Gazali Nustreti dhe historia e veçantë e çamit milioner që nuk ndërroi kombësi.
Të jesh qytetar grek ndërkohë që të ruash edhe kombësinë shqiptare – Kjo është një nga yçklat që komuniteti shqiptar kërkon me doemos nga Shqipëria që e strehoi pas gjenocidit të përgjakshëm. Fillimisht qeveria e kohës e drejtuar nga i riu Hoxha nuk e shihte me sy të mirë këtë ardhje masive, me gjithë faktin se i priti. Ndaj, fillimisht u quajtën dhe u trajtuan gjatë si emigrantë. Më pas, kur panë të mirat e të shpërngulurve të mësuar me punë nga ku tregtia, zejtaria, artizanati, blegtoria ishin arma e fortë e tyre, nisi t’i shohë me një sy më të zbutur. Por këta ishin shtetas që vazhdimisht kishin bombën me sahat gati për t’i ndezur fitilin kur t’i shfaqej rasti.
Tiranës së viteve të pasluftës i duheshin “emigrantë” të tillë, pasi përveç florinjve të shpëtuar nga një pjesë, ata sollën me kafshët e tyre të transportit edhe mjete pune, të përkthyera në punë të reja për tiranasit babaxhan dhe paqedashës. Natyrisht që ky komunitet i ardhur e pritur paqësisht nga tiranasit, jo mirë nga elbasanllinjtë e vlonjatët, nisi të dominojë falë aftësive dhe punës skrupuloze. Ata u përshtatën me vendin e ri, por mëndja dhe zemra ishte në atë ç’ka lanë në Greqinë e mohuar e gjakosur.
Shtëpitë dhe pronat e tyre së bashku me të vdekurit në vendin e paqes dergjen larg, duke iu mohuar kthimin. Rasti i shqiptarëve të Malit të Zi e vërteton katërcipërisht se kjo hallkë që sa më shumë kohë kalon i afrohet finishit, mund të kalohet nëse ka mbështetjen dhe këmbënguljen e duhur fillimisht nga diplomacia jonë. Ata janë qytetarë europianë dhe kjo e drejtë është një e drejtë principale, njerëzore e padiskutueshme. Hallkën e nxehtë të qytetarit grek me nënshtetësi shqiptare e kanë nëpërkëmbur pa përjashtim sistemet e shkuara. Berisha i premtoi se do i përkrahte, por nuk e bëri, Nano tmerrohej se mos i hapte luftë shtetit grek, Rama i premtoi parajsën deri në momentin e bisedimit më Idrizin, e më pas e harroi fare si temë. Pronat e tyre dergjen atje. Dikush falë marifeteve personale dhe shumë parave të hedhura, ia ka dalë t’i rimarrë. Por, janë kaq pak këto iniciativa private saqë as që ia vlen të merren si referencë.
Nustretët milioner
Familja Nustreti ishte e vetmja që nuk e ndërroi nënshtetësinë greke deri në vitet ‘90, kohë kur u hapën edhe marrëdhëniet tona me Greqinë. Në vitet e regjimit Hoxha kishte nisur zbutja me qeverinë greke dhe kësisoj mundësuan edhe hapjen e Ambasadës greke në Tiranë. Të gjithë çamët, nga tmerret e gjakut lumë që u derdh në familjet e gjithsecilit atë vend e kishin si mallkim, ndaj ndërrimi i nënshtetësisë ishte edhe kënaqësia e tyre. Me përjashtim të familjes Nustreti, ata nuk pranuan. Për këtë mospranim u internuan në Kavajë. Meleqe Hanëmi (kështu i thërrisnin) e cila ishte martuar me një dibran ishte gruaja e shtëpisë me dy djemtë Nustretin dhe Zamudinin të cilët po vuanin dënimin pikërisht për këtë fakt.
Ata ndonjëherë edhe lejoheshin të kalonin në Tiranë, natyrisht vetëm duke marrë leje nga organet shtetërore. Të njëjtën gjë bënë edhe pasi kishin ndarë mendjen të largoheshin nga Shqipëria. Me lejen e degës së brendshme ata erdhën në Tiranë dhe u paraqitën direkt në Ambasadën greke si shtetas grekë për t’u larguar përgjithmonë nga këtu. Dhe ashtu ndodhi. Ata u riatdhesuan. Qeveria jonë nuk mund t’i detyronte t’i kthenin, falë ruajtjes së marrëdhënieve të mira me ambasadën e sapohapur. Me të shkuar në Janinë nga ku edhe vinin kjo familje mundi të marrë pronat e veta. Pra, pasurinë që dominonin që çamët e tjerë jo vetëm nuk mundnin, por as që e mendonin më. Sot kjo familje është me shumë emër dhe në gjendje shumë të mirë, madje ata janë fajdexhinj. U shesin para me përqindje personave që merren me biznes apo edhe për arsye të tjera. Nustretët janë nga familjet më të pasurat në zonë dhe me kalimin e viteve janë transferuar në Athinë.
Por edhe çami Resul Taipi mundi t’i bëjë një shitje të pronës së tij një shtetasi grek. Ata kishin një hotel normal në Igumenicë, me një pamje të bukur nga deti rrethuar nga ndërtesa të larta të banorëve grekë. Kjo blerje u bë me kënaqësi pasi familja Taipi pasi nuk mundej nga këtu të merrte dokumentat që dergjen arkivave greke. Blerësi e mbulonte vetë këtë hallkë, pasi ai mund t’i bënte këto lëvizje falë të qenit grek. Kështu ata ranë dakord dhe më tej pronari i ri mundi të gjejë dokumentat origjinalë dhe atë hotel e ka bërë shumë herë më të madh nga sa e mori nga çami Taipi. Këto janë vetëm dy raste të cilat i japin shpresë shumë e shumë çamëve se ndoshta një ditë edhe ata munden të kenë këtë finale të ëndërruar në vite.
Është e natyrshme se rruga e koklavitur nga paktet e fshehta që bëjnë liderët tanë në përpikëri me njeri-tjetrin ka dhënë pak shpresë. Por, kur ata mundën në periudhën më të errët, tashmë koha është në anën e tyre. Një komunitet i tërë sytë i ka nga ato shtëpi gërmadha ose të marra me qira nga pjesa bashkëjetuese. Është një padrejtësi e madhe që ushtrohet nga politika dhe shitja apo zhbërja e së vërtetës. Sot ka shumë mundësi pasi struktura të caktuara janë dhe kanë mekanizmat e duhur ta çojnë një të drejtë të mohuar në vend. Nuk kanë dashur deri më tani, por kjo nuk do të thotë se do të vijohet njësoj. Sot dyshtetësia është një e drejtë që duhet kërkuar medoemos, më pas vijnë të tjerat.