Një ditë pas plagosjes së 28-vjeçarit, Edis Reçaj në Shkodër, policia ka identifikuar dhe ka shpallur në kërkim autorin e dyshuar. Ky i fundit sipas burimeve nga grupi hetimor ka qenë në një makinë me të plagosurin në momentin që e ka qëlluar në këmbë.
Megjithatë përpara hetuesve 28-vjeçari Reçaj ka dhënë një version tjetër. Ai pretendon se nuk ka arritur ta njoh personin që e qëlloi pasi në kokë mbante një kapuç të zi dhe e ka plagosur nga prapa. Ndërsa ka shtuar se nuk ka konflikte apo probleme me asnjë person.
Edis Reçaj u qëllua me një plumb në këmbë në lagjen Paresh të Shkodrës. Në Spital ai dërgua nga i vëllai i tij dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Pavarësisht dëshmisë së dhënë nga 28-vjeçari policia po heton lidhur me ndonjë konflikt të mundshëm që mund të ketë patur i riu së fundmi. Reçaj nuk rezulton person me të shkuar kriminale, por mësohet se është nip i Edmir Alisë të vrarë në 2014 në Shkodër.