Me lodhje dhe stres, e kaloi mjeku Pëllumb Pipero koronavirusin. Infektimi i tij konsiderohet i veçantë, pasi rezultoi pozitiv vetëm dy javë nga injektimi i dozës së parë të vaksinës.
Por, pavarësisht se ka fituar anti-trupa gjatë kësaj periudhe, mjeku thotë se të hënën do të marrë dozën e dytë.
Edhe një herë ai hodhi poshtë lajmet se ishte kuruar jashtë Shqipërisë, duke sqaruar se në Itali shkon shpesh pasi ka familjen, por jo gjatë periudhës që ka qenë i infektuar.
“Ku doli lajmi se isha në Itali, unë isha në Razëm. Nuk kam qenë në Itali për kurim, por kam familjarë atje. Jam mjekuar këtu”, thotë mjeku infeksionist Pëllumb Pipero.
Zgjodhi të mos bëhej mjeku i vetes e kërkoi asistencën e kolegëve.
“Ishte doktor Arjan Harxhi, doktor Mezini, doktoreshë Najada, doktor Mondi, Genti dhe disa të huaj”.
Edhe gjatë kohës që ishte sëmurë e ka ndjekur situatën e pandemisë. Rastet e ri-infektimeve nuk i mohon, por tha se janë të rralla.
“2-3 rastet që kam konstatuar unë kanë qenë asimptomatikë”.
Për arrestimet e kolegëve të akuzuar për korrupsion, Pipero nuk mban anë.
“Janë raste të rralla dhe nuk na e zbardhin faqen. Janë çështje në duart të drejtësisë, prandaj është më mirë të mos japim opinione”.
Vetë ai do t’i rikthehet të hënën vizitave të pacientëve në spitalin Infektiv, të kthyer në COVID1 që prej fillimit të pandemisë në vendin tonë./ Ora News