Ish-deputeti i PD-së, Sokol Olldashi, në përvjetorin e pestë të ndarjes nga jeta u përkujtua përmes një ceremonie, ku morën pjesë familjarë, miq dhe bashkëpunëtorë të afërt të tij.
Pa dashur të gërvishtim akoma më shumë dhimbjen dhe mungesën e njeriut të tyre të dashur, prindërit dhe fëmijët e ish-ministrit të Transportevevendosën ta përkujtonin përmes tufave me lule dhe një takimi me ish-kolegët e tij në PD, njeriun e tyre të dashur. “Panorama” ka siguruar foto nga ceremonia e zhvilluar në Varrezat e Sharrës, ku miq dhe bashkëpunëtorë të afërt tëSokol Olldashit kanë nderuar kujtimin e tij.
Pjesë e ceremonisë së zhvilluar në kujtim të Olldashit kanë qenë ish-deputetët Astrit Patozi, Majlinda Bregu, Ridvan Bode, Igli Cara, Mesila Doda dhe Keltis Kruja. I vetmi që ka mbajtur një fjalëfalënderimi në ceremoninë përkujtimore të Sokol Olldashit ishte djali i tij, i cili mësohet të ketëshprehur mirënjohje për miqtë e babait të tij që e kujtojnë dhe i kanë qëndruar pranë familjes në këto vite të vështira.
REAGIMET
Përpara se të vendosnin buqetat me lule në pllakën përkujtimore të Olldashit, miqtë e ish-deputetit të PDsë, përmes reagimeve publike kujtuan kolegun e tyre duke mos i fshehur rezervat për reagimet zyrtare të PD-së.
“Janë ca njerëz në këtë botë, që nuk mjaftohen duke gënjyer të gjallët, por guxojnë e bëjnë këtë edhe me të vdekurit. Dhe mendoj se kjo është një arsye shumë e fortë për ta shtyrë sa më shumë vdekjen. Nuk është pak t’u heqësh atyre mundësinë që të vijnë e të bëjnë sikur qajnë te varri. Madje, duke mos pritur që të mbushet edhe viti tamam, por një ditë përpara, sikur të ishte festë”,- shkruan Patozi.
Ndërsa ish-deputetja Bregu, në një reagim për 5-vjetorin e ndarjes së Olldashit nga jeta kujton lidhjen që ai ka pasur me miqtë e tij. “Kur të gjithë janë një dhe një janë të gjithë. Të jesh shkëmbi dhe të mos rrokullisesh”, shton Bregu. Ndërkohë, ish-deputetja Mesila Doda kujton se ikja e mikut të saj ishte një keqkuptim.
“U bënë 5 vite pa ty shok…sa më shumë kohë kalon, aq më shumë dëgjoj njerëz të thonë… sikur të ishte gjallë… Kam menduar gjithmonë që ikja jote e pakohë ishte keqkuptim, gjithçka do ishte ndryshe e më mirë në këtë botë nëse një njeri si ti do ishte ende”,- shkruan Doda.
Ish-deputeti i PD-së në Durrës, Igli Cara, kujtoi telefonatën e 5 viteve më parë me Olldashin, e cila do të rezultonte edhe komunikimi i fundit për ish-ministrin e Transporteve, pasi u përfshi në një aksident në dalje të tunelit në rrugën Tiranë-Elbasan.
Edhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha, e ka kujtuar përmes një postimi në”Twitter” ishdeputetin demokrat Sokol Olldashi. Basha kujton se në jetën e tij të shkurtër, Olldashi preku shumë jetë dhe ndihmoi shumë ëndrra. “Një mbrëmje si sot 5 vjet u nis me ngut drejt amshimit Sokoli,i cili si pakkush jetoi përtej kohës së tij, më shpejt se koha e tij. Në jetën e tij të shkurtër preku shumë jetë, ndihmoi shumë ëndrra. La pas dashuri, kujtime të paharrueshme dhe një shembull përjetësisht frymëzues”, shkruan në postimin e tij Basha.
AKSIDENTI
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Sokol Olldashi, humbi jetën mbrëmjen e 20 nëntorit 2013 në një aksident automobilistik. Olldashi po kthehej nga Elbasani në drejtim të Tiranës me automjetin e tij tip “Mercedez Benz S”, me targë AA 003 NH. Kur i kishin mbetur edhe 22 kilometra për të mbërritur në shtëpi, makina e drejtuar prej tij rrëshqiti dhe përfundoi në humnerë në anën e djathtë të rrugës.
Aksidenti tragjik ndodhi pranë Lapidarit të Krrabës në orën 21 e 18 minuta. Ky është orari kur deputeti demokrat Igli Cara i ka telefonuar sallës operative të Policisë së Tiranës, duke i lajmëruar që të shkonin në vendngjarje pasi Olldashi ishte aksidentuar.
Sipas ekspertizës së kryer në vendngjarje, makina e ish-deputetit Olldashi ka rrëshqitur për rreth 100-150 metra, duke marrë përpara dy shufra të sinjalistikës rrugore në anën e djathtë të rrugës dhe më pas gomat e krahut të pasagjerit kanë dalë jashtë rruge./Burimi: Panorama.com.al/