Vetëm 5 minuta para mesnatës së të mërkurës, një tjetër atentat ka tronditur sërish qytetin e Vlorës, ku është ekzekutuar me breshëri kallashnikovi 45-vjeçari Shkëlzen Velaj. 45-vjeçari ka qenë duke hyrë në shtëpi, kur ka vënë re se pranë pallatit ka qenë duke e ndjekur nga një makinë e dyshimtë.
Ai ka lënë makinën e tij ndezur dhe ka ikur me vrap për t’u futur në banesë. Autorët e kanë ndjekur dhe në katin e 5 të pallatit kur ai ka qenë duke hapur derën, atentatori ka lëshuar breshëri plumbash në drejtim të tij.
Plumbat në drejtim të 45-vjecarit kanë qenë nga një distancë e afërt. Në trupin e Velajt është lëshuar një karikator automatiku, që i kanë kushtuar jetën 45-vjeçarit.
Sipas policisë Velaj ka ndërruar jetë në spital si pasojë e plagëve të marra. Atentati dyshohet të jetë kryer nga 2 persona të paidentifikuar të cilët pas atentatit janë larguar në drejtim të rrugës së lumit të Vlorë dhe në afërsi të fshatit Babicë kanë braktisur makinën tip BMW pa targa të cilën e kanë djegur.
Brenda në makinën e djegur policia ka gjetur dhe kallashnikovin me të cilin autorët qëlluan viktimën. Shkëlzen Velaj është vëllai i Ardi Velaj, i mbetur i vrarë në “Masakrën e Çoles”, e ndodhur në 2015-ën.
Pista e hetimit të vrasjes së 45-vjeçarit është hakmarrja e nxitur si pasojë e vrasjeve të ndodhura në vite, të nisura që nga ajo e Çoles. ‘Masakra e Çoles’ që nisi pas një sherri mes disa të rinjve në një kazino dhe mbetën të vdekur 3 persona, ka nxitur një seri vrasjesh në qytetin e Vlorës përgjatë viteve.
Në ngjarjen e 2015 e cila pasoi me një sërë ngjarjesh dhe viktimash janë përfshirë vëllezërit Llanaj. Policia vijon hetimet lidhur me zbardhjen e ngjarjes, ndërsa deri më tani janë shoqëruar 4 persona si dhe janë ngritur dhe pika postblloqe për kapjen e autorëve.
LEXO EDHE:
Ekzekutimi i Shkëlzen Velajt në Vlorë, policia shoqëron disa persona