Përndjekja si dhe një episod dhune në banesën e Catherine Bohne, 50-vjeçarja e njohur si një nga aktivistet për mbrojtjen e Valbonës, ka çuar në pranga një shtetas 54-vjeç me iniciale I.B nga Bujani i Tropojës.
Burimet zyrtare nga Komisariati i Tropojës bëjnë me dije se është vënë në pranga ky shtetas pasi prej kohësh përndiqte aktivisten amerikane, ndërsa episodi më i rëndë është shënuar ditët e fundit teksa 54-vjeçari ka tentuar të hyjë me dhunë në banesën e Bohne.
Gjithashtu të njëjtët zëra thonë se I.B është arrestuar dhe herë të tjera për veprën “përndjekje” dhe më pas është lënë i lirë.
Informacioni i plotë:
Specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Tropojë, arrestuan në flagrancë shtetasin;
-I.B., vjeç 54, banues në Bujan, Tropojë.
Arrestimi i tij u bë pasi shtetasi I.B. ka disa kohë që e përndjek një shtetase 50 vjeçe ku ka tentuar të hyjë në banesën e saj.
Shtetasi I.B. është arrestuar dhe më parë, për të njejtën vepër penale “Përndjekja”.
Materialet për veprime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tropojë, për veprën penale “Përndjekja”.