Dikur

Përpjekjet e drazhistëve me xhandarmërinë dhe vullnetarët shqiptarë






               Publikuar në : 13:47 - 01/08/19 |
Nga Veli Haklaj

Nga Veli Haklaj


Hyrje



Në funksion të zbatimit të platformave për shfarosjen e kombit shqiptar, që kishin për pikënisje programin “Naçertanija“ të Ilia Garashaninit (ish-ministër i Punëve të Brendshme të Principatës së Serbisë), gjatë Luftës së Dytë Botërore 1941-1944, një nga dallgët më të mëdha të gjenocidit serbo-malazez përshkoi trevat shqiptare, jashtë Shqipërisë së 1913-ës. Momenti kulmor ishte masakrimi i krahinës së Bihorit, në Sanxhak, më 5 dhe 6 janar 1943, ku në 82 fshatra u shfarosën në mënyrat më të tmerrshme afro 5 000 shqiptarë, rreth një e treta e të cilëve ishin fëmijë, gra dhe pleq, tragjedi kjo në kushtet kur trojet shqiptare ishin pushtuar nga forcat ushtarake italiane, gjermane, serbe dhe bullgare. Përgjegjësit kryesorë për masakrën e Bihorit, por dhe për masakra të tjera gjatë Luftës së Dytë Botërore ishin çetnikët e Drazho Mihajloviçit. Sipas deklarimeve të kryetarit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, Bedri Pejani, “bashkëfajësia e Italisë në tragjedinë e Bihorit u vërtetue kategorikisht”. Në sulmin e tyre ndaj krahinës së Bihorit, çetnikët e Malit të Zi u organizuan nga italianët dhe u shtynë në veprime prej SIM-it.

Objekt i këtij punimi, që do të publikohet në vijim për lexuesin e gazetës “Mapo”, do të jetë paraqitja e disa dëshmive autentike të ballafaqimeve të çetave drazhiste me xhandarmërinë shqiptare dhe vullnetarët shqiptarë në Kosovë. Për përgatitjen e punimit, kryesisht jemi bazuar në dokumentet arkivore të administruara në Arkivin Qendror të Shtetit Shqiptar. Gjatë periudhës së marrë në shqyrtim, periudha e pushtimit gjerman, ka një korrespondencë intensive të Ministrisë së Punëve të Brendshme me Komandën e Përgjithshme të Xhandarmërisë dhe prefekturat e Tokave të Liruara mbi përpjekjet e çetave drazhiste me xhandarmërinë shqiptare dhe vullnetarët shqiptarë.

1.Veprimet e xhandarmërisë shqiptare kundër okupimit të fshatrave shqiptare nga çetat drazhiste.

Që me kapitullimin e ushtrisë italiane (shtator 1943), katundet Tabalije, Cvitkoviq, Strumce, Vraneviq, Dragoçevc, Otes, Kerçmarë, Grubetiq dhe Dedillovë, që i përkisnin juridiksionit të Nënprefekturës së Tutinës, u okupuan nga ana e çetnikëve serbë, nën kryesinë e udhëheqësit të tyre vojvodës Todor Dobriq.

Në fillim të vitit 1944, u evidentuan ballafaqime në mes patrullave çetnike me forcat e xhandarmërisë shqiptare, të cilat përkraheshin dhe nga fuqi vullnetare shqiptare. Kryetari i Bashkisë së Pejës, Sefedin Begolli, me cilësinë e zëvendësisht prefektit të Prefekturës së Pejës, me shkresën rezervat të datës 20 janar 1944, informon Ministrinë e Punëve të Brendshme se në operacionet e bëra kundër çetës grabitëse të Faik Bahtiarit, një patrullë xhandarmërie bashkë me një sasi vullnetarësh shqiptarë, duke shkuar vijës së kufirit të fshatrave të shkruara më sipër kishte ndeshë në një patrullë çetnikësh, të cilët menjëherë kishin hapur zjarr kundër patrullës së xhandarmërisë. Patrulla e xhandarmërisë ishte përgjigjur me zjarr duke detyruar çetnikët të dilnin jashtë vijës së fshatrave. Në këtë ndeshje nuk u shënua asnjë humbje nga ana e forcave të xhandarmërisë, kurse për humbjet e kundërshtarit nuk disponohej informacion.

Me këtë rast, komandanti i këtij operacioni, rrethkomandanti i Xhandarmarisë së Tutinës aspirant Daut Haxhija, i drejtoi një letër komandantit të çetnikëve Todor Vojvodës, duke i kërkuar shpjegime. Dy letrat e përgjigjes së T. Vojvodës iu dërguan bashkëngjitur informacionit Zyrës Politike të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në Tiranë.

Sipas informacioneve që kishin strukturat e Shtetit Shqiptar, forca e çetnikëve në fshatrat e mësipërme arrinte afërsisht në treqind vetë të mobilizuar dhe të armatosur mirë. Shumica e tyre ishin nga komuna e Kolashinit, që i përkiste juridiksionit të Rrethit të Skënderajt (Drenicës).

Këta çetnikë shpeshherë kalonin vijën e kufirit, të cilën e kishin caktuar vetë, dhe, deri sa kjo çetë me komandën e saj do të ishte e përqëndruar në katundin Gubetiq, vlerësohej se Komuna e Ribariqit nuk do të ishte e qetë dhe popullata e kësaj komune ishte tepër e shqetësuar dhe dita me ditë kërkonin autorizimin dhe ndihmë për të bërë një operacion kundër çetës në fjalë. Sipas kryetarit të bashkisë së Pejës, S. Begolli, “mbarë populli i kësaj komune ishte i gatshëm dhe i vendosun nëpër pikat mâ strategjike për ruajtjen e kufinit”.

Për shkatërrimin e çetnikëve në fjalë ishte e mendimit edhe Komanda Gjermane e Tregut të Ri (Novi Pazarit), me të cilët mund të bëhej një marrëveshje për një sulm të përbashkët. Ndërkohë, prefektura e Pejës kishte kërkuar shpjegime nga nënprefektura e Tutinës se për ç’arsye nuk kishte njoftuar më parë çështjen e mësipërme dhe nëse katundet e mësipërme përfshiheshin në territorin e kësaj prefekture dhe prej çfarë popullsie banoheshin.

Në përfundim të informimit, prefektura e Pejës kërkonte nga Ministria e Brendshme shqyrtimin e çështjes sê parashtruar dhe t’u urdhërohej mënyra e veprimit sa më parë.

Në vijim të sqarimit të situatës për ngjarjet e zhvilluara në këtë periudhë, më 4 shkurt 1944, me shkresë rezervat ‘tepër urgjente’, zëvëndësisht prefekti i Pejës, Sefedin Begolli, informonte Zyrën Politike, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në Tiranë, dhe për dijeni Komitetin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, në Prizren, se bazuar në njoftimet e Nënprefekturës së Tutinës, rezultonte se në mëngjesin e 3 shkurtit 1944, çetnikët serb kishin atakuar vullnetarët shqiptarë në roje të kufirit, në vendin e quajtur mali Cërni Vern. Luftimet ishin zhvilluar të rrepta. Armiku ishte më i madh në numër dhe deri në orën dhjetë (të datës 3 shkurt), kishte pasur pesë të vdekur e dy të plagosur prej anës shqiptare. Vendi i atakimit ishte në komunën e Ribariqit, prandaj Prefektura e Pejës kishte urdhëruar Nënprefekturën e Drenicës që të dërgonte dyqind deri në treqind vullnetarë nëpër Kolashin për në Ribariq dhe Nënprefekturën e Istogut që, po me aq vullnetarë, të nisej mbi bjeshkën e Istogut për në Tutinë. Gjithashtu, nga Prefektura e Pejës u dha urdhër që “në asnjë mënyrë të mos kalohej kufiri”. Në përfundim të komunikimit, zëvendësisht prefekti i Pejës Begolli kërkonte nga qendra “një sasi forcash të mjaftueshme për çdo eventualitet”.

Lidhur me këtë ngjarje, Komandanti i Përgjithshëm i Xhandarmërisë, kolonel Hysni Dema, më 21 shkurt 1944 njoftoi zyrtarisht Ministrinë e Punëve të Mbrendshme se malazezë dhe serbë kishin atakuar kufirin tonë në vendin e quajtur Gavranovë Kereshë, në afërsi të malit Cërni Verne, të katundit Ribariq, të rrethit Tutinë. Çetnikët rishtas ishin tërhequr në pozicionet e veta dhe lufta për momentin kishte pushuar.

Ndërkohë, në ndihmë të rrethit të Tutinës shkuan 400 vullnetarë prej Rrethit të Istogut dhe 250 prej Rrethit të Skënderajt. Për çetnikët thuhej se kishin një fuqi prej 600 vetësh të armatosur me mitraloza dore dhe të rëndë.

2.Lidhja e Dytë e Prizrenit kërkon nga Qeveria e Tiranës pushtimin e zonave neutrale

Një rol aktiv në veprimin e institucioneve të atëhershme, por sidomos në organizimin e vullnetarëve shqiptarë për mbrojtjen e trevave dhe popullsisë shqiptare nga sulmet e çetave drazhiste luajti Lidhja e Dytë e Prizrenit.

Në fillimin e muajit shkurt 1944, Komiteti Qendror i Lidhjes së Dytë të Prizrenit i drejton një letër Kryesisë së Këshillit të Ministrave, në Tiranë, në të cilën, ndër të tjera, duke folur për zonat neutrale ndërmjet Shqipërisë së atëhershme dhe Serbisë e Malit të Zi, thekson sa më poshtë:

“Sot âsht pranue prej Komitetit Qendror një delegacion i dërguem prej popullatave të zonës neutrale të Sanxhakut. Ky delegacion kërkon ngultas që zona neutrale të okupohet sa mâ parë prej Qeverisë sonë dhe prej ushtrisë sonë. Delegacioni ankohet:

1) Kjo zonë mund të sulmohet çdo çast prej bandave malazeze, partizanësh apo çetnikësh, dhe, nëqoftëse nuk janë marrë masa serioze nga ana e Shqipërisë që ndihmat të vijnë me shpejtësi, mund të okupohet prej tyne. Do të jetë një punë e vështirë pastaj me i nxjerrë këto banda prej kësaj zone.

2) Megjithëse populli i kësaj zone âsht organizue për t’u mbrojtë kundër sulmeve serbo-malazeze, nuk âsht organizue administrativisht. Ka mâ se tri vjet që palavitet në një anarki administrative. Kjo situatë e dâmshme për popullatën e zonës në fjalë nuk mund të normalizohet veçse nëpër një okupim në rregull, tue organizue popullatën dhe policinë.

Shënim me rândësi: Pjesa jugore dhe juglindore e Malit të Zi gjinden sot nën sundimin e partizanëve. Këta të fundit janë tue i marrë krejt masat e tyne për të sulmue Plavë-Gusinë, Rozhajën, Rugovën dhe zonën neutrale. Jemi të shtrënguem me marrë kundërmasa qysh sot për t’i prit me fitim sulmet e tyne shumë të afërme. Sidomos për t’i bâ ballë ngjarjeve që do të zhvillohen, sigurisht në atë sektor, me të fillue pranvera.

E pra, e para kundërmasë që shtrëngohemi me marrë âsht ”OKUPIMI SISTEMATIK I ZONËS NEUTRALE ME QENDËR SJENICË”.

Meriton të shtohet se mosmarrja e kësaj kundërmase qysh sot mund të na kushtojë shumë shtrenjtë nesër. Okupimi në fjalë po na imponohet nga situata e malazezëve për të sigurue mirë mbrojtjen e Prefekturës së Pejës, aty brenda Pejës.

Komiteti Qendror, bashkë me popullatat e zonës neutrale, pret vendimin e qeverisë dhe komunikimin e këtij vendimi telegrafikisht.”

Më 18 shkurt 1944, Kryesia e Këshillit të Ministrave u dërgoi Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme këtë letër të Komitetit Qendror të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, duke u kërkuar që të studionin çështjen dhe të tregonin masat që mendonin të merrnin.

3.Shkurt 1944 – Çeta të shumta serbe sulmojnë popullin dhe tokat shqiptare

Në gjysmën e parë të shkurtit 1944, veprimet në terren të çetave drazhiste u intensifikuan. Bazuar në informimin nga Komanda e Xhandarmërisë së Prishtinës, më 15 shkurt 1944, zëvendësisht prefekti i Prishtinës, kapiten i parë Xhemal Barimi, informonte Ministrinë e Punëve të Brendshme, Tiranë, se çeta të shumta serbe kishin sulmuar kundër shqiptarëve me forca dhe mjete luftarake të shumta dhe ishin duke u zhvilluar luftime në malet e Novi Pazarit. Sipas informatave, ushtria gjermane kishte shkuar përballë këtij vendi dhe njëkohësisht kishin ndaluar popullin shqiptar, që ndodhej gjatë vijës së kufinit, që të hynte në këtë luftim deri sa ata të shfaqnin nevojë, kështu që populli ndodhej gati, i armatosur, në pritje të urdhërit të tyre.

Gjatë rrugës së malit të Novi Pazarit ishin parë treqind kalorës serbë, të cilët thuhej se ishin nisë me drejtim për të shkuar në ndihmë të çetave në fjalë.

Një kolonel serb kishte shkuar në katundin Plemetin (Vuçiternë) dhe i kishte mbledhur gjithë rojet e vijës së kufinit duke ju dhënë instruksione dhe ju kishte theksuar që të rrinin gati se me rastin më të parë do t’u binin shqiptarëve. Mbi këtë urdhër, rojet kishin filluar me lëvizë dhe me kryer fortifikime ushtarake. Koloneli serb nuk dihet se nga ç’komandë kishte ardhur dhe në ç’drejtim kishte shkuar.

Veç sa më sipër, në informacionin e Prefekturës së Prishtinës shënohet se më 11 shkurt 1944, simbas informatave, edhe në vendin e quajtur Kolashin, të rajonit të Nënprefekturës së Skënderajt (Prefektura e Pejës), kishin sulmuar çetat e naltëpërmendura me forca të shumta që përbëheshin prej shtatë mijë vetësh, të armatosur mirë me armë automatike, “me të cilët populli shqiptar i krahinës së atyshme âsht në përleshje e sipër dhe lufton fortësisht, ku kanë shkue mjaft vullnetarë shqiptarë t’asaj krahine”.

Për luftimet që zhvilloheshin në rajonin e Kolashinit ndërmjet forcave çetnike serbe dhe forcave të xhandarmërisë shqiptare, ku këto të fundit ndihmoheshin energjikisht dhe nga forca vullnetare shqiptare, hedh dritë dhe shkresa e datës 21 shkurt 1944, e zavëndësisht prefektit të Prefekturës së Prizrenit, Niko Lafe, drejtuar Zyrës Politike të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Sipas kësaj shkrese, lufta në frontin e Kolashinit kundra çetave serbe ishte duke vazhduar gjithnjë. Sipas informatave që vinin nga Prefektura e Pejës, luftimet gjer në atë moment ishin në favor të forcave shqiptare.

Ndërkohë, ishte vërtetuar se bashkë me çetat serbe vepronin edhe trupa të rregullta të Nediçit (kryeministri i qeverisë kuislinge serbe). Nga forcat shqiptare, përveç vullnetarëve, mernin pjesë në luftime edhe regjimentet e Pejës e të Prishtinës.

Gjithashtu, prej qarkut të Prefekturës së Prizrenit kishin shkuar në front tre mijë e pesqëqind shqiptarë të armatosur, ndërkohë një pjesë tjetër e konsiderueshme ishte në gjendje mobilizimi.

Nga ana e tij, Komiteti Qendror i Lidhjes së Prizrenit kishte marrë iniciativë për mbledhjen e ndihmave në veshëmbathje e të tjera sende të nevojshme për trupat luftuese.

Sipas kësaj shkrese, i tërë populli i Kosovës ishte në këmbë dhe “vullneti i tij për të përballue këtë luftë ishte me të vërtetë i patundur”. Nisja e vullnetarëve për në front ishte bërë “plot enthuziazëm dhe këngët patriotike ushtonin në të gjitha anët”. Populli i qarkut të Prizrenit nuk kërkonte gjë tjetër për me i dalë zot vendit, veçse armë dhe, mbi të gjitha, municione.

Në shkresë theksohej që Kryetari i Komitetit Qendror të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, Z. Bedri Pejani, dhe komandanti i Sektorit, nënkolonel Qazim Konomi, ndodheshin në Pejë.

Pasi kërkonin intervenimin sa më parë të qeverisë për të siguruar një sasi të konsiderueshme armësh (veçanërisht automatike të lehta dhe të rënda) dhe municioni, autoritetet e Prefekturës së Prizrenit luteshin që të ndërmerreshin demarshet e duhura që të lihej në dispozicion të Drejtorisë së PTT së Prizrenit një linjë telegrafonike Prizren – Tiranë.

4.Elementi me origjinë sllave u bashkohet çetave drazhiste në Kosovë

Në fundin e vitit 1943, në trevat shqiptare të Kosovës u konstatua një arratisje e elementëve me origjinë sllave për t’ju bashkuar formacioneve luftarake që vepronin në Kosovë dhe territoret e tjera të Jugosllavisë.

Më 30 tetor 1943, prefekti i Pejës Xhelal Preveza, bazuar në informacionet që i vinin nga nënprefektura e Istogut, informon Drejtorinë e Korespondencës në Ministrinë e Punëve të Brendshme,Tiranë, se prej rajonit të Komunës së Qendrës së Istogut ishin arratisur në drejtim të paditur këta elementë serbë: Sllavko Bekoviq, Lubo Radojko Bojë, Jaka Lubo Bojë, Bozhidar Radovan Lushiq, Millosav Radovan Lushiq dhe Radovan Todiqi.

Arsyeja e arratisjes me siguri nuk dihej, por në bazë të hetimeve që ishin bërë me anën e organeve vartëse dukej se ishin bashkuar me çetën çetnike t’ish kryetarit të Komunës Qendrës së Istogut të ish-regjimit jugosllav, Ral Vuliqit. Hetimet për zbulimin e tyre vazhdonin.

Informacione kishte dhe për bashkimin e elementëve sllavë me çetat partizane që vepronin në Kosovë. Më 21 nëntor 1943, komandanti i Përgjithshëm i Xhandarmërisë Mbretërore Shqiptare, nënkolonel Mahmut Golemi, informon Zyrën Politike të Ministrisë së Punëve të Brendshme se, sipas lajmërimit që u bënte Qarkkomanda e Xhandarmarisë së Pejës, më 18 tetor 1943 ishin arratisur të quajturit Sllavko Jina Rakoviç, 42 vjeç, Luba Gojka Bojçiç, 45 vjeç, Jaka Lubo Rajçiç, 18 vjeç, Bozhidar Radovan Lushiç, Millosave Radovan Lushiç, 19 vjeç, Radenko Ndrije Todiç, 70 vjeç, të gjithë të lindur e banues në Istog. Sipas të dhënave që disponoheshin, rezultonte që “qëllimi i arratisjes ishte për t’u bashkue me çetat partizane, të cilët kanë ndjekë gjithnjë një ide”. Ndërkohë, vazhdonin ndjekjet për kapjen e tyre.

5.Teksti i betimit të çetnikëve drazhistë

Shtetasit serbë dhe malazezë rekrutoheshin në çetat drazhiste kundrejt betimit standard që bënin para komandantëve të tyre. Një kopje e tekstit të betimit, iu dërgua më 7 korrik 1944 Zyrës Politike, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, nga zëvendësisht prefekti i Prishtinës, Reshit Mehmeti. Këtij të fundit, ky tekst i ishte referue zyrtarisht nga Nënprefektura e Mitrovicës, më 3 korrik 1944.

Ky dokument i gjetur prej komandantit të rojes qytetëse në Mitrovicë, bashkë me leje njoftimin nr. 495 të Komunës së Leposaviçit dhe të Nënprefekturës së Mitrovicës nr. 1402/44, datë 16 shkurt 1944, i ishte dhënë Milloje Millosavleviçit, nga katundi Tvergjanë, Leposaviç. Tekstin e betimit po e japim të plotë në vijim:

– Kopje –

B E T I M I

Unë Milloje Millosavleviçi, betohem me gjithë të mëshirshmën Perëndi dhe me të gjithë që m’âsht mâ e shenjtë dhe mâ e dashtun në ket Botë që nën komandën e Shkëlqësisë Tij Mbreti Petrit të II-të të Karagjorgjeviçit dhe ministrit të tij të ushtrisë të Gjeneralit t’Armatës Drazha Mihajloviçit dhe të kryetarëve të tjerë, [se] do të luftoj trimnisht për lirinë e Kosovës, Metohisë, Drenicës, Kolashinit, Llapit e Ibrit kryene Shejtësije serbe kundra të gjithë gjakpirësave gjermanë, shqiptarë, komunistë, lotiçevçë dhe anmiqëve të tjerë të mbrendshëm të cilët janë shkaktarë për dërmimin e votrave serbe, për vramjen e vllaznëve e motrave tona e për shkatërrimin e shejtësisë serbe.

Në qoftë se në luftë, të më tradhtoj çdo të mirë.

Në qoftë se dorëheqi nga kjo luftë, të dorëhjeket Zoti prej meje.

Gjaku i sakrificavet (flijimeve) kosovarë raftë mbi kokën time dhe toka e pjellshme të mos më pranoftë eshtnat.

I turpënuem të jem deri ke vorri para herojvet të shejtë Kosovarë.

Një kështu të më ndihmoftë Perëndija.

Shëngjergj,                                                                                      V.    V.

     6 maj 1944                                                          Komanda e Ushtrisë  Jugosllave në Atdhe

Male të Lira Serbe                                                                           (Shkabë)

Kryesuesi i betimit

Komandanti i Korpusit të Mësymjes së Kosovës

Kapiten Zhika S. Markoviç

Shtabi i Malit nr. 193

Vërtetësia e kësaj kopje me origjinalin u bë nga nënprefekti i Mitrovicës Ethem Ferhati, nënkomiseri i Policisë Mysli Dobruna dhe Shefi i Zyrës Politike në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

(VIJON NUMRIN E ARDHSHËM)


Etiketa: , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas