Një përplasje me armë ndodhi në zonën e quajtur “Rrota e kuqe” në afërsi të plazhit në Durrës, ku dy persona janë grindur me njëri-tjetrin dhe njëri prej tyre ka qëlluar disa herë në ajër me pistoletë.. Burime zyrtare nga policia bëjnë me dije se nga përplasja nuk ka pasur të lënduar, ndërsa është arrestuar Indrit Dule, një person i njohur për policinë dhe me precedent penalë, si dhe janë shoqëruar disa persona e është shpallur në kërkim të paktën një tjetër i përfshirë në përplasje. Nga hetimet paraprake policia tha se bëhej fjalë për një grindje të momentit mes dy personave, ndërsa shtoi se personat e përfshirë në sherr kanë pasur edhe më herët probleme me policinë. Kështu sipas kësaj të fundit, i arrestuari Indrit Dule është person me precedentë penalë. Dje atij i është sekuestruar arma pistoletë TT, të cilën e ka përdorur në ngjarje, ndërsa policia thotë se e mbante atë pa leje. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e përplasjes, si dhe për arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në incident. 3 vite më parë 36-vjeçari Indrit Dule është arrestuar nga policia me akuzën “vrasje e mbetur në tentativë”, ku së bashku me dy persona të tjerë kanë tentuar të vrasin një efektiv policie. Gjithashtu Dule është dënuar më parë për heqje të paligjshme të lirisë së personave të tjerë.
Ndërkohë mësohet se disa muaj më parë, 36-vjeçari Indrit Dule ka qenë pre e një atentati nga i cili mbeti i plagosur, ndërsa nga ana e policisë thuhet se shkak për këtë rast dyshohet të ketë qenë përfshirja në trafiqe të paligjshme, shfrytëzim prostitucioni, si dhe konflikte të ndryshme me origjinë larje hesapesh. Në muajin shtator Dule me banim në fshatin Arapaj u paraqit i plagosur në spitalin rajonal të Durrësit i shoqëruar nga i ati, ndërsa më herët thuhet se ka qenë i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje, heqje të paligjshme të lirisë.