Bardh Isufi është autori i dyshuar për plagosjen e 50-vjeçarit Gëzim Bici pasditen e djeshme në Shkodër.
Ngjarja ndodhi pranë urës së lumit Buna, ku Bici u qëllua me pistoletë duke mbetur i plagosur.
Emri i tij është përmendur nga i plagosuri. Mirëpo gjatë marrjes në pyetje në policinë e Shkodres, Isufi ka mohuar akuzaxt në adresë të tij, duke thënë se nuk ka lidhje me këtë ngjarje.
“Nuk kam lidhje unë me plagosjen. Nuk e kam plagosur unë dhe nuk e di kush e ka bërë. Nuk kam asnjë lidhje me ngjarjen”, ka thënë ai përpara grupit hetimor.
Autori i dyshuar ka folur shumë shkurt sepse avokatët mbrojtës e kanë këshilluar që të mos flasë më shumë.
Ndërkohë shtetasi i plagosur Gëzim Bici ka deklaruar se ngjarja ka ardhur nga një konflikt i çastit dhe se autori i plagosjes sipas tij është Bardh Isufi.
Policia e Shkodrës nuk e ka gjetur ende armën e krimit që dyshohet se është një pistoletë me silenaciator. Grupi hetimor dyshon se autori e ka hedhur armën në lumin Buna.