Nga Laert Miraku
Ka kaluar mbi një dekadë që shqiptarët nuk dalin më në protesta. Sigurisht që partitë politike me militantët e tyre kanë organizuar pa fund, por këto protesta kanë gjetur vetëm mbështetjen e atyre që u janë zënë sytë nga propaganda partiake.
Në 10 vitet e fundit mund të rendis vetëm dy protesta që gjetën mbështetjen e qytetarëve shqiptarë. Protesta e armëve kimike në vitin 2013, ku një pjesë e mirë e qytetarëve u ndjen të rrezikuar për jetën e tyre, për këtë arsye mbështeten njëri-tjetri. Në këtë protestë nuk munguan “skuthët” e partive, disa për të kapur protestën e të tjerë për të futur në “rreth të zi” ata që organizonin protestat si në Tiranë dhe në qytetet e tjera të vendit.
Protesta e tjetër që mori mbështetjen e qytetarëve ishte ajo e studentëve në dhjetorin e vitit 2018. Protesta filloi për shkaqe ekonomike, por mori nuanca politike. Në atë kohë qeveria ishte e interesuar të shkatërronte protestën dhe dërgon “marksistët”, shashkën e saj për ta shkatërruar. Nga ana tjetër Partia Demokratike dhe LSI-ja kërkuan të merrnin kontrollin e protestës së studentëve për ta kthyer në favor të tyre. Këtë herë studentet nuk përsëritën gabimin që bënë studentët e dhjetorit të vitit 1990 të cilët lejuan Sali Berishën të merrte drejtimin e protestës.
A ka pasur protesta të tjera në këto 10 vite. Sigurisht, por pjesa më e madhe e tyre nuk kanë pasur mbështetjen masive të qytetarëve. Kur protestat kanë filluar të marrin mbështetje, qeveria ka dërguar gjithmonë grupin e “marksistëve” për të marrë nën kontroll drejtimin e protestës e për t’i shkatërruar ato. Kujtojmë këtu protestat e minatorëve, ato të naftëtarëve, por dhe protestat për pronën në kryeqytet.
Shqiptarët tashmë refuzojnë të dalin në protestë sepse në këto 30 vite në pushtet janë po të njëjtët “hajdutë me çizme”. Sali Berisha, Edi Rama dhe Ilir Meta kanë 30 vite në pushtet. Madje më shumë se heroi ynë kombëtar, Skënderbeu. Kur dalin në protestë PD, PS dhe PL(dikur LSI), për çfarë do lloj kauze, në të vërtetë thonë, “largohu nga pushteti boll vodhe se tani dua të vjedh sërish unë”. Nëse kjo ju duket absurde, ju kujtoj atë që tha Eduard Shalsi. Para zgjedhjeve të vitit 2013 ai premtoi me zë dhe me figurë. “Nuk do të vjedhim në mënyrë kaq flagrante sa ç’kanë bërë këta”. Premtim i mbajtur apo jo?
E njëjta histori dhe me demokratët para zgjedhjeve të vitit 2021. Dy anëtarë të Këshillit Kombëtar të PD-së, në një bisedë informale u zotuan para meje duke bërë betim se nuk do linin gjë pa vjedhur sapo të vinin në pushtet. Madje kishin përcaktuar dhe ministritë dhe mënyrën se si do të vidhnin. Me pak fjalë protestat e partive politike janë “ik ti se boll vodhe, tani të vjedh sërish unë”.
E përse të dalin në protestë shqiptarët kur partitë politike mendojnë vetëm për të vjedhur. Kur nuk ndjehen të përfaqësuar se deputetët nuk i zgjedhin ata por kryetarët e partive, kjo që pas marrëveshjes së vitit 2008 mes PS-së dhe PD-së.
Si të dalin në protesta kur janë të monitoruar nga “Patronazhistë” dhe grupe “paramilitare” të ruajtjes së votës. Protestë do të thotë “kundërshtim i vendosur për një padrejtësi a për një veprim të paligjshëm; shprehja në mënyrë të prerë e mospajtimit me diçka”. Si të dalin në protestë shqiptarët jo-militantë kur politika ka në dorën e saj “edhe gurin edhe arrën”. Jo vetëm politika, por pas sulmit kibernetik të hakerave iranian, çdokush që dëshiron të nënshtrojë dhe të përfitojë nga shqiptarët e Republikës së Shqipërisë, çdo të dhënë e gjen për vetëm 900 euro në tregun e zi online. Të hakeruara nga iranianët janë: E- Albania dhe sistemet TIMS, ADAM, MEMEX. A ka shqiptar të logjikshëm, “me dy pare mend në kokë si thotë populli”, të besojë se ne drejtohemi në këto 30 vite nga shtetarë? Shqipëria dhe shqiptarët janë “marrë penga” në këto tre dekada nga disa qenie të neveritshme që nuk mund të quhen humanë, madje as tokësorë.
Shqipëria e vitit 2022 kërkon revolucion, ai po ndodh prej 10 vitesh por është i heshtur. Me mijëra janë shqiptarët e larguar nga vendi. Ata nuk dalin më në sheshe, por gjejnë mënyra për t’u larguar. Atë që po i bëjnë Shqipërisë dhe shqiptarëve në këto 30 vite Sali Berisha, Ilir Meta dhe Edi Rama nuk mundi ta bënte dot, as turqit, as sllavët, as helenët, as romakët. Të mjerët ne që nuk kemi fuqi t’u tregojmë vendin këtyre palaçove që duan të futen në histori si baballarë të kombit. Këta do futen në histori, por si “monstrat” që shkatërruan një komb.