Mapo Letrare

Pesë shkrimtarë i bëjnë roje librit





Na ndiqni në Facebook
               Publikuar në : 19:19 - 02/02/20 |
Nga Mark Simoni

(Bashkëbisedim me studiuesin dhe shkrimtarin e njohur dr.Moikom Zeqo)


PYETJE: Rregullat e letërsisë shpesh janë herë enigmatike, e shpesh kanë një mistikë brenda, që na bën të mos përcaktojmë rregulla si në disiplinat e tjera



PËRGJIGJE: Ka një “rregull” në letërsi. Padyshim që kemi të bëjmë me një enigëm. Shumë shkrimtarë, me kalimin e moshës, humbin shumë nga freskia e tyre krijuese, nuk arrijnë dot të plotësohen deri në fund. Po jap dy shembuj:


Bodleri e botoi librin e tij “Lulet e së keqes” si një vepër unike me lartësi estetike, por pas kësaj vepre, ndonëse jetoi dhe shumë vjet, dhe madje dhe shkroi, krijimtaria e tij nuk është më e kësaj lartësie.

Shembulli i dytë lidhet me një poet gjenial shqiptar, Ndre Mjeda. Ai e botoi veprën e tij unike në Vjenë, me titullin “juvenilja”, në vitin 1917. Mjeda vdiç më 1938, por habitrishtato që shkroi më pas nuk ishin të lartësisë së “Juvenilie”-s.

Ka një “rregull” tjetër në letërsi. Kuptohet, jemi në përmasat e enigmës. Shumë shkrimtar, që nuk kanë patur ndonjë sukses të madh në rininë e tyre, befas në pleqëri kanë shkruar kryeveprën e kryeveprave. Ky është rasti i Miguel Servantesit.

Këto “rregulla” tregojnë se letërsia zhvillohet jashtë rregullave. Të pakët janë shkrimtarët që bëjnë krijimtari të nivelit të lartë edhe në rini, edhe në pleqëri.

Rasti i Balzakut tregoiqë ai shkroi në moshën 36 vjeç romanin fantazmagorik “Lëkura e Shangrenit”, por ai është një rast i rrallë, që deri sa vdiç shkroi vetëm kryevepra, dhe ai s’ka vepra të dobëta.

PYETJE: Jo vetëm në korpusin e veprave të Balzakut, por në tërë veprën letrare të atherëshme, kjo është veprae shkruar në mënyrën më moderne deri në atë kohë.

PËRGJIGJE “Lëkura e Shagrenit” ka një subjekt onirik por dhe utopik, është shumë aktual dhe sot, ku në botën e kaosshme të parasë, të pasurit mendojnë tashmë se vetëm paraja është lëkura e Shangrenit, që mund të plotësojë çdo dëshirë instiktive, por është e pafuqishme fatalisht, pa të ardhme, për të krijuar dhe shtuar dashurinë.

PYETJE: A është poezia arti i shkrimtarëve të rinj. Unë në librin tim “Komshinjtë e vdekjes” kam një listë të gjatë prej afro 30 poetësh rus me zë, që kishin vdekur pa i mbushur të 40-tat. Ma pat dhënë një student rus në Itali këtë listë.

PËRGJIGJE: I dashur Mark. Ka dhe disa shkrimtarë të rrallë të njerëzimit, të cilët, për shkak të rrethanave vetiake, të sagës së tyre shpirtrore, kanë vdekur shumë të ri, kanë shkruar shumë pak, por që duket se i kanë shkruar tërë germat e teksteve të tyre me një dritësi gjeniale dhe të pashembullt. Do të përmendja këtu Artur Rembo në Francë, Holderlin në Gjermani si dhe Migjenin në Shqipëri. Që të tre për mua janë binjakë, gati të tmerrshëm dhe të paimitueshëm me kapacitetet e tyre krijuese.

PYETJE: Na thuaj disa të fshehta dhe pjesë enigmatike e të padukshme që ka agregati i madh i letërsisë

PËRGJIGJE: Po. Të gjitha letërsitë kombëtare të popujve të mëdhenj, por dhe popujve të vegjël, përbëhen dhe artikulohen nga shkrimtarët mesatarë. Ata përpunojnë gjuhën, por krijimtaria e tyre është në kufinjtë e Mimesit aristotelian. Por janë shkrimtarët “përjashtues” që zotrojnë dalldinë gjeniale, i bëjnë përmasat e letërsisë kombëtare por dhe asaj botërore, (nuk ka letërsi kombëtare por vetëm botërore- thotë Gëte, dhe ka vërtetë të drejtë), të jenë në një lartësi përherë të admirueshme, pa rënë kurrë në banalitet krijues. Çdo të thotë kjo? Ka një iluzion të madh për letërsinë. Në pamje të parë, duket sikur letërsia është e infinitshme dhe në të mund të marrë pjesë kushdo. Në të vërtetë kemi të bëjmë me një shpërdorim të letërsissë. Në letërsi veprat e mëdha të njerëzimit e kanë krijuar standartin e tyre të amshimit. Dhe në këtë kuptim ky standart është i vetëmjaftueshëm. Duket sikur letërsia është demokratike, mbasi nga starti i saj nisen miliona e miliona shkrimtar në botë. Por në finish, edhe tek popujt e mëdhenj siç janë rusët, mesi arrijnë të plagosur tre deri në katër vetë. Përse ndodh një gjë e till? Estetët thonë se misteri më i madh i njerëzimit është misteri i talentit. Në letërsi nuk egziston parimi “I progresit”. Progresi ekziston në teknologji, në shkencë. Fjala vjen: një telefon celular i para 5 viteve, sot është kapërcyer për shkak të një teknologjie dhe të një inteligjence artificiale të jashtëzakonshme. Pra progresi ka një parim kronologjik

Në letërsi ndodh ndryshe. Dantja krijoi në shekullin e 13, dhe megjithëse kanë kaluar8 shekuj ai përsëri nuk është kapërcyer. Le të kujtojmë Shekspirin. Ai jetoi në shekullin e 17, në shekullin elisabetian, kur të drejtat e njeriut nuk përfilleshin dhe nuk njiheshin. A nuk e vranë në një tavernë Kristofor Marlonë, një tjetër gjeni, por, ndonëse Anglia ka një zhvillim të madh të të drejtave njerëzore, askush nuk mund të mendojë, se gjoja mund të lindë një shkrimtar më i madh se sa Shekspiri.

PYETJE: Në këtë invazion të teknologjisë Umberto Oko i bie këmbanës me forcë për ta ruajtur librin, në formën tradicionale. A ka vend për panik, që libri duke humbur formatin tradicional, duke humbur gjendjen fizike të fletës dhe aomen tunduese të celulozës, të iki njëherë e përgjithmonë si gjendje fizike?

PËRGJIGJE: Në kohën e sotme të “banalitetit spektakolar” (siç e quan George Steine, ka shumë profeci për “vdekjen e bardhë të librit”.

Në kohën e botës kibernetike, dhe të imazhit, duket sikur ka një duel të përbindshëm edhe midis librave on line me librat in print. Dilema se kompiuterizimi total do ta shkatrrojë librin e botuar në letër, padyshim që ka ndikimin e vettë rëndë. Por nuk duhet harruar se janë 4 a 5 shkrimtarët e mëdhenj të botës që e mbrojnë librin. Përmend këtu Homerin, Lukrecin, Danten, Servantesin, Shekspirin, të cilët e pengojnë edhe teknologjinë, dhe mbrojnë mendësisht dhe tragjikisht leximin e librave si një nga fuqitë më të mëdha konceptuale të njeriu në të gjitha kohërat.

PYETJE: A ka një definicion për atë se çfarë është letërsia dhe çjanë shkrimtarët?

PËRGJIGJE: Askush, madje as shkrimtarët e mëdhenj, nuk i janë përgjigjur kësaj pyetje në mënyrë shterruese. Letërsia është shpikja më e madhe e intelektit njerëzor. Letërsia nuk është shkencë. Dihet që shkenca i ndërthur përmasat e saj në një realitet të infinitshëm fizik. Letërsia nuk është e barabartë me realitetin. Ky është ndryshimi dhe atributi i saj i pazevendsueshëm.

Letërsia ngjan me ëndërrat, dhe të kujton thënien e Shekpirit se “të gjithë ne jemi të përbërë nga lënda e ëndërrave”. Në të vërtetë letërsia nuk është identike me ëndërrat. Ajo është mbiquajtur si “realitet i tretë”, që nuk ekziston në natyrë, sepse letërsia nuk lidhet me imitimin mekanicist të çdo realiteti, sepse, bota shpirtrore letërsisë i jep një ftillesë metafizike të pa përsëritshme. Dhe së fundi letërsia asnjëherë nuk shpjegohet në mënyrë definitive.

Shiko i dashur Mark. “Hamleti” i Shekspirit nuk është më shumë se 80 faqe, madje vetëm me dialog, pra pa mjetin mistifikues të përshkrimit, që përdorin shkrimtarët dinakë. Por për “Hamletin” janë shkruar 27 mijë libra, teza doktorature, komente, dhe asnjëherë nuk kanë bërë dot në mënyrë shterruese shpjegimin e këtyre 80 faqeve.

Shkrimtarët janë njerëz si gjithë njerëzit e thjeshtë të botës. Madje shkrimtarët e paktë të mëdhenj të njerëzimit kanë përjetuar varfëri ekstreme ose kanë vdekur në mjerim. Mos harroni se Shekspiri e nisi punën e tij në teatrin “Globus” si kashagitës kuajsh.

Shkrimtarët janë potencialisht njerëz që kanë vetinë më të madhe të imagjinatës dhe krijimit, por të gjithë njerëzit duke qenë potencialisht shkrimtar kanë dhe një mangësi fatale: Nuk zotërojnë dot fuqinë e madhe të talentit, sepse kjo u takon fare pak njerëzve.

Për Shqipërinë tonë të demonizuar nga politika, harrojmë të themi se, pjesa më e ndritëshme, më e mrekullueshme është Shqipëria letrare.

PYETJE: A ka shkëlqimin e mjaftueshëm letërsia jonë e traditës për të bërë krenare letërsinë tonë në përgjithësi. Çfarë vetishë të korifenjëve tanë bien më shumë në sy?

PËRGJIGJE: Njeriu më i madh i kulturës për mua është Gjon Buzuku, i cili me 1555 e bën popullin shqiptar, nga një popull jo i librit, në një popull të librit. Edhe tre “B” e tjera, (Budi, Bogdani, Bardhi), ishin talente të dimensioneve të mëdha. Por për arsye historike, të prapambetjes së frikshme të shqiptarëve, letërsia si zhanër i mëvetshëm laik i shqiptarëve, nis në vitin 1836 me Milosaon e De Radës. “Këngët e Milosaos” është vepra më gjeniale poetike e shqiptarëve në të gjita kohrat. Para Milosaos letërsia shqipe, duke përfshirë edhe veprën e vitit 1685 “Çeta e profetëve” e Pjetër Bogdanit, një emër europian për mua, me letërsi të stilit barok të shekullit 17, por që edhe ajo pati një hibridizim, jo si zhanër i mëvetshëm. Ndërsa Milosao është letërsi e mirfilltë. Tek Bogdani kemi edhe letërsi, edhe teologji, edhe histori, edhe astronomi, (eklipsi i diellit).

Ja të themi ca fjalë më tepër për Bogdanin e madh, mbasi e njohim aq pak.

Libri i tij që u botua në Padova, nga pikëpamja topografike dhe ilustrimet me gravura, mbetet deri më sot shëmbëlltyra e librit më luksoz shqiptar në të gjitha kohërat. Gravurat qenë të Rufinit, një artist i njohur në studiot e Padovës. Pjetër Bogdani, mori pjesë në një kryengritje antiturke, që udhëhiqtë shqiptarët se bashku men gjeneralin austriak Picolomini. Bogdani vdiç dhe u varros në një kishë në Prizren. Pasi turqit e shuan kryengritjen, e zhvarrosën trupin e Poetit dhe ua hodhën qenëve. Nipi i tij Gjon Bogdani na ka lënë përshkrimin e kësaj ngjarje në një relacion. Por Shqipëria letrare që fillon tamam në shekullin e 19 ka dhe një krijues gjenial, i vetmi që pati projektin e madh të gjuhës letrare shqipe. Ky është Naim Frashëri. Pastaj, vërtetë të talentuar si Serembe, (nuk di përse e harrojmë këtë poet, që për mua është më i talentuar edhe se vetë Esenini), Lasgush Poradeci, (që e ka shkëndijën e gjeniut), ndonëse shpeshherë bëri dhe vallëzimetë rëndomta, Fan Noli që është një poet shumë i madh, i cili me shqipërimin e Rubairave të Omar Khajamit e kapërceu dhe vetë Fitzxheraldin. Dhe padyshims’mund të harrojmë shkrimtarin më gjenial shqiptar Migjeni. Kjo është Shqipëria letrare e pavdekshme.

Shiko i dashur Mark. Ne të dy e kemi patur mik Frederik Rreshpjen. Midis koleksionit të poetëve shqiptar, duke përfshirë dhe ato të socrealizmit, që kanë bërë dhe vepra të mira, por që u dëmtuan nga poezia estradeske dhe politika, mendoj se nje poet i madh lirik qe Frederiku. Por talenti i tij qe enigmatik, sepse ky talent qe një metaforikë e gërshetuar me një delikatesë të pashembullt. Mendoj se Rreshpja me cilësinë e tij krijuese hyn patjetër në 5 poetët më të mëdhenj lirik shqiptar.

PYETJE: Ndonjë të re nga librat e tua të fundit?

PËRGJIGJE: Sapo kam mbaruar librin eseisistik “Traktati i Leonardo Da Vinçit”. Dihet që viti 2019 qe viti jubilar i vdekjes së leonardos. Libri im përbëhet nga dy pjesë.

Pjesa e parë ka Traktatin që është përkthyuer në shqip nga vetë unë, si dhe komentet dhe hulumtimet estetike të mendimtarit francez Pol Valery, që ka bërë një nga librat më të bukur në botë për Leonardon.

Në pjesën e dytë kam përfshirë esetë e mia me stil Palimpsesti.

Ky është stil me të cilin unë kam shkruar disa libra si:”Kështu foli Mona Liza” (para 20 vitesh), si dhe librin “Grishja e Florimontit”.

Derti më sot njihet stili Xhoisian i “Përroit të ndërgjegjes”, si dhe stili i “regjistrimit automatik” i Andre Bretonit.

Këto janë i dashur Mark disa enigma të mëdha që më kanë torturuar, më kanë cfilitur, sepse kanë të bëjnë me letërsinë. Besoj që kë këto enigmanuk do vdesin kurrë, as në të ardhmen. Letërsia e madhe është e bërë tashmë, në të gjitha kohrat, madje përfshinë vetvetiu dhe letërsinë e të ardhmes.

Faleminderit Moikom.

Faleminderit miku im.

 

 

 


Etiketa:

Pas