Kryesore

Përpjekja e qeverisë për të qënë përsëri ‘socialiste’, si frikë e Ramës ndaj LSI








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 18:46 - 30/12/20 |
Gentian Gaba

Rokada më e fundit kryeministrore me ministrat, nuk përfaqëson një lëvizje për të shërbyer më mirë qytetarët dhe interesat e vendit. Nuk ka sens të publikes, por vetëm të privates. Interesin e një pakice, sidomos atë të kryeministrit, për të vendosur në funksione politike njerëz në dobi të fushatës. Kjo nuk tregon vetëm atë që është komentuar gjerësisht në media, dështimi i ministrave që nuk përfaqësonin asgjë përveçse tekave të Ramës për t’i emëruar. Është gjithashtu një tregues i ankthit parazgjedhor, lehtësimi i të cilit kalon nëpërmjet një ‘quid pro quo’, një shprehje latine që nënkupton shkëmbimin e një favori me një tjetër favor, në radhët e mazhorancës, që me sa duket nuk lëviz pa kësi shkëmbimesh.



Larja e hesapeve me eksperimentet apolitike dhe jo përfaqësuese, është gjthashtu treguesi i një qeverie që përpiqet të jetë përsëri ‘socialiste’. Të kuptohemi, me aq socialistë sa kanë mbetur. Sepse përtej pozicioneve honorifike që kanë mbajtur në këto dy mandate, më së shumti kanë qenë spektatorë të pushtetit pa kufij të Ramës, ku rolin e luanit e kanë bërë ata që u katapultuan në zyra të mëdha e të vogla sipas kapriçove të kreut të PS-së, duke lënë kështu në stol përfaqësuesit e bazës; e cila, pas punës në terren, u shpërfill përgjatë këtyre viteve, për t’i hapur rrugë lojrave dhe diversioneve të Ramës.


Kjo frakturë, midis pushtetarëve dhe socialistëve, që Rama përpiqet ta shërojë nëpërmjet kësaj rilidhjeje fijesh, e ka ekspozuar partinë në pushtet ndaj një tjetër rreziku, ai i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Një parti e qendrës së majtë, pragmatiste, e konsoliduar, e cila i ka kaluar tallazet e ‘rinisë’ dhe po kthehet në strehën e të pakënaqurve të kampit të majtë, që prej vitesh kanë humbur ‘shtëpinë’ e tyre. Frika ndaj LSI-së lexohet qartë nga sulmet e panumërta që i dedikohen kësaj force politike. Ajo përfaqëson atë që Rama nuk po arrin të krijojë me partitë e lindura nga elemetët e dalë nga e djathta; një çarje të së majtës, tashmë të kalcifikuar dhe e rrezikshme për atë në zgjedhjet e ardhshme.



Nëse me Partinë Demokratike Rama do të luftojë për të fituar elektoratin gri, me Lëvizjen Socialiste për Integrim beteja do të jetë krejt tjetër. Në mbrojtje. Një përpjekje për të frenuar hemoragjinë e socialistëve që e kanë parë derën e mbyllur për shumë gjatë, ndërsa tani kanë nisur të shfaqen në aktivitetet e LSI-së. Njerëz që jetojnë me politikën. Disa syresh të panjohur për ekranet apo portalet, por të njohur për komunitetet në të cilat jetojnë dhe punojnë. Njerëz që njohin aparatin politik shqiptar dhe janë përjashtuar nga mësymja e ‘rilindasve’ dhe ‘mjaftistëve’ në Partinë Socialiste. Një rrymë njerëzish që për arsye ideologjike dhe historike, e kanë të vështirë kalimin te Partia Demokratike, dhe gjejnë te LSI një formacion ku mund të vijojnë angazhimin e tyre politike, që sigurisht përcillet me grumbullimin e votave të majta. Të njëjtën forcë tërheqëse majtas ka edhe Partia Agrare Ambientaliste, me Dukën dhe Arben Malaj, të bashkuar në një front opozitar të gjerë në mënyrë të paprecedentë, që matematikisht e sheh shumë pranë frytin pozitiv të 25 Prillit.



Nga ky këndvështrim, çdo përpjekje e Ramës për të shëruar një plagë brenda kampit të tij, duket si një efekt placebo. Pa kurrë̈farë ndikimi. Skizma e së majtës, bashkimi opozitar, vetë opozitarizmi në shoqëri që tejkalon partitë politike në opozitë, keqqeverisja dhe fatura e kripur e premtimeve të pambajtura, bëhen një hendek i pakapërcyeshëm për një qeveri tashmë të vjetër, e cila mund të ndryshojë ministrat, por nuk ndryshon dot zgjedhësit.



Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas