fbpx

Aktualitet

Pjetër Mjeku, rilindasi mirditas në Shkodër





               Publikuar në : 09:44 - 05/09/19 |
Nga Bardhok Bardhoku

Doktor Kadri Kërçiku, në librin e tij “Zhvillimi i shëndetësisë në Shkodër gjatë shekujve XVIII-XX” thotë se “në kujtimet popullore të pleqve shkodranë ngulmohet se ka qenë mjek edhe Pjetër Heqimi, i cili pati vdekur më 7 dhjetor 1887.”


Nga Bardhok Bardhoku



Është folur e shkruar për Pjetër Heqimin (1800-1887) këto kohë, por vetëm falë Fototekës së mirënjohur “Marubi” në Shkodër u bë e mundur gjetja e fotografisë së kësaj figure, jo aq të njohur për publikun e sotëm, edhe pse ka qenë njëri nga themeluesit e mjekësisë shqiptare në shekullin XIX. Fotografia e bërë nga Marubët, që botohet për herë të parë sot, paraqet doktor Pjetër Heqimin (Mjeku) dhe të birin Bardhokun, ky i fundit mjek popullor.


Pjetër Mjeku u lind në fshatin Malaj të Kthellës (Mirditë), nga dera e parë e saj, shtëpia e Përsimonit, në Kthellë-Epër, e përfaqësuar në atë kohë nga Doç Simoni e Prengë Simoni, vëllezër. Mësimet e para Pjetri i vogël i mori pranë Kishës së Madhe të Kthellës në Malaj, siç thirrej nga banorët, e cila ishte në emrin e Shna Vlashit. I ndihmuar nga meshtarët e kësaj kishe, Pjetri është dërguar në Shkodër ku kreu arsimin e mesëm. Duke parë rezultatet e larta në mësime dhe kërkesën e trupës pedagogjike, me mbështetjen e Princit të Mirditës, është dërguar për të kryer studimet e larta për mjeksi në Austri. Pasi u diplomua mjek atje, Dr. Pjetri është kthyer dhe ka punuar në Shkodër së bashku me Dr. Kol Ndoja – Suma, që thirrej dhe Kol Heqimi, duke qenë doktorët e parë shqiptarë në këtë qytet. Pjetër Mjeku, sa i përket shërbimit mjekësor e shëndetësor, ka ndihmuar dhe në vendlindjen e tij, Mirditë dhe zonat e tjera veriore: Lezhë, Pukë, Malësi të Madhe, Dukagjin, por dhe në Kosovë, trojet shqiptare Mal të Zi etj.

Pjetër Mjeku ishte atdhetar, ku si mjek dhe bashkëluftëtar me Bib Dodën, ka marrë pjesë në Luftën Ruso-Turke në vitin 1854 – 1856, ku mirditorët treguan trimëri të madhe në viset e Danubit. Ai përmendet dhe për pjesëmarrjen e tij në kuvendet e kryengritësve në Mirditë, Lezhë e Shkodër, për liri e pavarësi, kundër sundimit turk.

Doktor Kadri Kërçiku, i pari që ka hedhur dritë mbi këtë figurë, në librin e tij Zhvillimi i shëndetësisë në Shkodër gjatë shekujve XVIII-XX, botim i vitit 1962, Tiranë, shkruan: “…por para këtij mjeku të huaj (është fjala për Dr. Pjere Armand Thomas, me origjinë frënge), në Shkodër gjendeshin edhe dy mjekë shqiptarë, për të cilët na mungojnë të dhënat e sigurta, për t’i cilësuar mjekë të vërtetë, të diplomuar në ndonjë shkollë të huaj. Ndoshta shkollat e nalta ata i kanë kryer në Itali, meqenëse në atë kohë nuk ekzistonin universitete me fakultetin e Mjeksisë në perandorinë turke… Por gojëdhanat e popullit të Shkodrës, si dhe kujtimet e familjarëve të pasardhësve të tyre, na sigurojnë se ka pasë mjekë shqiptarë që kanë ushtruar profesionin në Shkodër. I pari ka qenë Kol Suma, i mbiquajtur Kol Heqimi. Në kujtimet popullore të pleqve shkodranë ngulmohet se ka qenë mjek edhe Pjetër Heqimi, i cili pati vdekur më 7 dhjetor 1887”. (faqe 202-203.) Merita e profesor Kërçikut është se pati gjurmuar dhe në dokumentet e Gjendjes Civile në Shkodër, duke gjetur datën e vdekjes së Pjetër Heqimit, që dëshmon se ai pati jetuar, shërbyer dhe qe varrosur në Shkodër në shekullin XIX. Vlen të saktësojmë se i ati i Pjetrit mbante dy emra, Llesh e Bush, dhe jo Jak siç shkruhet në libër. Ky mospërkim i emrit të babës nuk do të thotë kurrësesi se bëhet fjalë për dikë tjetër, pasi të dhënat e trungut familjar, dhe jo vetëm ato, nuk lënë vend për mëdyshje. I biri i tij, Bardhoku, që ka vdekur në vitin 1927, e kishte treguar me hollësi në familjen e tij të origjinës në Malaj veprimtarinë e të atit, Dr. Pjetër Mjekut.

Pjetër Prengë Bardhoku, pasardhës i drejtpërdrejtë i Pjetër Mjekut, ruante shumë kujtime nga të vjetrit, edhe për faktin se ai qe rritur nën kujdesin e gjyshit të tij, Bardhok Mjekut, që nuk u bë mjek me diplomë si i ati, Pjetër Heqimi, por shërbeu si mjek popullor, duke e çuar më tej traditën familjare. Ai thoshte se në shtëpinë tonë, në Malaj, ka qenë një kënd me shishe me ilaçe etj., por fatkeqësisht shtëpia qe djegur në dhjetëvjeçarët e parë e të shekullit XX, duke u shkrumbuar dhe tradita mjekësore e familjes “Mjeku”, siç njihej tashmë në popull.

Libri i Dr. Kërçikut qe sjellë në familjen “Mjeku” në Malaj nga doktor Paulin Shqalshi, kardiolog, i pari mjek në Mirditën e pas Luftës së Dytë Botërore. Ai ndihej krenar që ishte nga i njëjti fshat me Pjetër Mjekun, për të cilin kishte dëgjuar të flitej me admirim nga mjekët e vjetër, profesorë të tij, si Kërçiku, Shiroka, Theodhosi, Basha, Mborja, Hoxha etj.

Në Malaj dhe Tenë është folur deri vonë në çdo vatër për Pjetër Mjekun. Disa të moshuar të viteve ’50-60, kaluar të njëqindat në atë kohë, kishin trashëguar mjaft informacion për doktorin e tyre, si Ndrec Prengë Marku, Ndue Preng Shqalshi, Preng Mark Syziu etj.

Për figurën e këtij mjeku rilindas, me origjinë nga Mirdita, kanë shkruar vitet e fundit Pashk Doçi e Ded Mjeku të gjakut të tij, si dhe Ndue Dod Biba, Preng Lleshi, Dod Pjetri, Mëhill Mardeda, Ndue Dedaj etj. Ai ka hyrë dhe në këngën popullore: “Pjetër Mjeku një rreze e dritës/

Ka shëndosh Pashën e Mirditës,/Me gjithë shpirt e krenari/Iu shërbente vllazënve të tij…”.

Mirdita ka bërë emër në historinë e kombit shqiptar. Ajo është thirrur “Mirdita e kuqe” qysh në kohën e Rilindjes, nga qëndresa e saj heroike për mbrojtjen e trojeve, gjuhës amtare, vetëqeverisjes dhe besimit katolik. Figurat e saj historike janë njerëz të pushkës, besimit, penës dhe diturisë. Kontributit të shquar të Pashko Vasës, Bib e Prengë Bib Dodës, Abat Prend Doçit, Gjergj Fishtës, Dom Nikollë Kaçorrit i duhet shtuar dhe ai i doktorit Pjetër Mjeku (Heqimi), veprimtaria e të cilit është i lidhur kryesisht më Shkodrën.

Së fundi, një falënderim për Fototekën “Marubi” dhe punonjësen e saj të apasionuar pas vlerave të traditës, zonjën Semiha Osmani, që na ka mundësuar fotografinë e Pjetër Mjekut me të birin, duke i dokumentuar kështu kujtimet dhe shënimet historike për të.


Etiketa: , ,

Pas