Aktualitet

Personazh/Erli Gurra, pasionanti që nxjerr nga duart violina të arta






               Publikuar në : 10:00 - 11/08/19 |
Nga Alessia Selimi

Nga Alessia Selimi


Erli Gurra mund të konsiderohet pa frikë ushqyes shpirtrash, nëse e marrim për të mirëqenë se muzika e gjen gjithnjë rrugën drejt tyre. Ky djalë, me gjasë jo më shumë se 35 vjeç, që për shumëkënd ka një profesion të çuditshëm, në fakt është babai i violinave dhe shumë instrumenteve të tjerë magjikë.

Gjendemi në laboratorin e prodhuesit të vetëm të harqeve në vend, diku në një punishte interesante pranë zonës së Selvisë në Tiranë. Violina të hapura, ende të palyera dhe disa të përfunduara dhe të renditura njëra-pas tjetrës…

Tejet sportiv, Erli nuk ngurroi të hapte dyert për Mapo. Ndonëse preferon ta cilësojë si habitat të rrëmujshëm, bukuria e pashoq e harqeve të antikizuara e nxjerr zbuluar. I shkolluar dhe specializuar në Kremona (Itali) për prodhimin e instrumentave, Erli u rikthye në Shqipëri për të ofruar gjithçka nga vetja. Mirëpo, sikurse shprehet edhe ai vetë, realiteti ynë është tmerrësisht i dhimbshëm. I ulur, teksa nuk po di se si të qendrojë në një vend për më shumë se 2 minuta, Gurra ndan eksperiencën e tij me tregun vendas. Por përpara se të shprehë trishtimin dhe revoltën, duket se e rrëmbejnë ujrat e nostalgjisë.

Ka një arsye të fortë pse ai bën këtë punë, pse ushtron këtë pasion.

“Unë vij nga një familje me tradita muzikore. Gjyshi im është ndër kompozitorët më të shquar të muzikës qytetare popullore. Ndërsa im atë është mjeshtër akordues në Universitetin e Arteve. Nuk hezitoj kur them se e kam në gjenezë pasionin, jo vetëm për liuterinë, por edhe për muzikën. Ndryshe nga fëmijët e sotëm, të cilët nuk iu ndahen telefonave inteligjentë, lodrat e mia të vetme kanë qenë veglat muzikore”-thotë Erli, teksa shton se jo më kot e cilëson veten si një njohës të mirë të tyre.

Kur e pyesim nëse ndodh që blerësit e instrumentave ta njohin po aq mirë sa ç’njeh ai prodhimin cilësor, Erli na përgjigjet: “Çdo prodhues e lë në një mënyrë apo në një tjetër shenjën e tij. Prandaj quhen instrumenta autori. Nuk po them që ka modele individuale, pasi instrumentet prodhohen ende si 300-400 vite më parë. Mjeshtrat e asaj periudhe, si Antonio Stradivari, e kanë zhvilluar liuterinë në perfeksion saqë nuk kanë lënë hapësirë për individualizëm. Por, po them që ka shumë detaje identifikuese, si gdhendja e bishtit, lyerja dhe më e rëndësishmja, cilësia e tingullit. Nga një instrument autori te një fabrike, kjo e fundit dallon qartazi”.

Për një njeri të zakonshëm, një violinë është një objekt interesant. Për Erlin, ajo është një gjallesë me organe, me inde, gjymtyrë dhe me shpirt.

Janë shumë të rrallë ata që kanë instrumenta autori në Shqipëri. Për arsye ekonomike, shumica i drejtohet instrumentave të fabrikës. Do të doja shumë që ekonomia të ishte faktor i vetëm i këtij orientimi…Nuk e keni idenë se sa herë më është dashur të shpjegoj se çfarë është liuteria, si dhe vlerën e një instrumenti autori. Por si për të mos mjaftuar mungesa e kësaj kulture, ekzistojnë edhe profesorë të cilët u shesin studentëve instrumenta fabrike, me qëllim përfitimi. Duke ua reklamuar si një instrument cilësor, ka raste që ata arrijnë të përftojnë shuma marramendëse’’- tregon Erli.

I revoltuar, edhe për faktin se kemi muzikantë tepër të talentuar, Gurra i është drejtuar tregut të huaj. “Unë operoj përmes panaireve që organizohen kryesisht në Kremona, Shangai dhe Frankurt. Aty krijohen lidhjet. Prodhuesit e liuterisë kanë dy opsione shitjeje në treg. Një është komunikimi dhe shitja tek instrumentisti, që konsiderohet edhe më i vështiri, si dhe kontakti më tregtarin. Momentalisht po përgatitem për panairin në Kremona, që do të mbahet në muajin shtator. Më tutje do t’i drejtohem panairit të Shangait. Në këto momente që po flasim, Kina ka një realitet ekonomik të frikshëm. Por jo vetëm kaq. Ka gjithashtu etje për art europian dhe kësisoj, nuk ngurrojnë të investojnë. Kur shkoj në Gjermani ose Itali më duhet t’i prezantoj prodhimet e mia. Në Kinë nuk ndodh aspak kështu”.

Ndonëse ka prodhuar deri më tani 58 instrumenta me harqe, violina dhe çelo, Erli veçon një prej tyre, të shitur pikërisht në Kinë. “Çdo instrument ka historinë e vet. E megjithatë, do të ndalem te “Princess Sol”. Bëhet fjalë për një çelo që e punova vjet. I vendosa emrin e vajzës, e cila sot është 11 muajsh. Me një model tërësisht jashtë standarteve dhe pritshmërive… e lashë pas vetes, në Shangai”.

Nuk mund të thuhet me siguri nëse është i pasur nga ky profesion. Por ne mësojmë se ai i shet veprat e tij nga 2 mijë deri në 8 mijë euro. Nisur nga kjo, del se përmes pasionit, Erli edhe jeton mirë.

I lexohet në sy se do të donte të linte pas përsiatjen që tregu vendas i bën instrumentit autor, syprinës së bërë nga bredhi dhe tastierës me dru afrikan. Por, Erli është i vetdijshëm se profesioni i liuterisë është në radhë të parë trashëgimi vendi dhe i yni, fatkeqësisht, s’gëzon veçse muzikantë të pavlerësuar…

Foto: Aldo Bonata


Etiketa: , ,

Pas