Aktualitet

Peshq grekë dhe peshq shqiptarë!








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:29 - 18/09/20 |
Artan Fuga

Nga Artan Fuga


Greqia mund të ketë të drejtën të zgjerojë hapësirën detare në 12 milje, sigurisht, hallall i qoftë, por ne duhet të këndojmë të drejtën e saj apo të thurim himne që këtë të drejtë prej 12 miljesh e kemi edhe ne? Edhe sikur mos kemi të drejtë si peshq që jemi! Nuk kam parë deri më sot që një shtet t’i thotë tjetrit: Ke të drejtë të marrësh llokmën që deri tani nuk ishte as jotja as imja. Ne sikur jemi Azerbajxhani me toka pa fund dhe nuk na ha qederi për 12 milje më shumë a më pak!


Se në hartë pasi Greqia merr 12 miljet e veta, bregu shqiptar duket si “rrugicat që kërkonin diell”, një ngushticë e shtrembër në det të hapur, kështu ne në histori, ne trimat, në tokë na kanë zbythur deri në breg të detit, na kanë hedhur në det, në det na kanë nxjerrë në breg si peshq të ngordhur nga zbatica, ngelur në të thatë.


Se poqe ashtu në bashkëpunim me Turqinë hajde hedhim beton diku andej nga mesi i detit, krijojmë një copë tokë atje, dhe që andej hajde kërkojmë 12 milje për të vajtur më tutje. Pastaj në cepin e atyre 12 miljeve derdhim beton me hekur Kurum përsëri dhe dalim në Palermo, që andej me këtë metodë shkojmë deri në Algjeri dhe i themi mbretit të Marokut: Mirëmëngjesi Lartmadhëri!


Në tokë na thonë se Serbia ka të drejtë të shkëmbejë toka dhe ne na hedhin në det, në det na thonë se Greqia ka të drejtë të marri ujëra dhe na shtyjnë në tokë. Nuk dimë ku të fusim kokën!


Greqia me nene formale ka të drejtë të zgjerohet 12 milje mbase nuk e kundërshtoj, por tjetër e drejta eformale dhe tjetër e drejta e faktit. Sepse edhe Qenan K. më thoshte një ditë ka të drejtën e punës sipas diplomës, por faktikisht është thjesht berber. Nga e drejta formale te aplikimi i së drejtës, ka një det të tërë që ndan!

Ne kemi hallin e detit, këta thonë ligji i luftës!!! Të vjen t’ia plasësh gazit nga zhvendosja semantike e agjendës së debatit dhe shqetësimit popullor. Kush do të bëjë luftë me ligjin e Luftës të kohës të Termopileve!!! Mos na trembni me ndëshkimin e Zotit kur halli është se kush po merr kumbullat e komshiut.

Nuk është thjesht çështje lufte, është çështje paqeje. Peshqit shqiptarë në det po bëhen gati të ndahen nga gratë e tyre peshq greke, po ndahen familje peshqish, po ndahet gazi në det, molusqet, midhjet, gjithë ajo pasuri që pas njëqind vjetësh stërnipërit e Skënderbeut do të thonë për ne: As sa peshqit nuk ishin të zotët ata trupeshqit e asaj kohe!

Se në Gjykatë arbitrazhi shkohet, por a e ka Kushtetuta shqiptare që për sovranitetin e territorit bëhet sikur ndahet e divorcohet një çift e pasuria ndahet ke noteri? Kush ia jep të drejtën që çështjet sovrane të zgjidhen kështu kaq kollaj me arbitrazh?

Menjëherë te gjyqi nuk duhet shkuar. Të paktën të bëjmë si te filmat surrogato kur burri që ka të dashur i thotë gruas hajde shkojmë në gjykatë që të divorcohemi. Por, gruaja, kopile, i thotë: ik ore nuk ta jap divorcin! Dhe rrinë ashtu!

Gjykata është një fazë tjetër, jo e para, në gjykatë të shkojë ai që kërkon divorcin, ai që do të ndajë, jo ti, jo ne, mor burrë, ne nuk kemi as përse themi se do shkojmë as nuk deklarojmë ne që hajde shkojmë në Gjykatë. Ne themi që nuk ka nevojë, gjërat janë në rregull. Cfarë kuptimi ka që deklarojmë se shkojmë në gjykatë ne kur po ashtu deklarojmë se peshqit grekë kanë të drejtë 12 milje kundrejt peshqve shqiptarë!!! Edhe paret e gjyqit t’i paguajë ai që do të nisi gjyqin! Gjykata na kap për fjale si kapen peshqit me grep dhe na thotë: O peshq çfarë vini këtu, ju e keni njohur të drejtën për peshqit grekë të vijnë t’ju hanë midhjet tuaja! Jo për gjë por jemi edhe peshq miq! Prishemi ne si peshq për pak ujë me kripë? Ne shohim thjesht ligjin e Luftës!


Etiketa: , , ,

Pas