Mapo Letrare

Peshku ndriçues






               Publikuar në : 16:00 - 07/09/19 |
Nga Italo Kalvino

Nga Italo Kalvino


Na ishte një herë një plak i mirë të cilit i kishin vdekur fëmijët dhe nuk dinte si ta shtynin, ai dhe gruaja e vet, edhe ajo e moshuar dhe shëndtlige. Shkonte çdo ditë të bënte dru në pyll dhe e shiste turrën me dru për të blerë bukë, ndryshe nuk mund të ushqeheshin. Një ditë ndërsa po shkonte nëpër pyll duke u ankuar, i del përpara një njeri me mjekër të gjatë që i tha :

I di të gjitha vuajtjet e tua dhe dua të të ndihmoj. Ja një çantë me 100 dukatë. Plaku mori çantën dhe i ra të fikët. Kur erdhi në vete, ai burri nuk ndodhej më aty. Plaku u kthye në shtëpi dhe i fshehu 100 dukatët nën një pirg plehu, pa i thënë gjë gruas.

-Po t’ia jap asaj, mbarojnë shpejt… Dhe vazhdoi të ecte nëpër pyll të nesërmen si më parë. Një natë më pas e gjeti tryezën e shtruar.

-Si i bleve gjithë këto gjëra?-e pyeti i alarmuar.

-Shita plehun-u përgjigj gruaja.

-E gjora ti! Ishin 100 dukatë të fshehur!

Të nesërmen plaku po ecte nëpër pyll duke psherëtirë më shumë se më parë. Takoi sërisht atë burrin me mjekër të gjatë.

-E mora vesh fatin tënd të mbrapshtë-i tha burri.

-Bëj durim : ja ku ke këtu 100 dukatë të tjerë.

Këtë herë plaku i fshehu nën një pirg me hi. Gruaja të nesërmen e shiti hirin dhe e shtroi tryezën. Plaku kur u kthye dhe e mori vesh, nuk futi në gojë as edhe një kafshatë : shkoi në shtrat duke shkulur flokët.

Në pyll, të nesërmen, ndërsa po qante, iu shfaq përsëri ai burri.

-Këtë herë nuk do të të jap më para. Merri këto 24 bretkosa, shiti dhe me lekët e fituara bli një peshk, më të madhin që do të gjesh.

Plaku i shiti bretkosat dhe bleu një peshk. Natën e vuri re që ndriçonte : nxirrte një dritë të fuqishme që përhapej përreth. Ta mbaje në dorë ishte nëjlloj sikur të mbaje një fener. Natën e vari jashtë dritares që të qëndronte në freski. Ishte një natë e errët, me furtunë. Peshkatarët që ishin në det nuk e gjenin dot rrugën e kthimit mes dallgëve. Panë dritën tek dritarja, remuan, duke ecur në drejtim të dritës dhe ia dolën mbanë. I dhanë plakut gjysmën e gjahut të tyre dhe lidhën një pakt që nëse do ta mbante atë peshk në dritare çdo natë, do ta ndanin gjithmonë me të sasinë e peshkut të kapur natën. Dhe kështu vepruan, dhe ai plak i mirë nuk e njohu më varfërinë.

Përgatiti Arjan Th. Kallço

 


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas