Edi Rama ka disa ditë që ka përmbysur krejtësisht kursin e ndjekur deri tani për zgjedhjet e 25 prillit. Ndoca ditë më parë tha me arrogancë e shpërfillje, se oferta për zgjedhje është ai vetë. Pra Edi Rama me gjithë karakterin e tij.
Ndryshimet nisën shpejt. Sonduesit, matësit e opinionit me siguri i thanë se ajo ofertë nuk sillte gjë në shportë.
Korigjimet e para erdhën me emrat e ftuar në listë. Befasi dhe personalitete. Pranim faqe botës se ai dhe rilindja e tij ishin humbëse dhe duhej të bënin ndërhyrje të forta kirurgjikale.
Të rinj të panjohur më parë kryesojnë listat në qarqe, ndërkohë që janë bashkangjitur emra si Luljeta Bozdo dhe Najada Çomo.
Në këtë përpjekje për të rishpikur veten, për të treguar se ky i sotmi, 45 ditë para zgjedhjeve, nuk është ai i 8 viteve që kishim çdo ditë në ekran, në krye të punëve dhe autor të çdo vendimi, Edi Rama zhduku edhe totemin e rilindjes, duke e pranuar kësisoj se ajo qe një dështim.
Ka rikthyer sonte simbolin e Partisë Socialiste. Sikur të mund t’ia dalë që të bëjë një “reset”, një fshirje të së gjithës, dhe nisje nga e para, me shpresën se një amnezi e fortë ka mbërthyer njerëzit e askush sdo e vërë re.