Kryesore

Përvjetori i bombardimeve të NATO-s, sa të ndarë Thaçi e Haradinaj





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 20:21 - 24/03/19 |
mapo.al

Si sot njëzet vjet më parë, aleanca më e madhe ushtarake në botë- NATO, nisi një fushatë bombardimesh ndaj forcave serbe. Ky ishte edhe fillimi i fundit të Luftës së Kosovës. Fushata pasoi refuzimin e Beogradit për të nënshkruar marrëveshjen e negociuar në Rambouillet të Francës, për t’i dhënë fund luftës në Kosovë dhe dështimin e përpjekjeve diplomatike për ta bindur atë.


Megjithatë, 20 vjet më pas, çështja e Kosovës vazhdon të dominojë në axhendën e kancelarive të mëdha. Këtë herë për diskutim është shtruar një marrëveshje finale mes Serbisë dhe Kosovës. Por historia nuk është aq e lehtë dhe këtë e tregojnë edhe qëndrimet që kanë mbajtur sot në median gjermanishtfolëse dy krerët e shtetit kosovar.


Kryeministri Ramush Haradinaj foli për Die Presse, ku mohoi kategorikisht se Kosova do të “rrezikojë duke diskutuar çështje kufijsh dhe territoresh”. Haradinaj u shpreh se do i mbajë tarifat ndëshkuese ndaj Serbisë dhe theksoi zhgënjimin që ka me BE-në.


“Në atë kohë, situata ishte shumë e vështirë. Kosova kishte përjetuar një shkatërrim të madh. Sot nuk është e lehtë që të aktivizosh potencialin e vendit tonë. Ka shpresa, por ka edhe sfida. Uashingtoni, Brukseli dhe Berlini dikur flisnin në një zë për Ballkanin. Për fat të keq, tashmë nuk kemi partnerë të bashkuar si më parë. Ne e mirëpresim faktin se konflikti mes Maqedonisë dhe Greqisë është zgjidhur. Por më mungon kjo energji për çështje të tjera të pazgjidhura në rajon”.


Nga ana tjetër, presidenti Hashim Thaçi foli për gazetën Sueddeutsche Zeitung. Ai tha se nuk ka alternativë ndaj një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës. “Status kuoja do të thotë regres i vazhdueshëm, pasi destabilizon rajonin”.

Edhe Thaçi nuk beson shumë se BE-ja, kur thotë se nuk e zgjidh e vetme këtë çështje. “Unë kam folur direkt me presidentin Trump. Mesazhi i tij ishte për të dy palët: përdorni energjinë e këtij momenti për të ecur përpara dhe mos lejoni që të përsëriten tragjeditë e të shkuarës”.

Por ndryshe nga Haradinaj, Thaçi flet për rishikim të kufijve. “Të gjithë shtetet e Ballkanit kanë çështje kufitare të hapura, nga Sllovenia dhe Kroacia e deri në Maqedoninë Veriore. Vetëm vitin e kaluar ne zgjidhim kufirin me Malin e Zi”. Megjithatë, Thaçi thotë se nuk do ketë vija kufitare mbi baza etnike.


Etiketa: , , , , , , ,

Pas