I trokitën natën, ashtu si vetëm ata dinë. Krra krra. Ishin korbat e zinj: krra krra. Në gjuhën e tyre krrakrrakisht i thanë që vinin në emër të popullit. Kishin bërë rrugë të gjatë dhe vinin erë vdekje. Njeriu Havzi Nela nuk dinte krrakrrakisht. E kuptoi se kërkonin vdekjen e tij vetëm nga era që vinin. Gjithsesi, mendoi të ishte korrekt me ta. E njihte mirë stilin e tyre kur lajmëronin vdekje. Në këtë rast, njëra prej krrakrrave në krrakrrakishten e tyre duhet t’i takonte fjalës popull. E kombinuar dridhshëm si breshëri plumbash me dy gjysma çirrjesh bashkëshoqëruese, për të krijuar mesazhin se atë, vdekjen, e kërkonin në emër të tij, popullit. E gjitha kjo do të thoshte që populli i kishte emëruar korbat për të shprehur vullnetin e tij. Njeriu kishte thirrur korbin në ndihmë të njeriut. Përballë korbave, Havzi Nela e dinte që kishte vetëm dy rrugë dhe duhet të zgjidhte ekzaktësisht njërën prej tyre sapo të hidhte hapin e parë jashtë pragut të shtëpisë: t’i lejonte korbat e zinj t’i nxirrnin sytë ose, nëse nuk pranonte këtë rrugë, t’i merrnin jetën.
Nëse i nxirrnin sytë, korbat mund ta linin të jetonte. Të jetonte pa sy, me dy gropa në ballë, qorr. Të mos shikonte më se ç’ndodh me popullin e tij, me atdheun. Të mos ishte më as dëshmitar i gëzimit dhe as dëshmitar i vuajtjeve të shqiptarëve. Çfarë vargjesh, çfarë poeme do të mund të shkruante nëse nuk i shikonte njerëzit në sy?! Madje, ç’vlerë do të kishin vargjet e tij nëse nuk do të mund të skiconte antinjeriun, barbarët, nëse nuk do të mundte të dëshmonte krimet e tyre?!
Ai e dinte se një poet pa sy nuk ia del dot mbanë. Poeti vdes si i tillë, si poet, me errësimin e dritës, me vdekjen e syve. Havzi Nela e dinte këtë. Por ai dinte edhe më shumë. Dinte se akoma edhe më keq i ndodh poetit kur zgjedh të mos vdesë, por të jetojë me sy të nxjerrë nga korbat. Atëherë kur zgjedh të jetojë një jetë pa mundur të jetë dot poet, pa dëshmuar të vërtetën, madje jo rrallë edhe duke bërë të kundërtën, duke dëshmuar të pavërtetën, në mes të një dhimbjeje të paanë, sigurisht. Në këtë rast poeti detyrohet të pranojë poshtërimin e një jete bosh, të ngritur mbi qorrimin, shurdhmemecërinë, konformizmin; ai pranon të keqen, jeton me të madje. Pranon të jetojë një jetë të cilën, me një mundim sizifian, nuk rresht së menduari se si të mos ta ketë.
Sapo kapërceu pragun e shtëpisë Havzi Nela iu tha korbave se populli fle në këtë orë të natës. Se kjo natë sterrë ishte e tyre, e korbave. Për sa kohë që popullin e zë gjumi edhe në net të tilla korbash, ata mund të bënin ç’të donin me të, sigurisht. Ndërsa ai, Havzi Nela, do të bënte zgjidhjen e tij, e cila drithëroi çdo njeri në fytyrë të dheut.
* * *
Të pranosh të keqen apo të jetosh në luftë me të, kjo është dilema, sfida më e madhe e shqiptarëve. Sot, veçanërisht. Të hutuar, të ligështuar shpirtërisht, të etur për kurajë, shqiptarët kërkojnë shembuj, profile heronjsh. Të lodhur me historinë dhe shpërdorimin njësoj të figurave të saj si nga horrat ashtu edhe nga moralistët, shqiptarët kanë ulur kokën tek e sotmja.
Dhe analizat e tyre fillojnë ashtu si në fakt do të duhej: me pushtetin. Analizat nuk vazhdojnë gjatë në këtë rast, madje përfundojnë menjëherë sa pa filluar mirë. Perceptimi i shqiptarëve për pushtetin e këtij vendi pothuajse ka marrë vlerën e realitetit, pasi përputhet plotësisht me të. Tashmë, shqiptarët e thjeshtë të këtij vendi perceptojnë se qeveria së cilës i paguajnë taksat nuk punon për ta dhe nuk kanë më as hezitimin më të vogël për ta rrëzuar. Prandaj, e gjithë vëmendja e tyre është drejtuar tek opozita, te pushteti moral i vendit. Sapo e bëjnë këtë, fillojnë dhe hutohen akoma më shumë. Opozita e vendit, edhe pas tridhjetë vitesh, vjen vërdallë sikur nuk ndodh asgjë, madje pa patur asnjë problem edhe pse në krye të parlamentit shqiptar, këtij sendërtimi të pluralizmit, qëndron një ministër i Brendshëm i diktaturës. Edhe pse ky ministër ka një koincidencë fatale me vrasjen e djemve demokratë të Shkodrës, përsëri opozita, pra edhe pas tridhjetë vitesh, e pranon dhe zgërdhihet në prani të tij. Pinjollët e krerëve të diktaturës, korbave që vranë Havzi Nelën, po thirren një nga një në krye të pushtetit dhe “blloku i ri” ka përfunduar së ndërtuari në Tiranë.
E gjitha kjo ndodh në ditën me diell, ndërsa opozita hesht, e konsideron një hollësi. Edhe kur del nga parlamenti madje, opozita nuk e regjistron në listën e shkaqeve të bojkotit praninë e një ministri të Brendshëm të diktaturës në krye të tij. As përfundimin së ndërtuari të bllokut dhe qeverisë së tij. Nuk i përmend as formalisht, së paku. Edhe jashtë parlamentit i rikthehet pranimit të së keqes njësoj si në parlament. Në një “këshill politik” të fabrikuar nga pushteti negocion për lirinë e votës me një prej hajdutëve më të mëdhenj të saj. Të kapur me zë dhe me figurë në një vjedhje masive votash. Përpara dy alternativave havzineljane, pra, përpara një beteje reale dhe pa kompromis me një pushtet gati çnjerëzor, nga njëra anë dhe konformizmit apo pranimit të monstruozitetit të tij nga ana tjetër, opozita e këtij vendi ka zgjedhur të dytën.
Ka zgjedhur një rrugë pa mundime, pa sakrifica, përqafimi i të cilës ka korruptuar jo vetëm opozitën, por edhe krejt proceset politike e shoqërore në vend. Ka zgjedhur të hyjë në zemrat e njerëzve nga dera sekrete në fund të oborrit, pasi i ka tradhtuar ata. Ka kohë, prandaj, që procesi opozitar në këtë vend është denatyruar paradoksalisht nga vetë opozita. Duke dalë nga shtrati i tij natyror, pra duke dalë nga shtrati i protestave dhe betejave dhëmbë për dhëmbë me pushtetin autokratik të Tiranës, procesi politik opozitar vetëm se krijon potencialisht mundësinë e një korrupsioni të ri, akoma edhe më zhgënjyes se ai i çadrës në mes të bulevardit. Vetëm se, nga një betejë pa kompromis për rivendosjen e demokracisë në vend, procesi politik opozitar rrezikon rëndshëm të shndërrohet në një garë kozmetike, në një sfilatë komisionesh të panevojshëm, mbledhjesh dhe rimbledhjesh pa substancë, takimesh pa atmosferë dhe të inskenuar, ku opozita kukull parakalon duke lëvizur vithet, përdredhshëm, para popullit të saj.
* * *
Nuk ka shqiptar të ditëve të sotme që nuk përjeton sfidën havzineljane. Pushteti i sotëm është përthyer në qindra mijëra njerëz të vegjël, pa dinjitet, xhelatinoz dhe të metodizuar për t’iu bërë presion gjithkujt që është i pambrojtur, i pafuqishëm, i nënvlerësuar. Këta minj arash i vënë njerëzit para dilemave të ulëta, çnjerëzore: ose të punosh për pushtetin, ose humbet gjithçka; ose do të më japësh votën mua, ose nuk ke të ardhme; ose do të japësh para, ose nuk e gëzon vendin e punës; ose do të plotësosh dëshirën seksuale, ose fëmijët mbeten pa bukë; ose spiunon, ose shpërfillesh; ose….të cilat nuk mbarojnë asnjëherë. Të kërrusur nga pushteti i marrë padrejtësisht prej ligjit, minjtë e arave punojnë çdo ditë për t’iu thyer shtyllën kurrizore njerëzve të thjeshtë, për t’i manipuluar, për t’i detyruar të marrin rrugën e lehtë të nënshtrimit, por pa të ardhme. Kanë kohë që këto procese po ia marrin frymën vendit dhe ashtu si dikur krijuan tokën ku shkelte çizmja e diktaturës, sot kanë krijuar varrin e demokracisë. Zgjedhjet e fundit universitare ishin dhe prova më e dhimbshme. E kundërta ndodh gjithashtu. Po rritet edhe numri i njerëzve që nuk pranojnë të thyhen, që vendosin të zgjedhin rrugën e vështirë në sfidën havzineljane. Numri i tyre rritet, por, fatkeqësisht, jo ndikimi i tyre. Të ndodhur midis barbarisë së pushtetit dhe pandershmërisë së opozitës, ata, havzinelët e sotëm, nuk zgjedhin betejën, por ikjen. Duke lënë pas një tokë të djegur nga trishtimi. Dhe barbarët që hedhin valle zbathur mbi të.
* * *
Sfida havzineljane e kundërshtimit të së keqes në vend të pranimit të saj, pra sfida e zgjedhjes së rrugës së vështirë, madje pa përfillur edhe koston që shkakton ajo, është ndoshta sfida më e madhe e shqiptarëve në krejt historinë e këtyre njëqind viteve të fundit. E formuluar jo njësoj në kohëra të ndryshme, ajo arriti të marrë një formë ekzistenciale të pamohueshme, përfundimtare, kur Havzi Nela e demonstroi zgjidhjen e saj me jetë. E vërteta është se shqiptarët do të përcaktojnë fatin e tyre nga mënyra se si do të përballen me këtë sfidë. Është zgjedhja e rrugës së vështirë, jo kompromisi me pushtetin autokratik të Tiranës apo me pushtetin e së keqes në përgjithësi, ajo që do të mund të nxjerrë këtë vend nga kriza, që do të bëjë të mundur rifillimin e ndërtimit të themeleve të demokracisë. Ashtu sikundër është pranimi i të jetuarit me të keqen që do ta fundosë njëherë e mirë shoqërinë shqiptare, sepse do të bëjë copë e çikë dhe përfundimisht zhbëjë vullnetin shtetformues të shqiptarëve. Kemi arritur në një udhëkryq, në pikën ku mund të mos ketë më çlirim nga kthetrat e së keqes.