(Bisedë me Petraq Kolevicën, arkitekt, shkrimtar dhe përkthyes shumë i njohur)
Padyshim që arqitektura është një shkencë që ka nevojë dhe për frymëzimin e artit. Sa art ka arqitektura tek ju?
Këtë nuk di ta ndajë, sepse arqitektura është e tëra art. Ajo hyn vetë tek artet e bukura.
Biblioteka “Thimi Mitko” në Korçë ka firmën tuaj si projektues. Sa ka ndikuar në idenë tuaj (në mënyrë mistike) dashuria për librin dhe leximin?
Korça herët ka patur një bibliotekë shumë të mirë. Isha i vogël kur vija në bibliotekë. Mbaj mend se atëherë u botua libri “Si u kalit çeliku”. Vajta dhe i thashë drejtorit “Dua “Don Kishotin””. “Po ti je i vogël. Lexo “Si u kalit çeliku!””. “Atë e lexova, por dua “Don Kishotin””.
Qeshë adhuirues i Fan Nolit. i kisha lexuar poezitë e tij të famshme për Luigj Gurakuqin dhe për Bajram Currin, dhe tashti doja “Don Kishotin”, se e kishte përkthyer pikërisht Fan Noli. Mendoja se librin që do të merrja, të përkthyer prej Nolit, e kishte prekur vetë ai, dhe kështu që me librin do të prekja dhe dorën e tij. “Këtë libër do ta ketë zënë me dorë Noli. “ Kaq dija Isha në klasë të gjashtë.
Bibliotekën e vjetër të Korçës e kishte ndërtuar me shpenzimet e tij filantropi Thoma Turtulli. Ai i bëri tri të mira qytetit tonë. Ndërtoi shkollën moderne të gjimnazit, ku unë kam bërë vitin e parë dhe të dytë aty. Bëri spitalin e Korçës, si dhe Bibliotekën e parë të qytetit, (jo vetëm si ndërtesë, por edhe si fond librash). Të gjithëb ishin në frëngjisht. Më ka trishtuar një fakt se aty nga vitet ‘49-’50, pjesa më e madhe e librave të kësaj biblioteke u hodhën apo u dogjën.
Biblioteka e re do të bëhej mbi rrënojat e kishës së Shën Gjergjit. Deri atëherë unë kisha projektuar rreth pesë ndërtesa të rëndësishme. Bëra dhe projektin e bibliotekës “Thimi Mitko”. Ishte viti 1972, dhe projektin e bëra jashtë orarit të punës, mbasi qeshë shumë i ngarkuar. Dhe kjo bibliotekë pati fatkeqësitë e saj.
Ministër i Kulturës në atë kohë qe Thoma Deliana, të cilit unë i kërkova të nxirrte një fond në valutë për të blerë jashtë vendit pajisje, mbasi bibliotekën e kisha projektuar me ndriçim nga sipër, dhe duheshin pajisje. Thoma Delianë e dënuan pikërisht atëherë, dhe e interrnuan dhe s’mundi të më ndihmonte dot.
Nuk projektova dritare nga anët e rrugës, se do kishte zhurma, dhe mendova që të bëhej një fasadë e madhe ku të aplikohej ndonjë mozaik gjigand apo pikturë murale, me evente dhe përsonalitete të kulturës dhe dijes të korçës.
Së dyti desha që biblioteka të kishte një ngrohje qendrore. Desha një termocentral elektrik mbasi me qymyr guri, bëhej një masë e madhe hiri që nuk kishte se ku të hidhej. Nuk e aprovuan.
Fatkeqësia e tretë për bibliotekën dhe mungesat e saj lidhet me emrin e Todi Lubonjës. Ishte Sekretar i parë në korçë. Ndër akuzat ndaj tij, u ngrit dhe fasada e murit të bibliotekës, si një akt modern, ku Lubonja sipas tyre kishte patur ndikimin e tij. Sepse pikërisht atëherë, sapo mbaroi biblioteka, u dënua festivali i 11-të i këngës në Radio-Televizion.
Në vitin 1974 u hap Ekspozita “Shqipëri Sot”, vepër e projektuar nga unë. Isha në inaugurim kur erdhi Enver Hoxha për ta vizituar. Isha takuar disa herë me të, dhe sa më pa më thirri. “Ma ke prishur qejfin. Por s’qe faji yt, qe i Todi Lubonjës” -më tha. “Jo ai s’ka faj për fasadën, të kanë informuar gabim”- guxova unë. Të nesërmen më thirrën në Komitetin Qendror, dhe më folën ashpër se si guxoja t’i thoja Enver Hoxhës që e kishin informuar gabim?.
Kjo bisedë është në veprën 54 të Enverit, por jo të gjitha ato që thashë unë. Qenë shkruar ca udhëzime dhe mësime që Enveri jepte si direktiva, por poshtë si shënim është fakti i bashkëbisedimit tim me të.
Cilat janë karakteristikat e letërsisë gjermano-austriake, mbasi ju e njihni mirë këtë areal të poezisë botërore, dhe jeni përkthyesi i antologjisë më serioze të kësaj poezie?
Poezia gjermane dhe austriake ka poetë që s’janë vetëm të Gjermanisë. Janëgëte, Hajne, Shiler. Madje Gëte dhe Shiler janë kulme të mëdha të asaj poezie që kanë mësuar dhe frymëzuar poetët e gjithë botës. Pushkini për shembull ka përkthyer Gëten, sepse letërsia e tyre ishte në të njëjtën valë. “Prit dhe vetëm prit, / Se do të qetësohesh edhe ti”. Shileri qe i poezisë së drejtpërdrejtë dhe konkrete. Ai i drejtohej Anglisë së atëherëshme kolonjale se “Ka mbetur pa pushtuar vetëm qiellin”. Mbaj mend dhe ca vargje të një poeti nga veriu i Gjermanisë: “Një qytet gri, / Pranë detit gri, / i bie mjegull mbi çati, / Dhe e rreh në qetësi, / Me zërin monoton, / Po shpirtin e kam tek ti. …”
Pavarësisht librave për Lasgushin apo për Mitrushin, a mund të ndani me lexuesin tonë ndonjë kujtim për këto dy përsonalitete që ishin dhe miq tuaj?
Kam mbaruar inxhinierinë e ndërtimit. Para se të ngrihej Universiteti ne kishim tri institute të larta, atë politeknik, (ku mbarova unë), ëtë të bujqësisë në Kamzë, si dhe Institutin Pedagogjik. E kisha shumë qejf letërsinë, lexoja dhe mësoja rusisht. E kisha librin e Lasgushit, por edhe Mitrushin e pata lexuar.
Mbasi mbarova fakultetin shkova ta takoja Lasgushin, ta takoja si njeri, ta njihja. Atëherë tek Lasgushi shkonin mjaft poetë, që tua lexonte poezitë dhe të merrnin ndonjë mendim prej tij nëse ia vlenin apo jo poezitë e tyre. Mbaj mend Jorgo Bllacin, Perikli Jorgonin e ndonjë tjetër. Kur vajta unë kujtoi se i kisha dërguar poezi.
-Përse shkruan?, më pyeti, për bilbila apo për traktorë?
-Unë nuk shkruaj poezi, por më pëlqen poezia. Jam inxhinier. Lasgushit i pëlqenin njerëzit me shkollë të lartë. Më vonë u rrit miqësia jonë. E ndihmoja shpesh për ndonjë gjë që më kërkonte mbështetje. Gjatë gjithë viteve me Lasgushin mbaja shënime. Dhe atëherë, me të gjitha ato që kisha shënuar, bëra librin “Lasgushi më ka thënë”. Miqësia me Lasgushin zgjati afër tridhjetë vite. E takoja dhe pasdite shëtisnim bashkë, ku Lasgushi qe përherë me qenin e tij. Fliste vazhdimisht dhe tregonte shumë gjëra, për veten, për jetën, për studimet. E kishte zakon të rrëfyerin.
Gjithashtu në ato përiudha kisha njohur letërsinë dhe shkrimet e Mitrushit, dhe më kishin pëlqyer shumë. Sidomos gjuha që përdorte. Poema e tij “Kosova” është poema më e bukur e bërë nga ndokush për Kosovën.
Mitrushit i shkoja në shtëpinë e tij. Librat “Netë shqiptare “ dhe “Ago Jakupi më pëlqenin shumë. Mora vesh që kishte qenë dhe i burgosur si dhe në kampin e Maliqit. Qe tepër i butë dhe me halle të mëdha, njeri me shumë kulturë dhe që e dashuronte gjuhën. Përdorte fjalët tona të vjetra dhe rrëfimet i kishte nga e shkuara, si përshembull për fiset Gjenomadhë dhe Gjatollinjë”, “Fshati im e pi rakinë”. Kam shkruar pas vdekjes së tij. Bëra madje dhe dy gjëra.
Së pari, jam i vetmi që bëra maskën prej allqie të fytyrës së tij, (negativin), me ndihmën e Janaq Paqos. Si dhe bëra librin “Me Mitrushin”.
Mitrushi qe shumë i ndrojtur dhe i matur. T’iu tregoj një rast. Ishte një mbkedhje në shtepinë botuese. Mitrushi qe me vonesë, dhe kur po matej të hynte në me atë ndrojtjen e tij, dy hapa përpara qe Ministri, që u fut në mbledhje. Atëherë Mitrushi u shtang dhe e la fare pa hyrë, mbasi tashmë kishte hyrë dhe Ministri. Në këtë kohë vjen Lasgushi që e pyet se përsë nuk qe futur. Kuteli ia shpjegoi gjithë përulësi dhe delikatesë. Lasgushi i tha që të shkonte me të në mbledhje, dhe ia behu drejt e në derë, e hapi dhe hyri pa as më të voglin ngurrim. Qenë karaktere krejt të ndryshme, secili i veçantë në llojin e tij.
Në romanet tuaj “Varri i fshehtë” apo “Kuja e kohës” bien në sy subjekte dhe histori të rënda, shkruar me shumë art, vërtetësi dhe stil. çmund të na thoni për subjektet e tyre, nga janë marrë, dhe nga jeni frymëzuar, (sidomos për “Kuja e kohës”)?
“Kuja e kohës” është bocet për një roman autobiografik timin, kurse romani tjetër është me temë tërësisht realiste, përsonazhet janë njerëz konkret dhe ngjarjet janë të vërteta
Poezia juaj është shkruar me shumë estetikë dhe frymëzim. Bien në sy blloqet poetike Ndaj diktaturës, Lirikat, dhe Plagët Shqiptare. Sa dhimbje për Shqipërinë, sa delikatesë në lirikat e tua, dhe sa vërtetësi dhe revoltë në poezitë kundër diktaturës. Por mbi të gjitha a mund të na flisni për dy poezi. Njërën kushtuar Fishtës, (…Një frat, të pafat….), apo dhe Lasgushit (… dhe shqipes sot Ravvi…). Mos kemi të bëjmë me Rabin (mësues), sipas hebraishtes?
Jam i vetmi që kam shkruar dhe i kam kushtuar një poezi Lasgushit sa qe gjallë. Madje ia pata dhënë ta lexonte. Fjala “Ravvi” ka një sekret. Kisha një ungjill shqip të përkthyer nga greqishtja. E pati përkthyer në mos gaboj Vangjel Meksi. Greqishtes i mungon “b”-ja. Ndaj për ta theksuar shumë vendosen dy “v”. Dhe në poezi e shkrova kastile me dy “v”, që t’I kujtoja Lasgushit ungjillin e greqishtes.
Ndërsa për Fishtën kam diçka vërtetë interesante. Dy motrat e mia më të mëdhaja studionin në shkollën “Qytetëse”, ku në tekste kishte dhe disa poezi të Fishtës. Dhe çfarë kishin bërë? Ngaqë Fishta shkruante në gegërisht, ato e patën mbushur me shpjegime dhe i patën kthyer poezitë në “korçarëshe”, ndaj Fishtën, si motrat e mia ashtu dhe unë e kemi lexuar “të përkthyer”, si nga gjuhë e huaj.
Në klasën e gjashtë, një profesor i yni që pati mbaruar në Francë, na dha të mësonim përmendsh “Këngën e Jozefinës”.
“Varza ka e varza s’ka,
Por se ka nji varz’ n’ Janinë,
Synin diell, ballin si hana,
Jozefinë e quejti nana….”
Dikund ju shkruani: “S’më duhen lëvdata, as pare të thata, / Për vargjet që thura me lotët e mi“. çmund të na thoni për raportin dhe mardhëniet që ka libri dhe letërsia me tregun dhe fitimin? Madje po më kujtohet se Pushkini dikund thotë: Unë frymëzimin dhe muzën nuk e shes, por dorëshkrimin po.
Jo vetëm që nuk më kanë paguar apo sponsorizuar kurrë, por kam paguar vetë.
Kam qenë adolëshent kur pata lexuar poemën e mrekullueshme “Demoni” të Lermontovit. Madje qe e ilustruar nga Vrubeli apo Rjepini, që se mbaj mend. Vargjet e famshme “Të fal çdo gjë që sheh e prek mbi dhe’, më dashuro!”, në atë kohë i citonte shumë kush i brezit tim.
Që kur isha në fakultet lexoja vetëm rusisht për ta përmirësuar si dhe fillova të përktheja. Atëherë nisa të përktheja “Demonin”. Qeshë në vitin e katërt të fakultetit. Përktheva ca pjesë, dhe më vonë pjesët e tjera, deri sa në ‘61 “Demoni” u botua. Pak njerëz që e kishin lexuar më uruan. Ato ditë vjen në bibliotekën kombëtare një burrë rreth të 60-ave, me flokë të thinjur dhe më kërkon. Mësova më vonë se quhej Zoi Xoxa, njeri me shumë kulturë e dije. Në kohën e Zogut, mbreti i pati thënë që të hapte një gazetë, por të mos përmendëte për keq asnjëherë Zogun. Pra iankishte kaluar mirë me Mbretin.
Erdhi dhe më takoi. Donte të dinte se “çështë ky që ka përkthyer Demonin!”. U prezantua.
“Jam Zoi Xoxa dhe kam mbaruar në San Demetro Corona, dhe kam qenë shok banke me Avni Rustemin”. Më tha se i pati pëlqyer shumë përkthimi i “Demoni”-t. Dhe u habit kur i thashë se qeshë inxhinier.
-Lëre inxhinierinë, e bëju përkthyes. Inxhiniera ka shumë, si ti nuk ka.
-Kam bërë katër vjet shkollë, dhe jam në një punë të mirë. Përkthimet i bëj jashtë punës. i kam me dëshirë dhe pasion, i kam me qejf.
Ishte shumë i përkushtuar që unë të bëhesha përkthyes. Madje takoi dhe vjehrrin tim, dhe iu lut që të më mbushnin mendjen që të hiqja dorë nga arqitektura dhe të bëhesha përkthyes.
Nuk e di nëse do të bëja mirë apo keq, po të bëhesha përkthyes. Por sot mendoj se kam bërë mirë që nuk u largova nga arqitektura.