Aktualitet

Personazh/ Anna e shtëpisë muze të Kadaresë






               Publikuar në : 12:19 - 08/09/19 |
mapo.al

Alessia Selimi


Shumë vetë citojnë shpesh thënien e Napoleon Bonapartit, se fjala “e pamundur” duhet hequr nga fjalori. Të njëjtin mendim ndan edhe drejtuesja e “Shtëpisë Studio Kadare”, 26-vjeçarja Anna Shkreli, edhe pse nuk e pohon me zë të lartë. Ka lindur në Bolonja të Italisë dhe ka shkelur për të parën herë në Shqipëri në moshën 7-vjeçare. Shqipen e ka mësuar si gjuhë të dytë, nën muzikën e fjalëve të dijetarit Fan Noli. Kësisoj, ishte e pamundur të mos e projektonte hershëm veten si shkrimtare. Mirëpo, pas studimeve të larta në Itali e Angli, vendosi t’i qëndronte kopsitur letërsisë në një tjetër formë. Punoi fillimisht në dy shtëpi botuese angleze prestigjioze. Më pas, për një sërë arsyesh të mbetura në hije, Anna u rikthye në Tiranë; iu bashkua botimeve “Çabej” dhe u dashurua edhe më tej me letërsinë e shkrimtarët vendas.

Me një këmishë të gjerë e të bardhë, pantallona të errëta e të ngushta, Anna na mirëpret në atë çka sot është emëruar si “Shtëpi Studio Kadare”. Në pallatin e projektuar nga arkitekti Maks Velo (1972) në Rrugën e Dibrës, tre kate na ndajnë nga guacka e dikurshme  (1974-1989) e  atij që sot konsiderohet si një nga shkrimtarët më të shquar evropianë të shekullit XX-të. Krah derës së vjetëruar, lexohet thënia e kritikut Walter Benjamin: “Të jetosh do të thotë të lësh gjurmë”. Dhe Anna, s’bën gjë tjetër veçse i rikonfirmon vërtetësinë. Të na çojë pas në kohë, është mjaft e zonja. “Gjithë koncepti i shtëpisë-studio nuk ka qenë ai i një muzeu tipik, kemi dashur të krijojmë ndjesinë e të shkuarit në shtëpinë e dikujt. Prandaj një pjesë të sendeve personale kemi zgjedhur t’i vendosim brenda dollapeve”-thotë Anna për Mapo, teksa na tregon veprat nga të cilat është frymëzuar ndër vite Kadare. Eshtë tejet dinamike në të shprehur. Lëviz sa në njërën anë në tjetrën. Ndërkohë, e ka të pamundur t’i mbajë duart larg flokëve. Një e qeshur i shpëton hera herës, por jo nga pakujdesia. Duket se e tradhton vetja, kur flet për dokumente origjinale, dorëshkrime, objekte, libra, mobilje, ditarë e blloqe të shkrimtarit, të mbushura edhe me emrat e së dashurave të së shkuarës së largët.

<
>
69813632_395672841151895_1681622504046592000_n 69819249_1636194226516209_8396907255500374016_n

Shumë pranë nesh gjenden disa turistë të huaj dhe shtatlartë. Duket qartë se vijnë nga Veriu i Europës. Me një kureshtje thuajse fëminore, i drejtojnë këmbët e tyre drejt çdo gjëje të mundshme. Anna na pohon se francezët së pari, janë tepër të interesuar për gjurmët e jetës dhe veprave të Ismail Kadaresë, pasi e shohin të lidhur ngushtë me historinë e letërsisë së tyre. Por nuk janë të vetmit. Një kuriozitet të jashtëzakonshëm shfaqin edhe gjermanët, suedezët, norvegjezët…Duket se kërkojnë gjithnjë gjurmë rrënjësh, një emër të autorëve nacionalë. Anna na sqaron mënyrën e tyre të të menduarit, se një autor është edhe produkt i autorëve të tjerë të lexuar. “Në thelb, të gjithë ne jemi produkte shoqërore; produkte të prindërve që na kanë rritur, të bisedave që janë bërë në praninë tonë, të librave që kemi lexuar, të filmave që kemi parë…Ne jemi plastelina dhe rrjedhimisht plazmohemi. ”

<
>
71030594_477249846159289_8924858963535593472_n 69819126_361334731478873_3351824853261877248_n

Sapo hyn brenda apartamentit, një grafik interesant shtrihet në faqen e madhe të murit. Ai pikaset edhe në dhomën përtej, duke mbartur ndër vite botimet e Kadaresë. Për vizituesit, duket se është menduar për të qenë tejet i thjeshtë. “Ka qenë një punë e ngarkuar, sepse kemi vendosur edhe ato botime që përmbajnë ndryshime thelbësore”-sqaron Anna, ndërkohë që shikimin e mban të fiksuar mbi faqet e njërës dritare. Kjo e fundit s’është aspak e zakontë. Ndonëse të lidh me imazhet e së tashmes, trafikun kaotik dhe zaptimin që betonizimi i ka bërë kryeqytetit, të ofron njëherazi atë çka ndjente Ismaili dikur për të. Thjeshtë, shumë thjeshtë. Me një grusht fjalësh, të lidhura tok.

Ajo na njeh më tutje me 7 albume, fizikisht jo shumë larg njëra-tjetrës. “Janë një punë e mirëfilltë kërkimore, sepse të kontekstualizojnë. U them gjithmonë grupeve turistike, se apartamenti 4+1 i Kadaresë nuk është një hapësirë që mund të vizitohet nga 10 veta njëherësh. Albumet, të cilat të ndihmojnë të kuptosh jo vetëm të shkuarën e Ismailit, por edhe të një shoqërie të tërë elitare në periudhën e totalitarizmit, kërkojnë kohën e tyre”-pohon Anna. Pasioni për punën që bën, i lexohet në sy. Mëse e gatshme, na drejton në hapësirën ku ka kaluar më së shumti kohë Kadare. Aty pikasen llulla të shumta, tavolina e shkrimit dhe oxhaku i shumëdashur prej tij. Siç thuhet,  vetëm ai e gëzonte një të tillë, asnjë tjetër në ndërtesën e cilësuar si “pallati me kuba”.

Në një dhomë speciale shohim dorëshkrimet origjinale të “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, si dhe letërkëmbime për sjelljen në ekran të librit që e bëri të njohur anembanë botës. Brenda pak çastesh, gjendemi në një tjetër hapësirë. Eshtë e errët dhe ka të shfaqur filma bazuar në libra jo vetëm të Ismailit, por edhe të Helena Kadaresë. Asaj i ndihet prania çdokund, sikurse edhe vajzave. Ka një sërë fotosh familjare, fletë lavdërimi, dëftesë notash e pikturash.

<
>
69768152_393238614709156_8406360431274229760_n 69856608_1128540990867519_8671983164731686912_n 70505268_768561873573266_2085728267460935680_n 69829176_2275646639413657_343358484714094592_n 70957425_503653763545265_1594585502894260224_n 70580034_2646645342323644_6619940038010470400_n 70219564_389034481801267_2469452134723092480_n

Të qenurit drejtoreshë e “Shtëpisë-Studio Kadare” nuk është rastësi, ndonëse Anna e cilëson si të tillë. “Ky është definitivisht projekti më i bukur i Bashkisë së Tiranës. Ka arritur t’i japë të gjithë Shqipërisë një muze letrar, që pa frikë do ta konsideroja si ndër të parat në Ballkan. U mor përsipër nga arkitektja e njohur italiane Elizabeta Terragni, si dhe nga një grup i devotshëm të rinjsh. Ata, teksa kërkonin me çdo kusht që t’i ofronin dicka të bukur vendit të tyre, janë konsultuar jo vetëm me Kadarenë, por edhe me njerëz të pikëpamjeve dhe moshave të ndryshme. Ndër toisha edhe unë. Misioni ishte që hapësira duhej t’i fliste të gjithëve, të ishte e ngrohtë dhe familjare”-thotë Anna, duke u ndalur për të parën herë tek emri i saj dhe jo i të tjerëve.

“E kam parë shtëpinë e Ismail Kadaresë kur ishte në proces rindërtimi, me disa pllaka të shëmtuara…Asokohe ndjeva diçka të çuditshme. M’u duk sikur isha në një kapsulë, jashtë vendit dhe kohës ku po jetoja. Ishte ky momenti kur mora vendimin për t’i ndihmuar me çfarëdolloj gjëje që do të kishin nevojë; me konsultimepërzgjedhje tekstesh, organizim biblioteke, opinione dhe përkthime”. Në këtë moment na afron në një farë mënyre në bashkëbisedim vetë Ismail Kadarenë. “Kur e pa shtëpinë ku ka jetuar për 15 vite me radhë, të tjetërsuar dhe njëkohësisht të kapur fort pas së shkuarës, i shtangur, më tha: Nuk e kuptoj, ku e keni gjetur të gjithë këtë energji?”

Duke na shpjeguar se vullneti këmbëngulës është marrë nga vetë ai, për veprat e jashtëzakonshme që ka lënë trashëgimi, Anna tregon se nuk e kishte menduar kurrë më parë se do të ishte drejtore e “Shtëpisë Studio Kadare”. “Pavarësisht gjërave që thuhen për të, në dimension personal apo politik, Kadareja është një autor i një letërsie sipërore dhe këtë nuk e them unë. Për të qenë e sinqertë, nuk e besoja se shtëpi-studioja do të kishte dikë në krye. Në një ditë mëse të zakonshme, në mbledhje po kaq të zakonshme, po ndanim vizionet se si do të zhvillohej jeta e hapësirës. Me ç’kuptova, mendimi im, se do të ishte një mëkat i vërtetë shfrytëzimi i saj vetëm si një muze, u pëlqye shumë. Unë propozova që të shërbente si një qendër studimore për të gjithë ata duan të studiojnë Kadarenë, jo vetëm si shkrimtar por edhe person. Gjithashtu, edhe konceptimin e saj si një mbështetëse të zjarrtë të letërsisë bashkëkohore, që do të thotë të shërbejë si një hapësirë e konsoliduar për të promovuar autorët e rinj”-thotë Anna, ndërkohë që lëviz sa në njërën dhomë në tjetrën, si për të na treguar jetëzimin e këtyre ideve.

Kur pyetet në fund të bashkëbisedimit, nëse i ka ndjerë deri më tani paragjykimet për postin drejtues, për vetë faktin e të qenurit e bija e një ish-deputeteje socialiste dhe këshilltarit të kryeministrit Rama, Anna nuk ngurron t’i mëshojë punës së vazhdueshme që bëhet në “Shtëpi-Studio Kadare”. “E kuptoj ekzistencën e paragjykimeve në Shqipëri, sepse ka ndodhur në mënyrë të shpeshtë që shumë njerëz kanë marrë pozicione se kanë qenë fëmijët, motrat e vëllezërit e dikujt…I kuptoj ata njerëz dyshues, sepse ka baza reale. Megjithatë, do të doja që të vinin në një organizim tonin dhe të bëheshin pjesë e diskutimit. Nëse do të vijonte të ekzistonte arsyeja se unë qëndroj këtu sepse jam e bija e dikujt, në fund të fundit mendimi është personal, unë nuk mund të bëj asgjë lidhur me këtë”- e përmbyll ajo, bindshëm dhe prerazi.


Etiketa: , , ,

Pas