Vajza e sundimtarit të Dubait thotë se ajo është duke u mbajtur “peng” në një vilë në Dubai, dy vjet pasi përpjekja e saj për t’u arratisur u mposht nga i ati.
Princesha Latifa bint Mohammed Al Maktoum, vajza e sundimtarit të Dubait dhe zëvendëspresidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheik Mohammed bin Rashid Al Maktoum, po përpiqej të largohej nga Dubai në një jaht në shkurt të 2018-ës, kur autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe e kapën në oqeanin Indian.
Pothuajse një vit më vonë, një deklaratë u lëshua përmes agjencisë shtetërore të lajmeve Wam, duke thënë se Latifa “ishte në shtëpi dhe jetonte me familjen e saj në Dubai”, së bashku me fotografitë e saj me ish-Komisioneren e Lartë të Kombeve të Bashuara për të drejtat e njeriut, Mary Robinson.
Sidoqoftë, BBC Panorama ka siguruar video që pretendohet se janë nga Latifa, të marra nga një telefon “kontrabandë” në vilën ku ajo po mbahet në Dubai.
“Jam peng, nuk jam e lirë. Unë jam e burgosur. Jeta ime nuk është në duart e mia”, dëgjohet të thotë ajo.
Kjo vjen, pas deklaratës së Robinson, që tha se ishte “mashtruar” nga mbretërit e Dubait.
BBC Panorama thotë se ka “verifikuar në mënyrë të pavarur” detajet se ku po mbahej Latifa kur dërgoi videot. Ata thonë se ajo po ruhej nga rreth 30 policë, duke punuar me rotacion, brenda dhe jashtë vilës, e cila ka “mbyllur dritaret” dhe nuk dihet nëse është ende atje.
Në pamjet, të cilat do të shfaqen sonte në orën 8:30 pasdite si një edicion special i BBC me titull “Princesha e Zhdukur” (Missing Person).
Latifa thotë se ajo është mbajtur në “izolim të veçuar” që nga përpjekja e saj për t’u arratisur nga Dubai tre vjet më parë. Në atë kohë, shoqja e saj Tiina Jauhiainen e kishte ndihmuar atë për të lënë Emiratet e Bashkuara Arabe, për të filluar një jetë të re jashtë vendit.
Një vit më vonë, Jauhiainen thotë se ajo u kontaktua nga një person pa emër i cili e ndihmoi atë ta ndihmonte princeshën me një telefon.
“Ajo është aq e zbehtë, nuk ka parë rrezet e diellit për muaj me radhë. Mund të lëvizë vetëm nga dhoma e saj në kuzhinë dhe mbrapa”, shprehet Jauhiainen.