Intervistë me të bijën e mjeshtrit të ngjyrës, piktoren Anila Zajmi
Anila N. Zajmi piktore, restauratore, vajza e piktorit Nexhmedin Zajmi, ishte ajo që trashëgoi profesionin e të atit. Prej vitesh në Itali, ku jeton dhe punon si piktore, restauratore e suksesshme, në këtë përvjetor e intervistuar nga MAPO, ajo iu rikthehet kujtimeve, lidhja, komunikimi me të atin, artistin e njohur. “Me Zajmin nuk ishte e lehtë, madje e vështirë një bashkëjetesë sa artistike edhe familjare”, -thotë Anila. Pastaj shton: “Me humor më thoshte gjithmonë, Anila, mos harro që të vendosësh germën N, pra Anila N. Zajmi, pasi ne ishim dy Anila, unë dhe Anila, vajza e piktorit Bujar Zajmi edhe ajo artiste, sitliste”.
Anila, 105 vite nga lindja e babait tuaj Nexhmedin Zajmi?
Më vjen mirë që kujtohet, dhe këtë e kam si mesazh për të gjithë artistët, ata që kontribuuan, dhanë ndihmesën e tyre për ngritjen, zhvillimin e artit jo vetëm figurativ, por edhe atij artistik në Shqipëri. Babai, i kushtoi jetën, i angazhuar në çdo çast, moment të jetës, ishte i lidhur thellësisht me artin figurativ. Më shumë me të se familjen.
Jeni vajza e një piktori, sa e mbështeti babai juaj, angazhimin tuaj për t’u marrë me art?
Fillimisht dua të them, se ai nuk ishte shumë dakord që unë të merresha me art, aq më shumë me pikturë. E konsideronte një profesion sa të bukur, emocional, por edhe shumë të vështirë, aq më shumë për një vajzë, më vonë një grua. Për një nënë me fëmijë, që duhet të kujdeset për familjen, fëmijët, burrin e ka të pamundur t’i përkushtohet edhe artit thoshte. Arti do impenjim, angazhim të madh, nëse do apo duhet të bësh realisht art.
Sidoqoftë ju u bëtë piktore?
Gjatë viteve të Liceut Artistik dhe më vonë në vitet e ILA, ai nuk u angazhua asnjëherë në mënyrë direkte me mua. Më la të lirë, ta njihja, ta aplikoja dhe të krijoja vetë marrëdhënie me këtë profesion. Kurrë të vinte në Lice apo ILA të pyeste për mua. Unë kam mbaruar pikturë kavaleti, dhe pedagogë kisha ish-nxënësit e tij. Shpesh i thoshin babait me humor, që profesor po ta kalon vajza. Ai qeshte. Përgjigjen ata e kuptonin cila ishte.
Cili do të ishte përcaktimi juaj sot për Nexhmedin Zajmin piktor?
Zajmi ishte i zgjuar, një artist i vërtetë, me një dhunti intuitive natyrale për artin. E jetonte, e dashuronte njeriun, miqtë, studion, kolegët, natyrën. Vitet si pedagog në ILA, i shërbyen atij, dhe kontributi që ai dha në formimin e brezave të piktorëve mbetet me vlerë. Edhe sot, ish-nxënësit e kujtojnë me shumë respekt. Nga ana artistike, Zajmi ishte piktor shumëdimensional.
Ai kishte mbaruar në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë?
Babai kishte përfunduar, ishte diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura të Romës në vitet 1939-1944. Pra, kishte marrë një formim, edukim artistik nga ajo shkollë, që e përcillte në punët, krijimtarinë e tij. Zajmi ishte piktor i ngjyrave, i natyrës, jo i studios. Tri vitet në Hidrocentralin e Vaut të Dejës, në vitet ‘70, ishin ndër më të rëndësishmet në krijimtarinë e tij.
Thatë që Zajmi ishte një piktor shumëdimensional?
Nisur nga fakti që Zajmi ka realizuar tablo, portrete, natyra të qeta, peizazhe. Vetë pikturat e tij, apo e gjithë karriera artistike pasqyron këto fusha, ku ai punoi. Zajmin e gjeje në studio, në kantiere, në Theth, kudo. Dita, java, koha për Zajmin ishte me shumë vlerë, shumë e çmuar. Personazhin e jetonte, nga çasti kur ai dilte në mëngjes nga shtëpia, rrugës, në kafe, biseda, kontakte, ai kërkonte njeriun që do i shërbente për të realizuar idenë që kishte.
Cila ishte mënyra në përzgjedhjen e modeleve?
Në shumë piktura të tij janë personazhe, figura, njerëz që ai mori nga jeta, nga fabrika, kombinate, kantiere etj. Shkonte kërkonte dhe i përzgjidhte. Kishte intuitën ta godiste njeriun, figurën artistike që i nevojitej. Pa harruar që në atë krizë gjetje modelesh, pas viteve ‘60, në shumë piktura të tij, janë familjarë, të afërm por edhe ne, fëmijët, mamaja etj. Si në rastet te Nëna, Labe, Delegati, Zadrimorja, Dardharja. Zajmi nuk punonte me foto, donte natyrën dhe njeriun. Këto elemente e frymëzonin.
Zajmi thuhet se ishte shumë pasionant edhe kur diskutonte?
Në Lidhjen e Shkrimtarëve, kur kishte diskutim krijues, pritej me interes e vëmendje diskutimi i Zajmit. Mbizotëronte heshtje, pasi ai kishte një gjykim të thellë, fliste qartë, dhe me një gjuhë artistike shumë profesionale. Kishte një logjikë të fortë, e njihte mirë artin, dhe mund të ishte një kritik arti shumë i mirë.
Çfarë marrëdhënie kishte Zajmi me pikturat?
Kishte dashuri për pikturat, i jetonte ato. Shkonte në Galeri i shihte, çmallej me to, shpesh edhe i kontrollonte për ndonjë dëmtim. Kur i thanë se tabloja “Tregim nga lufta” kërkon restaurim, bashkë më grupin e caktuar, kërkoi të ishte vetë, sepse e njihte në detaj, edhe fijen e linit të pëlhurës. Më ka qëlluar që në pikturat e babait, kam zbuluar shtresa njëra pas tjetrës. Kjo ndodhte, pasi në mungesë të pëlhurës, ai pikturonte, i vendoste ngjyrat njëra mbi tjetrën. Fshije, pikturo, fshije, pikturo, mbi të njëjtën telajo.
Anila, cilat ishin raportet tuaja me babanë?
Shpesh diskutonim gjatë dhe në shumë raste nuk binim dakord, kishim kontradikta. Kishte raste që ishte i “ashpër” në biseda, trajtime çështjesh artistike me mua, por aq edhe thyhej, kur në fund të diskutimit më përqafonte. Sot, nëse do të jetonte, nuk do ta besonte për mua, punën time, çfarë kam realizuar, jo vetëm në pikturën e kavaletit, por edhe në fushën e restaurimit.
A mundet të bëni një përcaktim profesional për babanë tuaj?
Në raporte të tilla, prind-fëmijë që kanë të njëjtin profesion apo “figlio d’arte” siç i thonë në Itali, nuk është i lehtë raporti, aq më shumë të bëhen krahasime, përcaktime. Secili ka kohën, periudhën sigurisht edhe vlerat artistike nuk janë njëlloj. Nuk janë të pakta rastet kur, fëmija, ka shkëlqyer më shumë, apo e kundërta. Në Shqipëri, ne jemi një brez i fëmijëve të disa piktorëve, L. Stamo, B. Kaceli, A. Devolli etj.
Miqësitë e Zajmit, mund të kujtoni disa prej miqve të tij?
Miq të tij ishin artistë, kryesisht ata në Akademinë e Romës. Vlerësonte shumë O. Paskalin, dikur mësuesin e tij bashkë me A. Buzën në Shkollën e Vizatimit, pastaj u bënë kolegë. Zajmi, admironte Dritëro Agollin, zërin e Vaçe Zelës, të Bik Ndojës, çiftelitë, si detaj referues i zonave malore, kostumet popullore për të cilët kishte ndjeshmëri të madhe. Ai kishte shumë mik shkrimtarin A. Caçi, S. Shijaku, F. Stamon, F. Haxhiun, A. Manon, S. Tuçin, K. Kodhelin, e mjaft të tjerë. Por, edhe shitësit e dyqaneve, marangozët, njerëzit e thjeshtë etj. I shihte edhe me syrin që mund t’i shërbenin si tipa në punën e tij. I veçantë për të ishte edhe Petrit Leka, ai që jepte kohën në TVSH. Nuk e njihte, por e priste çdo mbrëmje. Sipas informacionit të tij, ai krijonte gjendjen shpirtërore për të nesërmen.
Problem shikimi, janë vitet që Zajmi vuan nga kjo sëmundje?
Vitet e fundit vuante nga sytë. I kishte të lodhur, konsumuar nga puna, por edhe nga pirja e duhanit. Në fund të viteve ‘50 kur ishte në Moskë, me një delegacion, e dërguan të kontrollohej te një mjek. Ai nuk e njihte, por menjëherë mjeku, një burrë i vjetër si e kujtonte Zajmi, konstatoi dëmtim të retinës. Ju jeni piktor i tha, sepse syri ju dëmtohet, sepse pikturat i shihni shpesh duke mbyllur njërin sy, proces profesional. Por edhe nga duhani, cigarja që mbani në gojë, tymi dëmton syrin. Kohët e fundit shkonte në studio, e prekte me dorë pëlhurën pastaj vendoste penelin.
Çfarë pikturash, vepra administroni nga babai juaj?
Kemi disa piktura, jo shumë se Zajmi nuk e mbante. Ruajmë disa dokumenta, penela, bojëra, veshje të tij. Si edhe dokumenta të jetës, sidomos dosjen e Akademisë së Romës, një dokument i rrallë me 33 faqe, nga dëftesa, diploma, dita e parë kur u paraqit në Akademi si dhe katër vitet aty. Vetë Zajmi shkoi në Romë në vitin 1985, për të shoqëruar një ekspozitë, dhe në Akademinë e Romës, pati takim me drejtues, por ata ishin të rinj. Pikturat e shkollës, ato të viteve kur ishte student, të diplomës, për arsye se nuk mund t’i mbanin i kishin shpërndarë në shkolla, qytete të ndryshme të Italisë. Ishte e pamundur t’i gjeje.