Blog

“Pikturat” e Ramës, program politik i shkatërrimit të institucioneve demokratike!








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:20 - 05/08/20 |
Aleks Kapllaj

Programi i qeverisë Rama në dy mandatet e tij është i afishuar në të gjitha paretet e mureve të zyrës së kryeministrisë, ku secila “pikturë” e stilit irracional e jo konvencional e pakapshme për të gjithë, është një objektiv në shkatërrimin e institucioneve demokratike e pluraliste dhe të drejtësisë në Shqipëri.


Që ditët e para të mandatit të parë, që u bombarduam nga mediat për pikturat e Ramës, që e shoqëronin atë në ekspozitat ndërkombëtare, që bënte kryeministri me fondet e shtetit shqiptar, ishin një prezantim i programit të tij në vendet evropiane, duke filluar me abuzimin me pushtetin për qëllime personale.


Stili, ngjyrat dhe raporti i tyre me njëra-tjetrën janë pikat e programit të Ramës në shkatërrimin e pluralizmit dhe kthimin e monizmit në Shqipëri.


Ardhja në pushtet e Ramës me ndihmën e bandave kriminalë, me vjedhjen e votave, me kandidatë me vepra penale brenda dhe jashtë vendit, me të vetmin qëllim, marrjen e pushtetit nga ai, ishin vetëm forma dhe struktura e pushtetit të tij kriminal e antishqiptar, që pasqyrohet me njëngjashmërinë e pothuajse të gjitha “pikturave” që frymëzohej nga paraqitja e jashtme e organeve fiziologjike të mendjes së tij, të ekspozuar publikisht edhe në Francë.


Ngjyrat që ka përdorur Rama në “pikturat” e tij janë ngjyra politike, me qëllim të qartë përdorimin e theksuar dhe dominimin e ngjyrave të bindjeve majtiste, ku çdo gjë është e përdorur në përqendrimin e pushtetit në duart e tij nëpërmjet përdorimit klientelist të pushtetit.

Çdo pikturë përfaqëson një shkatërrim institucioni ose përmbysje e programit që u paraqiti shqiptarëve në 2013-n, ku premtimet u përmbysën duke dhënë rezultate të kundërta, si 300 mijë vende pune u shndërruan në 500 mijë shqiptarë, që braktisën vendin dhe korrupsioni u bë i ligjshëm në administratën publike.

E filloi me programin e ndarjes administrative diskriminuese për një pjesë të Shqipërisë dhe klienteliste për pjesën tjetër, që ishte aplikimi i programit politik të Ramës i shprehur me “artin” e tij në blerjen e votës;

me programin e Reformës së Drejtësisë që kishte si objektiv përdorimin e saj në përqendrimin dhe mbajtjen e pushtetit duke goditur kundërshtarët e tij brenda opozitës dhe jashtë saj.

Në të dyja mandatet krijoi kushtet në kanabizimin e vendit tonë në të gjithë territorin, duke i përdorur kultivuesit e tij si financues të projekteve të tij në bashkëpunim me qeverinë nëpërmjet PPP-ve, përherë me synim final blerjen e votave dhe më vonë legalizimin për qëllime mjekësore.

Largoi Shqipërinë nga Bashkimi Evropian duke na shtuar kushtet nga 9 në 15, për hapjen e bisedimeve e anëtarësimin në familjen evropiane, që deri në fund të mandatit të tij mund të shtohen akoma.

E la vendin pa Gjykatë Kushtetuese dhe zhvilloi zgjedhjet lokale moniste, në kundërshtim me Kushtetutën dhe krijoi komisionin për shkarkimin dhe ndjekjen penale të Metës, pse nuk i kishte dekretuar zgjedhjet, aksion politik i dënuar nga komisioni i Venecias, pra zgjedhjet lokale ishin të jashtëligjshme e nuk kanë asnjë legjitimitet. Më të njëjtin moral bëri zgjedhjet në Universitete, për të treguar besnikërinë ndaj linjës së tij moniste, duke i bërë zgjedhjet me një kandidat, përfaqësues së tij në tempullin e dijes.

Shkatërroi Teatrin Kombëtar me vlera historike dhe kulturore, për qëllime përfitimi me grupet e tij të interesit në mesin e pandemisë.

Vendosi me dhunën e pushtetit në krye të Akademisë së Shkencave, koordinuesin e bandave kriminale të 97-s, Skënder Gjinushin, pa asnjë meritë akademike, por vetëm për meritën e djegies së Shqipërisë dhe veprimtarinë e tij kundër lëvizjes studentore që kur ishte ministër i Arsimit.

Luftoi mediat, gazetarët dhe mbylli padrejtësisht Tv Agon Channel, sepse nuk ishte lajkatar i programit të tij shkatërrues i Shqipërisë dhe tani na kushton 120 mln dollarë dëmshpërblim, pa llogaritur humbjet nga mosdenoncimi i grabitjeve të pasurisë dhe taksave të shqiptarëve, që u ka dhënë Rama me tendera miqve të tij e vazhdon me të njëjtën linjë edhe sot.

Përveç monopolizimit të organeve të drejtësisë, ka vendosur njerëzit me prejardhje komuniste në organet e Rendit dhe të Shërbimit Informativ, me qëllim përdorimin e tyre ndaj kundërshtarëve të tij dhe vendosjen e terrorit komunist, duke i garantuar të gjithë me deklaratën në parlamentin shqiptar, për krenarinë e të qenit në krahun e duhur të historisë si “bijtë e kriminelëve  komunist”.

Kjo, menjëherë pas kritikave të ndërkombëtarëve për prishjen e marrëveshjes së 5 qershorit, për Kodin Zgjedhor, që pasqyrohen me këmbënguljen e tij në vendosjen e “kërpudhës” helmuese në mes të Tiranës, me ngjyrat kuq e rozë, si një pezmatim i klimës politike me pasoja për Shqipërinë në shërbim të pushtetit të tij personal dhe moskokëçarjen ndaj ndërkombëtarëve, që shënon edhe fillimin e fundit të tij.

Për efektin e tyre shkatërrues, me të drejtë “pikturat” e tij, nga shumë analistë, janë konsideruar shkarravina, por për interpretimin aplikues e fanatik nga ndjekësit e tij, shumë kritik të artit, mund t’i klasifikojnë ato në kategorinë e “artit” të së keqes, që buron nga ligësia e inkonshit të tij.


Etiketa:

Pas