Mapo Letrare

Përsiatje në librin ” LUSTRAXHIU”














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 07:01 - 26/06/21 |
Arjola KONDAKÇIU

“Lutem të bjerë shi, që të shesësh sa më shumë çadra, bir”! Kështu i thoshte çdo mëngjes nëna djalit, sipas një tregimi në letërsinë kineze.
Pikërisht kjo frazë e memorizuar ndër vite m’u kujtua në momentin që pata në duar librin “Lustraxhiu”, i cili ndryshe nga profesioni i çadërbërësit luste të kishte ditë me diell, që ti vinin sa më shumë këpucë të pluhurosura që kërkonin bojë, në mënyrë që të siguronte sadopak nevojat ekonomike të familjes.






Në kontaktin pamor me kopertinën e librit “Lustraxhiu” të shkrimtarit Doranin AGALLIU ku spikat ilustrimi interesant e me tipare humoristike, ajo që më ngrohu zemrën ishte përmbajtja që specifikohej si “skica satirike”, një zhanër që e ka humbur identitetin e botimit në këto kohë.


“I njoh të gjithë nga aromat e këpucëve” – shkruan ndër të tjera në pjesën e pasme të kopertinës autori, në një monolog tashmë të stamposur në brendinë e personazhit.







Për mua, që jam instiktivisht e lidhur me “aromat e ndryshme të fëmijërisë e ndër vite”, kaq u desh që të të lexoj me kërshëri librin për të zbuluar efektin çudibërës të ndikimit të aromave (të këndshme a jo) te lustraxhiu. Dhe u befasova! Nuk e pata të lehtë sepse brenda dialogjeve theksohej dukshëm ligjërimi letrar (që përfaqësonte fjalët e autorit si personazh në rolin e profesorit me dialog e përshkrime), si dhe i foluri krahinor tipik i personazhit kryesor që përfaqësonte një person të komunitetit egjiptian, të cilët rëndom i identifikojnë si “jevgj”. Që këtu kuptohet mprehtësia e autorit për humanitetin e shfaqur në këtë formë ndaj këtij komuniteti ku përtej mungesës së shkollimit, kulturës, shkallës ekonomike a paragjykimeve, ata mbeten njerëz dhe si të tillë duhen trajtuar me dinjitet.



Veçoria e dhënies së këtij dinjiteti nga ana e autorit pikësëpari qëndron në faktin e njohjes, hulumtimit e përvetësimit sa më të mirë të fjalëve e shprehjeve më të përdorshme në stilin e tyre bisedor, gjë që duke u nisur dhe nga profesioni im, s’mund ta realizojë si proçes përmirësimi as një korrektor a redaktor nëse nuk i nënshtrohet një njohjeje të tillë gjuhësore pasi kërkon kohë, përkushtim e pasion. Por ja që autori e ka arritur këtë përvetësim sepse ka përzemër lustraxhiun si personazh real, është futur thellë në botën e tij gjatë bisedave me idenë e një interesimi të sinqertë, ka kuptuar që dhe mendimi i një njeriu të thjeshtë ka peshë, por edhe që ai është pjesë e këtij realiteti ku sado i hidhur përpiqet ta shohë me pozitivitetin e humorit e sarkazmës. Interesantja është që në fund të çdo ngjarjeje të shkruar është vendosur dhe data se kur ka ndodhur bashkëbisedimi, gjë që ia shton vërtetësinë ngjarjeve që na çojnë në retrospektivë si dhe origjinalitetin e përjetimit.



Ajo që vlen të përmendet është dhe mënyra se si autori e trajton personazhin për të realizuar idenë. Me një forcë tërheqëse ku ritmi i rrëfimit ngjason me trokthin e kuajve, ia ndan këndvështrimin ndaj personalitetit në dy aspekte:

1.PSIKOLOGJIKO- SOCIAL *Ku ai ndihet keq nga mënyra e shikimit paragjykues të njerëzve, por përqendrohet tek ajo që mund të bëjë më mirë, te puna si lustrues këpucësh e cila edhe pse e rëndomtë mbetet punë e pastër, dhe është burimi i shumë të mirave. Ndërkohë edhe kjo ka sakrificat e veta, sepse lustraxhiu është realist për situatën e tij arsimore, e megjithatë nuk dorëzohet. Nëpërmjet formimit të karakterit të tij si personazh, në pjesët : “Rob zoti gjen kudo”, “Hallet nuk mbarokan”, “Pare me qentë e rrugës”, “Kemi nevojë për dashni”, “Tepsia dhe tenxheret”, autori na ka treguar se dhe një njeri i paarsimuar (për arsye të ndryshme) është në gjendje ta mbajë punën duke përdorur pikat e tij më të forta, siç është dëgjimi i vëmendshëm ku njerëzit të hapin zemrën, empatia që transmetohet që nga momenti që ai krijon njohjen me cilësinë e këpucës dhe bën lidhjen me situatën e personit, mënyra se si rrinë klientët që e ndihmon tia specifikojë karakterin, respektimi i dëshirës së tyre për të heshtur a folur, zhvillimi i praktikimit të të folurit spontan me xheste dhe elasticitet për tiu përshtatur çdo personi, batutat pikante nxjerrë nga interesimi i lajmeve e ngjarjeve të ditës etj, gjëra këto që e ndihmojnë të mbajë klientelën duke u bërë në një farë mënyre ”psikolog” nga halli për të dalë edhe nga gropëzat e psikoanalizës vetjake.

2. SATIRO – IRONIK * Ku personazhet kryesore (presori dhe lustraxhiu) nuk qëndrojnë indiferentë ndaj situatave të ndryshme të ditës, nga problematikat familjare e shoqërore deri te ato politike, të cilat shpeshherë i trajtojnë me një ngjyrim të theksuar satirik. Kjo i bashkon, kështu dhe koha gjatë lustrosjes zotërohet më së miri por edhe krijohet një atmosferë më njerëzore ku do veçoja: “Qeverisë i mungon një durrsak”, “Dashni me llafe borxh”, “Qytetari dhe shpellari”, “Babai im, i vetmi jevg në parti” dhe “Fushatë me këpucë të palyera”. Megjithatë, mjeshtëria që ka përdorur shkrimtari në të shkruar nëpërmjet mënyrës interesante të pyetjeve të efektshme në dialogjet e shkurtra që bën profesori me sarkazmën e vet fine, ndikon që edhe lustraxhiu të flasë me stil të lirshëm por herë – herë edhe me takt të shoqëruar me esenca buzëqeshjeje, ironizim deri diku dhe me fjalë të papërshtatshme e banale (që për disa konsiderohet si humor dramatik apo një “humor i zi”), dhe në fund duke përdorur inteligjencën e mbyll me ndonjë fragment kënge, si për t’u justifikuar që :” Fundja unë mbetem njeri i thjeshtë.Kaq kuptoj, por dhe nëse fola, s’ma vë veshin njeri”. Ama, vëzhgon me kujdes, dëgjon me dhembshuri, hesht kur duhet dhe flet kur e sheh të përshtatshme edhe pse nën shoqërimin e një batute pikante.

E pra, ky ishte “LUSTRAXHIU” i shkrimtarit Doranin AGALLIU, i cili merrte frymë nga emocioni i humorit dhe më bëri të përjetoj botën e tjetrit përmes buzëqeshjes së tij, dhe me atë shkathtësinë profesionale ku ndiente shijen e karakterit të çdo klienti më ngjasoi me ato gatimet kineze me pak kripë e sheqer njëherësh, që në fillim janë vështira për t’u përtypur por të shijojnë gradualisht…dhe ia vlen!

1


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas