U bënë tashmë 11 ditë që mediat televizive dhe të shkruara nuk pushojnë së foluri për skandalin e logos plagjiaturë që kushtoi 18 milionë lekë të vjetra.
Emisione kulture me të ftuar, lajme, shkrime gazetash, tashmë të gjithë e pranojnë që është një plagjiaturë dhe një logo aspak e denjë për një teatër opere.
Bile edhe vetë TKOB në deklaratën e tij e pranon indirekt një gjë të tillë, por fajin ua hedh të tjerëve. Pothuajse të gjithë pranojnë logon e mëparshme si më përfaqësuese dhe më të bukur estetikisht, bile shkojnë më tej që nuk kish fare nevojë të ndryshohej, se logoja nuk ndryshohet kurrkund në botë kur ndryshohet drejtori e as kur teatri rikonstruktohet.
Teatri i gjendur përballë breshërisë mediatike që ia hoqi petët lakrorit një nga një, u mbyll brenda mureve të zyrave, se i plasi mina në dorë e nuk po orientonte dot timonin, për të shpëtuar nga vorbulla ku kish rënë befasisht, sepse duke qenë një teatër aspak transparent, që gjithnjë para mediave bën monolog e jo dialog, e kish humbur toruan nga grushti mediatik që zbuloi skandalin. Mediat me të drejtë kërkuan audit të të gjithë procesit, dhe të financimit të tij, dhe nuk reshtën së mbajturi gjallë këtë problem.
Edhe ministrja e Kulturës në fillim mbajti një qëndrim të hapur, por pardje në një konferencë për shtyp në Ministrinë e Kulturës me gazetarët e Kulturës, e quajti problemin e Logos plagjiaturë, që kushtoi 18 milionë lekë të vjetra, një problem të vogël që na paska marrë një vëmendje kaq të madhe, bile shkoi më larg duke thënë se nuk mund t’i kushtojë vëmendje zyrtare problemeve që ngrihen në rrjetet sociale. Unë tha zonja Ministre nuk kam në zyrë një kërkesë me shkrim për hetimin e kësaj çështjeje, kur vetëm pak ditë më parë kish thënë se do dërgonte një grup për verifikim në TKOB.
Kishin filluar piruetat për ta anashkaluar këtë problem kaq të madh e për ta çuar në kalendat greke. Mirëpo logoja dhe 18 milionët aty janë nuk janë zhdukur. Opinioni publik e ka mbështetur totalisht median dhe ata që e kanë ngritur këtë problem mediatkisht.
Pardje teksa mediat ishin rreshtuar para TKOB dhe po intervistonin disa artistë, u shfaq edhe kryetari i sindikatës së operas, ish-oficeri Reshat Ibrahimi, një lëpirës i të gjithë drejtorëve të TKOB dhe një renegat i pashoq që gjithmonë mbron drejtorët abuzivë, i cili pasi tre artistët u prononcuan për çka ndodh me logon dhe me teatrin, tha para mikrofonëve që do dërgojë në ministri kërkesën për shqyrtimin e çështjes nga auditi i Ministrisë, dhe në rast se nuk ndodh kjo, sindikata do dali në grevë, para teatrit 1 orë.
Ky gjel majë plehut që deri këtë moment nuk ish dukur kurrkund në asnjë media dhe askund i ftuar sepse nuk denoncon kurrë abuzimet e drejtores aktuale që janë bërë kapicë, doli nga strofka ku ish fshehur, si zari i drejtoreshës Çela, për të luajtur me dy porta, njëra për të treguar se është faktori kryesor i artistëve që kërkonin hetim të çështjes, dhe e dyta si presion karshi drejtorisë për të rritur peshën e tij në teatër në favor të mbylljes së problemit.
Pra, ky me mendjen e tij naive por të ligë mendon se ky është shpëtimtari i situatës së batakut ku ka rënë Teatri. Këta të pafytyrë janë lakuriq para mediave e publikut, e nuk i bën përshtypje se çfarë lakenjsh janë. Natyrisht ne që e njohim mirë këtë palaço oficer që i është ngjitur sindikatës së operas si menderja pas këpucës, e dimë se ky nuk ka mbrojtur kurrë në teatër artistin individ, kontratën e punës, statutin e teatrit që e shkelin rregullisht drejtorët abuziv, përkundrazi ka pirë raki në mejhane me to.
Në vend të çonte në Ministri kërkesën për Auditin, zotëria ndryshe për sa tha para mediave, shkoi në takim në drejtorinë e TKOB dhe pas takimit doli me deklaratë të përbashkët me drejtorinë e TKOB duke menduar se i ka bërë një shërbim të madh drejtores, sepse tha se dokumentat që drejtoria na vuri në dispozicion janë të rregullta dhe procesi është i rregullt.
Ky injorant që nuk ka lexuar një libër, derivat i bashkimeve profesionale të PPSH, merr edhe pozat e juristit specialist, dhe mendon se me naivitetin e tij pisqollë e bindi publikun. Në fakt ky njeri deri tani ka ditur të bëjë mjaft mirë renegatin e të gjithë drejtorëve kundër artistëve dinjitozë me emër që nuk e pranojnë shkeljen e dinjitetit dhe përdhosjen e institucionit nga drejtorët abuzivë që duan pushtet absolut e të sillen me institucionin si me pronën e tyre.
Nuk e pati fare problem piruetën në favor të mafies së operas së mbushur me njerëz që nuk kanë lidhje me operan. Këtij renegati nuk i bën përshtypje që një komision i brendshëm në TKOB me urdhër të Zana Çelës ka shkatërruar të gjitha skenografitë e shfaqjeve të repertorit të madh aktiv të operas, që kanë kushtuar qindra miliona lekë.
Më poshtë po botoj deklaratën e përbashkët të renegatit sindikal oficerit enverist Reshat Ibrahimi të nxjerrë në faqen e tij të fb në rrjetet sociale. “Sot sindikata e Pavarur e Artistëve të Shqipërisë, zhvilluan një takim me drejtoreshën e Tkobap znj Zana Cela, për lajmin e shpërndarë në media në lidhje me plagjiaturën e logos së re. Që prej deklaratës së Tkobap në lidhje me situatën, ishte hera e parë që përfaqësuesit e sindikatës kërkonin informacion për sa i përket korrektësisë së procesit të zhvillimit të konkursit kombëtar për NEWBRAND DHE BRANDBOOK, dhe video concept, si dhe çfarë hapash janë bërë për ti shkuar deri në fund çështjes.
Në mbyllje të takimit, përfaqësuesit e Sindikatës, falenderuan drejtoreshën e përgjithshme, për informacionin e detajuar, dhe treguan vullnetin e tyre të plotë, për të sqaruar të gjithë komunitetin artistik, edhe përtej teatrit, për mënyrën tepër të saktë ligjore me të cilën është zhvilluar i gjithë procesi i NEWBRAND, BRANDBOOK, dhe VIDEOKONCEPT i BRANDBOOK, si dhe për informacionin për sa i përket të gjithë këtij adresimit juridik të këtij problem, duke bërë përgjegjës autorin për të gjithë dëmin e shkaktuar, në rast se organet kompetente certifikojnë imazhin e logos së Tkobap si plagjiaturë”.
Kjo deklaratë qesharake deri në hiperbolë, është shkruar në kompjuterin e TKOB dhe këtij zullumqari i është dhënë vetëm ta lexojë e ta pranojë.
TKOB po t’i priste barku për transparencë, bënte transparencë me median dhe ia vinin dokumentacionin në dispozicion asaj. A ishte i rregullt procesi nuk mund ta bëjë këtë një injorant që nuk ia ka idenë e ligjeve. Drejtorja e Operas kur ka qejf të dalë në media nuk lë rast pa mbajtur fjalime para saj se sa shumë i pasqyron ajo shfaqjet e operas. Po tani zonja pse nuk del para mediave e t’ia vërë në dispozicion të gjithë dokumentacionin e procesit, por thërret një ish-oficer mendje pisqollë. Saktësinë e procesit a është ligjor apo jo nuk e përcakton sindikata por auditi i Ministrisë që nuk duhet të vonojë por të kryejë detyrën për të cilën ekziston.
Kush e ka frikë auditin, pse përpiqen ta ndalojnë me marifete pseudosindikaliste renegatësh që i ka dalë boja me kohë, se i kanë përdorur si zhele të gjitha qeveritë. Sigurisht auditin e ka frikë Drejtorja e Operas Zana Çela dhe Zymbyli i saj ballshiot Klevis Saliu drejtori i produksionit që ishte pjesëtar i komisionit, si dhe të tjerët që kanë marrë pjesë në këtë proces që bie erë. Ndërsa renegati Reshat me veprimet e tij qesharake s’e kupton se çfarë karikature është bërë në sy të publikut e mediave.
*Autori është mbajtës i titujve “Mjeshtër i Madh” dhe “Naim Frashëri i artë”