Friday, January 27, 2023
  • Login
Gazeta Mapo
  • Shqipëria
    • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Ekonomi
    • Sociale
  • Opinione
    • Editorial
    • Analizë
    • Koment
    • Blog
    • Gjeopolitikë
  • Universiteti
    • Politologji
    • Jurisprudencë
    • Economi
    • Inovacion
    • Mjekësi
  • Bota
    • BE
    • Kosova
    • Maqedoni
    • Mali i Zi
    • Globi
  • Revista
    • Libri
    • Letërsi
    • ShowBiz
    • Shije
    • Sport
No Result
View All Result
Gazeta Mapo
No Result
View All Result

Petraq Papajorgji/ Si përfundoi informaticieni nga riedukimi në fshat tek universiteti francez

Berat, Grenoble, Florida dhe në fund kthimi në Tiranë. Është ky udhëtimi i Petraq Papajorgjit, dekanit të Fakultetit të Informatikës, Inxhinierisë dhe Arkitekturës në Universitetin Europian të Tiranës. Vështirësitë, por edhe fati që i erdhi me studimet e degës së re, që do të shënonte të ardhmen e njerëzimit, në çdo fushë.

by us er1
01/09/2022
in Inovacion, Kryesore, Universiteti
0

Jo informatika, por Beatles-at ishin vokacioni i rinisë së tij. Në atë kohë askush nuk e njihte informatikën. Kur ishte shtatëmbëdhjetë vjeçar dhe e dëgjonte band-in britanik që kish çmendur botën atëkohë, e harronte për pak ku jetonte e dëshironte të vishej e dukej si ata. Ishte viti 1969, Beatles ishin në kulmin e popullaritetit, ndërsa i riu jetonte në Shqipërinë komuniste e të izoluar nga çdo lloj ndikimi i huaj, që vinte- siç e etiketonte propaganda-nga perëndimi dekadent. Pak i kuptonte këto një i ri, ndonëse në shkollë i detyronin ta mësonin përmendësh ideologjinë marksiste-leniniste, derisa e provoi dhunën e sistemit në lëkurë.

“Si djalë i shkujdesur atë kohë, këndoja Beatles-at. Po hyj në histori, por ishin shumë të çmuar atë kohë. Kështu, më vunë etiketim si njeri me tendenca perëndimore dhe e panë të udhës të më jepnin një “dru””, kujton Petraq Papajorgji, dekani i Fakultetit të Informatikës, Inxhinierisë dhe Arkitekturës në Universitetin Europian të Tiranës. Këto i ndau me disa të rinj, me të njëjtën moshë si ai, atë kohë që rrëfeu e me ethet e zgjedhjes së profesionit të së ardhmes.



E çuan për riedukim në një fshat të largët të Beratit, Drenovicë.

“Ai qëndrimi atje, përveçse një lloj dënimi – që po të mos përfundoje studimet e larta përfundojë ndonjë mekanik a berber, ishte edhe një traumë e madhe”, mban mend profesori.

Mban mend si të ishte dje edhe kushtet e vështira në fshat, tre vaktet me supë fasulesh dhe bukë misri “ e cila vërtet qe bio por ishte si tullë dhe nuk kishim zgjidhje veçse ta shkërmoqnim në supë”. Tronditje, por edhe një shkollë jete, e cilëson ai.

Ishin këto ngjarje që shkruan edhe të ardhmen e tij drejt informatikës, një botë krejt e re për kohën. Nga fshati i varfër, rikthehet në kryeqytet për të ndjekur studimet  në Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Tiranës.

“E vetmja mënyrë për ne ishte të lexuarit. Të gjithë bashkëkohësit e mi kanë lexuar shumë…Remarkun, Cvajgun, letërsinë franceze. Ishte e vetmja mënyrë për t’u realizuar nga pikëpamja intelektuale”, pohon Papajorgji.

Atëkohë, në Shqipëri sa pat dalë televizioni dhe, më kureshtarët, ata më të guximshmit dhe të eturit për dije e kulturë përtej detit, me disa kanoçe alumini arrinin të shihnin kanalet televizive italiane.

“Ishte një sfidë teknologjike të gjeje kanoçet e duhura, drejtimin e duhur të antenës… atë kohë ishte gjë e madhe dhe televizioni italian ishte e vetmja dritare ndaj dijes, Europës, civilizimit. Me anë të strukturave të forta, Komunizmi u mundua t’ ndalonte por nuk ia doli”, rrëfen pedagogu.

Në fshat realiteti ishte edhe më i varfër. Familja ishte traumatizuar me skenarët më të këqij për të ardhmen e djalit, që siç kujton sot Papajorgji, mund të kishte përfunduar si mekanik.

“Shkrimtari rus, Maksim Gorki ka bërë një libër, titulluar “Universitetet e mia” dhe për mua, përballja me realitetin e hidhur e të vështirë në fshat më të bëri të kuptoja që jeta nuk ishte ajo tralala-ja a me shokët”, kujton ai, duke shtuar “Atë vit nga një i ri i shkujdesur, u shndërrova në një njeri shumë serioz dhe më thoshin se nuk para buzëqeshja”.

Franca e informatikës

Pas vitit të vështirë e të pasigurt në skajet jugore të vendit, ia doli të hynte në universitet. Iu kushtua seriozisht studimeve dhe mori kështu një bursë, që do ta çonte nga realiteti i hidhur i fshatrave te Beratit, drejt Francës që kishte njohur deri atë kohë, vetëm përmes librave.

Në vitet 1970-’71, në Francë kishte nisur zhvillimi i informatikës, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin avancuar mjaft në fushë.

Franca kishte një farë kontradikte me Amerikën, kjo pasi presidenti Charles de Gaulle kishte kërkuar një super kompjuter, të cilin e përdorte vetëm Pentagoni për qëllime të fshehta ushtarake. Amerika nuk ia dha dhe kështu de Gaulle ndërmori një investim të madh për të krijuar informatikën franceze.

Shqipëria kishte marrëdhënie relativisht të mira me Francën, atë periudhë, por jo me Amerikën.

“Rastisi edhe një periudhë e shkurtër liberalizimi në vitet ’70. Kur shkonim në kampet e Rinisë, dëgjonim, Tom Jones, Beatles… Atë muzikë të huaj, për dëgjimin e së cilës isha dënuar tre vjet më herët”, kujton duke qeshur paradoksin. “Jeta të marrka ca dallgë, të përplas, të fundos e pastaj të ngre prapë sipër. Duhet durim dhe pjekuri për t’i përballuar”, përsiatet profesori.

Por siç i shkuan gjërat, e pa veten shembull të asaj fjalës së urtë se jo çdo e keqe të vjen për të keq.

Nuk e zgjodhi informatikën, por përfundoi të studionte degën e re, me perspektiva të mëdha zhvillimi dhe me aplikim të gjerë, thuajse në çdo sferë të jetës.

“Evolucioni i teknologjisë, ka qenë shumë i shpejtë. Kështu pati një tendencë për të futur makinat llogaritëse në përpunimin e informacionit masiv, që hapi rrugën e dërgimit të disa studentëve për specializim në Francë. Dhe qëlloi të ishte fati im”, thotë.

Jo pak tronditës për psikën e një djaloshi 18 vjeçar ishte edhe shpërngulja drejt Francës. Kishte lexuar atëkohë shkrimtarët frëng si Hygo, Didero e Monteskje që ishin përkthyer në gjuhën shqipe, por me të vënë këmbë në vendin e artit, kulturës e revolucioneve, kultura me të cilën përballej ishte krejt tjetër. “Por edhe shkolla ishte e vështirë. Disa herë kam qenë në zgrip të depresionit. Ishte e vështirë, shume e vështirë…”.

Universiteti i Grenoble-it ishte i dyti në Europë, i organizuar sipas modelit amerikan, me kampuse jashtë qytetit. Fshati në të cilin ndodhej quhej San Martin d’Heres dhe tanimë është bërë pjesë e kampusit universitar dhe madje kanë edhe një tramvaj.

“Kam pasur interesa edhe përveç atyre profesionale. Qëndrimin në Francë jam përpjekur ta konsumoj edhe nga pikëpamja e formimit si intelektual”.

Një program kompjuterik  për bimën e ullirit

Pas përfundimit të specializimit në pesëvjeçar në fushën e informatikës në Francë, u kthye më 1978-n dhe nisi punën si pedagog në Institutin e Lartë Bujqësor, në Kamëz.

Gjatë atyre viteve realizoi edhe një program informatik, që lidhej me mbledhjen e një baze të dhënash për gjendjen e bimës së ullirit, në rang vendi.

“Unë isha një nga ato hallkat llogaritëse, pjesë përbërëse e grupit. Ishte një nga gjërat më të mëdha, jo vetëm për mua, por edhe për vendin, deri në atë kohë. Sot, një projekt i tillë do të qe i pamundur”, thotë ai, ndërsa kujton se grupi u vlerësua me një çmim republike për kontributin e dhënë.

E ardhmja do të ishte sërish jashtë Shqipërisë për Petraq Papajorgjin. Në vitin 1992, me një bursë Fullbright udhëton drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Aty jetoi dhe punoi si lektor e kërkues shkencor për 20 vite.

Ëndrra amerikane

Më 2008-n, punonte në universitetin e Floridës, në Departamentin e Inxhinierisë Industriale.

Departamenti fitoi një grant prej 1.5 milionë dollarësh për të kryer një studim. Në qytetin e Tampa-s është një spital i Veteranëve. Amerika është në luftë që nga vitet ‘40 dhe secili që ka qenë një herë në luftë, Azi, Vietnam, Afganistan, quhet veteran dhe ka benefite të përjetshme.

Janë miliona njerëz që përfitojnë nga sistemi. Tampa është qytet i madh dhe spitali ishte pothuaj sa Tirana. Distancat domethënëse mes departamenteve krijonin problemin e shpërndarjes së medikamenteve dhe materialeve. “Ishte problem i madh logjistik dhe për këtë nisëm një projekt, me metodat e Matematikës së Aplikuar për ta optimizuar procesin. Nuk e di për ç’arsye projekti u ndërpre dhe si shumë të tjerë, edhe unë ngela në rrugë”. Kjo, thotë profesori, është e bukura e jetës amerikane, me një dinamizëm të paparë. Shumë vite më parë,  në Francë pat lexuar një artikull të një gazetari francez që përshkruante rastin e qindrave inxhiniereve shumë të  specializuar në fushën e fluturimeve kozmike që ngelën  të pa punë kur qeveria amerikane ndërpreu një numër programesh pas fluturimit të suksesshëm në hënë. Shumë prej këtyre inxhinierëve të super specializuar u kthyen në shoferë taksish. Gazetari francez habitej me këtë fakt dhe pohonte se në  Francë një fenomen i tillë nuk do të ndodhte kurrë. Në ShBA  është normale që herë-herë gjatë karrierës të ketë  edhe momente të vështirë. Ky mentalitet shprehet dhe me fjalët e Rocky Balboa (Silvester Stallone) në filmin me të njëjtin titull,  që thotë: “nuk ka rendësi sa herë boksieri bie në tapet; e rëndësishme është sa herë ai ngrihet nga tapeti dhe e  vazhdon ndeshjen”.

Gjeti një punë jo shumë të paguar, në të njëjtin departament. “U bënë shkurtime të menjëhershme të vendeve të punës dhe pranova për një pagesë të vogël te punoj me një grup të nivelit të larte. Aty pata kontakte me njerëz të famshëm dhe fillova të shkruaj…” Shkroi dhe botoi plot 14 libra në Amerikë, ku gjashtë prej tyre, siç zbulon vetë, me “Springer”, shtëpi botuese me reputacion botëror.

“Sot e them, me një mungesë modestie, se kam njëmijë e ca citime, nga më të lartët në numër në të gjithë republikën në fushën time. E them me kënaqësi të ligjshme se edhe anëtarët e Akademisë së Shkencave që  punojnë dhe banojnë në  Shqipëri, do të  më  konsiderojnë me respekt. E gjithë kjo periudhë që kam investuar në punë kërkimore shkencore, edhe pse me te papritura, është rezultati më i bukur i jetës sime”, llogarit ai.

Kthim në shtëpi

Kthehet sërish në Shqipëri për të themeluar Agjencinë Kombëtare të Prodhime, që sot mban emërtimin “Qendra e Shërbimeve Arsimore”. Më pas iu bashkua stafit akademik të Universitetit Europian të Tiranës, ku për një periudhë mbajti edhe rolin e zv/rektorit në Universitetin Europian të Tiranës. Punoi më pas si pedagog në disa universitete private. Për katër vite mbajti postin e dekanit në Institutin Kanadez të Teknologjisë për t’u rikthyer në UET si dekan i Fakultetit të Informatikës, Inxhinierisë dhe Arkitekturës.

Një shprehje amerikane thotë se në fillim të karrierës është e rëndësishme se nga cili universitet del, por pas pesë vitesh është e rëndësishme çfarë ke bërë. Ka mjaft individë që  për gjatë gjithë jetës së tyre mburren me diplomën e marre dekada më parë,  por nuk kanë asnjë produkt shkencor gjate karrierës se tyre. Edhe parfumi me i shtrenjtë nuk do të erëmojë për tërë jetën……

Me përvojën shumëvjeçare në fushë të informatikës, të cilën e ndan me brezat e rinj në Universitetin Europian të Tiranës, profesor Papajorgji nuk e përjashton se kur vizatohet e ardhmja, një dorë të mirë ka edhe fati.

“Në atë kohë ishte fat i madh të merrja një bursë e të studioja në Francë. Fati është gjë e madhe në jetë. E vështirë ta planifikosh, por po të mos më kishin zbuar nga shkolla e të ndiqja normalisht fakultetin, nuk do ta kisha pasur atë mundësi”. Ishte ajo përvojë e hidhur e një viti në fshatrat e Beratit që i ndryshoi jetën…për mirë.

 

Tags: dekani i Fakultetit të InformatikësPetraq PapajorgjiUET

JU SUGJEROJME

Mitsotakis shpëton qeverinë, rrëzohet Tsipras
BE

Mitsotakis shpëton qeverinë, rrëzohet Tsipras

27/01/2023
Plagosje në Sarandë/ Pas sherrit mes të rinjve, njëri në spital, tjetri në kërkim  
Kronika

Tronditëse në Gramsh, burri vret gruan dhe vëllain e tij

27/01/2023
“Dil nga vrima, fol në mejdan, trimat nga dhjakësit kjo i ndan”, Flutura Açka i kushton vargje Ramës
Kryesore

“Dil nga vrima, fol në mejdan, trimat nga dhjakësit kjo i ndan”, Flutura Açka i kushton vargje Ramës

26/01/2023
Nikolla, mesazh me rastin e 1 Majit: Përballë njerëzve të punës, përgjegjësia jonë politike shumëfishohet
Kryesore

“Akt i paprecedent në 32 vjet demokraci”/ Grupi Parlamentar i PD-së nis procedurat për shkarkimin e Lindita Nikollës

26/01/2023
Next Post
Rama në Beograd, Haradinaj e “thumbon”: Rahoveci është kryeqyteti i verërave në rajon

Rama në Beograd, Haradinaj e “thumbon”: Rahoveci është kryeqyteti i verërave në rajon

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

No Result
View All Result

     








Më Të Lexuarat

  • Mitsotakis shpëton qeverinë, rrëzohet Tsipras
  • Tronditëse në Gramsh, burri vret gruan dhe vëllain e tij
  • Zelensky falenderon Perëndimin për tanket, por i shqetësuar “bishat” se arrijnë shumë vonë
  • “Dil nga vrima, fol në mejdan, trimat nga dhjakësit kjo i ndan”, Flutura Açka i kushton vargje Ramës
  • “Akt i paprecedent në 32 vjet demokraci”/ Grupi Parlamentar i PD-së nis procedurat për shkarkimin e Lindita Nikollës



Editorial: [email protected]
Synimi: Ndikimi në debatin dhe veprimtarinë e aktorëve shoqëror përmes përthyerjes së ngjarjeve dhe fenomeneve me interes publik është synimi kryesor i Gazetës

Editorial: [email protected]
Synimi:
Ndikimi në debatin shoqëror dhe veprimtarinë e aktorëve shoqëror përmes përthyerjes së ngjarjeve dhe fenomeneve me interes publik është synimi kryesor i Gazetës

Marketing

Drejtor Marketingu
Ledio Trungu
Tel : +355683673191
Email : [email protected]

2022. Te gjitha te drejtat e rezervuara
Dev by Wearedope.com

No Result
View All Result
  • Shqipëria
    • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Ekonomi
    • Sociale
  • Opinione
    • Editorial
    • Analizë
    • Koment
    • Blog
    • Gjeopolitikë
  • Universiteti
    • Politologji
    • Jurisprudencë
    • Economi
    • Inovacion
    • Mjekësi
  • Bota
    • BE
    • Kosova
    • Maqedoni
    • Mali i Zi
    • Globi
  • Revista
    • Libri
    • Letërsi
    • ShowBiz
    • Shije
    • Sport

2022. Te gjitha te drejtat e rezervuara
Dev by Wearedope.com

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In