Karroca e Aleksis Tsipras është gjithnjë e më e dyndur nga përkrahës të ditës së nesërme, por nuk bëhet fjalë vetëm për mbështetjen e zakonshme dhe patetike të fituesit. Kanë festuar si majtas ashtu edhe djathtas. Marin Lë Pen dhe Mateo Salvini e kanë adhuruar “shuplakën shembullore” që iu dha euros. Partitë që në Europë normalisht përbuzen si ksenofobe dhe eurofobe, e shohin Athinën si Jerusalemin e ri që do të mposhtë euroburokracinë e Brukselit dhe “oligarkitë bankare” të padurueshme.
Nga ana tjetër, tashmë barrierat ideologjike të së shkuarës duken mjaft të brishta kur brenda pak orësh në Greqi ekstremi i majtë ka bërë një qeveri me një parti nacionaliste që duket si ajo famëkeqe e Farage-s në Britaninë e Madhe. Në kampin e majtë po imitohet modeli Syriza, kalorësi i ri që do t’i vërë fre “liberizmit të egër”. Por edhe në frontin e moderimit reformist të djathtë dhe të majtë, edhe pse nuk ka një brohoritje të mirëfilltë, ekziston gjithsesi njëfarë kënaqësie. Forza Italia e ka quajtur një “leksion i paharrueshëm”.
Dhe Mateo Renzi, që nuk ia ka frikën tundimit të një të majte të stilit të vjetër që do mund të rigjallërohej nga triumfi i Athinës, u shpreh se ndihet mirë nga mbështetja e mundshme e Tsiprasit karshi betejës “kundër masave shtrënguese” (edhe pse Italia rrezikon që t’i humbasin rreth 40 miliardë eurot që i ka dhënë hua Greqisë). Por nëse është vërtet kështu, për Bashkimin Europian bëhet fjalë për një disfatë simbolike dhe për një rrezik vdekjeprurës. Njësoj sikur e gjithë ajo që është bërë deri më tani të hidhej në kosh.
Po barazimi i bilancit i vënë në Kushtetutë? Po reformat si “detyra shtëpie” të hidhura por të nevojshme për ta kapërcyer stuhinë? Po parametrat që duhen respektuar, llogaritë që duhen patur parasysh, borxhet publike që janë vërtet “përbindësha” që duhen zbutur? Nëse, ashtu sikurse është thënë gjatë këtyre orëve, njerëzit preken kur dëgjojnë tingujt e “Bella ciao” nëpër sheshet e Athinës si simbol i “çlirimit” nga diktatura financiare, ashtu sikurse kjo këngë shtytëse ishte simboli i çlirimit nga diktatura fashiste, cili imazh i Europës del nga kjo përkrahje unanime ndaj profetit anti-masa shtrënguese, Aleksis Tsipras?
Suksesi i Tsiprasit duket se funksionon si një kërkim kolektiv vetëshfajësimi. Nëse jemi në pikë të hallit, kështu këndon kori i ri, kjo nuk vjen sepse kemi qenë si gjinkallat në të kaluarën, se kemi grumbulluar borxhe shtetërore tmerrësisht të larta, se nuk kemi mbajtur nën kontroll shpenzimet publike, sepse në Europën kryesisht latine dhe mesdhetare kanë qenë një koncept disi elastik dhe i papërputhshëm me kërkimin e një konsensusi tejet të kushtueshëm. Jo, faji është i “Europës” dhe është e kotë të sillemi përreth bërthamës së vërtetë që centrifugon ndaj vetes mizori dhe mllefe pa kufi, që nga Gjermania e pamëshirshme dhe madje për t’i dhënë një fytyrë shënjestrës, “që nga Merkeli”, që nuk është më një person fizik, por vetë emblema e problemeve tona.
Por nëse ndodh kjo, arsyeja është se Europa është ndërtuar keq, duke krijuar idenë e një sovraniteti të zaptuar, të një monedhe pa shpirt, të një karakteri pa asnjë bazë kulturore dhe mbi të gjitha, pa asnjë pasion “popullor”, si ajo që ka marrë formë gjatë krijimit të shteteve moderne dhe demokracive liberale. Është ky deficit demokratik që duhet zgjidhur nga Europa, nëse ka ndërmend të mbijetojë. Nuk bëhet fjalë vetëm për financa të shëndetshme dhe borxhe që duhen shlyer. Përndryshe, e mbërthyer nga eurofobia në rritje e së djathtës dhe së majtës, Bashkimi Europian do të shpërbëhet. Nuk ka shumë kohë për të marrë masa. / Corriere della Sera