Aktualitet

PERKUJTIMET/ Cili 21 Janar na përfaqëson?!





Na ndiqni në Facebook
               Publikuar në : 11:53 - 22/01/20 |
mapo.al

Teksa do të duhej të kishim unitetin e 21 janarit të Lushnjes, idealin e 21 janarit të Rugovës, dhe reflektimin për të mos patur më kurrë një 21 Janar të Bulevardit, për fat të keq, ngjarjet e ditës, rendja me babëzi për përfitime, bindja fikse për të mbajtur pushtetin me cdo kusht, dhe harrimi i të kaluarës, na bëjnë me të drejtë të mendojmë, se ne kemi sot më të këqiat që mund të merrnim nga 21 Janari.


Dje janë përkujtuar në të njëjtën disa disa ngjarje dhe disa personazhe me rëndësi për vendin. 21 Janari më së pari na kujton përplasjen tragjike në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, ku 4 qytetarë humbën jetën në një protestë të dhunshme në një përpjekje për t’u futur në kryeministrinë që drejtohej në atë kohë nga Sali Berisha.



Ish-Kryeministri është akuzuar gjithnjë nga socialistët si përgjegjës për atë ngjarje, si urdhërues i zjarrit të panevojshëm, prej gardës, ndaj protestuesve. Po ashtu, Edi Rama është akuzuar si frymëzues i dhunës së asaj dite, dhe më tej, është kritikuar se e përdori 21 janarin si kapital politik për të ardhur në pushtet.


Ilir Meta po ashtu, ka lidhjen e tij me 21 janarin, duke qënë se Edi Rama i thirri njerëzit në atë demostratë, pas publikimit të një video, ku ish-kreu i LSI shfaqej në një pozicion kompromentues duke lënë dyshime për abuzim me pushtetin. Meta më tej, fitoi pafajësinë në Gjjykatën e Lartë.

Po pikërisht, edhe pse është betuar për drejtësi për 4 viktimat, Edi Rama është kapur në disa rrethana kompromentuese. Më e para, dy vitë më vonë ai bëri aleancë politike me Ilir Metën për të ardhur në pushtet, ndërsa një prej anëtarëve të grupit të zjarrit të Gardës së Republikës e futi në parti dhe madje e promovoi deri në kryetar bashkie.
21 janari i djeshëm ishte më i zbehtë dhe rituali i përvitshëm i vendosjes së luleve në Bulevard nuk pati shumë forcë. Megjithatë, u dëgjuan sërish familjarët e atyre që humbën jetën, të shpreheshin se edhe sot pas 9 vitesh, nuk kanë gjetur drejtësi.

Koha do ta gjykojë drejt atë ngjarje të rëndë, dhe nëse do të ketë drejtësi, aty do të dalin përgjegjësit nga të gjithë palët. Por në thelb, 21 janari mbetet një njollë e zezë në politikën shqiptare, që tregoi mungesën e saj të maturisë dhe përpjekjen bajraktariste e tribale për të marrë apo ruajtur pushtetin me cdo kusht, qoftë edhe duke shkaktuar viktima.
21 janari si rregull duhet të bënte me turp cdo politikan që ishte faktor në atë kohë, ndërkohë që ata janë po njësoj aktiv dhe njësoj të pushtetshëm edhe sot.

Po dje, një tjetër ngjarje u përkujtua, dhe prej të cilës u evokuan mesazhe të forta. Ishte pikërisht 100 vjetori i Kongresit të Lushnjes, ku më në fund patëm një parlament, dhe rikrjim e rifunksionim të institucioneve shqiptare, bërthama e të cilëve ishte ngjizur në 1912-tën e pavarësisë.

21 Janari i Lushnjes ishte një moment bashkimi, në mbrojtje të interesit kombëtar dhe të tërësisë territoriale, teksa përpjekjet për aneksim dhe zvogëlim të Shqipërisë ishin të dukshme. 21 janari i Lushnjes mund të thuhet se shpëtoi atdheun që kemi sot, kjo dhe falë ndihmës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe qendrimit të Presidentit Uillson, në konferencën e paqes në Paris pikërisht në atë kohë.

Po mbi të gjitha, ishte uniteti i treguar në Kongresin e Lushjes dhe vendimet që u morën aty që bënë që Shqipëria të ngrihej në këmbë dhe të funksiononte si shtet.
I atillë bashkim i duhet patjetër në cdo kohë vendit dhe sidomos sot në këtë kohë të errët të konfliktit dhe krizës së thellë politike.

Këtë mesazh ka evokuar sot lideri i Opozitës, Lulzim Basha. Presidenti, edhe ai, u shpreh se duhej marrë frymëzim nga ai bashkim. Po ashtu, kryetari i Parlamentit Ruci, tha se kemi ctë mësojmë nga ajo datë historike e nga udhëheqësit vizionarë të asaj kohe.

Me 21 janar të vitit 2006, 14 vjet më parë, u nda nga jeta Ibrahim Rugova. Po dje u kryen disa ceremoni. Edhe pse nuk jeton më, Rugova ngelet si babai themelues i Kosovës, dhe qendrimet e tij, aksioni i tij, idetë, vizioni, vetë jeta e tij, janë shpesh këshilla më e mirë për ata që kanë në dorë sot fatet e vendit atje.

Por Rugova rezonon përtej Shqipërisë së epërme. Ai është një model për t’u ndjekur e marrë shembull për gjithë kombin dhe trojet.

Një njeri që vuri gjithë jetën në shërbim të cështjes kombëtare, me durim, me këmbëngulje e sakrificë. I palëkundur në ndjekje të idealit, i pakompromentuar. Rugova është rasti që vuri vendin, interesin kombëtar, para vetes së tij.
Një rracë politikani që nuk ndeshet më, as në Prishtinë e as në Tiranë.
Eshtë kjo arsyeja se për të ekziston një konsensus i përgjithshëm, dhe ai mbetet i gjithëpranuar.
21 janari i Rugovës na bën po ashtu me dije për hipokrizinë e politikës së ditës. Teksa e thërrasin në ndihmë për vizionin që kishte, pakkush bën ato që ai predikonte, dhe pak kush e vendos sot vendin dhe të ardhmen, para interesit personal.

Kur reflekton mbi këto ngjarje, me të drejtë mund të lindë pyetja, cili 21 janar na përfaqëson më mirë ne shqiptarëve sot. Teksa do të duhej të kishim unitetin e 21 janarit të Lushnjes, idealin e 21 janarit të Rugovës, dhe reflektimin për të mos patur më kurrë një 21 Janar të Bulevardit, për fat të keq, ngjarjet e ditës, rendja me babëzi për përfitime, bindja fikse për të mbajtur pushtetin me cdo kusht, dhe harrimi i të kaluarës, na bëjnë me të drejtë të mendojmë, se ne kemi sot më të këqiat që mund të merrnim nga 21 Janari.


Etiketa:

Pas