Ndërtuesi më i madh në tregun e ndërtimeve në vend, Xhihad Zabe, që rrotullonte një vlerë marramendëse parash, sapo kish zënë vend në kafenenë e tij të njohur, diku në një rrugë dytësore në Bllok. Një kafene pa shumë emër, por një lloj qoshku ku ia kishte ënda të zbehte tensionet e tij të përditshme e të kalonte çaste ashtu si në hap kohe, jo në ngarkesë, duke shmangur të gjitha kontaktet për arsye pune, që po i zukatnin përherë e më shumë.
Kafeneja gjendej në një rrugicë të praruar nga gjethnaja, që mbyllte hapësirën e qiellit dhe rrethekonte betonin e pallateve ngjitur, dhe së shumti ngjante me një fortifikim të maskuar nga situatat miks, pothuaj pa një gjuhë arkitektonike, në ngërç të pakuptimtë.
Nuk e shqetësonte kjo pleksje, përkundrazi, ndjehej si në një bodrum pa dalje. Një situatë pa shkak, tunel që e bënte të harronte e të intonohej në morinë e anonimëve të shumtë, të rinj që përveç shenjave kapriçoze të moshës kishin humbur kuriozitetin për të qenë të vëmendshëm ndaj të tjerëve. Ishte një fakt ngushëllonjës për të, pasi kish nevojë për pavëmendje, që të ndjehej çlirët. Iu parafytyrua vetja vite më parë, të tilla zukatje përditshmërie në shpeshtime të pafundme, që e shndërronin atë dhe llojin e komunikimit në qendër vendimesh të shpejta e ritmike për mbarëvajtjen e punëve. Në fillimet e organizimit të biznesit, të tilla ngacmime ishin një hall i lumtur për të dhe e mbanin të karikuar pas zërave të punës, e në fund të ditës i kënaqej këtij shkëmbimi të zgjatur tensionesh, dhe e gjithë kjo i jepte një kënaqësi motorizuese drejt majës së idealizuar gjerë e gjatë. Por, i mësuar tashmë me të tilla gjendje, jeta kish marrë formën në strukturën e një mekanizmi të ndërvarur karshi një sistemi trokitës të pashmangshëm, që e mbante të lidhur, duke mos e vrarë mendjen gjatë, se me ditët në ikje po ezaurohej edhe vetë jeta e tij.
Në qasje të sigurta për të qenë i suksesshëm, bënte çmos që ndërtimi i një sistemi në rrjedhë komunikimi, si një gjë jo fort e lehtë për të qenë perfekt, ta lejonte që të mund të ndërtonte edhe pak hapësirë në favor të vetes si një gjë të mundur. Por, megjithëse e realizuar me përpjekje si angazhim kohe në punë, nuk se e shijonte më për shkak të përsëritjes së ditëve të ngjashme, pasi inercia e komunikimit nuk se ia respektonte e mbushte këtë hapësirë të ëndërruar tashmë. Nuk ishte hall për të, por si diçka që i mungonte, si formë e padukshme që nuk dëshiron t’ia vësh re qoftë edhe vetes. Asnjëherë nuk kishte dilema për çfarë kish zgjedhur si sfidë në jetë, por në qetësi të vakura si kjo e sotmja, herëdokur i bridhte zbathur nëpër mendje se si do ishte jeta e tij larg kësaj formule, që në shumë mënyra e vendosnin në qendër, si për mirë dhe herazi edhe për ndonjë ngatërresë që e shpengonte në trandje ankthi. Bënte çudi me zgjedhjet e të tjerëve, që e shtrinin kohën dhe ambiciet aq thjeshtë dhe aq açik ndaj ritmit të lartë që të afrohet, që ai vetë e kishte si ritual të detyrueshëm ditor, pa të cilin mbase nuk do mund të jetonte. Ashtu i shpenguar, teksa hiqej në këtë lloj reflektimi të lehtë, u hodhi vështrimin shkarazi klientëve në kafenenë e preferuar. Iu duk se ishin po të njëjtët, në një bashkim solidar përballë ndezjeve të bisedave për gjënë më tërheqëse në këto rrethqefje, që nuk mbaronin së përsërituri në trajtat e tyre kronike. Grupe-grupe, ndonjëherë të mbyllura, njerëzia kish krijuar personalitetin e padukshëm të një zakoni që sa vinte e forcohej si forcë e saj.
Pyeste veten se si qe ndërtuar kallaballëku njerëzor: disa që mërzejnë e janë të lumtur dhe disa si ai, në hall e tension. Se si do mund të mbante në lëvizje gjithë atë makineri të madhe biznesi, plot me halle rreth menaxhimit. Në fakt, rrallë kish luksin të thellohej aq gjatë për të tilla reminishenca, por ja që e cekte atë bosh në ngushticë të pakët, sa për të kuptuar që mund të ishte ai, Xhihad Zabe i viteve të para, kur ishte në të njëjtën vijë të perspektivës, si gjithë të tjerët, për të marrë kaluar dertet që vinin tallaz. Rrekjet e ndërgjegjes i aftësonte edhe në tavolina biznesi, kur ishte e nevojshme që në partneritete të mëdha ndaheshin në varësi të interesit, ku i duhej të shfrytëzonte dijen dhe lidhjet për të arritur qëllimet. Në këto tavolina jepej dhe mbushte bisedat me njohuri dhe lloj-lloj referencash të stampuara e të stërpërdorura si klishe kartolinash.
Në fakt, truri i ngjizej si i magnetizuar në çdo moment, në përqasje vetëm me shifra të shpërndara e të motorizuara, në lëvizje me ulje e zbritje të kalkuluara në ajër, pa dashur të shtypte butona përllogaritës. Në këtë filtër e gjithë njerëzia i dukej si pleksje dhe ngatërresë e pafund mbeturinash sentimentale, me alibinë e justifikimit për të mos punuar. Por, si për çudi, të gjithë i ngjanin si një ushtri pa komandë – këta njerëz të lumtur me fare pak, një lloj fakti që e gicilonte dhe mbetej jashtë argumentit për t’i marrë në mbrojtje e justifikuar.
– Zot! – tha me vete, në një gjykim që s’mund t’i jepte shpjegim, sepse e kish të pamundur të bëhej pjesë e këtij lëshimi si pakujdesi në kohë, apo si pezulli e marrë dhe e stërzgjatur qejfi. I shkërbeheshin si bagëtia, sesi lëshoheshin pa vetëdije, dhe koha kalon… e pjellin pa komunikuar me të ardhmen; shullehen kafeneve në polemika të larta halli njerëzor, me të drejtën e fjalës së parë, që s’kanë të bëjnë aspak me rentabilitetin apo bukën e tyre të përditshme. Ja pra si ishte natyra njerëzore: një flirt pa mbarim, me litarë fjalësh e ligjëratash, me cytje e ngërthime, me lëngime të shthurura që i ngjante një kazani të madh, për t’u përzier e për të prodhuar atë që ne e respektojmë si jetën e gjithsecilit, por që shpesh si kohë e keqpërdorur.
Nënqeshi me veten, sepse sot kishte dëshirë të harbonte në të tilla vija të largëta, që gati i kishte harruar e hequr nga axhenda. Nuk i kish ndodhur asnjë dështim, dhe jeta i shkonte lëngshëm, dhe nuk se e kish tradhtuar njeri e shkaktuar ndonji traumë. Ishte në bjerrje, një gjendje e pakontrolluar dhe e varur nga kushedi se ku përbrenda, si rrjedhje e pandërgjegjes. Nuk kishte asnjë ngasje apo makth të jashtëm, thjesht gjendej ashtu kot, i shpëtuar nga shifrat dhe nga të qenit gati për një bisedë me dikë dhe rastësore. Ashtu gojëkyçur, si monument i heshtur, me kreshtën e kokës së madhe e të kërcyer si pengesë tunduese, binte në sy si diç më vete në soj. Jashtë ndihej një ajër i fortë pranvere, përzier me diell të plotë e pushavitje pemësh në harlisje. Një parehati thik që të bën të ndalosh në një kafene. Një kohë e mardhur dhe pëlcitëse, si dy gjëra që kishin luftën e tyre në ajër, pa pyetur për njerëzit, duke i përjashtuar nga pozicionet tipike.
Qyteti ruante zhaurimën e zakontë e të planifikuar, me zëra që nuk reshtnin duke performuar e lëvizur, që herazi dukeshin edhe pa shkak, si parehati e mbivendosur mbi kohën, duke shtuar ngjyrat, konfliktet dhe trazimin e tyre me natyrën.
Ata të komunales dhe të dekorit të kryeqytetit zhbëheshin si njolla drite, herë në qiell e herë në tokë, dhe jepnin sinjale të normalitetit dhe lëvizjes, duke e kthyer të gjithë atmosferën në një harresë që fshinte nga jashtë atë se çfarë gjasmohej nga brenda kafeneve dhe skutave ku shullehej gjindja.
Xhihad Zabe ndjehej gati i ngrirë në një inerci të pashpjegueshme e në rënie të lirë, si pa mendime, e si rrallë herë pa një markim pune në tru, në gjendjen më të thjeshtuar të mundshme, krejt i dorëzuar kah ajri që e rrethonte ngjitjeve të ngjyrta të njerëzve në kafene, dhe në një mungesë fjalësh si kurrë ndonjëherë.
– Sa bukur… – tha me vete, dhe iu duk sikur qe hera e parë që po thithte oksigjen ndryshe, e po vetëlëshohej në një ikje të rrallë. Iu duk se brenda tij po banonte një tjetër njeri, i panjohur, disi melankolik, i zhbullonuar nga arsyetimi dhe format komanduese. Iu kujtua e bija, -Sabia që sapo kish trokitur në portën e adoleshencës.
Ndjente një boshllëk të madh në trup, pasi gjërat po ndryshonin me shpejtësi. Po ndodhte një gjë që nuk se e kish më në komandë, dhe hendeku po zgjerohej mes tij dhe së bijës. Një pikëllim i paprovuar, që nuk hynte dot në kalkulimet e tij, që i përvijoheshin gati si beteja.
Provoi dobësi ndaj faktit që nuk do mund ta kontrollonte këtë proces si të gjitha gjërat e tjera në jetë, të cilat i kish pjesë të arsyetimit. E pengonte vetë ajo, Sabi e bija, ngaqë ndjehej i refuzuar dhe larg prekjeve të njelmëta të të qenit fëmijë. Brenda tij kish mbirë një hall i paparashikueshëm dhe më i fortë se kujdesi që do mund të tregonte. Para tij po ndërtohej natyrshëm një formë njerëzore që e sfidonte si gjëja më e shtrenjtë që kish projektuar në jetë. Krejt fatal, pasi për herë të parë nuk dinte shtegun nga duhej t’ia mbante: pasiguri dhe dobësi si në kohëra të hershme e të pambrojtura.
Ndjeu një zhurmë të dyshimtë, si të pashqueshme në tingull, që nuk e identifikoi menjëherë. Ndjeu se u prish rregulli në hapat e njerëzve në rrugë, duke u bërë gjithnjë e më të dendur. Ende nuk po e kuptonte se ç’po ndodhte… jashtë kish nisur një shi i imët me pika të rralla, që me melodinë e tij i dha një lloj shkundjeje dhe e solli në vete, duke e bërë që të gjente fillin e mendimeve që kish hedhur pas. Përjetoi dyzim, por edhe të qenit i dobishëm në një pjesë rruge të rritjes së vajzës.
Ndjeu se po hynte në një zonë që ndjehej i papërgatitur për t’u përballur. Zonë e minuar nga pasiguritë qorre që nuk ishte i sigurt a do mund t’i dallonte dot në raport me të bijën. Diçka që i dhembte shumë. Kish sfiduar gjëra të mëdha në jetë, korente e përballje të vështira dhe me vendime të rëndësishme. Por kish humbur sigurinë e një raporti që nuk e kishte parashikuar të dukej aq e pezmatuar nga pamundësia për të qenë siç dinte ai, i sigurt, i fuqishëm e në vendime të sakta. Të gjithë sa ishin në kafene për një moment iu dukën të lumtur në marrëzinë e tyre të lehtë si pikat e shiut që e cekën atë nga zhytja e thellë në mendime. Si mund të kesh fuqinë e ta shformosh botën e ëndrrave të mëdha apo të ringresh një qytet të tërë në këmbë dhe si të kthehet papritmas gjithçka mbrapsht si ajër kundra dhe e papushtueshme. Nuk dominonte dot gjënë e tij më të shtrenjtë, dobësinë e tij. Gjëja që ke ruajtur gjatë në sytë e tu. Ishte një kundërarsye që nuk e pranonte dot. U pezullua në atmosferën e pakuptimtë të pikave të rralla të shiut, që i deshifroi si trokitje të befta të zgjimit të tij në sfidën më të re për t’u përballur në një hall të ri.
Për një minutë pamja iu mbyll tërësisht përballë nga kalimi i makinës së stërmadhe të plehrave në qytet. Një gjasim sikur mbylli dhe këtë përkorje mes shiut të beftë, xhamave të lagur dhe gjetheve të hallakatura e të bymyera në lëkurë. Iu duk vetja si në një dhomë burgu të metaltë e të izoluar nga një shkak krejt rastësor e i çuditshëm. Ndjeu bezdi. U ngrit. Pagoi dhe iku…
Po ç’janë käto trapllëqe o njerëz!
Po ç’janë këto trapllëqe o njerëz!
Po te jesh i Zoti ti njeri i ulet Estragon ,beji nje kritike dhe rrezoje po ta mbajti, po si shqiptar i paformuar, kq ke kaq ben .
Shume interesant titulli, GJETJE DHE ANALIZE E TRENDEVE SHOQERORE me pelqen shume kjo lloj forme e shkruari sepse te intrigon mendimin, fantazine, imagjinaten e sejcilit mjafton te kesh pak kohe te lexosh me kujdes e vemendje, THELBI I MARREDHENIEVE i koduar gjenetikisht, nje teme mjaft interesante per ditet e sotme “supertruri njerezor” Vladimir Myrtezai! Pika shiu me arna -Qellimshmeria! Suskesse mjeshtri i artit te te komunukuarit! Respekte lexuesja juaj e rregullt Irina Hysi
Interesant, shqyrtim i modaliteteve te ndryshme shoqerorore Urime Myrtezai Vladimir