Nga Harallamb Kota
Kalendari i vitit 2018 përmban 13 festa zyrtare, midis të cilave dallohet vetëm një festë kombëtare, dita e ngritjes së flamurit dhe shpalljes së mëvehtësisë së Shqipërisë më 28 Nëndor 1912. Kjo quhet dita e “lumnueme” për të gjithë shqiptarët të cilët mblidhen në qytetin e Vlorës dhe nderojnë heronjtë e tyre që luftuan me penë e me pushkë për lirinë e kombit shqiptar dhe ruajtjen e tërësisë territoriale brenda shtetit shqiptar. Të përkujtosh Ismail Qemal Vlorën, firmëtarët e pavarësisë, patriotët dhe luftëtarët e lirisë, kreshnikët Isa Boletini, Ded Gjon Luli, Çerçiz Topulli, e shumë të tjerë, është një obligim shpirtëror për shoqërinë mbarëshqiptare dhe një detyrim kushtetues për shtetarët, qeveritarët dhe administratorët lokalë. Më 28 Nëndor në çdo pesë vjetor, Vlora konsiderohet kryeqytet i shqiptarisë dhe qyteti mbulohet me vellon e magjishme të krenarisë kombëtare. Mirëpo, vetëm një “ditë hyjnore” është shënuar në kalendarin e festave zyrtare, duke anashkaluar “ditë hyjnore” të tjera që simbolizojnë “nyje gordiane” që formësojnë “kombin shqiptar”.
Bëhet pyetja: Midis 13 festave zyrtare përse vetëm një festë kombëtare?! Mos vallë klasa politike, deputetët, shtetarët dhe qeveritarët që administrojnë dy shtetet shqiptare, Shqipërinë dhe Kosovën kanë harruar që kanë ndodhur edhe disa ngjarje të tjera shumë të rëndësishme të cilat “krijuan truallin dhe shtruan trasenë ku kaloi treni arbnoro-shqiptar” deri në mbërritje në stacionin e dëshiruar në “Vlorën Heroike”. Mos vallë politikanët deputetët, shtetarët dhe qeveritarët që administrojnë dy shtetet shqiptare, Shqipërinë dhe Kosovën kanë probleme të tjera, ndoshta individuale për qëllime sundimi, apo partiake për qëllime uzurpimi të pushtetit politik, që i shtyjnë të lidhin aleanca të rrezikshme me shtete historikisht armiqësore me vendin tonë, duke kujtuar qëndrimet antishqiptare të mbajtura nga Perandoria Osmane, Greqia, Serbia, Mali i Zi e Bullgaria ? Mos vallë politikanët deputetët, shtetarët dhe qeveritarët që administrojnë dy shtetet shqiptare, Shqipërinë dhe Kosovën nuk u intereson populli dhe kombi i shumëvuajtur shqiptar, i nëpërkëmbur historikisht nga pushtuesit osman, sllav e grek, por humbasin në bisedime të përunjura me fqinjët duke cenuar ligjet dhe sovranitetin e vendit të tyre. Shqipëria po ngushtohet me kufij detar nga marrëveshja e detit, me kufij tokësor nga ndërtimi i varrezave me ushtarët grekë të vrarë në luftën italo-greke, ndërsa populli shqiptar po pakësohet nga asimilimi, emigracioni dhe ndërrimi i identitetit. Ligjvënësit miratojnë me indiferencën më të habitshme dhe papërgjegjshmërinë “donkishoteste”, ligje dhe platforma antikombëtare lidhur me arsimimin e fëmijëve shqiptar nëpërmjet shkollave të huaja, fondacioneve dhe shoqatave, të cilat mbushin me “tymnajën orientale” boshllëqet e krijuara nga paaftësia e shtetit shqiptar, qeverisë dhe institucioneve përgjegjëse.
Shtetarët tanë, mediat e shkruara dhe ato vizive, mbështesin nismat për mbrojtjen e pakicave kombëtare dhe stimulojnë aksione pompoze për përkrahjen e tyre me fonde nga buxheti i shtetit dhe shtëpi banimi nga fondi i ndërtimeve sociale. Pakicat kombëtare po shtohen, ndërsa shqiptarët po pakësohen. A e dini përse ? Sepse, që të ndjehesh i përkrahur nga shteti shqiptar duhet të deklarohesh pakicë. Pakicat kombëtare, greke, serbe, malazeze, bullgare, gorane, gollobordase, maqedonase, arumune, armene, vllahe, llaciface, çobane etj., të “fabrikuara e sajuara”, gjejnë përkrahje, ekonomike, financiare, arsimore dhe punësimi jo vetëm nga administrata shqiptare, por edhe nga qeveritë, shoqatat e fondacionet e ngritura në vendet fqinje, sipas kombësisë që këto “pakica artificiale” deklarohen.
Ligji i miratuar nga parlamenti shqiptar lidhur me numrin e pakicave kombëtare që banojnë në Shqipëri, është një absurd dhe falsifikim i historisë, pasi na rikthen në kohërat e pushtimeve bullgare, serbe dhe osmane të cilët me fuqinë e sundimtarit ndryshuan toponimet e vendbanimeve iliro-arbnore dhe kombësinë e shqiptarëve.
Në Perandorinë Osmane, shqiptarët regjistroheshin në regjistrat e administratës perandorake dhe në regjistrat kishtarë sipas përkatësisë fetare dhe jo sipas kombësisë. Deklarimi i shqiptarëve në turq, grek, arumun, vlleh, llacifac, serb, malazez, bullgar,etj., ishte i imponuar dhe një akt nënshtrimi si mundësi e ekzistencës së tyre.
Po sot, kush na shtyn dhe kush na imponon të asimilohemi dhe të ndërrojmë kombësinë me një kombësi tjetër, duke u identifikuar me pushtuesit e trojeve shqiptare, vrastarët dhe shfarosësit e kombit shqiptar ?! Asimilimi i shqiptarëve dhe deklarimi i tyre “pakica kombëtare”, ndodh nga papërgjegjshmëria e politikanëve, deputetëve dhe shtetarëve, të cilët kanë mbyllur sytë dhe veshët, pasi u intereson vetëm pasurimi dhe pushteti.
Rritja e popullsisë shqiptare nga viti 1912 deri në vitin 1990 nga 650 mijë banorë në pothuajse 4 milionë banorë, ishte një shpresë e madhe për fuqizimin e ekonomisë dhe një faktor ekuilibrash e stabiliteti politik në marrëdhënie me shtetet ballkanike. Deklarimet e mediave për pakësimin gradual të popullsisë shqiptare pas viteve 1990, nga emigracioni , nga plakja e popullsisë (rritja e vdekjeve dhe pakësimi i lindjeve), asimilimi (ndërrimi i kombësisë) dhe shtimi artificial i pakicave kombëtare, janë pikëlluese lidhur me ardhshmërinë e kombit shqiptar. Ky është një turp, papërgjegjshmëri historike dhe ndoshta “tradhti kombëtare”. Bëhet pyetja: Pasi në Shqipëri, shqiptarët do jenë kthyer në pakicë, kë do të qeverisin politikanët, deputetët dhe shtetarët tanë? Besoj se’ atëherë nuk do të jenë më politikan, deputet, qeveritar dhe shtetar, pasi do të sundohen nga pakicat e huaja të kthyera në shumica antikombëtare shqiptare. Kush përgjigjet për këtë situatë ? Kuptohet. Përgjegjëse është vetëm klasa politike, deputetët, shtetarët dhe qeveritarët, të cilët sa nuk është vonë, duhet të shkunden nga halucinacionet për tu pasuruar e sunduar dhe t’i përkushtohen përparimit të shoqërisë shqiptare e pasurimit të popullit shqiptar me punë të ndershme, duke nxitur investimet e kapitalit vendas e të huaj në vepra botore e prodhuese. Kjo është e mundur, kur klasa politike, qeveria dhe shtetarët të rikthehen me “këmbë në tokë” në mbrojtje të interesave kombëtare, duke u udhëhequr nga idetë dhe parimet shtetformuese të Rilindasve të Mëdhenj. Politika dhe diplomacia nuk pranon kompromise koniunkturale në dëm të sovranitetit dhe integritetit territorial. Frikacakët, uzurpatorët e pushtetit dhe përvetësuesit e pasurisë kombëtare, nuk mund të quhen politikan, por veç mashtrues, dështak dhe mjeran. Për t’u kthjelluar dhe fituar besueshmërinë mbarëkombëtare, klasa politike, shtetarët dhe qeveritarët shqiptarë duhet të nxisin kujtesën historike kombëtare dhe të respektojnë datat e rëndësishme që simbolizojnë “udhëtimin e mundimshëm” të formimit të kombit shqiptar dhe shtetit të shqiptarëve, duke i vendosur këto data, në kalendarin e festave zyrtare dhe festuar si festa të rëndësishme kombëtare. Midis ditëve historike dhe legjendare që duhen ngulitur fort në memorien e kombit shqiptar dhe festuar me madhështi e krenari kombëtare, po veçojmë dy nga më të rëndësishmet, 2 marsin e motit 1444 dhe 10 qershorin e vitit 1878.
Trualli i parë ku u mboll “fara e kombit shqiptar” ishte Lezha.
Në qytetin ilir të Lisusit, më 2 mars 1444, Gjergj Kastrioti Skënderbeu mblodhi Princat shqiptarë dhe themeloi “Lidhjen e Lezhës”. Kjo datë duhet të festohet dhe të përfshihet në kalendarin e festave zyrtare, si dita e bashkimit të shqiptarëve, e krijimit të “Kombit Shqiptar” dhe e Rilindjes së Skënderbeut. Duhet të besojmë, që në çdo 2 mars arbrit kanë festuar 25 vite me radhë ditën historike të Lidhjes së Lezhës. Për ta ripërtërirë këtë traditë popullore dhe festuar me madhështi ditën e formësimit të kombit arbnoro-shqiptar çdo pesë vjet Lezha të shpallet “Kryeqytet i Shqiptarisë”. I takon qeverive shqiptare të Shqipërisë dhe Kosovës, të bashkërendojnë programet e festimeve zyrtare që duhet të bëhen në qytetin e Lezhës më 2 mars të vit 2019, në përkujtim të 575-vjetorit të “Lidhjes Shqiptare të Lezhës”, të Formësimit të Kombit Shqiptar dhe Rilindjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeut.
Trualli i dytë ku u mboll “fara e kombit shqiptar” ishte Prizreni.
Në qytetin e bukur të krahinës shqiptare të Kosovë, më 10 qershor 1878, burrat e kombit shqiptar “Rilindasit e Mëdhenj”, Abdyl Frashëri, Sulejman Vokshi, Vaso Pasha, Jani Vreto, Ymer Prizreni, Zija Prishtina, Iljaz Dibra, Sami Frashëri etj., krijuan “Lidhjen e Prizrenit”, organizatën e parë politike dhe ushtarake mbarëshqiptare me frymëzim patriotik dhe shtetformues. Lidhja e Prizrenit mori përsipër bashkimin e trojeve shqiptare në një Vilajet brenda Perandorisë Osmane, duke kundërshtuar vendimet e mara nga Fuqitë e Mëdha më 3 mars 1878 me nënshkrimin e “Traktatit të Shën Stefanit” dhe në Kongresin e Berlinit më 13 qershor 1878, për shkëputjen e trojeve shqiptare nga Perandoria Osmane në favor të Bullgarisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë. Organi më i lartë i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ishte Këshilli i Përgjithshëm me funksione legjislative, i cili krijoi një komitet kombëtar të pajisur me pushtet ekzekutiv me kryetar Ymer Prizrenin. Komiteti, kishte tre komisione me funksione dikasteriale, Abdyl Frashëri për punët e Jashtme, Shaban Prizreni për punët e Brendshme dhe Sulejman Vokshi për çështjet Financiare. Lidhja e Prizrenit, për të lehtësuar punën e Komitetit dhe organizuar më nga afër mbrojtjen e krahinave shqiptare nga synimet e fqinjëve, krijoi tre nënkomitete ndërkrahinore, në vilajetin e Prizrenit, të Shkodrës dhe Janinës. Porta e Lartë që në ditët e para të themelimit të “Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, ushtroi presion dhe bëri çmos që ajo të pajisej me programin e një organizate fetare islamike, e bindur ndaj sovranit të Perandorisë Osmane. Këtij presioni, Lidhja Shqiptare dhe Komiteti Kombëtar më 2 korrik 1878 miratoi një statut me karakter dhe program më të përparuar kombëtar, i cili i jepte të drejtë Lidhjes të kishte administratë, ushtri, buxhet dhe gjyqe të veçanta me karakter shqiptar. Me këtë organizim Lidhja u pajis me elementet e një “Shteti Shqiptar” brenda shtetit Osman. Mirëpo, Porta e Lartë kundërshtoi themelimin e një shteti shqiptar dhe iu kundërvu Lidhjes duke mbështetur vendimet e mara nga Fuqitë e Mëdha dhe dorëzimin e krahinave shqiptare Malit të Zi, Serbisë dhe Greqisë. Lidhja shqiptare e Prizrenit mori përsipër mbrojtjen e territoreve shqiptare, Plavën, Gucinë, Hotin, Grudën, Ulqinin dhe Çamërinë. Ndërkohë, që Porta e Lartë mori masa energjike për ta thyer Lidhjen e Prizrenit, “krahu radikal” i Lidhjes i drejtuar nga Abdyl Frashëri, mendoi se ishte koha e përshtatshme për të vënë në jetë “programin autonomist” .
Për këtë qëllim, më 20 tetor 1880, u mblodh në Dibër Kuvendi i Përgjithshëm i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku morën pjesë 300 delegatë që përfaqësonin dy rryma autonomiste, radikale dhe moderatore. Radikalët e drejtuar nga Abdyl Frashëri parashtruan në Kuvend programin e tyre me tri pika: të mbrohej me çdo kusht Ulqini duke luftuar edhe kundër ushtrive osmane; të miratohej një rezolutë ku t’i kërkohej sulltanit në mënyrë kategorike autonomia e Shqipërisë; në rast se sulltani refuzonte, të kalohej menjëherë në aksion duke formuar qeverinë e përkohshme shqiptare. Moderatorët e kundërshtuan në parim platformën e radikalëve, lidhur me qëndresën e armatosur për mbrojtjen e Ulqinit (pasi sipas tyre, kjo do ti çonte në konflikt e në luftë kundër ushtrive osmane) dhe lidhur me formimin e qeverisë së përkohshme (të cilën e quajtën akt rebelimi ndaj Portës. Si pasojë e divergjencave, dolën dy rezoluta që iu dërguan pushtetit osman me anën e dy delegacioneve. Porta e Lartë, nuk pranoi asnjë nga rezolutat, pra ishte kundër krijimit të një vilajeti shqiptar. Si rrjedhim, nën trysninë e Fuqive të Mëdha, Porta e Lartë dërgoi një ushtri të madhe, shtypi ushtrinë shqiptare dhe ja dorëzoi Ulqinin Malit të Zi. Për të përballuar rrezikun e copëtimit të mëtejshëm të trojeve shqiptare, në janar të vitit 1881, në Prizren, Komiteti Kombëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e shpalli veten “Qeveri e Përkohshme” me kryetar Ymer Prizrenin, e cila e shtriu autoritetin e saj në pjesën më të madhe të vilajetit të Kosovës përfshirë edhe Shkupin. Filloi të shpalosej programi i krahut radikal të Lidhjes lidhur me autonominë, i cili po të kundërshtohej nga Porta e Lartë, do kalonte në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Me gjithë këto suksese, Lidhja Shqiptare e Prizrenit ndeshi në kundërshtimin e Portës së Lartë e cila dërgoi kundër saj një ushtri të madhe të komanduar nga marshalli Dervish Pasha. Pas një rezistence të gjatë, ushtritë e Lidhjes u mundën nga ushtritë osmane. Në maj të vitit 1881 Lidhja Shqiptare e Prizrenit u shtyp dhe qeveria e përkohshme u likuidua.
Pavarësisht likuidimit dhe shtypjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit nga fuqitë osmane, organizimi i saj dhe misioni historik kombëtar për mbrojtjen e trojeve shqiptare dhe formimin e shtetit kombëtar shqiptar, e vendosin atë në panteonin e kujtesës kombëtare. Në këtë këndvështrim, për ta ndriçuar dhe shkëlqyer këtë ngjarje historike me rëndësi kombëtare, duhet që data 10 qershor 1878, medoemos të vendoset në kalendarin e festave zyrtare dhe të festohet “Festë Kombëtare”. Prizreni në çdo pesë vjet, më 10 qershor të shpallet “kryeqytet i Kombit Shqiptar”.