fbpx

Aktualitet

Pjepri kallp i një shteti të rremë






               Publikuar në : 20:53 - 11/07/19 |
Mapo.al

Mapo.al


Lajmi i fundit se pjepri në tregjet tona është i rrezikshëm dhe jo i vërtetë, i vuri kupën një vargu të madh dilemash, se çfarë në fakt qëndron, dhe mund të merret si e mirëqenë te ne. Në një kohë kur zgjedhjet nuk janë të vërteta, por votime për të çuar deri në fund një kurs trillan të kryeministrit, e po ashtu, sukses i madh sipas tij, në një moment kur integrimi është ndalur por qeveria thotë se jo, karvani po ecën dhe kemi arritje të mëdha në atë drejtim, në një hop kur nuk ka investime të huaja por autoritetet po na dëftojnë se jemi mirë, dhe ekonomia po çan përpara, në ditën kur vetëm Shqipëria nuk merr fonde nga samiti i BE në Poznan, por shefi i ekzekutivit thotë se kjo ngjarje qe një sukses, në këtë atmosferë të rëndë të rënies së besimit, shqiptarët të paktën duhej ta kishin ndarë mendjen se pjepri i tyre, në përgjithësi prodhimet e tokës pjellore dhe klimës sonë të mrekullueshme, duhej tek e mbramja, ato të ishin të sakta, të pakomprometuara, bio si me thënë. Po ja që as kjo nuk ndodh. Edhe aty ka futje duarsh, ka manipulim. Rënia e pjeprit, është simbolika që tregon se këtu thjesht asgjë nuk funksionon. Se çdo gjë është sa për sy e faqe, t’ia hedhim dhe sot, të kalojë dhe kjo, dhe disa, ata që janë në krye, të vazhdojnë të ngjeshin yzengjitë e të kalërojnë fort vendin bashkë me asetet e tij.



Nëse ne do ishim ai entiteti i premtuar, pra shtet, shtet, shtet, zor se këto gjëra do të ndodhnin.

Sepse një shtet që është shtet, nuk vonon një javë të shpallë një rezultat zgjedhjesh, ku nuk ka pasur kurrfarë gare, përpos lëshimit kryengulthi të militantëve për ta nxjerrë sa më lart pjesëmarrjen, çka iu solli andralla të mëdha tërë komisioneve që u detyruan të shkelnin disa herë mbi fjalën e tyre për të përputhur rezultatin zyrtar me shkulmat e nervozizmit të sfidës së rilindasve. Në një shtet si ai që është premtuar e trumbetuar, madje dhe realizuar, që po e jetojmë sipas propagandës së kryeministrit, policia nuk mund të kthehet në agjenci mbështetëse të Partisë Socialiste, dhe të përfshihet në replika me një publicist kritik ndaj qeverisë, siç është Fatos Lubonja, duke bërë çmosin për ta nxjerrë një akt dhune ndaj makinës së tij, si një koincidencë koti që ndodh rrugëve tona, por që fati i keq ia solli shkrimtarit që denoncon çdo ditë kryeministrin. Në të lumturin shtet ku, referuar deklaratave të qeverisë, ne jetojmë, nuk do të kishte shans që tërë paratë e vendit t’i merrnin një grusht njerëzish, miq të shefit të madh, dhe kostot e faturat të fryheshin sipas oreksit të tyre, e mandej, 2 milionë e ca të tjerët, të bëjnë ç’të duan, t’i japin vetë drejtim jetës. Në shtetin që ia kemi mbërritur, sipas propagandës së kryeministrit, nuk mund të rrinë njerëzit si sardelet 3 orë në trafik në një segment pak kilometërsh siç është Thumanë–Fushë-Krujë, sepse dikujt i është tekur të bëjë gjasme një punim atje, apo sepse, edhe pse policia gjendet aty, askush nuk respekton radhën, por futen dyshe e treshe, duke mpiksur edhe më keq, një menaxhim skandaloz të infrastrukturës dhe trafikut.

Në një të bekuar shtet siç ne e kemi, sipas fjalës së qeverisë, nuk ndodh që pasi kryeministri ka marrë gjithë pushtetet, mediat kryesore, 61 bashkitë e vendit, çdo hapësirë ekzekutive, parlamentare e gjyqësore, çdo cep të territorit, sërish ai që sundon nuk ka asnjë gram përgjegjësi dhe nuk ka pse ta ndiejë të reflektojë pse punët shkojnë përditë për dreq, por prapë fajin e ka opozita, portalet, dhe analistët. Dhe, në atë të ndriturin shtet që gëzojmë, sipas Edi Ramës, nuk do të kishte shans që edhe pjepri të ishte kallp. Në fakt, kjo është metafora që tregon më së shumti çfarë po ndodh. Pjepri me nitrat dhe i rrezikshëm për shëndetin, është tamam qeverisja jonë. I këndshëm së jashtmi, me ngjyrë ekzotike, i rrumbullakët dhe joshës. Problemi është sa ta hapësh. Aty del horllëku, siç thonë shkodranët.


Etiketa: , , , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas