Nga Mirgen Çela
Të jesh vrojtues plazhi kërkon guxim, përkushtim dhe pasion. Këto karakteristika nuk i mungojnë 18-vjeçares nga Vlora, Stamatia Zykaj edhe pse ky profesion relativisht i ri nuk vlerësohet aq sa duhet në Shqipëri.
Stamatia, edhe ajo, jeton në një botë të padrejtë. Lajmi për mbytjen në det të një pushuesi, kap gjithnjë vëmendjen e medias. Ndërsa kur ajo, dhe kolegët e saj, shpëtojnë një jetë, nxjerrin dikë nga deti, kjo nuk del shumë në pah.
Kjo verë ka qenë e mbushur me kronika për njerëz që shuhen në mënyrë tragjike në plazhe. “Të shpëtosh një jetë, është heroizëm”, thotë për “Mapo” Stamatia e cila është shpallur një vit më parë, “Heroi i Plazhit 2018”.
Për 18-vjeçaren nga Vlora, kjo punë nisi fillimisht nga pasioni për notin që në moshën 6-vjeçare, e më pas si një nxitje për të shpëtuar jetë.
Bën një jetë krejt normale, punë, palestër dhe shpesh darka me miqtë e familjarët. Pak muaj më parë ka përfunduar studimet e mesme në Vlorë, ndërsa këtë vit pret të nisë Universitetin në Tiranë. Ka ambicie shkencat sociale.
Ajo tregon se një vit më parë ka kryer trajnimin profesional në Federatën Shqiptare: “Vrojtuesit e Plazhit dhe Shpëtimit në Ujë”, ku dhe është certifikuar.
Të nisësh një ditë pune si vrojtues plazhi ka disa rregulla që duhen zbatuar. Fillimisht shikohet dallgëzimi dhe në bazë të kësaj vendoset sinjalistika treguese, siç janë flamujt e kuq dhe jeshil për të informuar nëse lejohet të futesh ose jo në det, ndërsa flamuri i verdhë tregon që duhet bërë kujdes. Në shumë raste këta vrojtues informojnë dhe u bëjnë thirrje pushuesve të mos futen në det, e në veçanti fëmijët të mos lihen të pashoqëruar.
Stamantia thotë se ata që rrezikohen më shumë nga mbytja janë fëmijët dhe të moshuarit. Nuk janë vetëm fatkeqët që hasin probleme në notim dhe rrezikojnë jetën, por ka ndodhur që viktima janë bërë edhe ata që shkojnë për t’i shpëtuar. Kujtojmë se në vitin 2017, 8 persona kanë humbur jetën në tentativë për të shpëtuar të tjerët, ndërsa një vit më parë 2 persona. Fatmirësisht këtë vit nuk pati të tillë.
“Të shpëtosh një jetë është një ndjesi që jo të gjithë e përjetojnë. Kur fillova këtë punë, kam shpëtuar 5 fëmijë dhe kam mjekuar e ndihmuar shumë të tjerë. Do të veçoja një rast të dy fëmijëve nga Kosova, të cilët një vit më parë u rrezikuan nga dallgët dhe në pamundësi për të dalë në sipërfaqe, duke u munduar të ndihmojnë njëri-tjetrin u fundosën të dy. Ndërhyrja ime ishte e menjëhershme duke bërë të mundur shpëtimin e të dyve.
Nëse një vrojtues plazhi është vigjilent, do të ketë më pak tragjedi. Pas një incidenti, po marr rastin më të keq të mundshëm, pas lëvizjes së një personi nga deti në tokë, duhet njoftuar ambulanca ndërkohë që unë i jap ndihmën e parë, pasi jemi të kualifikuar për këtë. Duhet të mundohemi ti kthejmë shenjat jetësore të rrezikuarit. Në momentin që mjekët mbërrijnë, duhet ta lëmë personin në duart e tyre. Do të doja shumë që bashkitë ta vlerësojnë më shumë punën tonë dhe pronarët e bizneseve të punësojnë me patjetër një vrojtues plazhi pasi është i domosdoshëm.”-shprehet 18-vjeçarja.
Mund të gjendesh përballë situatave nga më të komplikuarat, por për një vrojtues plazhi, fjala panik nuk duhet të ekzistojë.
“Një vrojtues plazhi është një sportist i trajnuar fizikisht dhe psikologjikisht. Kështu që ne duhet të jemi të aftë që një situatë ta përjetojmë sa më profesionalisht. Kam patur raste kur pushuesi ishte i sëmurë me epilepsi dhe i kam ardhur në ndihmë. Do vijoj ta bëj këtë punë. Do të hiqja dorë vetëm në momentin kur të ndihesha e paaftë”.
Ajo çka Stamatia nuk nguroi ta tregonte ishte se paga më e lartë për një vrojtues plazhi në Vlorë, është 70 mijë lekë të reja në sezon.
***
Të shumta janë rastet edhe në plazhin e Shëngjinit, veçanërisht tek “Rana e Hedhun” ku pushuesit kanë rrezikuar jetën. Ai që vjen në ndihmë është gjithnjë Luçjano Marku.
26-vjeçari është mësues Historie, ndërsa prej dy vitesh punon si Vrojtues plazhi në Shëngjin. Në një prononcim për Mapo, Marku tha se: “Gjatë kësaj periudhe që kam punuar kam ndërhyrë në 21 raste dhe të gjitha fatmirësisht me sukses, por kjo edhe falë ndihmës së kolegëve dhe pushuesve që ndodhen në plazh. Kryesisht personat që kam shpëtuar kanë qenë nga 20 deri në 60 vjeç.
Nuk na lejohet ndërhyrja në plazhet e tjera përveçse ku jemi të stacionuar, por humanizmi ynë i thyen këto rregulla përballë shpëtimit të jetës njerëzore” –shprehet Marku. Ai paguhet rreth 500 euro në sezon.
***
Spilleja mbetet një bregdet ku shumë pushues rrezikojnë mbytjen. Por atje plazhet janë shumë të sistemuara dhe pothuajse secili ka vrojtues.
Festim Sula, instruktori i vrojtuesve në Spille, tregoi për Mapo se ka disa rregulla bazë që një vrojtues duhet të kryejë përpara se të nisë një ditë pune.
“Në mëngjes bëhet kontrolli i situatës së detit, dhe në varësi të kësaj vendoset sinjalistika. Më tej sinjalistika ndryshohet në varësi të gjendjes së detit gjatë ditës. Bëhet komunikimi me kolegët, kontrolli i përditshëm se kush është dhe kush nuk është në punë në mënyrë që të mbulojmë çdo territor”. Sipas instruktorit, kulmi i vështirësisë mbetet nga ora 11:00 deri në orën 16:00. Më pas bëhet raporti ditor nga çdo vrojtues për çdo ngjarje të ndodhur.
Një ndër vrojtuesit e Spillesë është edhe Metjon Metuli, një 18-vjeçar i palodhur. Sipas tij, shkak i këtyre ngjarjeve të rënda bëhen vetë pushuesit që nuk respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet. Kjo gjë e vështirëson punën e tyre.
“Ajo çka na e vështirëson punën janë njerëzit të cilët nuk i binden sinjalistikës, rregullave dhe udhëzimeve tona. Ka ditë kur deti është me dallgë dhe ne vendosim një flamur të kuq që tregon se nuk lejohet notimi, pra ka rrezik, ndërsa kur deti është i qetë vendosim një flamur jeshil që tregon se mund të futeni në ujë pa problem. Kryesisht ata që kam shpëtuar, kanë qenë fëmijë dhe mosha e tretë. Çdo rast që ndodh aty ku vrojtuesi i plazhit është i stacionuar e ka për detyrë ti japë zgjidhje.”-shprehet Metuli.
***
Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare “Vrojtuesit e Plazhit dhe Shpëtimit në Ujë”, Genti Lasku tha për Mapo, se stacione vrojtimi nuk ka vetëm në det, por dhe në liqene e lumenj. “Janë bërë ndryshime të dukshme dhe mjaft thelbësore të cilat janë përkthyer në shpëtim real jetë njerëzish dhe në një zvogëlim të ndjeshëm të të vdekurve nga mbytja”.
Lasku u shpreh se vrojtuesit e plazhit kryejnë një trajnim një mujor dhe më pas certifikohen si persona të kualifikuar për të shpëtuar jetë në ujë dhe për të dhënë ndihmën e parë mjekësore.
“Janë të kualifikuar për ndihmën e parë mjekësore deri në momentin kur ambulanca vjen. Nëse vrojtuesit nuk janë në vendin e tyre të punës dënohen penalisht nëse nuk ndërhyjnë për ndihmën e parë mjekësore për shkak të detyrës. Ata nuk mund të ndërhyjnë vetëm kur në vendngjarje ka persona me një kualifikim më të lartë. Këtu bëhet fjalë për infermierë të specializuar, apo mjekë”.
Vrojtuesit e kanë nga 0-200 metra në plazhet e tipit A detyrim ligjor për të ndërhyrë, dhe nga 0-100 metra në plazhet e tipit B, siç janë ato gurore ose shkëmbore. Nëse personat e rrezikuar kalojnë këtë largësi në det, vrojtuesi nuk e ka më tagrin të ndërhyjnë, por duhet të njoftojë kapitenerinë detare.
Një tjetër çështje sheqësuese për pushuesit janë fëmijët që humbin prindërit dhe anasjelltas. Në plazhet tona, kemi një mesatare prej 15 fëmijësh të humbur në ditë, raste që fatmirësisht zgjidhen brenda ditës. Janë vrojtuesit që e bëjnë bashkimin e prindërve dhe fëmijëve.
Lasku tregon për numrin e personave që janë shpëtuar këtë verë në plazhet tona. Në Velipojë 8, në Shëngjin 3, në Durrës 4, në Spille 18, në Kavajë 2, në Divjakë 2, në Darzezë 1, në Vlorë 7, në Tiranë 1. Jo pak. 46 jetë të shpëtuara nga rojet tona të plazhit.