Dikur

Përplasjet me partizanët dhe sjellja e ballistëve ndaj tregtarëve






               Publikuar në : 09:30 - 07/09/19 |
Nga Veli Haklaj

-Realitete shqiptare në Qarkun e Elbasanit gjatë pushtimit gjerman


Nga Veli Haklaj

VIJON NGA NUMRI I KALUAR

Në fundin e vitit 1943 dhe muajt e parë të vitit 1944, edhe në qarkun e Elbasanit u evidentuan përplasje me armë ndërmjet fuqive qeveritare me fuqitë partizane. Këto përpjekje rezultuan me pasoja të rënda, veçanërisht kur u morën vendime për ekzekutimin e kundërshtarëve politikë. Me disa nga ngjarjet më kryesore në këtë periudhë do të njihet lexuesi në vijim të këtij punimi.

  1. Përpjekje ndërmjet fuqive të armatosura

6.1 Vrasja e Hasan Zaimit

Pas njoftimeve që dërgonte Rrethi i Librazhdit, më 21 dhjetor 1943, zëvëndësisht komandanti i Qarkut të Xhandarmërisë së Elbasanit, Kapiten i I-rë Bahri Skënderi, informoi Komandën e Përgjithshme të Xhandarmërisë se një çetë komuniste e kryesuar prej Lutfi Lekës dhe prej ish-kapiten Arif Konicës, më 13 dhjetor 1943, në orën 4 pas mesnatës, shkuan në katundin Polis dhe në përpjekje që bënë me  banorët, çetat vranë Hasan Zaimin nga Polisi dhe tre veta që ende nuk ishin identifikuar. Nga komunistët u vranë njëzetë vetë.

Sipas të dhënave që kishte Qarkkomanda e Elbasanit, fuqia e Ballit Kombëtar kishte rrethuar në grykën e Polisit të Vogël pjesën tjetër të komunistave. Mungonin lajmet për veprimet e bëra.

6.2 Sulmi ndaj qendrës komuniste në zonën e Martaneshit

Më 20 dhjetor 1943, Qarkkomanda e Xhandarmërisë së Elbasanit informoi Komandën e Përgjithshme të Xhandarmërisë se, një kompani ushtarësh gjermanë, bashkë me fuqi balliste të kryesuara prej Aziz Biçakut dhe Isak Allës, në sulmin që i bënë qendrës komuniste në Zdrajshë dhe Orenjë të Martaneshit shpartalluan çetat komuniste. Gjermanët zunë rob dy vajza nga Elbasani dhe katër djem që nuk ishin identifikuar. Thuhej se një prej këtyre djemve kishte qenë komandanti i çetës, Isuf Keçi, nga Tirana. Gjermanët në atë rast dogjën dyqanin e Qamil Bylykbashit, nga Elbasani, banues në Zdrajshë, që kishte qenë ortak me Osman Lekën, nga Zdrajsha, pse Osmani si komunist kishte nderuar gjermanët me grusht. Në katin e sipërm të dyqanit banonte Osmani familjarisht dhe iu shkaktua një dëm i madh.

Në katundin Orenjë, gjermanët dogjën shtëpijat e Ymer Ballës, Abaz Ballës, Ramiz Ballës, Mahmut Idriz Koçit, meqë këta, duke qenë të kompromentuar me komunistët, ishin larguar nga shtëpitë e veta.

Në Martanesh, një fuqi tjetër e ardhur nga Tirana dhe Dibra sulmoi katundin Martanesh, duke hapur zjarr kundër komunistave. Thuhej se dogjën afërsisht 150 shtëpi. Për këto, ende nuk ishte siguruar mirë Rrethi i Librazhdit nëse ishte e vërtetë ose jo, por kishte dërguar njerëz besnikë për të sqaruar situatën. Gjermanët morën në Martanesh dhe në katundin Nesht gjâ të gjalla si lopë, qe e berra.

6.3 Vrasjet e Met Hysenit, Jonuz Sharrës dhe Qazim Metës

Nga një Komunikatë e Jashtëzakonshme e Komandës së Ballit Kombëtar të Zonës së Operacionit Elbasan marrim dijeni për këto ngjarje:

Më 21 dhjetor 1943, u pushkatua prej Komandës së Operacionit Elbasan i quajturi Met Hyseni, nga katundi Muriqan, për arsye se disa ditë më parë kishte pranuar në shtëpinë e tij të birin e Myslym Pezës me 16 partizanë të partisë terroriste (Partisë Komuniste), të cilët kishin shpëtuar nga lufta e Polisit. Met Hyseni i përcolli partizanët duke u treguar dhe rrugën. Këto i kishte pohuar gjithë popullata e katundit dhe vetë Met Hyseni.

Më 25 dhjetor 1943, ora 7.20, në vendin e quajtur Varrezat e Mëdha, Fusha e Kazazit, u pushkatua xhandari Jonus Sharra, i biri i Hysenit e i Betushës, i datëlindjes 1910, lindur e banues në katundin Fushë e Buellit, të Komunës së Qendrës Elbasan, për arsye se akuzoi Qamil Dishën dhe Shaban Plakun, si vrasës të një personi për hakmarje personale. Këtë faj e pohoi vetë Jonus Sharra. Të dy të naltpërmendurit u lanë të lirë, duke iu shpëtuar jeta, kurse Jonus Sharra u pushkatua.

Po më 25 dhjetor 1943, në të njëjtën orë, tek Varrezat e Mëdha, u pushkatua edhe Qazim Meta, 58-59 vjeç, nga katundi Blatë, i Komunës së Qendrës Elbasan, për arsye se kishte përcjellë në drejtim të paditun tre komandanta përgjegjës të brigadës së dytë të Partisë Komuniste. I akuzuari e pohoi vetë se i kishte përcjellë këta të tre, por refuzoi drejtimin dhe fshehjen e tyre.

Viktimat Jonus Sharra dhe Qazim Meta, të vrarë nga fuqitë e Ballit Kombëtar, u varrosën në vend nga Bashkia e Elbasanit.

Në fund të Komunikatës së Jashtëzakonshme Komanda e Balli Kombëtar të Zonës së Operacionit Elbasan nënvizonte se “shpata e drejtësisë së nacionalizmit shqiptare do të jetë e tmerrshme dhe e pamëshirshme kundër gjithë atyre kryetarëve e komisarëve përgjegjës. Do të jetë e pamëshirshme kundër atyre që për hakmarrje, tue përfitue nga rasti, akuzojnë për persona të pafajshëm”.

Komunikata mbyllej me thirrjen “Rroftë Shqipnija Etnike e Demokratike!”

6.4 Sulmi ndaj çetës partizane të Baba Mustafa Xhanit

Më 11 janar 1944, Rrethkomanda e Xhandarmërisë së Librazhdit informoi Qarkkomandën e Elbasani se më 8 janar 1944, një togë ushtarësh gjermanë dhe një fuqi balliste, nën kryesinë e Aziz Biçakut, Isak Allës etj., mbasi kishin informata se në katundin Kostenjë të Komunës së Martaneshit ishin një sasi komunistësh e kryesuar prej Baba Mustafait, shkuan atje dhe si e rrethuan katundin e sipërm filluan luftimet kundër tyre. Me këtë rast thuhej se u zunë gjallë dy oficerë anglezë e një i plagosur rëndë. Gjithashtu edhe Ibrahim Ceka, nga Preça, i Komunës Funar të Zaranikës, u plagos rëndë, si edhe Elmas Qylafi nga Dibra, si dhe u vranë shumë të tjerë, emrat e të cilëve nuk ishin identifikuar. Prej fuqive balliste u plagosën Haxhi Doda, nga katundi Lunik, dhe Murat Abdullah Bardhi, nga katundi Leten, si dhe u dogjën shtëpijat e të quajturve Qazim Peshkut, Jaho Sheshit dhe Jashar Muçës, që të tre nga katundi Kostenjë.

Sipas informacioneve, Baba Mustafai kishte kaluar me disa shokë për në katundin Okshtun të Zerqanit dhe rezulton se iu zunë 6 mitraloza të lehtë dhe një i rëndë.

Ndërsa më 30 janar 1944, në orën 20:25, një çetë komuniste e përbërë prej një numri që ende nuk dihej, me bomba e të shtime mitralozi e pushkësh sulmuan kazermën e Ballit Kombëtar ku flinin edhe një pjesë nga ushtarakët e Armës së Xhandarmërisë. Konflikti përfundoi pa ndonjë dëm në asnjërën anë.

Prefektura e Elbasanit, në bashkëpunim me Komandën e Ballit Kombëtar, morën masat e nevojshme për zbulimin dhe kapjen e autorëve.

6.5 Vrasja e Baki Hajdar Pilavit dhe Belul Mustafait

Nga informacionet e Komandës së Përgjithshme të Xhandarmërisë drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme, rezulton se më 13 shkurt 1944, në orën 6.30, komanda e Ballit të Peqinit ekzekutoi Baki Hajdar Pilavin, 25 vjeç, nga Peqini. Baki Pilavi, kur ishte bashkuar me çetat komuniste, u zu rob nga ushtarët e Komandës së Ballit dhe duke qenë i burgosur kishte mundur të përfitojë arratisjen. Në këtë kohë ai kishte guxuar të merrte mallra në magazinën e Shaqir Bejtës, më 31 janar 1944, dhe mbasi u kap për së shpejti u krye ekzekutimi i tij.

Kurse më 13 shtator 1944, Postëkomanda e Xhandarmërisë së Qendrës në Elbasan njoftoi Prokurorinë e Shtetit dhe Komandën e Rrethit Elbasan se më 12 shtator 1944 fuqitë vullnetare morën nga shtëpia e vet vëllanë e një partizani të vrarë, të quajturin Belul Musa Mustafai, lindur në Sh(k)up e banues në lagjen Fushë – Mbret të Elbasanit, dhe pasi e vranë e varrosën.

Për këtë ngjarje Ministria e Punëve të Brendshme kërkoi nga Komanda e Përgjithshme e Xhandarmërisë që të urdhërohen hetime për zbulimin e autorit të vrasjes së Belul Mustafait, mbasi Prokuroria e Gjyqit të Posaçëm kërkonte që të bënte ndjekjet ligjore.

6.6 Vrasja e Abdyl e Haxhire Myzyrit

Sipas informacionit të komandantit të Postës së Qendrës Elbasan, aspirant Sami Kadiu, drejtuar zyrtarisht Prokurorisë së Shtetit, rezulton se më 25 dhjetor 1943, në orën 7.00, në vendin e quajtur Rruga e Rrapit, të lagjes Karavelije, u gjetën të vrarë të quajturit Abdyl e Haxhire Myzyri, të bijt e Ymerit dhe të Hajries, i pari 22 vjeç dhe e dyta 18 vjeçe, të  dy të lindur e banues në lagjen Karavelije të këtij qyteti.

Me hetimet e zhvilluara rreth çështjes u konstatua se viktimat disa kohë më parë kishin qenë të arratisur dhe marrë pjesë në Këshillin Ekzekutiv të Partisë Komuniste. Tash në kohët e fundit, me rastin e shpartallimit të çetave komuniste, ishin kthyer në shtëpinë e tyre fshehurazi, por si pjestarë të skuadrës terroriste përpiqeshin të bënin krime të tjera.  Komanda e Ballit Kombëtar i kishte hetuar, i arreston dhe dërgon në burgun e tyre dhe më datën dhe orën e sipërshënuar u vranë po prej kësaj komande.

Nga informacioni i Postëkomandës së Qendrës Elbasan, rezulton se shkaku i vrasjes ishte se “gjoja viktimat kanë qenë shtyesit dhe foleja e guximtarit të vrasjes së Beqir Bej Rusit”.

Viktimat ju dorëzuan prindërve të tyre për varrim me urdhër të prokurorisë. Procesverbalet u mbajtën po prej asaj Prokurorie. Raporti mjekësor iu lëshue Prokurorisë së Shtetit të Elbasanit. Procesverbali i konfirmimit të vdekjes së tyre u firmos nga deklaruesi Ahmet Myzyri, mjeku Fejzi Miraku, sekretari Hysen Bako dhe gjyqtari Sededin Borshi.

6.7 Vrasjet e Xhafer Hakanit, Bektash Dalipit, Refat Hysniut, Nuredin Selamit, Zenel Sulës dhe Theodor Jankoniçit

Në përgjigje të urdhërit të datës 15 shkurt 1944, Posta e Xhandarmërisë së Qendrës Elbasan, informoi Prokurorinë e Shtetit në Elbasan se urdhëri për vrasjen e Xhafer Hakanit ishte dhënë nga Jorgji Mema, mbasi kishte qenë zëvendës i Komandës së Ballit. Kurse për ekzekutorët nuk dihej se cilët kishin qenë.

Më 14 mars 1944, me urdhër të drejtuesve të strukturave të Ballit Kombëtar të Elbasanit, u ekzekutuan të quajturit Bektash Dalipi, Refat Hysniu, Nuredin Selami, Zenel Sula dhe Theodor Jankoniçi. Mbasi nuk ishin diktuar prej xhandarmërisë së Elbasanit vrasësit e këtyre personave, më 7 tetor 1944 Ministria e Punëve të Brendshme kërkonte nga Prefektura e Elbasanit që të dispononte urdhëra për të zbuluar patjetër emrat e atyre personave që kishin kryer këto vrasje dhe të lajmëronte menjëherë.

6.8 Përpjekje ndërmjet fuqive të armatosura në Martanesh

Bazuar në njoftimet e Rrethkomandës së Librazhdit, Qarkkomanda e Xhandarmarisë së Elbasanit informoi më 11 mars 1944 Komandën e Përgjithshme të Xhandarmërisë se çeta komuniste, mbasi la lagjen “Lenë”, hyri në lagjen e “Peshkëve” të Martaneshit dhe në orën 2 mbas mesnate, në rrugën e lagjes në fjalë, hasi në patrullën e Postëkomandës së Martaneshit, e cila duke u ndihmuar nga popullata e lagjes, hapi një luftim që zgjati deri në orën 11.00, të datës 8 mars.

Mbas shumë përpjekjesh, lagjia “Peshkëve” ra në dorë të partizanëve, të cilët kapën nëpër shtëpi 21 burra nga banorët e lagjes së okupuar dhe i pushkatuan. Ndërmjet të pushkatuarve ishte edhe xhandar Shaban Jonuz Gorica, efektiv i postës së Martaneshit, si i lejuem prej postëkomandatit me 24 orë leje në shtëpi. Pas këtij masakrimi, çeta komuniste, pa humbur kohë, u drejtue në drejtim të lagjeve “Valë” të Martaneshit, duke dalë në Gurin e Bardhë, rajon i Matit.

Gjatë zhvillimit të luftimeve, veç komisarit politik u vranë edhe 14 pjestarë të çetës komuniste, kurse prej fuqisë vullnetare u plagos lehtë në dorë vetëm xhandar Ymer Sefer Llani, nga Martaneshi.

Në këtë informacin të klasifikuar “Rezervat i Posaçëm”, Qarkkomanda e Elbasanit thekson se fuqisë së Postës së Martaneshit i ishin mbaruar municionet, kishin mbetë vetëm me dy karikatorë, dhe parashtronte nevojë urgjente për armë e mitraloza, që të mundej me përballue eventualisht një agresion të dytë.

  1. Raporti i disa komandave të Ballit Kombëtar me tregtarët

Marrëdhëniet e disa komandave të Organizatës së Ballit Kombëtar me qytetarët, veçanërisht me tregtarët e Elbasanit, krijuan probleme shqetësuese që alarmuan strukturat  shtetërore në Elbasan dhe autoritetet përkatëse në Tiranë.

Me informacionet e datave 5 prill dhe 19 prill 1944, prefekti i Elbasanit Lutfi Shehu informoi Ministrinë e Punëve të Brendshme se Jorgji Mema, adjutant i Xhafer Balit, “këto ditët e fundit ka mbledhur nga kontributet e banorëve të Elbasanit 200 000 franga shqiptare”.

Me sa kishte dijeni Prefektura e Elbasanit, Komanda Gjermane Langer vazhdonte t’i furnizonte trupat civile. Sipas prefektit Shehu, Xhafer Bali kërkesën e sendeve ushqimore e bënte me qëllim që “mbasi të përvetësonte të hollat së bashku me Jorgji Memën, t’i paraqesë më vonë Komisionit dokumente fallso, apo pretendime të kota në vend që të paraqesë dokumente të rregullta dhe të holla”.

Bazuar në njoftimet e Komandës së Zonës së Operacionit të Elbasanit të datës 22 maj, komandanti i Komandës së Zonës së Operacionit Tiranë-Durrës-Shijak-Kavajë, major Hamdi Isufi, informoi më 1 qershor 1944 Ministrinë e Punëve të Brendshme se një numër i madh tregtarësh të ndryshëm kishin paraqitur lutje me anën e të cilave parashtronin se disa komanda të Organizatës së Ballit Kombëtar kishin tërhequr nga tregtarët në fjalë sende të ndryshme ushqimore e veshëmbathje për një vleftë të përgjithshme prej 577 953 franga shqiptare, duke ju lëshuar tregtarëve dëftesa dore. Veçanërisht kësaj, një tjetër komandë nën drejtimin e z. Ibrahim Biçakçiu, po kështu, kishin tërhequr sende ushqimore etj. për një vleftë prej 100 187 franga shqiptare. Kundrejt këtyre detyrimeve komandat në fjalë nuk kishin bërë asnjë pagesë deri më 1 qershor.

Sipas informatave të Zonës së Operacionit të Elbasanit, rezulton se këto komanda të Ballit Kombëtar kishin marrë më parë në formë ndihme prej pronarëve e tregtarëve të Elbasanit shuma të ndryshme të hollash që arrinin në afro 100 000 napolona shqiptare në banknotë. Kështu që këto detyrime kundrejt tregtarëve duhej të ishin paguar, sikurse mos të kishin asnjë kontribut tjetër, megjithëse mendohej se Organizata e Ballit Kombëtar me qendër në Tiranë mund të kishte pasur dhe kontribute shtetërore të përmuajshme për të rregulluar nevojat e reparteve të veta në krahinat e ndryshme të Shqipërisë.

Mbi këtë gjendje, ishte vënë në dijeni dhe Komanda e Përgjithshme e Operacionit, në Elbasan, e cila kishte lajmëruar komandat e vullnetarëve të Ballit Kombëtar për të ndaluar çdo veprimtari për sa i përket mbledhjes së të hollave, por në kundërshtim të këtyre urdhërave, më datën 12 maj ishin kapur në treg pusulla me anën e të cilave kërcënoheshin tregëtarë të ndryshëm me i dorëzue sekretarit të Ballit shuma të hollash.

Për këtë arsye, komandat ushtarake të Qarkut të Elbasanit, para marrjes së masave ndëshkimore e procedimore kundrejt autorëve spekullatorë, kërkonin të dinin:

1) Repartet e Ballit në qytetin e Elbasanit a vareshin prej Organizatës së Ballit në Shqipëri, apo ishin nukle indipendente duke punuar arbitrarisht në emër të Ballit e duke përfituar kështu në spekullacion e vepra të tjera këso dore.

2) Në qoftë se këto vareshin prej Organizatës së Ballit, atëherë kërkohej të ndërmjetësohej pranë kryetarëve të kësaj Organizate që të dërgonin të hollat dhe të shlyenin llogaritë me tregtarët dhe, nëse këta nuk vareshin prej tyre, kërkohej të merreshin deklarata të rregullta prej kryesisë së Ballit Kombëtar në Tiranë në mënyrë që kundrejt fajtorëve spekullatorë autoritetet ushtarake të Elbasanit të mundnin të merrnin masat proceduriale ndëshkimore, mbasi këta elementë pretendonin se veprat e mësipërme i kishin bërë në bazë t’urdhërave të Qendrës së Ballit.

Duke përfunduar, major Hamdi Isufi lutej që çështja të merrej në shqyrtim dhe të bëheshin ndërmjetësimet e duhura, mbasi të tilla padrejtësi humbisnin besimin e popullit ndaj autoritetit qeveritar dhe shkaktonin pakënaqësi.

Këto probleme, nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme iu relatuan Këshillit të Naltë të Shtetit dhe Kryesisë së Këshillit të Ministrave, më 13 qershor 1944.

Megjithatë nuk rezulton se pati ndërhyrje serioze për zgjidhjen e këtij problemi, sepse kjo situatë problematike vijoi dhe më pas.

Bazuar në njoftimet e Rrethkomandës së Xhandarmërisë së Elbasanit, më 11 korrik 1944, zëvendësisht qarkkomandanti i Elbasanit, kapitën i I-rë Bahri Skënderi, informoi Komandën e Operacionit në Elbasan dhe prefektin e Elbasanit se Organizata e Rinisë së Ballit Kombëtar e Elbasanit haptazi vazhdonte të mblidhte të holla ndër tregtarët e këtij qyteti në formë ndihme të detyrueshme, duke i lëshuar çdo tregtari një deftesë të shkruar me laps.

Sipas këtij informacioni, “mbledhja e këtyre ndihmave në formë detyrimi kishte prodhuar një përshtypje të keqe në opinionin publik, duke dhënë me kuptue sikurse nuk ekziston fare autoritet që të ushtrojë pushtetin e vet”.

Qarkkomanda e Elbasanit, duke konsideruar se organizata në fjalë me vepra të tilla krejt arbitrare diskretitonte prestigjin qeveritar, i dha urdhër Rrethkomandës së Elbasanit që të ndërhynte duke marrë masat e duhura kundër atyre pjestarëve të Rinisë Balliste që guxonin të merrnin të holla nga tregtarët.

Gjithashtu, kërkohej që të thirrej nga Komanda e Operacionit në Elbasan kryetari i Organizatës së sipërme dhe të këshillohej që të hiqte dorë nga një pahijshmëri e tillë që shkaktonte përçarje e ftohtësi në popull.

Për këto zhvillime u informua dhe Zyra Politike në  Ministrinë e Punëve të Brendshme.

VIJON NUMRIN E ARDHSHËM

LEXO EDHE:

Letra e Aleksandër Xhuvanit: Rinia Balliste më sulmoi gruan e vajzat

 

 


Etiketa: , , , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas