Gjykata e rrethit të Dibrës ka vendosur për 13 të arrestuarit për ngjarjen e 28 qershorit, të ndodhur pranë shkollës “Nazmi Rushiti” në qytetin e Peshkopisë, masën e detyrimit të paraqitjes.
13 të arrestuarit, të cilët akuzoheshin për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Kundërshtimi me dhunë i punonjësve të policisë së rendit publik” dhe “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”, janë paraqitur në gjykatën e Dibrës jo në grup por të ndarë.
13 personat në fjalë u përplasën më 28 qershor me policinë në ambientet ku ishte vendosur Komisioni Zonal i Administrimit Zgjedhor Dibër. Gjatë përplasjes me policinë pati disa të lënduar, mes tyre edhe efektivë. Forcat e policisë përdorën ndaj turmës spraj dhe gaz lotsjellës, ndërsa protestuesit përdorën sende të forta dhe lëndë piroteknike.