Krenar ZEJNO
Është një portret, i njëjti portret, ai që i thërret drejt të njëjtit model e objekt stime dy kolosët Matisse e Picasso. E ndërsa në të, penelata laramane Matisse e shtrin jehonën e tablosë përpara, a thua si drejt pop arti, peneli i Pablos tërheq në kanavacën e portretit ekon klasike të një koloriti alla Rembrandt. I përket të njëjtit njeri ai portret, me po atë notë aura inteligjence të shenjuar në ballë: është Gertrude Stein.
Ajo, edhe falë së cilës, dy gjenitë e modernitetit kanë sot në panteonin art atë vend që kanë.
Është Stein, që me flamurin e modës në dorë bën guidë dhe udhërrëfen të posambërriturit artistë e poetë ndër rrugë Parisi. Pastaj bën ciceronin nëpër atelie dhe në galerinë e saj, e prej këtej në sallone e hapësira të reja të së resë. Ku instalohet dialogu, paradoksi, inskenimi e rivënia ndryshe në skenë e artit mbi art. Si fryt i shpirtit.
Është amvisa Gertrude dhe artistja Stein e zonja e shtëpisë që u bë pikë referimi dhe konak dialogu për çdo “ardhacak” par exelance në Parisin e pacak.
Është Parisi, ku ndër më të palodhurit shfaqen Stein e Picasso, polisi që shndërrohet modeli më i mbarë i një poli artistik. Ku artistët janë dhe vijnë me arsyen e artit edhe zejet e tyre për të populluar hapësirën mes Montmartre – rue de Fré – rue des Augustins – Austin’s Kafe e më tej… Si pretendentë në atë rivalitet të shëndetshëm që ngjizi plejadën e madhe të modernizmit. Ku nga njëra anë janë traktatet që themelojnë rryma, si dhe respekti e mbështetja për to, nga tjetra anë, refuzimi ndaj sistemeve të mbyllur apo apeli për rikthimin te trekëndëshi magjik: e vërteta – shenja – vlera.
Prej kozmosi te kaosi dhe sërish nga kaosi te kozmosi – implikime, rregulla, ligjësi, teknika. Nën një renditje elementësh përsëritës, edhe riprodhues edhe ciklikë, si ujdi e një logosi, siç mendoj se edhe Stein e shihte veprën e artit.
Things are what they are. Gjërat janë ato që janë. A rose is a rose is a rose is a rose… mbetën emblema fjalësh që shoqërojnë sot emrin e Gertrudes shkrimtare. Duke e shenjuar të sajën vepër me atë përsëritje tipike, ala Stein, që do ta quanim: kronike.
Ajo që tregoi me vepra se si nuk mund ta shihte të diferencuar thelbësisht as tablonë e pikturës prej letrës së shkrimit. Por veç të madhërishmen në të: diferencimin kronik të kozmosit nga kaosi dhe rikrijimin e kaosit për të riprodhuar kozmos të ri.
E parë kështu, përsëritja bëhet element i saj teknik për ndryrjen në vepër të rimës, ritmikës dhe ritmit, si dhe raporteve prej mitizimit e çmitizimit…
Duke e parë krijimin si gjeometri kozmogonike dhe gjenerimin si imanente e riprodhuese, “epoka e artë greke” ishte endur nën ciklonin e idesë mes zotit që krijon ex-nihilio, prej hiçi, dhe atij zoti demiurg si zot i zejeve edhe zejtar përsëritës e përtëritës idesh. Kozmos prej nga “universi” i artit mbart dhe rolin demiurg të artbërësit, ku qysh tash edhe shkrimtari kish rinisur të shihet e riemërtohet si artist, kurse piktori edhe poet.
Është Gertrude Stein një nga të parat emra me të cilët zë fill rendi i artbërësve në dëftesën e të cilëve mbet e shkruar cilësia: Atraksion i parezistueshëm për të renë dhe eksperimentet këmbëngulëse stilistike. Analizë e hollë dhe e kujdesshme e mekanizmave dhe strukturës linguistike.
Është Stein, pozicionuar mes fjalës dhe ngjyrës, ajo “ambasadore” e artit të “plejadës” së madhe të Parisit, plejadë që patjetër e tundoi jo pak filozofinë moderne drejt shpalljes së vetvetes si një “skulpturë” e filologjisë.
Është Ajo, që në ndërveprim të ngushtë me artin figurativ realizon një tip “kubizmi të gjuhëzimit”. Fut teknikën e kolazhit si dhe të tjerë destabilizues për të përshfaqur në letër shumanësinë sinkronike të së ashtuquajturës “present continuous”.
Besoj në teknikën, si provë e sinqeritetit të një njeriu, thoshte Ezra Pound, poet i adhuruar i saj.
Është Stein, ashtu si dhe Apollinaire, në ato hije të cilat po t’i kërkojmë mund t’i shquajmë edhe pas tablosë së Picassos. Mes mbartjeve edhe prej grafikës e urtësisë japoneze, antikitetit prekolumbian, artit negër e skulpturës afrikane, që aq shumë e joshën dhe e ndihmuan e ndikuan mjeshtrin.
Është në lëmë të shkrimit automatik, inspiruar edhe nga dadaizmi e surrealizmi, ku Stein po shkelte në fushë të parrahur më parë, si dhe ndërsjellën e kësaj me pikturën avangardiste të kohës, terreni ku mund të qartësohen edhe përvojat e piktorit tonë Ibrahim Kodra, i cili prej neoklasicizmit, kubizmit e më tej pikturës abstrakte mbërrin si përvojë fundore tek automatizmi (Paul Raphael, 1962). Kuptohet, çdo trajtesë mbi veprën pikasiane na fton edhe për të vijëzuar e ravijëzuar paralele analogjie dhe afiniteti mbi të cilat mund të prehen veglat për njohjen më të thelluar të kubizmit të vonë në veprën e Kodrës. Por ndoshta edhe veprës, pothuaj të panjohur ndër ne, të një tjetër artisti prej sërës shqiptare të artit, Artur Tashko. Dhe sidomos, të piktorit tonë bashkëkohës, Zini Veshi, tabloja e të cilit, me kombinimin e elmentëve të një “kubizmi” të rafinuar gjer në fshehjen në thellësitë e shtresave piktorike, me ekspresionizmin e dalë në pahun e sipërfaqes, gjithaq nga brendia e “shiftit gjeologjik” të kanavacës, do të lypte një trajtim më vete, aq më mirë përmes vizioneve prej një shkrimi automatik, pra besuar fort edhe te e nënvetëdijëshmja intuitive e gjendjes dhe përshkrimit.
Edhe një gjë: Është edhe polifonia, pra edhe e jona, që mund të na e zgjerojë diapazonin e kuptimit edhe për të tilla vepra. Meqë jemi këtu, pikërisht ku na lypset shumë të jemi, thuhet se polifonia është futur së pari si term duke iu referuar metodave kompozitive te Schönberg. Kahnweiler në studim mbi Juan Gris (që ishte një nga referimet bazë për Pikason), tentoi të stabilizonte një paralele mes kubizmit dhe muzikës dodekafonike.
Por ishte Clement Greenberg, më i besueshmi i kritikës amerikane të artit, i cili nga fundi i viteve 40 zuri të shquante e sqaronte më gjerësisht pikturën “integrale”, ku çdo zonë dhe element në tablo zë vend e rëndësi të barabartë në theksimin empatik: Ashtu si polifonia edhe piktura integrale është një grupim që përbashkon, ku secila nyje kur i vjen rradha përfaqëson edhe skemën e njëjtësuar të kompozimit. Vetë nocioni i uniformitetit është antiestetik. Por ja që mjaft prej pikturave integrale duken të arrira pikërisht falë këtij uniformiteti të tyre, monotonisë së tyre puro. Shtrirja, shpërhapja e pikturës në një pëlhurë tezgjahu në pahjen e një sensacioni të thjeshtë dhe nën një barrë përsëritjesh, duket dëshmia dhe përgjigjja e diç thellësisht të rrënjosur në sensibilitetin bashkëkohor. Literatura ofron paralelet e saj përmes Joyce e Gertrude Stein.
E prej këtej, ndoshta një ditë do të na duhej, edhe përmes këtyre, të thelloheshim tek e anasjella: për të plotësuar studimet mbi atë vlerë të pamatë e që do të na interesonte më tepër – Polifonia.
Është Gertrude Stein pagëzore për brezin e shkrimtarëve të humbur, qysh prej asaj dite kur emërtoi “Lost Generation” shkrimtarë si Hemingway e Fitzgerald, të cilët dolën të rrëgjuar e të pataksur nga lufta.
Është Gertrude Stein ajo që e pret edhe Hemingwayin në Paris. Bashkë me Ezra Pound dhe Sylvia Beach, botuese e Xhojsit. Eshtë nën shtysën e Poundit dhe Gertrudes, si një nga lexueset më të para të asaj çka shpërfaqte universi Joycean, që kjo e ndërmori aktin kurajoz të publikimit të Uliksit (botim shqip Zenit, 2003, perkth. Idlir Azizi.)
Është Stein që i jep drejtim Hemingwayit, këshilla të çmuara e shpesh të pamëshirshme rreth prozës së vet; e cila duhej thjeshtuar, përzgjedhur, zvogëluar, zhvilluar e krijuar. Pra, shpikur e jo risjellë nga diku. Principet e një realizmi jo natyralistik por selektiv, sidomos eksperimentet linguistike me anë të përsëritjes obsesive të fjalëve (e patën pagëzuar qysh Vedat e pastaj Bibla këtë teknikë, dhe ishte markezi de Sade, mendoj, ai që e risolli haptas, “me dhunë”, përsëritjen psallmoide e shliruese të kufijve të egos e njëherit zgjeruese të kufijve tradicionalë të prozës); që fjalët të përçojnë një vlerë jo vetëm logjiko – sinjifikante, por edhe mbresore si në pikturë; edhe fonetike e fonike si në muzikë.
Eshtë Stein që do t’ua shtinte këtë sërish e sërish në vesh, deri në bezdi, edhe mjeshtrave të romanit: Fitzgerald e Dos Pasos e me rradhë.
Po zgjatem pak më tej, me gjithë merakun prej monotonisë së përsëritjes, mbi një shinë mbase interesante dhe solide sa për të mbajtur paralelet: Hemingway – Picasso!
Vërtet që i pari është në linjë të plotë me atë lloj tradite amerikane nga Whitman te Twain, por ama nuk është lënë pa e lidhur me atë kuadër preciz eksperimentimi dhe infiltrimesh moderniste prej Parisi dhe Steini.
E përsërisim këtë influencë të saj mbi Hemingwayin, i cili e pranon këtë, për faktin e shpërhapjes së qerthullit të ndikimit prej risisë nga proza e tij e thatë, e thekshme, parataktike, mbi shkruesit anembanë botës. Mes ekzaltimit, aksionit të “zhveshur” e plotërisë vitaliste të rrëfimit të tij si dhe po këtyre tipareve ndër personazhet akrobatë, kllounë dhe portrete plazhistësh apo nudo të Picassos, duket sikur endet mblesja Gertrude. Me kredon e saj, ku realiteti ka nevojë për forma e shumëformësi për të qenë i asimilueshëm dhe për t’u ndjerë multidimensionaliteti i reales. Që fjala dhe ngjyra të mos ngjizë rrëfim e tablo që vetëm rrokin e ngrijnë kallkan, gozhdojnë dhe paralizojnë realitetin, por bëhen logos, shesh lufte dhe vdekjeje, fushë mejdani gjithaq real, i gjallë e drithërues.
Stein-i, qysh kur e çeli udhën e saj të shkrimit me Tender Buttons, prozë e poezi, pastaj me The Making of Americans, The Geographical History of America, The autobiography of Alice B. Toklas si dhe tekste teatrale, ese, librete për opera, thuhet se shkoi gjithë e më tepër deri në shkrirjen e gjinive ndërletrare, ashtu si dhe sjellja e saj ndaj gjinisë, në kuptimin më gjinor të kësaj fjale, asaj seksuale. Një ditë ajo tha – ndër të parat që e thonin – se ishte homo.
Letërsia e saj nxorri në pah nga njëra anë mundin për thyerjen e kanoneve tradicionale dhe nga tjetra barrierat ndaj kapriçove të rastësisë, rigorozitetin në pikëpjekjen mes rregullsisë dhe rregullit, si indeks i vetëdijes artistike dhe kapacitetit të lirshmërisë.
Është Gertrude Stein që bart edhe atë koshiencë intelektuale e cila do ta bëjë të sakrifikojë jo pak prej veprës së vet, e jo vetëm në emër të së resë ende të pakuptueshme, vështirësisht të pëlqyeshme, por edhe në emër të mbështetjes që ndih shpërthimin e talenteve më premtues se ajo.
Picasso, për t’iu përgjigjur atyre që mendonin se mos ishte rasti të merrej nën mbrojtje e bukura, tha: “ai që krijon diçka është i detyruar ta bëjë atë të shëmtuar. Gjatë përpjekjeve për ta krijuar, intensiteti dhe beteja për ta krijuar këtë intensitet përherë rezulton me njëfarë shëmtie, ndërsa pasuesit mund ta bëjnë këtë gjë më të bukur sepse ata e dinë se çfarë janë duke bërë, sepse ajo gjë tashmë është shpikur, ndërkaq shpikësi nuk e di se çdo të shpikë dhe kështu, në mënyrë të pashmangshme, gjëja që ai shpik do të ketë anën e vet të shëmtuar”. Tipike pikasiane kjo përgjigje, por duket gjithashtu kaq rokamboleske si frazë, sikur të ishte penelatë prej shkrimi alla Stein. Sepse kanë dhënë e kanë marrë mes tyre, ashtu si dhe kubizmi i shpërfaqur në letërsinë që po synonte ndër të parat pikërisht Gertrude Stein.
Në intervistën me Jerome Seckler, kur pyetet se përse pikturonte në atë mënyrë që e bënte pikturën të vështirë për t’u kuptuar, Picasso ia pret: “pikturoj kështu, sepse është ky rezultati i mendimeve të mia. Jam përpjekur vite të tëra të mbërrij këtë rezultat dhe nëse bëj një hap mbrapa kjo do të ishte fyerje për njerëzit. Nuk pikturoj dot në mënyrë tradicionale vetëm që të përftoj kënaqësinë e të qenit i kuptuar. …Është vështirë ta thuash përse e bën këtë apo atë gjë. Unë shprehem me pikturë e nuk mund të shpjegohem me fjalë”.
Në atë tablo skenografie ku nderret dekori i natës për baletin Mercuri, Picasso – si të mos i mjaftonte gramatika disocitiave e figurave, apo kushedi në shenjë miqësie Gertrude a Apollinaire -, vizatoi në vend të një ylli vetë fjalën shumëkëndore, shkruar frëngjisht në cep të tablosë: etoile.
Në këtë fjalë mbi librin e Steinit për Pikason nuk do doja ose më saktë nuk do të dija të thoja ndonjë gjë të hajrit mbi të, pa rrezikuar të bie në komentimin e komentit, kështuqë iu kushtova më shumë shkrimtares, që po e sjellim për herë të parë në shqip, sesa piktorit, ndaj po mjaftohem ta përfundoj këtu me një nga të thënat e tij të thekshme:
“Ka piktorë që e bëjnë diellin një pikë të verdhë, ka nga ata që me artin e inteligjencës një pikë të verdhë e kthejnë në diell”.
Mirë pra, dakord, vijuan ta pyesnin edhe më vonë, po çka ishte ajo që e bën të pëlqehet pikturën e tij?!
Dhe e dimë çfarë tha, apo jo! “Nuk e di. Është diçka si kënga e zogjve”.
“Things are what they are” mbetet fraza alla Stein përmes së cilës ajo tipizohet. Gjërat janë ato që janë. Gjërat e kësaj bote kanë në vete edhe Picasso. Edhe Stein. Që janë ata që janë. E që befas i shohin dikur gjërat siç janë. Përpara se të treten në iso… A rose is a rose is a rose is a rose…
Ese paranthënie e librit “Picasso” të autores Gertrude Stein