja fjalë të së folmes tonë të cilat duhet të kishin të njëjtën vlerë me standartin. Ka qenë një ushtrim i gjatë, një punë që akoma sot nuk është ndalur…”.

Protagonistë të këtij bashkëbisedimi mbi gjuhën italiane, ose më mirë të themi të përdorimit që i bëhet në Itali ligjërimit të folur të natyrshëm në të gjitha modalitetet e saj, duke nisur nga dialektet deri në shprehjet më të rafinuara të italishtes së shkruar letrare. Nga titulli i librit “Gjuha vete ku dhemb dhembi” sjell në fakt problemin e ndërthurjes e ndërveprimit të dialekteve me gjuhën letrare me gjithë transformimet që mbart kjo e fundit nga transformimet sociaòe e kulturore që ndodhin në Itali, të cilat bëhen edhe më konfuze e të lëkundshme nga agresiviteti i mediave e nga mungesa e një arsimimi të duhur. Në një ngjashmëri të frikshme me situatën tonë në Shqipëri, nga ky libër del qartazi një tjetër keqkuptim që duhet korrigjuar, i cili i izolon dialektet në një ngurtësi auto-konservative nga momenti që ato i kanë dhënë zë shoqërive arkaike thuajse në zhdukje. Të dy autorët i njohin dialekteve aftësine e komunikimit të menjëhershëm emotiv që shkon pa filtra të stërholluara tek lexuesi. Duke iu referuar madje vetë umberto Eco-s i cili thotë se “gjuha shkon ku të dojë, por ajo është e ndjeshme nga sugjerimet që i vijnë nga letërsia, studiuesi De Mauro uron që të krijohet një “kulturë zanatesh” që t’i japë rafinimin e duhur dialekteve e një stofë të re vetë standartit. Gjuha është trungu, kurse dialektet janë rrënjët prej nga ushqehet. Këtë e shoh si formë të re të të menduarit e të vepruarit në rastin e shqipes me dialektet e saj.

Autoret tane a jane te pergatitur me letersine e tyre te perfaqesohen denjesisht tek lexuesi I huaj. Cfare mendoni se ka te vecante letersia jone. Sa interesante mendoni se eshte dhe cfare semundjesh mendoni se ka akoma letersia jone?
Jam e bindur që po. Për fat, përkthimet e letërsisë tonë në gjuhët e tjera kryesore, kanë filluar tashmë të rriten. Do me thënë, nuk kemi vetëm një Kadare, apo Kongoli, por edhe emra të tjerë të rinj që i bashkohen me dinjitet kësaj kategorie. Dëshiroj të mos lëmë aspak në hije, madje parapëlqej ta theksoj fenomenin e letërsisë migratore që po zhvillohet përtej kufinjve, madje pikërisht në Itali me pena shume premtuese apo tashmë të konsoliduara si Elvira Dones, Alnida Ibrahimi, Ornela Vorpsi, Artur Spanjolli, Arben Dedja, Griselda Doka, Ismete Selmanaj, Dario Levani etj. Është një kontribut i fuqishëm e një jehonë fort e lavdërueshme që i bëhet kulturës tonë letrare. Nëse jemi ne interesantë për lexuesin e huaj? Po i përgjigjem me një batutë të tillë: ne në Shqipëri, veç për monotoni ngjarjesh nuk vuajmë! Përkundrazi! Gëlojmë në përditësi! Pra, temat i kemi midis nesh, brenda nesh, e nuk po flas për tema të mëdha si ato historiket, do të mjaftonin edhe ato të brendshmet të individit që në shoqëri të papërcaktuara mirë akoma, pa profil si kjo e jona, do të përbënin një tharm të jashtëzakonshëm për vepra tejet interesante. Natyrisht, e gjitha kjo e shoqëruar me artin e duhur stilistikor. E fundit: personalisht do të uroja një letërsi shqipe që t’i largohet folklorizmave të vullnetshëm nga ana e autorit, për t’u bërë interesantë me ekzotizma në Europën e qytetëruar.

Çfare keni ne dore dhe punet e projektet e se ardhmes se perkthimit?
Aktualisht kam në dorë disa punë që përfshijnë si përkthime, ashtu edhe studime. Në lidhje me përkthimet, do të përfundoj së shpejti përkthimin e një romani të shkurtër të Natalia Ginzburg “È andata cosi”; për vitin që vjen kam përkthimin e romanit të famshëm të shekullit të kaluar “Cristo si è fermato a Eboli” të Carlo Levi-t; ndërkohë vazhdoj me përkthimet e tregimeve të Moravia-s “Boh”, një plan i kahershëm i imi nga i cili kam përkthyer disa tregime, por pa e përfunduar asnjëherë për ta bërë gati për botim. Ndërsa në lidhje me planin më ambicioz, është ai i përpilimit të një monografie studimore mbi Alberto Moravian, edhe ky një projekt i kahëershëm që më vështirësohet realizimi nga ndërfutjet e të përditshmes. Nëse ia dal, do të shihemi prapë; nëse jo, aq më keq për mua!


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas