Nga Laert Miraku
Mesditën e kësaj të premteje në media u përhap më shpejtësi lajmi se SPAK vendosi që të kërkojë pushimin e hetimeve për shtatë ish-gjyqtarë të dorëhequr apo të shkarkuar nga vettingu. SPAK publikoi edhe emrat e gjyqtarëve për të cilët është kërkuar pushimi i hetimeve. Secili prej gjyqtarëve të pushuar nuk ka mundur që të justifikojë pasurinë e tij. Disa prej tyre iu është gjetur pasuri marramendëse. Sigurisht të gjithë mund ta kuptojnë se ata janë bërë të pasur vetëm në saj të punës së tyre si gjyqtarë. Janë korruptuar që t’i shmangen dhe mos bëjnë drejtësi. Kur flitet për reformë në drejtësi, përse këta gjyqtarë nuk hetohen dhe dënohen?
Njoftimi që u publikua sot nga SPAK nuk është lajm i mirë për sistemin e ri të drejtësisë në Shqipëri. Pushimi i hetimeve për shumëkënd përkthehet si falje. Opinionistë të ndryshëm hidhnin në media idenë se ata që janë larguar vetë nga sistemi gjyqësor, por dhe ata që ka shkarkuar vettingu, të lihen të qete sepse nuk i bëjnë më dëm shoqërisë sepse nuk janë më pjesë e drejtësisë. Po si mund të flasim për drejtësi kur nuk dënojmë më parë ata që kanë shkatërruar sistemin e drejtësisë?
“Një drejtësi e vonuar është drejtësi e mohuar” thonë latinët. Nëse shqiptarët nuk shohin pas hekurave prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar si mund të besojnë te drejtësia e re. Si mund të besojnë kur shohin ata që iu kanë bërë 1001 të zezat, por janë të paprekshëm. Këta gjyqtarë e prokurorë ju kanë marrë pronat dhe nderin. Si të besojnë kur shohin kriminelë të rrezikshëm që dalin nga burgu. Apo “biznesmenë” që lëvizin tonelata drogë dhe sërish i shikon jashtë dyerve të qelisë. Duke parë se çfarë ndodh, pse duhet të besojnë te drejtësia e re!
Qeveria shqiptare e ka kuptuar mirë situatën dhe është duke ushtruar pak presion ndaj drejtësisë së re për më shumë rezultate. Në Asamblenë e PS-së, Edi Rama i kërkoi SPAK që të hetojë gjyqtarët e prokurorët e shkarkuar nga vettingu. Rama tha se kur të vendoset çelja e negociatave të Shqipërisë me BE-në, do kërkohet se sa magjistratë të korruptuar janë ndëshkuar nga drejtësia. Sipas Ramës, numri është zero.
“Sa gjykatës dhe sa prokurorë të nxjerrë jashtë nga vettingu për pasuri të pajustifikuara do ishin sot në burg. U bë kohë që peshkaqenë e mëdhenj të sistemit të drejtësisë janë në punën e tyre, si ka hyrë asnjë gjemb në këmbë. Gjëja e parë që BE do t’i thotë Shqipërisë është sa gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar janë ndëshkuar? Zero.”
Gjashtë ditë më vonë, kryeministri Edi Rama në një konferencë të përbashkët me ministrin e Drejtësisë përsëriti të njëjtën kërkesë ndaj SPAK, duke shtuar se ky mos reagim është i pa tolerueshëm, ndërkohë që vettingu ka 5 vite që ka nisur.
“Ku janë gjykatësit dhe prokurorët që kanë dalë para drejtësisë? Nuk kanë pasur kohë? Janë çështje të tjera të hetuara. Dhe nuk ka pasur mundësi për të marrë të pandehur gjykatës dhe prokuror që një institucion si vettingu i ka nxjerrë fakte korruptive? Si ka mundësi. Kjo është e pamundur dhe e pajustifikueshme madje e pa tolerueshme.”
Në të njëjtën linjë ishte dhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja i cili kërkoi hetimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët janë shkarkuar nga vettingu ose kanë dhënë dorëheqjen për shkak të këtij procesi, duke sqaruar se kjo është një përgjegjësi e organeve të ndjekjes penale. “197 gjyqtarë dhe prokurorë janë shkarkuar për deklarim të rreme, deklarim të pjesshëm, fshehje pasurie dhe mungesë të burimeve financiare për pasuritë e krijuara. 51 të tjerë kanë dhënë dorëheqjen për shkak të procesit të vettingut. 27 prej tyre kanë dhënë dorëheqjen pasi kanë marrë rezultatet e vlerësimit nga KPK”, deklaronte Manja në muajin Maj të këtij viti. Por veç deklaratave në media asgjë konkrete nuk është bërë.
Kryeministri e tha qartë, BE dhe Amerika kërkojnë rezultate. Përse asnjëri nga ata që shkatërruan drejtësinë nuk po jep llogari? Përse nuk ju sekuestrohet pasuria që e kanë fituar në kurriz të shqiptarëve? Këtyre pyetjeve burokratët e BE-së e kanë shumë të vështirë që t’i japin përgjigje. Ata kërkojnë rezultate pa e vrarë shumë mendjen se si dhe përse nuk mund të arrihen.
Ne shqiptarët po përsërisim historinë e vetvetes dhe ai që paguan është më i dobëti. Nuk kanë kaluar as tre dekada nga rënia e regjimit totalitar. Thuajse askush nuk u dënua nga “xhelatët” e kohës së diktaturës. Edhe ato pak gjyqe që u bënë ishin fiktive. Shqiptarët këtë kuptuan dhe vendosën të largohen nga vendi. Sepse iu kishin vrarë shpresën për një shtet të së drejtës.
E njëjta gjë po ndodh dhe sot pas 30 vitesh. Drejtësia mungon. Shqiptarët ikin sërish sepse këtu mungon shteti i së drejtës. Edhe në ato pak raste kur shohim arrestime me bujë mediatike, shpesh zhgënjehemi se “dardha e ka bishtin prapa” thotë populli. Tashmë populli i kupton por nuk reagon.
“Biem në marrëveshje se sa vite burg të bëj që t’i mbyllim gojën shqiptarëve, por nuk dua të më preket apo të më sekuestrohet më vonë pasuria.” Kjo është fjalia që imagjinojnë një pjesë e shqiptarëve kur shohin që shkon në burg një politikan i sferave të larta si ish-ministër, ish-deputet, ish-kryetar bashkie ose dhe njerëz të drejtësisë si ish-gjyqtarë, ish-prokurorë dhe ish-drejtorë policie.
Drejtësia vendoset vetëm atëherë kur të korruptuarve të lartpërmendur t’u merret pasuria dhe gjithsecili të vuaj në qeli për dëmet që i ka shkaktuar shqiptarëve. Por kjo nuk mund të ndodh. Marrëveshja është e thjeshtë, mos me prek dhe as unë nuk të ngacmoi. Nëse këta do dënoheshin aq sa e meritojnë dhe nëse do iu merret vërtet pasuria, 90% e tyre kthehen në të penduar dhe fundosin të tjerë. Në këtë situatë rrethi zgjerohet shumë sa të pa përlyer mbesin vetëm shqiptarët rrogëtarë të cilët mendojnë si të mbylli muajin dhe nëse do të bëjnë ndonjë dit plazh për këtë vit apo jo.
Një e vërtet tjetër është se këta ish-gjyqtarë dhe ish-prokurorë kanë njohuri të thelluara juridike. Nëse ata kanë gjetur hapësira ligjorë duke nxjerrë pa lagur mijëra fajtorë, a mendoni se nuk do jenë aq të aftë sa të shpëtojnë veten dhe paratë e tyre. Ata janë “aktorë profesionistë” për të luajtur lojën se në Shqipëri ka drejtësi.
Drejtësia e vërtetë në Shqipëri nuk mund të vijë kurrë nga klasa politike aktuale. As me nismën e shoqatave të sponsorizuara nga miliarderë të huaj të cilët kërkojnë që në Shqipëri të ngrihet një klasë politike dhe sistem gjyqësor shumë lehtë i shantazhueshëm dhe që i shërben interesave të tyre. Na kanë deformuar si shoqëri dhe si komb. Më shumë kemi shkatërruar veten sesa të huajt. “Anija” e shoqërisë shqiptare po mbytet, ndoshta pas një shekulli mund të mos ekzistojmë më si komb. Por ne akoma jemi në gjumë.
Themeluesi i shteti shqiptar, Ismail Qemali, teksa udhëtonte drejt Vlorës për të ngritur flamurin e Pavarësisë, njerëzve që e ndiqnin u tha: “Një komb që vetëm fle rrezikon të zhduket”. /Liberale.al/