Opozita ka prezantuar dje planin për antikorrupsionin dhe mbështetjen e biznesit. Basha parashikon hetim të koncesioneve të Ramës dhe ngritjen e një Agjencie Speciale me partnerë të huaj për zbardhjen e aferave korruptive; moratorium 1 vit për gjobat ndaj bizneseve dhe ngritjen e Bordit të Transparencës Fiskale e sistem transparent e të drejtë për taksat. Opozita angazhohet për rregulla të rinj për tenderat, jo më me 1 ofertues, dhe përjashtohen kompanitë off-shore
Lufta antikorrupsion dhe mbështetja e biznesit shihen si binome të pandara nga opozita. Me një plan konkret për të luftuar korrupsionin dhe për të nxitur investimet dhe zhvillimin e biznesit në vend kreu i PD-së Lulzim Basha publikoi dje hapat kryesorë që do të ndërmarrë që në vitin e parë të qeverisjes nëse fiton zgjedhjet e 25 prillit. Ai ka premtuar një moratorium 1-vjeçar për gjobat ndaj bizneseve për t’u dhënë kështu atyre frymëmarrje, ndërsa fokusi i qeverisjes do të vendoset te hetimi i kontratave koncesionare, një nga gangrenat e qeverisjes 8-vjeçare të rilindjes, të kritikuara në çdo raport të agjencive ndërkombëtare.
Basha në planin e tij parashikon ngritjen e një agjencie speciale hetimi në bashkëpunim me partnerë të huaj në mënyrë që të gjurmojë dhe ndëshkojë çdo aferë korruptive të bërë nga qeverisja socialiste. Basha tha se do të luftojë për një ekonomi tregu ku nuk sundon monopoli apo oligopoli, nën besimin se kjo ekonomi është sistemi i vetëm që mundëson zbatimin e të drejtave të njeriut dhe prosperitet në vend. Plani parashikon transparencë të taksave dhe një platformë kundër oligarkisë duke hetuar kontratat koncesionare që janë dhënë deri tani.
Lufta antikorrupsion
Kandidati për kryeministër tha dje se qeverisja e tij do të jetë transparente dhe në mbështetje të investimeve të huaja e zhvillimit të biznesit vendas. “Çdo vendim i qeverisë do jetë transparent, dhe çdo databazë shtetërore do të jetë publike. Duke filluar nga garat publike e deri te regjistri i pronës. Transparenca totale dhe digjitalizimi do të bëjë të mundur eliminimin e çdo kontakti të panevojshëm me përfaqësues shtetërorë. Unë do të publikoj në 100 ditët e para të punës normën e taksave për 4 vite, për çdo biznes të huaj e vendas duke ofruar parashikueshmërinë fiskale që gjithë këto vite është shkelur me këmbë dhe ka larguar qindra investitorë dhe mijëra vende pune. Do të eliminoj çdo diskrecion dhe interpretim ligjesh nga zyrtaret e ministrat duke mbledhur legjislacionin fiskal në një Kod Tatimor të vetëm.
Do të eliminoj çdo përjashtim nga ligjet, që sot janë bërë rregull dhe e ka çuar korrupsionin në Shqipëri në nivelin e kapjes së shtetit. Unë angazhohem të ngre Bordin e Transparencës Fiskale, një institucion i pavarur nga qeveria, me emërim nga Parlamenti, që do të monitorojë zbatimin e të gjitha politikave fiskale dhe kontrollin e shpenzimeve publike që sot kanë dalë jashtë kontrollit”, u zotua Basha. Ai më tej tha se do të miratojë mekanizmat për rritjen e transparencës së veprimtarisë së qeverisë dhe hetimin e çdo kontrate apo tenderi të mëparshëm që janë dhënë në mënyrë abuzive.
“Rritja e transparencës së veprimtarisë së qeverisë. Nuk do ketë më tendera sekretë, nuk ka oferta të pakërkuara, nuk ka rritje të vlerës së tenderave në mënyrë të pambështetur mbi projekte të qarta. Do të bëhet Publikimi i të gjithë tenderave në faqen e internetit të qeverisë. Do të krijohet Agjencia speciale qeveritare në bashkëpunim me policinë dhe Ministrinë e Drejtësisë dhe partnerët ndërkombëtarë për të gjurmuar, ndëshkuar dhe penguar korrupsionin. Do të ndërtojmë platformën kundër Korrupsionit dhe Oligarkisë, duke hetuar të gjitha kontratat koncensionare.
Kjo platformë do ketë për detyre transparencën duke mos lejuar që PPP-at t’u jepen kompanive me seli në parajsa fiskale ku nuk dihet as emri i pronareve të tyre”, – u angazhua kreu i opozitës. Sipas kreut të Partisë Demokratike plani për biznesin dhe luftën antikorrupsion është përgatitur deri në detaje nga specialistët dhe se ai është gati ta vendosë në zbatim menjëherë pasi të fitojë zgjedhjet. “Një kryeministër që nuk i mban angazhimet e tij para qytetarëve nuk ka të drejtën të kërkojë një mandat tjetër. Ky është angazhimi im ndaj jush”, ripërsëriti dhe një herë zotimin e tij për mandatin e parë Basha.
Mbështetja e biznesit
Shqipëria renditet e 82-ta në botë mes 190 vendesh, sipas raportit Doing Business 2020. Një vend ky mjaft i ulët krahasuar me 4 vende të rajonit: ku Maqedonia e Veriut është e 17-a, Serbia e 44-ta, Mali i Zi i 50-i dhe Kosova e 57-a. Objektivi i opozitës është që ta fusë Shqipërinë mes 30 vendeve më të mira për raportin “Doing Business”. Plani i PD-së për nxitjen dhe përmirësuar klimën e biznesit në Shqipëri është i ndërlidhur me planin për të luftuar korrupsioni duke i parë ngushtësisht të lidhura me njëra-tjetrën. Basha tha se dy hapat kryesorë pas largimit të Ramës nga pushteti janë; goditja e korrupsionit dhe kthimi i Shqipërisë në një vend zhvillimi dhe suksesi për të gjithë.
“Sot biznesi shqiptar humb shumë kohë, energji, nerva me kontrolle dhe inspektime. Për më tepër, kontrollet dhe inspektimet nga organet qendrore dhe lokale, janë ndër faktorët kryesorë që mbajnë gjallë dhe rëndojnë faturën korrupsionin. Sot bizneset shpenzojnë ditë të vlefshme pune për këto kontrolle dhe inspektime. Ne do ta ndryshojmë këtë! Ne do të vendosim një moratorium 12 muajsh, pra 1 vit të tërë, gjatë të cilit do të ndalohen gjobat nga organet lokale apo qendrore për bizneset dhe do të reformohet tërësisht sistemi i inspektimit.
Ne do ta ulim dhe do ta kufizojmë me ligj edhe numrin e inspektimeve dhe kontrolleve ndaj bizneseve. Gjatë një viti nuk do të bëhen më shumë se 10% inspektime apo kontrolle të bizneseve. Kjo sipas shembullit dhe praktikave më të mira europiane. Ne do të ulim në mënyrë drastike numrin aktual të gjithë licencave dhe lejeve që jepen sot nga shteti. Për këtë, ne do të aprovojmë me ligj një listë gjithëpërfshirëse të lejeve dhe licencave me qëllimin që asnjë ministër, asnjë zyrtar tjetër i pushtetit qendror apo lokal të mos mund të kërkojë apo të shtojë kërkesa të reja për biznesin”- tha Basha.
Më tej ai premtoi se do të përgjysmohen afatet ligjore për çdo leje që kërkon vendimmarrje shtetërore, nga 60 ditë për lejet mjedisore të tipit A në vetëm 30 ditë e kështu me radhë. Basha premtoi një qeverisje të vogël dhe efektive që do të menaxhojë me efektivitet taksat për t’i rikthyer atë që meritojnë nga kontributi i tyre në buxhetin e shtetit.
BIZNESI
Agron Shehaj: Investitorët e huaj ikin për shkak të korrupsionit
Ish-deputeti i PD-së, Agron Shehaj, i cili vjen nga bota e biznesit, prezantoi planin e PD-së për nxitjen e investimeve të huaja. Ai tregoi historinë e një mikut të tij sipërmarrës italian i cili nuk investoi në Shqipëri për shkak të korrupsionit të lartë dhe mungesës së një konkurrence të drejtë e të ndershme në biznes. “Në Shqipëri, suksesi i biznesit varet vetëm nga lidhjet me qeverinë, ministrat dhe oligarkët. Fatkeqësisht këtu nuk ka rëndësi sa shumë punon, nuk ka rëndësi sa talent ke, nuk ka rëndësi as sa kapital investon. Rëndësi ka sa paguan ministrin, tatimorin apo burokratin. Dhe ata që paguajnë janë klientët e zakonshëm, oligarkët të cilët sot kontrollojnë ekonominë dhe nuk lënë asnjë hapësirë për të tjerët.
Mungesa e mundësive ekonomike është shkaku kryesor i eksodit të shqiptarëve drejt Perëndimit. Emigrimi ka ulur edhe më shumë potencialin tonë për zhvillim ekonomik dhe shoqëror. Kjo gjendje duhet të ndryshoje urgjentisht dhe Partia Demokratike dhe Lulëzim Basha do ta ndryshojnë. Ne do ta bëjmë Shqipërinë një vend ku prosperon sipërmarrja e lirë dhe investimet e huaja. Ne do të luftojmë korrupsionin, do të rrisim lirinë e tregut dhe do të heqim pengesat e të bërit biznes. Qëllimi ynë është që Shqipëria të jetë mes 30 vendeve të para në botë për lehtësinë e të bërit biznes”, -tha Shehaj.
Ai tha se plani konkret që do i shërbejë këtij qëllimi parashikon; taksën e sheshte 9% që do të stimulojë investimet e brendshme dhe të huaja; transformimin e administratës tatimore për të garantuar trajtim të drejtë dhe të barabarte të bizneseve; zbatimin me rreptësi rimbursimin automatik të TVSH-së, duke iu dhënë fund pengesave dhe favorizimeve; uljen e numrit të lejeve, licencave dhe autorizimeve, duke lehtësuar biznesin dhe duke luftuar korrupsionin; si dhe digjitalizimin e qeverisjen për të kaluar online të gjithë procedurat e biznesit.
Plani i PD-së antikorrupsion:
-Çdo vendim i qeverise do jetë transparent, dhe çdo databazë shtetërore do të jetë publike nga garat publike e deri te regjistri i pronës.
– Në 100 ditët e para të punës do të bëhet norma e taksave për 4 vite, për çdo biznes të huaj e vendas.
– Eliminim i interpretimit të ligjeve nga zyrtarët e ministrat duke mbledhur legjislacionin fiskal në një Kod Tatimor të vetëm.
– Nuk do të ketë përjashtime nga ligjet, që sot janë bërë rregull dhe e ka çuar korrupsionin në Shqipëri në nivelin e kapjes së shtetit.
– Ngritja e Bordit të Transparencës Fiskale, një institucion i pavarur nga qeveria, me emërim nga Parlamenti, që do të monitorojë zbatimin e të gjitha politikave fiskale dhe kontrollin e shpenzimeve publike që sot kanë dalë jashtë kontrollit.
– Rritja e transparencës së veprimtarisë së qeverisë. Nuk do ketë më tendera sekretë, nuk ka oferta të pakërkuara, nuk ka rritje të vlerës së tenderave në mënyrë të pambështetur mbi projekte të qarta.
– Do të krijohet Agjencia speciale qeveritare në bashkëpunim me policinë dhe Ministrinë e Drejtësisë dhe partneret ndërkombëtar për të gjurmuar, ndëshkuar dhe penguar korrupsionin.
-Do të ndërtohet platforma kundër Korrupsionit dhe Oligarkisë, duke hetuar të gjitha kontratat koncesionare. Kjo platformë do ketë për detyrë transparencën duke mos lejuar që PPP-të t’u jepen kompanive me seli në parajsa fiskale ku nuk dihet as emri i pronarëve të tyre.
Mbështetja ndaj biznesit:
-Moratorium 12 muajsh, gjatë të cilit do të ndalohen gjobat nga organet lokale apo qendrore për bizneset dhe do të reformohet tërësisht sistemi i inspektimit.
– Kufizim me ligj i numrit të inspektimeve dhe kontrolleve ndaj bizneseve.
– Ulje e numrit aktual të gjithë licencave dhe lejeve që jepen nga shteti më anë të një ligji me një listë gjithëpërfshirëse të lejeve dhe licencave me qëllimin që asnjë ministër, asnjë zyrtar tjetër i pushtetit qendror apo lokal të mos mund të kërkojë apo të shtojë kërkesa të reja për biznesin.
-Përgjysmim i afateve ligjore për çdo leje që kërkon vendimmarrje shtetërore, nga 60 ditë për lejet mjedisore të tipit A në vetëm 30 ditë e kështu me radhë.