Blog

Pikëpyetje në meskarantinë





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 20:05 - 30/04/20 |
Artan Hoxha

Nga Artan Hoxha


Ndonëse ndonjë vend është në dalje e disa vende në hyrje, shumica dërrmuese e vendeve janë në fazen e mesit të ciklit të pandemisë COVID-19. Pasi kanë lënë pas fazën e rritjes eksponenciale të rasteve të reja dhe vdekjeve, vendet kanë arritur pikun e rasteve të reja dhe vdekjeve në kushtet e zbatimit të maksimumit, të individualizuar për çdo vend, të masave të distancimit social. Numri i rasteve të reja po shfaq tendencën e rënies në gjithnjë e më shumë vende.


Ndaj, shumica dërrmuese e vendeve po kalojnë, me shumë kujdes, në fazën e lehtësimit të masave të distancimit social me taktikën rezervë të rikthimit në kufizime të ashpra në rast të ri-rritjes kërcënueshëm të treguesve të infeksionit.


Gjithsesi, perceptimi i kërcënimit sot, kur janë përftuar disa njohuri mbi virusin, është i ndryshëm nga ai i rreth 2 muajve më parë kur mbi këtë virus s’dihej thuajse asgjë. Mundësitë për një ilaç kurues/zbutës dhe/ose vaksinë, të përftuar në një kohë relativisht më të shkurtër se zakonisht, janë në rritje. Ardhja e verës në hemisferën veriore rrit besimin pasi është arritur tashmë në konkluzionin se në temperaturë dhe lagështi të lartë, veçanërisht nën rrezet e diellit, shkurtohet ndjeshëm koha e përgjysmimit sasior të virusit në sipërfaqe të ndryshme, pra ulet shkalla e transmetimit. Gjithashtu, njerëzit janë më të informuar e më të trajnuar për t’u vetëruajtur e distancuar nga të tjerët.


Shqipëria ndjek në tërësi të njëjtin trend, por me disa veçanti. Nga këndvështrimi i masave të autoriteteve ajo është dalluar nga një ane për masa shtrënguese e kufizuese, me gjasa ndër më të rreptat në Europë, nga ana tjetër për një nivel ndër më të ulëtit në Europë sa i takon numrit të testimeve për 1 milion banorë.

Lidhur me masat, jemi ndër të paktat vende europiane që aplikojmë orare të daljes nga shtëpia apo që kanë ndaluar totalisht transportin publik. Kapaciteti tmerrësisht i ulët i spitaleve tona, përfshirë dobësinë parapërgatitore, janë i vetmi justifikim i arsyeshëm i këtyre masave ekstreme.
Lidhur me testet diagnostikuese, gjatë gjithë kohës deri më sot kemi numrin e testeve për 1 milion banorë më të voglin në kontinentin europian, 2-4 herë më të vogël se grup-vendet me nivelin më të ulët të këtij treguesi e deri 25 herë më të vogël se kampionët e testimit në Europë. Shqipëria bën rreth 2 herë më pak teste edhe se Kosova për 1 milion banorë. Në Kosovë, qeveria pranon se numri i ulët është për shkak të vështirësisë në sigurimin e testeve. Në Shqipëri kjo arsye nuk u pranua kurrë nga Kryeministri. As nga Komiteti Teknik.

Për rrjedhojë, grafiku i përditshëm i rasteve të reja në Shqipëri është i paformë, ndryshe nga forma këmbanë – rritje, pik, ulje – në thuajse çdo vend tjetër europian. Për rrjedhojë, ka shumë dyshime mbi nivelin real të prezencës së infeksionit në Shqipëri. Për dobinë e masave ekstreme gjithashtu. Për rrjedhojë, edhe shumë pasiguri për të ardhmen.

Në fakt, nëse pranojmë se shifrat zyrtare, veçanërisht ato të vdekshmërisë dhe gjendjes së rëndë, pasqyrojnë mjaftueshëm saktë realitetin infektiv në popullatë, atëherë edhe shkalla e infektueshmërisë së popullsisë shqiptare, përfshirë ata të infektuar, por pa shenja e që nuk dihen kush janë, matur në vetë të infektuar për 1 milion banorë, është ndër 4-5 më të ulëtat në Europe dhe absolutisht shumë, shumë e ulët, ndoshta nën rendin e 1 për mijë, praktikisht zero. Ndërsa ka vende në Europë që mund të kenë arritur 50 deri 200 për mijë të infektueshmërisë së popullsisë totale të tyre.

Qeveria mburret se ky është rezultat i masave të saj kufizuese. Mund të jetë edhe kështu. Por, si shpjegohet që shkalla e përhapjes së infeksionit mbeti shumë shumë e ulët edhe në rastet e testuara pozitive në lloje aktivitetesh si rrobaqepësitë masive (fasonet) apo call centers që janë aktivitetet me më rrezik për përhapje? Si shpjegohet që raste të grumbullimeve në pazarin e Kombinatit në Tiranë a gjetkë, të bëra alarm nga vetë Kryerilindësi, nuk çuan në identifikimin e të infektuarve të rinj për këtë shkak? Shpjegimet e arsyeshme jane ose se në pikenisje numri i të infektuarve ishte kaq i vogël sa virusi nuk përhapet dot edhe në mjedise të këtilla vulnerable, ose se masat e thjeshta e vetjake të distancimit dalin e teprojnë dhe pra masat ekstreme të qeverisë janë të tepruara dhe kosto tepër e lartë dhe e pajustifikueshme ekonomike e sociale.

Apo ka rol edhe tipologjia e vaksinimit tek ne si dhe në Europën lindore, e ndryshme nga ajo në Europën perëndimore e që shpjegon diferencen e madhe në infektueshmëri dhe vdekshmëri për 1 milion banorë?

Ose mund të jetë e vërtetë hipoteza tjetër se këtë virus e kemi kaluar, pa e kuptuar e në shkallë mjaftueshmërisht të gjerë, në janar e shkurt, e kur u kujtuam për karantinën në 9 mars, virusi e kishte bërë të veten me kohë e vakt ndaj me kot i morëm gjithë ato masa?!

Ndoshta ky do të ishte rasti më fatlum. Por, nëse nuk është ky rasti, pra nëse shkalla e infektueshmërisë së kaluar deri tani është ajo e ulëta fare – as 1 për mije dhe kjo paskërka ardhur si rezultat i masave të qeverisë – atëherë lehtësimi i lëvizjes, në kushtet pa ilaç e pa vaksinë, na klasifikon ndër 4-5 vendet me imunizim të përftuar natyralisht më të ulëtin në Europë, pra me ekspozim më të lartë në Europe nga virusi e pra, çfarë nuk pësuam në valën e parë, mund të pësojmë në të dytën.

Me kaq pak të dhena e me kaq shumë propagandë, asgjë nuk vërtetohet dot, asgjë nuk rrëzohet dot. Se ç’do ndodhë, mbetet për t’u parë dite pas dite.


Etiketa: ,

Pas