Krijimtaria, domethënë “fantazia” (përpunimi) e autorit të një shkrimi është në nivelin maksimal, kur ai e përpunon tekstin në mënyrë të pavarur, pa iu referuar studimeve të tjera, por natyrisht një shkrim shkencor nuk krijohet pa u bazuar edhe te shkrime të tjera.
Nga Vladimir Kola
Lind pyetja, si shmanget plagjiatura? Natyrisht përgjigjja nuk është e thjeshtë dhe nuk ka dyshim se mund të ketë interpretime të ndryshme mbi këtë çështje. Gjithsesi, pavarësisht interpretimeve të ndryshme, do të thosha se së pari, shmangien e plagjiaturës do ta lidhja me origjinalitetin e një pune intelektuale apo artistike. Siç e thamë, në ditët e sotme është e vështirë të ketë ndonjë punë intelektuale 100 % origjinale (e re), sepse në fund të fundit, një studim të ri që e zhvillojmë, të paktën pjesërisht, është zhvilluar më parë nga studiues të tjerë, me strukturë, me terminologji dhe fjali të tjera. Për shembull edhe temat që po trajtoj unë në këtë shkrim, të paktë pjesërisht, janë zhvilluar më parë nga studiues të tjerë, por mënyra si ndërtohet studimi, mënyra si trajtohet çështja, përpunimi i tekstit etj., ndryshojnë.
Të shohim se çfarë thotë në një rast, Gjykata Supreme e SHBA-së lidhje me të drejtën e autorit, të cilin deri diku mund ta përdorim për të folur edhe për plagjiaturën. Në një vendim të vitit 1991 që e përmendëm edhe më parë, Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës argumenton se origjinaliteti lidhet me një punim intelektual të pavarur (i një individi apo një grupi individësh etj.), dhe me faktin se ai punim duhet të ketë një nivel minimal krijimtarie (creativity). Pra, punimi duhet ta dallojë autorin apo autorët (i pavarur) nga studiues të tjerë dhe duhet të ketë brenda pak krijimtari. Siç mund ta kuptoni, nëse dallimi i autorit apo autorëve është një çështje relativisht e thjeshtë, më e komplikuar është çështja e përkufizimit të fjalës krijimtari.
Në vendimin e Gjykatës Supreme të SHBA-së, është përdorur fjala “creativity”. Po të shkojmë te fjalori i Cambridge, të cilin mund edhe ta konsultoni falas në internet, fjala creativity përkufizohet “the ability to produce original and unusual ideas, or to make something new or imaginative” (“aftësia për të prodhuar ide origjinale dhe të pazakonta, apo për të bërë diçka të re ose imagjinare”). Nëse e lidhim fjalën origjinalitet me creativity dhe me përkufizimin e creativity që përmendëm më sipër, ka pak lojë fjalësh, domethënë nga një anë origjinaliteti ka brenda creativity dhe nga ana tjetër creativity është prodhimi i ideve origjinale. Gjithsesi, përtej lojës së fjalëve, te përkufizimi i mësipërm i creativity do të ndalesha te mbiemrat i pazakontë dhe imagjinar. I pazakontë do të thotë diçka e veçantë, domethënë të mos paraqesësh një gjë siç është paraqitur zakonisht. Në këtë kuptim, lista me emrat, zonën e banimit dhe numrin e telefonit që i kishte përpiluar Rural Telephone Service Company, Inc., nuk përbënte diçka origjinale, domethënë ishte thjesht një renditje e zakonshme sipas rendit alfabetik. Sidoqoftë, akoma më i rëndësishëm është mbiemri imagjinar. Në lidhje me këtë fjalë dua së pari t’i referohem dhe të citoj Fjalorin e Gjuhës Shqipe të vitit 1980, të cilin e gjeni edhe në internet, ku ndër të tjera thuhet, imagjinar “Që nuk është i vërtetë e real, që vetëm merret me mend, që është pjellë e mendjes”. Edhe në Fjalorin e vitit 2006, te fjala imagjinatë, ndër të tjera, thuhet “krijim a pjellë e mendjes, trillim, fantazi”.
E konsideroj interesante të vë theksin mbi “pjellë e mendjes” dhe “fantazi”, sepse origjinaliteti është pikërisht diçka që lind në mendjen e dikujt dhe natyrisht nuk mund të lindë pa pasur fantazi. Në lidhje me fjalën fantazi, nuk duhet të keqkuptohemi, sepse fantazi mund të kuptohet edhe negativisht, domethënë të shpikësh të dhëna apo referime të pabazuara dhe në këtë rast do të ishte një veprim i dënueshëm, në lidhje me kërkimin shkencor, sepse siç do e shohim do të bëhej fjalë për fabrikim (shpikje të dhënash). Duke pasur parasysh sqarimin që bëra mbi fjalën fantazi, do të thosha se, jo vetëm një roman apo një poeme etj., por edhe një shkrim shkencor, për të qenë origjinal, përtej referencave, është e nevojshme që atij që po shkruan, t’i lindin ide dhe të ketë fantazi, në strukturën e shkrimit, në përpunimin e tekstit dhe në ndërtimin e fjalive etj.
Meqë jemi duke folur për fantazinë, siç mund ta imagjinoni, kush ka lexuar dhe reflektuar shumë mbi një temë të caktuar ka edhe më shumë “fantazi”, pra i pjell truri më shumë për të shkruar, krijuar etj., mbi atë çështje. Prandaj, do të thosha nuk duhet të nënvlerësohet ky aspekt, sepse e thamë se plagjiatura është e lidhur me kopjimin dhe po të reflektojmë mirë, në fund të fundit kopjimi a nuk është mungesë fantazie? Pra, kur dikush që kopjon punën intelektuale të dikujt tjetër, nuk ka nevojë që për atë kopjim t’i lindin shumë ide apo fantazi, sepse i mjafton vetëm ideja e kopjimit. Gjithnjë te kopjimi, për shembull në lidhje me përkthimin, pak fantazi duhet, sepse kur je duke përkthyer mund të gjykosh se sipas mendimit tënd ka “boshllëqe” në tekst etj., por gjithsesi edhe te përkthimi “fantazia” është shumë e kufizuar. Ndërsa te perifrazimi natyrisht që ka sadopak nivel “fantazie”, duke qenë se je duke shprehur, me fjalë të tjera, mendimin e dikujt tjetër. Në fund, natyrisht përpunimi i tekstit në mënyrë të pavarur (pa kopjuar, pa perifrazuar) është shkalla më e lartë e “pjelljes së mendjes” apo e “fantazisë”, në kuptimin pozitiv të fjalës fantazi.
Prandaj, në këtë kuptim, për shembull thjesht mbledhja e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për një periudhë të caktuar, ta zëmë për vitet 2010-2015, natyrisht nuk përbën një punë shkencore origjinale, sepse në këtë rast është vetëm puna materiale e mbledhjes së vendimeve, por mungon, duke u lidhur me atë që thamë më sipër, kreativiteti (fantazia, përpunimi i fjalive, lindja e mendimeve në trurin tonë etj.). E njëjta gjë mund të thuhet edhe për pjesë të përzgjedhura për një temë caktuar, nga shkrime të mëparshme, si për shembull: nga romane në shqip, nga studime mbi sëmundjet kardiake, nga studime mbi politikën monetare etj. Në këtë rast ka angazhim më të madh, se rastet e mësipërme, te përzgjedhja e tekstit, por gjithsesi mungon përpunimi apo kreativiteti, kështu që pjesë të përzgjedhura nga shkrime të tjera të përmbledhura në një shkrim të ri, nuk përbejnë një studim origjinal, edhe nëse shpjegohet dhe referohet në mënyrë të qartë burimi nga ku janë përzgjedhur. Thënë ndryshe, sa më shumë të paraqitet një studim si një shkrim me pjesë të përzgjedhura nga shkrime të tjera, aq më pak origjinal është si studim.
Siç e kemi thënë edhe më përpara, në lidhje me shkrimin, por edhe me punimin intelektual apo artistik në përgjithësi, është e vështirë të gjesh një temë që nuk është trajtuar më parë, të paktën pjesërisht, kështu që origjinaliteti duhet të jetë te mënyra se si përpunohet, se si paraqitet, se si ndërtohet dhe se si ndërthuret një shkrim shkencor. Thënë ndryshe, mund të kenë shkruar shumë autorë: a) mbi pavarësinë e Shqipërisë; c) aktin administrativ; b) pasojat e ndotjes së ambientit; b) shkaqet e gastritit; c) dëmet që duhani i shkakton shëndetit; ç) shkaqet e hipertensionit; d) politikën monetare etj., por kur një studim është origjinal, gjithsecili ka mënyrën e vet se si e ndërton në strukturë, se si e përpunon, se si i ndërthur pjesët e ndryshme të shkrimit, se si i lidh studimet të cilave iu është referuar, se si i ndërton fjalitë etj.
Krijimtaria domethënë “fantazia” (përpunimi) e autorit të një shkrimi është në nivelin maksimal, kur ai e përpunon tekstin në mënyrë të pavarur, pa iu referuar studimeve të tjera, por natyrisht një shkrim shkencor nuk krijohet pa u bazuar edhe te shkrime të tjera. Madje, në përgjithësi, sa më i lartë të jetë, realisht, numri i referimit të studimeve të tjera, i shoqëruar me reflektimin individual, aq më e thellë bëhet aftësia e përpunimit të tekstit. Prandaj, një shkrim shkencor, në përgjithësi, nuk mund të jetë një përpunim tërësisht i pavarur, domethënë pa iu referuar edhe shkrimeve të autorëve të tjerë apo edhe shkrimeve të tua të mëparshme, nëse ke shkruar më parë mbi atë temë. Thënë ndryshe, për të shmangur plagjiaturën dhe që një shkrim shkencor të ketë origjinalitet, është nevojshme që në shkrim të ketë përpunim tëndin të pavarur, të ketë ndërthurje mes mendimit tënd dhe mendimit të studiuesve të tjerë, të mos jetë kopjuar një përqindje e lartë e shkrimit, të mos këtë kopjime në shumë paragrafë në vazhdim apo akoma më keq në disa faqe në bllok të shkrimeve (analizave) të studiuesve të tjerë, duhet të referohen specifikisht në tekst ose në fusnotë rreshtat apo ndonjë paragraf që mund të jetë kopjuar apo perifrazuar nga shkrime të tjera dhe kopjimet fjalë për fjalë duhet të citohen për të dalluar fjalët e studiuesve të tjerë nga fjalët e tua.
Kur e kemi përmendur në këtë analizë kopjimin në lidhje me plagjiaturën, kemi folur për kopjimin e shkrimeve të publikuara, sepse është më e lehtë të gjendet një tekst i bërë publik, por plagjiatura mund të kryhet edhe duke kopjuar tekste të tjerëve të papublikuara. Natyrisht, në rastin e kopjimit të teksteve të publikuara është më e lehtë të provohet kopjimi, duke qenë se dokumenti origjinal është publik (në internet, bibliotekë, librari etj.).
Siç mund ta konstatoni duke lexuar analizat e shkruara nga unë, në plagjiaturat që kemi publikuar në internet në faqen Facebook të Taulant Mukës dhe në disa raste edhe vetëm nga unë në profilin tim në Facebook, ku disa prej tyre gjenden të bashkëngjitura edhe në këtë shkrim, vihet re se në Teza Doktorature apo në artikuj shkencorë, ka kopjime të shumë paragrafëve apo faqeve në bllok. Gjithashtu, në shumicën e rasteve burimi origjinal nuk referohet apo citohet në mënyrë specifike (në tekst apo me fusnotë), madje në shumë raste burimi origjinal nuk gjendej i vendosur as te literatura e konsultuar. Ndërsa në lidhje me përqindjen e kopjimit, për rastet e denoncuara, përqindja ndryshon nga shkrimi në shkrim, por ka edhe artikuj shkencorë ku kopjimi shkon rreth 100 %.
Pjesë nga libri i sapodalë në treg i studiuesit Vladimir Kola me titull: “Plagjiatura dhe shmangia e saj” me shembuj dhe ca rregulla të thjeshtë mbi shkrimin
Studimi që nisi nga gjurmimi i plagjiaturave të politikanëve
Vladimir Kola u bë i famshëm pasi arriti të gjejë doktoraturat apo shkrimet shkencore plagjiaturë të disa politikanëve të rëndësishëm në vend, si: Monika Kryemadhit, Ulsi Manjës, Blerina Gjylametit, Mimi Kodhelit, Taulant Ballës etj. Po ky kërkim i ka shërbyer për të bërë një studim të mirëfilltë dhe një guidë me rregulla për studiuesit e tjerë që të mos bien në plagjiaturizëm.
Në hyrje të librit Kola shkruan se “ky studim është i ndarë në tre pjesë dhe në fund gjendet një listë me 30 rregulla. Në pjesën e parë kam analizuar të drejtën e autorit, origjinalitetin e një punimi shkencor, plagjiaturën, rregullat e referimit, rregullat e citimit dhe shmangien e plagjiaturës. Gjithashtu, në këtë pjesë flas për ngjashmëritë dhe dallimet mes shkeljes të së drejtës së autorit dhe plagjiaturës.
Paraprakisht mund të them, se sipas pikëvështrimit tim, pavarësisht interpretimeve të ndryshme mbi plagjiaturën, mendoj se është mirë të jemi dakord se në një shkrim shkencor si Tezë Doktorature apo artikull shkencor, nuk mund të kopjohen paragrafë në bllok apo më keq faqe në bllok, nga analizat e dikujt tjetër. Gjithashtu, kur ndonjë rresht kopjohet apo perifrazohet nga shkrime të tjera, burimi origjinal duhet të referohet në mënyrë specifike në tekst në kllapa ose në fusnotë dhe jo thjesht të vihet burimi origjinal në fund të shkrimit te literatura e konsultuar. Natyrisht, në tërësinë e tij, shkrimi duhet të jetë përpunim i autorit, duke e ndërthurur në mënyrë të moderuar me shkrimet e të tjerëve mbi atë temë, me referimet specifike. Në këtë pjesë flas edhe për shkelje të tjera te një shkrim shkencor: falsifikimi, fabrikimi, konflikti i interesave dhe mosparaqitja e të gjithë kontribuuesve kur publikohet një kërkim shkencor.
Në pjesën e dytë flas për ca rregulla të thjeshtë shkrimi dhe kërkimi, të cilat shumë njerëz mund edhe t’i dinë, por kam përshtypjen se disa të tjerë nuk i dinë, ose të paktën nuk i dinë aq mirë sa mendojnë. Në këtë pjesë, jap edhe ca këshilla për të kërkuar në internet, në mënyrë të veçantë për të kërkuar me Google advanced research dhe flas edhe për katalogun elektronik të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Gjithashtu, flas për ca parime për të shkruar një studim shkencor. Ndërsa në lidhje me strukturën e shkrimit ndalem edhe te paragraph, te programi Word, ku shpjegoj ndarjen në paragrafë, hapësirën mes paragrafëve, hapësirën mes rreshtave etj. Flas edhe për mundësinë e kombinimit me dy taste, për shkrimin e shkronjave të veçanta si ç, ë; për veçimin (evidentimin) e tekstit etj. Prandaj, për ata që nuk kanë njohuri të mjaftueshme mbi këtë çështje, kjo pjesë mund t’u shërbejë edhe si udhëzues.
Në pjesën e tretë gjenden analizat e plagjiaturave konkrete me krahasimin e tekstit. Plagjiaturat në fjalë, janë publikuar më parë në internet, por gjithsesi, i shtyrë nga dëshira për të shmangur pakënaqësi dhe polemika të mëtejshme, kam preferuar të mos përmend emra konkretë, në analiza, të autorëve me plagjiaturë apo të udhëheqësve shkencorë. Këshillimi im është që të lexohen më kujdes, sepse në analiza vihen në dukje, në mënyrë konkrete, problemet në lidhje me referimin, kopjimin, mungesën e origjinalitetit etj. Përveç analizave, në këtë studim, kam shtuar edhe analizat në retrospektivë ku vë në dukje shkeljet kryesore. Gjithashtu, nëpërmjet krahasimit të teksteve, mund të shihni drejtpërdrejt tekstin origjinal përballë tekstit të kopjuar, kështu që gjithsecili mund të shohë dhe të konstatojë me sytë e tij. Nga ana tjetër, për ata që duan të bëjnë verifikime më të thelluara, në analizat e plagjiaturave gjenden edhe adresat e internetit, ku mund të shihen edhe dokumentet e plota, domethënë teksti origjinal dhe teksti i kopjuar.
Lista në fund me 30 rregulla, është një përmbledhje me rregullat kryesorë mbi referimin, citimin, origjinalitetin etj.”.
Zoti Kola,
sipas njohurive dhe referencave të mia…, ORIGJINALITETI i një studimi nuk mund të qëndrojë aspak NË MËNYRËN “origjinale”: të strukturimit, të përpunimit apo të ndërthurjes së pjesëve të tekstit dhe as në ndërtimin origjinal të fjalive. Është e gabuar ideja juaj se punimi shkencor origjinal ka si lëndë bazë kryesisht “një temë që është trajtuar më parë”, prandaj “origjinaliteti duhet të jetë te mënyra se si përpunohet, se si paraqitet, se si ndërtohet dhe se si ndërthuret një shkrim shkencor.”
Nuk mund të pranohet gjithashtu ideja juaj se “për të shmangur plagjiaturën dhe që një shkrim shkencor të ketë origjinalitet, është nevojshme që në shkrim të ketë PËRPUNIM tëndin të pavarur, të ketë ndërthurje mes mendimit tënd dhe mendimit të studiuesve të tjerë, TË MOS JETË KOPJUAR NJË PËRQINDJE E LARTË E SHKRIMIT”, TË MOS KETË KOPJIME NË SHUMË PARAGRAFËË NË VAZHDIM apo akoma më keq në disa faqe në bllok të shkrimeve (analizave) të studiuesve të tjerë”.
Dashur, padashur ju i mësoni lexuesit tuaj se si të PËRPUNOJNË një a më shumë tekste, ndërkohë që KËRKIMI SHKENCOR përkufizohet si: “veprimtari… që ka për qëllim kryesor zgjerimin, thellimin, rikonceptimin dhe riintegrimin e njohurive shkencore mbi fenomenet e studiuara dhe të kuptuarit teorik të ndërveprimit midis faktorëve të ndryshëm dhe vetë procesit ku ato ndikojnë… që ka për qëllim të gjejë zgjidhje praktike dhe specifike me objektiv kryesor shfrytëzimin e njohurive teorike, me qëllim zbatimin e tyre në praktikë.” ( Ligji nr. 80/2015, neni 6, pikat 11, 12)