Friday, July 15, 2022
  • Login
Gazeta Mapo
  • Shqipëria
    • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Ekonomi
    • Sociale
  • Opinione
    • Editorial
    • Analizë
    • Koment
    • Blog
    • Gjeopolitikë
  • Universiteti
    • Politologji
    • Jurisprudencë
    • Economi
    • Inovacion
    • Mjekësi
  • Bota
    • BE
    • Kosova
    • Maqedoni
    • Mali i Zi
    • Globi
  • Revista
    • Libri
    • Letërsi
    • ShowBiz
    • Shije
    • Sport
No Result
View All Result
Gazeta Mapo
No Result
View All Result

Pjetër Arbnori: Në birucat e Burrelit intelektualët përkthenin për krerët e regjimit

by mapo.al
24/08/2020
in Aktualitet, Dikur
0

“Si shfrytëzoheshin njohuritë e të burgosurve Mirash Ivanaj, Mitrush Kuteli, Gjon Shllaku, Vexhi Buharaja etj. Me përkthimet fitonim vetëm 2 kg sheqer në muaj”

Në vitet e burgut, intelektualët shfrytëzoheshin për t’i shërbyer pushtetit. Udhëheqësit donin të dinin ç´ndodhte në botë, me historinë, mendimin, letërsinë, ekonominë, politikën, shërbimet sekrete etj. Për këtë shërbenin njohuritë e shumta të Mirash Ivanajt, Mitrush Kutelit, Gjon Shllakut, dhe shumë eruditëve të tjerë, të cilët ishin të detyruar të përkthenin librat që u duheshin pushtetarëve, të cilët i mbanin vetëm për vete. Ata libra nuk botoheshin për masën dhe nuk dilnin kurrë jashtë rrethit të ngushtë të udhëheqjes. Një ndër të burgosurit që u detyrua të përkthente në burgun e Burrelit ishte edhe Pjetër Arbnori. Në këtë intervistë të tijën të vitit 2004 ai e shpjegon imtësisht procesin e punës së përkthimit të detyruar në burgjet komuniste.

Si u njohët ju me përkthimin e detyruar në burg?

Në pranverë të vitit 1951, ime motër Antonjeta, u burgos për të dytën herë politikisht. Mbasi ndenji shumë kohë e izoluar dhe pak kohë në burgun e madh të Shkodrës, e dënuar me dhjetë vjet, një ditë na erdhi në shtëpi një zarf i hapur me adresën e saj të re: BURGU I ARMIQVE TË POPULLIT. PUNËTORIA QENDRORE E ARTIZANATIT E MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, TIRANË. Mbërrita në një fushë të larë, ku më zuri syri një kamp përqendrimi të rrethuar me mure të larta, tela me gjemba dhe korrenti dhe kulla rojash.

– Tek ajo dritarja me hekura e katit të dytë, roja vrau kot së koti Kasem Zhupën, diversantin e hedhur me parashutë bashkë me Ethem Çakon, – na shpjegoi një ish i burgosur që kthehej për të marrë vërtetimin e punës.

– Ndërsa në arën aty përballë, te shtëpia përdhese, ku dallohet një pllakë mermeri, qe rrethuar dhe vrarë Qemal Stafa dhe qe arrestuar nga fashizmi e fejuara e tij, Drita Kosturi, komuniste e orëve të para.

– Drita Kosturi – ndërhyra unë për t’u shitur se di edhe unë diçka – tani është dënuar përsëri njëzet vjet nga shteti komunist si “spiune e imperializmit”. Tani ka ardhur këtu nga Shkodra bashkë me motrën time dhe paska çdo ditë përballë vendin ku iu vra i fejuari dhe u arrestua vetë. E dhimbshme shumë!

E dhimbshme, po sa më pak të flasësh, aq më mirë është për ty! Te porta e madhe e hekurt, pranë një kanali me ujë të ndenjur, ishin ngulur si kryqe ca dërrasa të shkruara me të zeza: ARMIQTË… ORDINERËT… OFICINA… RROBAQEPSIA… MESAGJERIA…

Pranë secilës dërrasë, ishin grumbulluar sopratasa dhe torba me emra të varur që prisnin radhë, për t’u futur brenda portës. MESAGJERIA kishte më pak torba, dhjetë apo pesëmbëdhjetë. Ish i burgosuri më tregoi se në atë sektor, gjendeshin përkthyesit.

Akoma nuk e kam marrë vesh, përse ai sektor quhej “Mesagjer”, sado që kam kontrolluar shumë fjalorë të huaj dhe sado që mbahem se kam përkthyer libra nga katër gjuhë të huaja.

Pas shtatë vjetësh, kur motra kreu dënimin e dytë më shpjegonte nder të tjera: Ishin herë dy, herë tri dhoma përkthyesish. Në to ishin të mbyllur njerëz ndër më të nderuarit e burgjeve, qoftë nga dituria, qoftë nga pozita që kishin pasur. I shikoja nga larg, por e kishim të ndaluar të komunikonim me ta. I pari, ishte Mirash Ivanaj, ish-ministri Reformator i Arsimit i kohës së Zogut. Më 1945, Enver  Hoxha e ftoi të vinte nga mërgimi nga… “për të ndihmuar atdheun”. E thirri në zyrë, diskutuan gjatë bashkë, nuk u morën vesh në asgjë dhe diktatori Hoxha e dërgoi të ftuarin në burg, e dënoi, e la të vdiste nga sëmundjet dhe uria. Është proverbiale që te tabela MESAGJERIA, nuk dukej kurrë një torbë apo një sopratas me emrin e Mirash Ivanajt, por është edhe më proverbiale fakti që çdo drekë, idealisti Ivanaj shtronte një mësallë të pastër, një copë bukë, një pjatë me bollgur të neveritshëm, një vezë të zier, kurrë të qëruar, gjithmonë të mbështjellë, me muaj pa u ngrënë, një copë djath të thatë që gjithnjë e çonte te goja, po kurrë nuk e kafshonte, në mënyrë që të mos i jipte njeriu gjë, e as të mos pranonte një ushqim prej të tjerëve. Në këto kushte, përktheu me muaj e vite profesori i nderuar dhe ne, nxënësit e asaj kohe, mësonim dispensa të përgatitura prej tij dhe shokëve të tij, derisa ai dha frymën e fundit. Në Mesagjeri punoi edhe shkrimtari madh Mitrush Kuteli. Aty përkthente edhe Ali Cungu, nxënës i dalluar i shkollës teknike amerikane, BeqirHaçi, Gjon Shllaku, përkthyesi i Homerit, Vexhi Buharaja, e shumë e shumë të tjerë.

Po ju si hytë në rrethin e këtyre përkthyesve?

Nëpër kampe, komisarët u porositën të pyesnin: Cili dinte gjuhë të huaja: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, latinisht, greqishte të vjetër apo turqisht. Gjuha e parë për të cilën pyetej, ishte rusishtja, por asnjeri prej të burgosurve të parë, nuk e dinte atë. Shumë autodidaktë, u vunë për ta mësuar atë me ngutje, meqë më 1949 rusishtja u bë gjuhë kryesore përkthimi. Më vonë, u zgjidh problemi thjesht: U arrestuan pas 1961 shumë prosovjetikë, që kur nuk u pushkatuan si spiunë, u vunë të shërbejnë si përkthyes nëpër biruca.

Në atë kohë Akademia e Shkencave kishte mbetur pa specialistë, ministria e Arsimit kishte mbetur pa tekste. Ministria e Punëve të Jashtme pa konventa të përkthyera. Partizanët entuziastë mund të vrisnin për një minutë dhjetëra njerëz të ditur, por nuk mund të krijonin me “normë” shkollarë të përgatitur.

Në fillim të vitit 1961, u arrestova dhe gjeta shumicën e brezit të vjetër të vdekur, të kaluar nga burgu në internim, apo “të lirë” që gjallonin si “mumie”, as shikonin, as dëgjonin, as flisnin për të mos përsëritur burgun që megjithatë u gjindej sebepi për t’iu futur dy herë e tri herë brenda. Pas katër vjetëve izolim dhe dy vjetëve kamp ndërtimi, më transferuan si të pabindur e të pakorrigjueshëm në Burgun e Burrelit.

Një ditë, ne që ishim më veshhollë, dëgjuam urdhrin “të gjithë brenda”, zhurmën e nallaneve që shpejtonin me ngut dhe simfoninë e shulave të rëndë që mbylleshin me kyçe. Këpucët e rënda të rojës, po afroheshin në korridor. Shikova me bisht të syrit djathtas e majtas. Nxora një palë çorape të leshta nga nënkresa dhe i vesha. Futa dy-tri shami hundësh në xhepa. Pa bërë zë, i mora një shoku një zhile të leshtë. Kërciti dera dhe u thirr emri: Pjetër Arbnori në komandë! Në të ngritur, kapa xhupin e pambuktë mes dyshekëve që ta kisha për çdo rast.

Një numër oficerësh madhorë ndodheshin përballë meje në zyrë. Në qendër një zëvendësministër i Punëve të Brendshme. Ndërsa mbi tryezën e ndritshme ishte një turrë librash të rinj, me kopertina të shkëlqyera botimesh të huaja. Ju kemi sjellë për të përkthyer disa libra që na duhen. Merrini, shikojini. Kështu më thanë ndërsa unë i mora nëpër dorë.  Na duhen shpejt dhe me cilësi. Do të punoni në dhoma të veçanta. Askush nuk duhet t’i lexojë, as librat, as dorëshkrimet. Ta kemi prerë, dënoheni… dhekësisoj u futa dhe unë në rrethin e tyre.

Ju shpërbleheshit për punën e detyruar që bënit në birucë?

Shpërblimin a thanë që atë ditë. “Do të keni racionin e bukës tetëqind gram, një gjellë pak më të mirë, do të keni sipas normave nga dhjetë lekë në ditë shpërblim dhe nga dy ditë e shtatëdhjetë cent zbritje dënimi në muaj. Takim të zgjatur me familjen nga 20 minuta, një herë në muaj. Në banjo do të shkoni sa herë të keni nevojë. Dhoma të lira nuk kishte asnjë në Burrel. Edhe më e pakta, kishte tridhjetë vetë brenda. Në vend të dhomave, na dërguan në katër biruca. Na vunë nga një gjysmë të prerë fuçie bitumi bosh dhe qyngje sobe. Dritares së boshatisur i vunë për të parën herë nga një xham ose nga një karton; sollën nga një tavolinë, dy karrige, një tufë me letra të bardha; diku po diku jo nga një makinë shkrimi.

Sa përkthyes ishit në rrethin ku bënit pjesë edhe ju?

Ishim ndarë në çifte. Isha unë dhe Uran Kalakulla; Engjëll Çoba, jurist, zëvendës ministër dhe Xhavid Qesja sekretar i parë i Komitetit të Partisë së Qarkut Shkodër; VangjelLesho gazetar, dhe Iljaz Spahiu nëpunës ambasade në Rusi; Fehmi Frashëri nëpunës ambasade, ekonomist në Rusi dhe Ivan Çami inxhinier.

Dhe cila ishte dita juaj?

Gjithë ditën shkruanim papushim në biruca, natën shkonim për të fjetur në dhomat tona; ajrimin e bënim secili në kohën e caktuar me dhomën e vet. Problemi ishte se rojat nuk kishin dëshirë të na takonin me dhomat e tjera, sidomos ne “spiunët” e Perëndimit me të dënuarit “antiparti”, ose si quheshin ndryshe “të mesit” apo “revizionistët”.

Cilët ishin librat e parë që ju sollën për të përkthyer?

Në fillim na sollën disa  libra. Ishte “Ditari i kolonelit Penkovskij” – një kolonel i zbulimit sovjetik i vënë vullnetarisht në shërbim të IntelegentService britanike dhe CIA-s amerikane, në kohën e krizës së Berlinit dhe krizës së raketave në Kubë, i cili dha mbi 5000 dokumente origjinale dhe informacione sekrete sovjetike gjatë viteve 1959-1962. Këtë libër e kam përkthyer unë dhe Uran Kalakulla.  Ishte edhe “Lufta Partizane në Ballkan”. Dokumente sekrete mbi marrëdhëniet dhe bisedimet Tito-Churchill, Tito-Stalin. Marrëdhëniet e komunistëve jugosllavë – shqiptarë e grekë. Këtë e përkthyen Engjëll Çoba dhe Xhavid Qesja. Ndërsa VangjelLesho dhe Ivan Çani përkthyen “Libër mbi CIA, teknikat njerëzore e shkencore”. Unë kam përkthyer në atë kohë edhe librin “Lufta u fitua në Zvicër 1939-1945 Çështja Roessler – “Lucy” dhe “Kundërzbulimi francez”.

Në ç’kushte punonit, a kishit presion?

Dhoma të lira nuk kishte asnjë në Burrel. Edhe më e pakta, kishte tridhjetë vetë brenda. Në vend të dhomave, na dërguan në katër biruca. Na vunë nga një gjysmë fuçie të prerë bitumi bosh dhe qyngje sobe. Dritares së boshatisur i vunë për të parën herë nga një xham ose nga një karton; sollën nga një tavolinë, dy karrige, një tufë me letra të bardha; diku po, diku jo nga një makinë shkrimi. Çiftet ishin: 1) Pjetër Arbnori – Uran Kalakulla; 2) Engjëll Çoba, jurist, zëvendësministër – Xhavid Qesja, sekretar i parë i Komitetit të Partisë së Qarkut Shkodër; 3) Vangjel Lesho, gazetar – Iljaz Spahiu, nëpunës ambasade në Rusi; 4) Fehmi Frashëri, ekonomist, nëpunës ambasade në Rusi – Ivan Çami, inxhinier – Qamil Disha nëpunës i Komitetit të Partisë së Punës.

Gjithë ditën shkruanim pa pushim në biruca, natën shkonim për të fjetur në dhomat tona; ajrimin e bënim secili në kohën e caktuar me dhomën e vet. Problemi ishte se rojat nuk kishin dëshirë të na takonin me dhomat e tjera, sidomos ne “spiunët” e Perëndimit me të dënuarit “antiparti”, ose si quheshin ndryshe “të mesit” apo “revizionistët”.

I vetmi ishte ish-sekretari i përgjithshëm i kryeministrit Mustafa Kruja, juristi i njohur Ejëll Çoba dhe ish-sekretari i parë i Partisë së Punës së Qarkut Shkodër, Xhavid Qesja, i dënuar, sepse e quajti kryengritjen hungareze të 1956-s revolucion dhe jo “kundërrevolucion”. Xhavid Qesja, i indinjuar nga shokët e vet të majtë, që ishin pro pushtimit të Çekosllovakisë më 1968 nga trupat ruse të Brezhnjevit, bëri një grevë urie dhjetëraditëshe, deri sa doli nga dhoma e komunistëve e vajti në birucë.

“Pjesë e një interviste të gjatë të PjetërArbnoritdhënë në vitin 2004”

Tags: krimet e komunizmitPjetër Arbnori

JU SUGJEROJME

Aksident në Itali/ Humbi kontrollin e makinës, vdes në aksident 36-vjeçari shqiptar
Bota

Aksident në Itali/ Humbi kontrollin e makinës, vdes në aksident 36-vjeçari shqiptar

14/07/2022
Bordi i Transparencës, bien çmimet e naftës dhe benzinës
Aktualitet

“Transparenca” e karburanteve, bordi vendos çmimet e reja

14/07/2022
Durrës/ Kush është heroi që shpëtoi vëllain dhe shokun e tij, por u mbyt vetë
Aktualitet

Durrës/ Kush është heroi që shpëtoi vëllain dhe shokun e tij, por u mbyt vetë

14/07/2022
“Vdiq tregtari i vdekjes”, si mund të ishte globi pa dinamitin dhe bombën bërthamore
Bota

“Vdiq tregtari i vdekjes”, si mund të ishte globi pa dinamitin dhe bombën bërthamore

14/07/2022
Next Post
Veton Surroi: Krizë politike në tri shtete shqiptarësh

Një udhëtim në Washington

No Result
View All Result

     





Më Të Lexuarat

  • Aksident në Itali/ Humbi kontrollin e makinës, vdes në aksident 36-vjeçari shqiptar
  • Soni Malaj poston foto me bikini, ish-partneri e “ngacmon”, ja çfarë komenti i bën ai
  • SHBA bashkon deputetët e PD-së me të PS-së në Uashington, reagon dhëndri i Berishës
  • Mosmarrëveshjet politike për përballimin e krizës ekonomike, dorëhiqet kryeministri italian
  • Gjiknuri thirrje drejtësisë të ndryshojë kah, është ‘djathtas radha e goditjeve’



Editorial: [email protected]
Synimi: Ndikimi në debatin dhe veprimtarinë e aktorëve shoqëror përmes përthyerjes së ngjarjeve dhe fenomeneve me interes publik është synimi kryesor i Gazetës

Editorial: [email protected]
Synimi:
Ndikimi në debatin shoqëror dhe veprimtarinë e aktorëve shoqëror përmes përthyerjes së ngjarjeve dhe fenomeneve me interes publik është synimi kryesor i Gazetës

Marketing

Drejtore Marketingu
Bleona Mehaj
Tel : +355675852188
Email : [email protected]

2022. Te gjitha te drejtat e rezervuara
Dev by Wearedope.com

No Result
View All Result
  • Shqipëria
    • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Ekonomi
    • Sociale
  • Opinione
    • Editorial
    • Analizë
    • Koment
    • Blog
    • Gjeopolitikë
  • Universiteti
    • Politologji
    • Jurisprudencë
    • Economi
    • Inovacion
    • Mjekësi
  • Bota
    • BE
    • Kosova
    • Maqedoni
    • Mali i Zi
    • Globi
  • Revista
    • Libri
    • Letërsi
    • ShowBiz
    • Shije
    • Sport

2022. Te gjitha te drejtat e rezervuara
Dev by Wearedope.com

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In